Mësimi i Kuranit në kohën e pejgamberit Muhamed a.s.

Shpallja e përfshirë në Kur’an është përcjellë deri te ne nga një mori individësh në dy forma: gojarisht dhe me shkrim.

Përcjellja gojore e shpalljes u mbështet në hifdh-in ose në nxënien përmendësh dhe vetë i dërguari Muhamed a.s., ishte i pari që mësonte shpalljen përmendësh, pasi ia sillte engjëlli Xhibril.
“Mos e artikulo me gjuhën tënde atë (Kur’anin) për ta nxënë sa më shpejt, sepse është detyra Jonë mbledhja dhe leximi i tij. E kur ne ta lexojmë ty, atëherë ti ndiqe këndimin e tij (Kur’anit).” (75:16-19)
“Më pas i dërguari e bëri publike Shpalljen hyjnore dhe i nxiti shokët që ta mësonin përmendësh atë. Rasti i Ibn Mesudit,i cili ishte njeriu i parë që këndoi Kur’an në faqen e botës në Mekë, tregon se edhe në fazën më të hershme të umetit islam mësimi dhe këndimi përmendësh i Shpalljes hyjnore është praktikuar nga sahabët: i pari që këndoi Kur’an me zë të lartë në Mekë, pas Muhamedit a.s., qe Abdullah Ibn Mesudi. Sahabët e të dërguarit rrinin bashkë në grup dhe të veçuar nga të tjerët, prandaj thuhej se Kureshjët nuk i kishin dëgjuar asnjëherë ata të këndonin Kur’an.
Kur Ibn Mesudi arriti në Mekam, lexoi “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit’’, duke ngritur zërin njëlloj sikur të mos kishte njeri. “Mëshiruesi, i Cili i mësoi Kuranin…” (55:1)…. Ata u ngritën dhe filluan ta godisnin në fytyrë, por ai vazhdoi të lexonte aq sa Zoti deshi që ai të lexonte…
Është përcjellë gjithashtu se Ebu Bekri shpeshherë këndonte Kur’an, përpara shtëpisë së tij.(1)
Dihet mirë gjithashtu, se në namazet e përditshme nevojitet këndimi i Kur’anit, për këtë arsye shumë sahabë dëgjuan në mënyra të ndryshme fragmente nga shpallja, i mësuan përmendësh dhe më pas i përdorën në namaz. Edhe Pejgamberi a.s., e ka dëgjuar Kur’anin të kënduar nga shokët e tij. Abdullahi (Ibn Mesudi) rrëfen: “I Dërguari i Allahut më tha: “Më këndo Kur’an”. – Të të këndoj unë, kur ai të është zbritur ty?!- i thashë unë. “Dua ta dëgjoj nga të tjerët” - më tha. Kështu që unë i këndova suren Nisa. Kur arrita tek(ajeti): “Çfarë do të ndodhë kur Ne të sjellim për çdo popull nga një dëshmitar, kurse ty të të sjellim si dëshmitar kundër tyre?!”, ai më tha: “Mjaft!” Sytë e tij ishin mbushur me lot….”
Pejgamberi a.s., dërgoi mësues për bashkësitë e vendeve të tjera për t’i njohur ata me Islamin dhe Kur’anin. Rasti i Musab Ibn Umejrit dëshmon se kjo gjë ka ndodhur shumë kohë para Hixhretit. Kur u larguan(nga Medina) këta njerëz (të besëlidhjes së parë të Akabesë), Pejgamberi a.s., nisi bashkë me ta edhe Musab Ibn Umejrin, të cilin e udhëzoi që t’u lexonte Kur’anin, t’ju mësonte Islamin dhe t’ju jepte udhëzimet e duhura për fenë. Në Medinë Musabi thirrej “këndonjësi”. Një shembull tjetër mjaft i njohur është ai i Muadh Ibn Xhebelit, i cili u dërgua në Jemen për t’u dhënë udhëzime njerëzve.(2)
Sujuti përmend më shumë se njëzet persona që nxunë përmendësh Shpalljen, si Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Ibn Mesudi, Ebu Hurejra, Abdullah Ibn Abasi, Abdullah Ibn Amri Ibn Asi, Aishja, Hafsa, Ummu Selema etj. Disa prej këtyre Profeti i rekomandoi në mënyrë të veçantë: Mesruku tregon: “Abdullah Ibn Amri përmendi Abdullah Ibn Mesudin dhe tha: “Gjithmonë kam për ta dashur atë njeri, sepse unë kam dëgjuar Profetin të thotë: ’’Merre (mësoje) Kur’anin nga katër persona: Abdullah Ibn Mesudi, Selimi, Muadhi dhe Ubej Ibn Kabi’’.
Një hadith tjetër na flet për ata sahabë që mësuan Kur’anin përmendësh fund e krye, duke u kontrolluar nga i Dërguari para vdekjes së tij. Katade rrëfen: “Pyeta Enes Ibn Melikun: kush e përmblodhi Kur’anin në kohën e Profetit? Ai u përgjigj: “Katër vetë. Të gjithë ensarë: Ubej Ibn Kabi, Muadh Ibn Xhebeli, Zejd Ibn Thabiti dhe Ebu Zejdi”.
