Besimi në cilësitë-atributet dhe emrat e bukur të Allahut xh.sh.

Askush pos Allahut xh.sh. nuk mund të na bën të njohur neve cilësitë dhe emrat e Tij të bukur. Për këtë ekziston thënja e transmetuar nga gruaja e ndershme e Muhammedit s.a.v.s. Aishja r.a. e cila thotë se nga lutjet dhe sexhdet e namazeve të natës të Muhammedit s.a.v.s. ishte edhe kjo: “Allahu im! Unë nuk jam i aftë t’i numëroj vetitë e Tua të larta e të të lavdëroj Ty ashtu siç është e drejta. Ti je ashtu siç e ke karakterizuar dhe lavdëruar vetveten. (Muslimi)

Duke pasur parasyshë ndryshimin terminologjik, konceptet që na e bëjnë të njohur Allahun e Lartësuar janë quajtur diku emra, e diku atribute apo cilësi. Dijetarët tanë në Kur’an dhe hadithe kanë përcaktuar qindra emra kushtuar Allahut xh.sh. Sipas shumicës së dijetarëve, emrat e Allahut janë të pafund. Allahu xh.sh. e ka bërë të njohur një pjesë emrash dhe atributesh, ngase ka edhe të tjera që i mban të fshehta në dijen e Tij të posaçme (gajb).
Në një hadith të treguar lidhur me çështjen e emrave të bukur, fillon kështu: “Allahu i Lartësuar i ka nëntëdhjetë e nëntë emra. Ai që i numëron ato, do të hyjë në Xhennet.” (Mutefik alejhi).
Mbi fjalën “numërimi” që është përdorur në këtë hadith, janë bërë interpretime të ndryshme si: mësimi përmendësh i tyre, mbledhje (prej burimesh bibliografike), rregukkim i sjelljeve e veprimeve tona siç e kërkojnë ato, meditim mbi kuptimet e tyre etj.
Njeriu i cili beson me zemër se Allahu xh.sh. sheh e dëgjon, e ruan dorën dhe gjuhën nga gjërat e këqija.
Po t’i shqyrtojmë 99 emrat e bukur të Allahut, do të shohim se vetëm tre prej tyre emërtojnë ndëshkimin hyjnor, kurse emrat tjerë na përgëzojnë drejtpërsëdrejti për mëshirën, dashurinë, shëndetin, faljen, bujarinë hyjnore, për faktin e dhënjes së shumë shpërblimeve për pak mirësi.
Feja islame nuk mbështetet mbi frikën dhe frikësimin, por mbi dashurinë, mëshirën, faljen, shpëtimin dhe paqen. Po që se një predikues do të flasë njëqind orë mbi kuptimin e hyjnitetit në Islam nga aspekti i frikë-dashurisë, nëntëdhjetë e shatë orë do t’ia kushtonte dashurisë, kurse tri orë frikës.
Nuk ka dyshim se emrat e bukur të Allahut xh.sh., zënë një vend të madh në tekstet fetare dhe jetën e muslimanëve. Emri e nderuar - Allah që e quajmë fjala e lartë, në Kuran përmendet rreth 980 herë. Emri Rrahman (Mëshirues) përmendet 57 herë, kurse emri Rrahim (Bamirës) përmendet 115 herë. Besmelja, e cila përmban emrat Allah, Rrahman dhe Rrahim, përsëritet qindra herë në jetën ditore të muslimanit që çon në vend detyrimet dhe domosdoshmëritë fetare.
Sa i përket cilësisë-atributit, është një kuptim, një koncept që i përket individualitetit të Allahut xh.sh. Kjo mund të bëhet me fjali pohuese dhe me ato mohuese. Cilësimi i Allahut që shprehin përsosmërinë, kërkon përdorimin e fjalive pohuese si p.sh.: "Allahu di. Allahu ka fuqi për çdo gjë.” Kurse cilësimet që shprehin mangësi kërkon përdorimin e fjalive mohuese si: “Ai (Allahu) nuk ka lindur, e nuk është i lindur.”