Dëshmitë që sjellin disa kronika historike,të cilat,në përshkrimet e disa betejave flasin për të vrarë muslimanë që kishin ditur përmendësh Kur’anin (ose pjesë nga ai), janë tregues të artë se mësimi përmendësh i shpalljes vlerësohej si diçka e rëndësishme dhe se kjo ka qenë një praktik e përhapur gjerësisht që në kohërat më të hershme.(3)
Prej këtej është e qartë se Kur’ani është nxënë përmendësh nga shokët e Profetit që në kohën kur ai ishte gjallë. Një traditë e tillë vazhdoi të ruhet pas vdekjes së Profetit nga sahabët, nga tabiinët dhe nga të gjithë brezat e mëvonshëm të muslimanëve, deri në ditët e sotme. I dërguari a.s., dhe shokët e tij kishin njohuri për shkencat e Kur’anit bile edhe dinin për to më shumë se sa arritën të dinë dijetarët më vonë. Mirëpo, njohuritë e tyre nuk u zhvilluan në formë të shkencave të veçanta as janë krijuar punime e libra në këtë drejtim pasi ata nuk kishin nevojë për vepra të shkruara dhe libra. Kështu, sa i takon të dërguarit ai pranonte shpalljen nga Allahu xh.sh. dhe Ai i ka garantuar që atë, librin do t’ia ruaj në zemër dhe se gjuha e tij do ta lexojë atë rrjedhshëm dhe se çdo fshehtësi e fjalëve të tij do t’i shpalohej. Ja e lexojmë këtë ajet bashkë: “La tuharik bihi lisaneke ...“ Tërë këtë i dërguari ua tregoi njerëzve dhe ua mësonte dalëngadalë krahas asaj që shokët e tij në atë kohë ishin shumë të zhvilluar në kuptimin e kuptimit të gjuhës së tyre arabe të pastër, dhe krahas talentit dhe mprehtësisë së logjikës së tyre e të natyrshmërisë së njohjes së kuptimeve gjuhësore dhe metaforike të fjalëve. Ata kuptuan nga Kur’ani domethëniet të cilat ne sot nuk mund t’i kuptojmë, përkundër njohurive të llojllojshme që karakterizojnë kohën tonë. Përveç kësaj në kohën e sahabëve mjetet e shkrimit ishin shumë pak të zhvilluara. Po kështu edhe i Dërguari a.s. ua ndaloi që të shkruajnë nga ai ndonjë send tjetër jashtë tekstit të Kur’anit, nga frika që të mos përzihet Kur’ani me tekste tjera. Për këto shkaqe nuk u shkruan Shkencat e Kur’anit ashtu siç nuk u shkrua hadithi. Kështu vazhdoi të jetë gjendja e shkencave islame në kohën e dy halifeve të parë Ebu Bekrit dhe Omerit r.a., edhe pse sahabët nuk pushuan të përhapin islamin dhe mësimet e tij, Kur’anin dhe shkencat e tij, sunnetin dhe kuptimet e tij përmes përcjelljeve dhe shpjegimeve gojore e jo me shkrim. Në kohën e Osmanit r.a., shteti islam u zgjerua aq saqë në të u futën shumë popuj që nuk e njihni gjuhën arabe kështu që Kur’ani filloi të lexohet gabimisht saqë lindi frika se gjuha arabe në ndikimin e këtyre popujve të dobësohet dhe të rrezikohet leximi i drejtë i Kur’anit, gjë që do të nxiste fitne dhe mosmarrëveshje në radhët e muslimanëve. Për këtë Osmani r.a., urdhëroi që të shkruhen dhe bëhen kopje të Kur’anit bazuar në Kur’anin bazë që u mblodh në kohën e Ebu Bekrit, të dërgohen këto kopje në qendrat e mëdha dhe të digjen shkrimet tjera të Kur’anit. Përmes një aksioni të tillë Osmani r.a., ve bazat e asaj që ne e njohim sot si shkencë të veçantë: Ilmu Resmil-Kur’an apo Ilmu resmi’l-uthman. Në kohën e Aliut r.a., gjuha arabe ende më shumë përzihet me gjuhët e të huajve, vëreheshin keqpërdorime të fjalëve dhe kuptimeve gjuhësore për këtë ai e urdhëron Ebu’l-Esved Edueliun që të ve disa rregulla për mbrojtjen e gjuhës së Kur’anit nga këto keqpërdorime dhe ia përpunoi atij projektin dhe ia caktoi metodën. Për këtë mund që Aliun ta quajmë vënës të parë të bazave të shkencës që ne sot e quajmë sintaksë bashke me Ilmu’l-I’rab. Pas kohës së Aliut vijnë emevitë dhe në kohën e tyre sahabët e i përhapnin Shkencat e Kur’anit përmes shpjegimeve gojore, por ende jo në formë të shkruar. Këto përpjekje të dijetarëve të sahabëve mund t’i quajmë si fazë paraprirëse të asaj të shkrimit dhe konstituimit të kësaj