1. Atributet-cilësitë mohuese janë ato cilësi që nuk i përshtaten Allahut xh.sh., që shprehin mangësi dhe dobësi, që bartin veçori krijese, prandaj edhe duhet të mohohen. Synimi i atributeve dhe cilësive mohuese është që duke asgjësuar çdo lloj shenje shirku (politeizmi), të vërtetohet besimi monoteist në tërë kuptimin e vet, të hyjë në zemra dhe mendje bindja se mes Krijuesit dhe krijesës nuk ka ndonjë pikë të përbashkët apo ngjasim. Ajeti kur’anor “Asgjë s’është e ngjashmja e Tij”, është thelbi dhe shprehja e besimit të pastër.
Dijetarët islam, nga atributet-cilësitë mohuese kanë zgjedhur pesë të tilla në fushën e gjerë përfshirëse dhe i kanë bërë çështje për shqyrtim.
a). Allahu nuk ka fillim (paraqenie). Allahu nuk është një qenie që nuk ka qenë, pastaj është bërë, d.m.th. është krijuar. Nuk mund të thuhet për cilësitë e tij se janë krijuar pas, nuk mund të mendohet një kohë kur Ai nuk ka ekzistuar. Me atributet dhe cilësitë e Tij, Allahu është i pa fillim (paraqenie).
b). Allahu nuk ka fund (pasqenie). Ekzistenca e Allahut vazhdon pafundësisht. Ai nuk është i përkohshëm, i vdekshëm. Ai është i përhershëm.
c). Për të ekzistuar, Allahu nuk ka nevojë për asgjë (kijam binefsihi-ekzistencë në vetvete). Çdo gjë tjetër përveç Allahut ka nevojë për tjetërkënd apo tjetër gjë.
d). Allahu nuk ka të dytë (vahdanijet, njësi-unitet). Allahu është një, unik në atributet dhe cilësitë e Tij, si dhe në adhurimin që duhet t’i bëhet. Allahu është një, nuk ka të dytë si Ai, nuk ka të ngjashëm, ortak, ndihmës apo konkurent. Në Kur’an thuhet: Thuaj: Ai, All-llahu është Një! All-llahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. (Ihlas, 1-2)
e). Allahu nuk u ngjanë krijesave (muhalefetun lil havadith, pangjashmëri me qeniet e krijuara).
Dijetarët kanë bërë objekt shqyrtimi shtatë prej atributeve-cilësive pozitive. Dhe këto janë një pjesë e cilësive dhe atributeve të Allahut xh.sh.
a). Jetë (hajat). Allahu është i gjallë me një jetë të pasosur.
b). Dituri (ilm). Allahu është kompetent i çdo gjëje me një dituri të pakufishme.
c). Dëgjimi (semi). Allahu dëgjon. (Pa dyshim, Allahu dëgjon e sheh).
d). Shikim (besar). Allahu sheh çdo gjë në nivel të përsosur, pa u penguar nga ndonjë pengesë.
e). Fuqi (kudret). Thotë Allahu xh.sh.: “A nuk e dinë ata se Allahu që krijoi qiejt e tokën dhe nuk u lodh në krijimin e tyre, ka fuqi edhe për t’i ringjallur të vdekurit? Po, Ai ka fuqi për çdo gjë.” (Ahkaf, 33)
f). Vullnet (iradet). Aktet krijuese, bërëse, vepruese të Allahut kanë të bëjnë plotësisht me dëshirën dhe vullnetin e Tij.
Në Kur’na thuhet: “Nëse All-llahu të provon me ndonjë të keqe, atë s'mund ta largojë kush pos Tij, po nëse dëshiron të japë ndonjë të mirë, s'ka kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij. E shpërblen me të atë që do nga robtë e Tij. Ai falë dhe mëshiron shumë.” (Junus, 107)
g). Fjala (kelam). Ne kemi Kur’anin që quhet ‘Fjala e Allahut” (kelamullah). Thotë Allahu xh.sh. në Kur’an: “Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t'i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e All-llahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). All-llahu është ngadhënjyesi i urtë.” (Llukman, 27)
Sa për atributin fjalë, ky është atribut që ndërton lidhje mes Allahut dhe robit, që ua përcjell njerëzve mesazhin hyjnor, që u tregon rrugë atyre dhe që i ngarkon me detyra dhe përgjegjësi.



Përgatiti: Visar ef. Koshi