shkence. Duhet të cekim se në krye të këtyre sahabëve qëndronin Katër Halifet, Ibni Abbasi, Ibën Mesudi, Zejd ibën Thabiti, Ebu Musa El-Eshari si dhe Abdullah ibën Ez-Zubejr. Ndërkaq, në krye të tabiinëve qëndronte: Muxhahidi, Atau, Ikrimeja, Katadeja, Hasan el-Basriu, Seid ibën Xhubejr, dhe Zejd ibën Eslem në Medine nga i cili morri shkencat e Kur’anit i biri i tij Abdurrahmani, dhe Malik ibën Enesi nga tabi tabiinët. Këta dijetarë llogariten si vënës të bazave të shkencave që njihen si „Ilmu Esbabi Nuzul“, Ilmu Nasih ve Mensuh“, „Ilmu Garibi’l-Kur’an“ dhe të ngjashme.(4)
Siç e dim Kur’ani i zbriti Muhamedit a.s., që ishte analfabet dhe në gjuhën e një populli që ishte i pashkolluar, prandaj kujdesi më i madh i Muhamedit a.s., ishte që muslimanët të mësojnë Kur’anin përmendësh, njëkohësisht ai ua mësonte dhe i nxiste sahabët që ta nxinin Kur’anin përmendsh.Këtë më së miri na e tregon vet Kur’ani famëlartë: “ Ai, ( All-llahu) është Ai që e ka dërguar tek analfabetët Pejgamberin nga mesi i tyre, i cili u citon ajetet e tij, i pastron ata dhe ua mëson librin (Kur’anin) dhe urtësitë, edhe pse më parë, ata qartazi ishin në humbje.”(5) Nga ky ajet shihet qartë se Muhamedi a.s., dhe sahabët e tij ekskluzivisht i kushtohen nxënies së Kur’anit përmendsh, ngase kjo ishte e vetmja mënyrë për të ruajtur Kur’anin, sepse shumica e njerëzve ishin analfabetë. Karakteristikë e hershme e arabëve ishte nxënia përmendësh, edhe para Islamit ata njiheshin për aftësitë e tyre që të mësonin përmendsh, dihet se para Islamit arabët mësonin përmendësh mijëra vargje të poezisë dhe poezitë më të mira i varnin në muret e Qabes. Këtë aftësi mendore arabët do ta shfrytëzojnë për nxënien e Kur’anit përmendësh, për shkak se Kur’ani është libër hyjnor, i përkryer si nga përmbajtja, ashtu edhe nga e ndërtimit artistik, stilistik dhe i paarritshëm në çdo aspekt, arabët do ta shfrytëzojnë tërë potencialin e tyre për të nxënë përmendësh Kur’anin. Sujutiu në El- Itkan(6) përmend se në fillim zbritën suret e shkurta, dhe fëmijët musliman i kishin mësuar të gjitha suret e shkurta të Kur’anit. Angazhimi i sahabve në nxënien e Kur’anit përmendsh ishte bërë pjesë e jetës së tyre, kudo që të ishin, transmetohet se Muhamedi a.s., i dallonte shtëpitë e sahabve natën, në bazë të zërave që dëgjonte kur lexonin Kur’an në familjet e tyre edhe pse më parë nuk i kishte ditur shtëpitë e tyre.(7) Në xhaminë e Muhamedit a.s., dëgjohej zhurmë e madhe nga leximi i Kur’anit, sa që Pejgamberi a.s., kërkonte nga ashabët që të ulin zërin e tyre që të mos e pengojnë njëri tjetrin derisa e mësonin Kur’anin. Kështu vilej dhe ruhej Kur’ani në shpirtin e pastër të sahabve në mënyrë shumë të sigurt, edhe sot e kësaj ditë kjo traditë e nxënies së Kur’anit vazhdon, ku në botë kemi me mijëra hafizë(8) të Kur’anit dhe nuk shënon historia të jetë mësuar ndonjë libër tjetër përmendësh sikur është mësuar Kur’ani. Një ruajtje të tillë të Kur’anit ua mundësoi besimtarëve Allahu xh.sh., i cili thotë: “Ne vetë e kemi bërë të lehtë Kur’anin për nxënie (dhe kuptim) prandaj, a ka kush që do ta mësojë”.(9)


_________________________________
1. Ahmed Fon Denfer,”Historia e Kuranit”,Sh.B,Nektari,Tiranë 2006-Fq-34
2. Po aty-Fq-35
3. Po aty-Fq-36
4. Burim i marrë me 3.5.2014 në faqen: www.el-ahnaf.com, - Tema: Tubimi i Kuranit publikuar me 10.shtator 2012
5. Sureja el- Xhum’a ajeti -2
6. Xhelaludin Abdurahman bin Ebu Bekër es- Sujutiu, vepra El- Itkan konsiderohet një ndër librat bazë të Ulumul Kur’anit e shkruat në shekullin e IX
7. Qazim,Qazimi,“Njohuri mbi Kur'anin”, Botoi: Shtëpia Botuese” Dituria Islame”, Prishtinë, 2006,Fq-94
8. Hafidh- njeri i cili e mëson Kur’anin përmendsh
9. Sureja el- Kamer, ajeti 17


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi