Recension për librin "Fragmente nga jeta e sahabëve"

(Libri ”Fragmente nga jeta e sahabëve”, i autorit egjiptian Dr. Abdurrahman Rafet EI Basha, është libër që si asnjë tjetër të afron me sahabët e Resulullahut, aq sa gjatë leximit humbet kohën dhe të duket se je pjesë e kohës kur jetuan Resulullahu dhe shokët e tij të sinqertë, sahabët r.a., ndërsa faqet e tij s'dëshiron të mbarojnë kurrë.)

Për herë të parë në shqip ky libër u botua në vitin 1996, në shtatë broshura, në formë të lekturës shkollore, e më vonë edhe si libër i plotë, ndërsa për herë të fundit, më 2014, libri vjen me botimin e dytë, tani në një vëllim të plotë dhe më të bukur se herave tjera.
Derisa në botimin e parë ishin përfshirë gjithsej pesëdhjetë e tetë sahabë, në mesin e të cilëve ishin edhe katër femra, në këtë botim ky libër vjen edhe me 14 sahabë më shumë, katër prej të cilëve edhe këtu janë femra, e që edhe vetë autori i ka shtuar në botimet e mëvonshme të librit në gjuhën arabe.
Në mbi 500 faqet e këtij libri lexuesi shqipfolës do të ketë mundësi të njihet me 72 shokë të pejgamberit tonë të fundit, Muhamedit a.s., përkatësisht me copëza e fragmente nga jeta e tyre shumë e begatë me punë e shembuj për historinë në përgjithësi. Në këtë kontekst, edhe nëse fillojmë me të parin sahabi të renditur në libër, Seid ibnu Amir el-Xhumehij, që edhe sot e kësaj dite mbetet shembull në udhëheqje e qeverisje; megjíthëse ishte vali në Hims, ai prapë ishte më i varfri në qytet, apo edhe me të fundit, që është një grua (El-Guemejdau bintu Milhan), e njohur më shumë si Umu Sulejm, e që mbetet shembull për gjininë femërore, si në urtësi, largpamësi, sjellje të mirë, edukatë, sadaka, diskutim dhe thirrje në të vërtetën, përgjithësisht ky libër na jep shembuj të shumtë e konkretë se si duhet qenë një shoqëri e shëndoshë, stabile dhe prosperuese. Vetë përmbledhja e fragmenteve nga jeta e 72 personaliteteve të njohur nga brezi i parë i Islamit është veçoria themelore që e dallon këtë botim nga botimet e mëparshme të këtij libri, por edhe librin në veçanti nga librat tjerë të historisë islame.
Ky libër lindi/erdhi si preokupim i dashurisë së madhe e të sinqertë që autori mishëroi në shpirtin e tij për Zotin, të Dërguarit e Tij, si dhe shokët e tyre, sahabët. Në një paratekst të botimit të këtij libri autori edhe thotë: "O Zot i Madhërishëm! Unë i desha sahabët e Pejgamberit Tënd - Muhamedit a.s., me një dashuri të çiltër e të sinqertë, andaj më afro, pranë cilitdo prej tyre, në Ditën e Llahtarisë së madhe (Ditën e Gjykimit) meqë Ti, o i Gjithëmëshirshëm e di se ata nuk i desha për asgjë tjetër, përveç për hir të dashurisë së madhe ndaj Teje!”

"Sepse gjërat më të bukura paguhen vetëm me çmimin e vuajtjeve të mëdha..."

I cilësuar si një libër që ka përmbledhur “shembuj sakrificash” të njerëzve më të sinqertë që njohu historia njerëzore, ky libër ia vlen të shfletohet edhe për një fakt tjetër, atë të shembullit transformues të karakterit.
"Nëse ata njerëz para përqafimit të fesë islame ishin të njohur me vrazhdësinë dhe sjelljet e tyre më të shëmtuara, me kalimin e tyre në fenë islame ata shndërrohen krejtësisht në njerëz me tipare të reja, të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët me të kaluarën. Ata ishin të butë me të pafuqishmit, por të ashpër dhe të pathyeshëm ndaj armiqve dhe mizorëve", thotë ndër të tjera profesori Qemajl Morina në parathënien e botimit të parë të këtij libri, në vitin 1996. Në këtë kontekst është më se e mjaftueshme të kujtojmë transformimin e karakterit të Omerit r.a. dhe të Halib bin Velidit r.a.
Mësimi të cilin duhet ta mësojmë të gjithë nga kjo periudhë nëpër të cilën kaloi Pejgamberi a.s. dhe sahabët e tij është se kurdoherë që besimi (imani) është i ngulitur në shpirt, atëherë të gjitha sakrificat janë të lehta. Çdo fitore kërkon një çmim tejet të lartë, i cili patjetër lypset të paguhet për të. E kur është fjala për të shprehur vlerën e gjërave të shtrenjta, e që duhet paguar me çmim të madh, si shkrimtarët dhe poetët nuk shprehet askush. Shkrimtarja australiane Colleen McCullough, në një vepër të sajën, kur do të tregojë se sakrifica për diçka të shtrenjtë nuk ka rëndësi sa është, qoftë edhe nëse paguhet me jetën, ndër të tjera, shprehet: "Sepse gjërat më të bukura paguhen vetëm me çmimin e vuajtjeve të mëdha..." Ndërsa ky libër është ndoshta libri që më së shumti ka përmbledhur shembuj të sakrificave dhe vuajtjeve për gjëra të shtrenjta, përkatësisht për atë që ndërton dinjitetin njerëzor, fenë.
Zoti i shpërbleftë për sakrificat e tyre, e bëftë shembullin e tyre mësim për ne dhe shoqëritë në mbarë botën, siç i bëri të paharruar deri më sot, e duke i pasuar shembujt e tyre na e mundësoftë edhe neve fatin e tyre: në këtë botë sundimin e saj, e në botën tjetër Xhenetin. Ky libër copëzash jete me plot vuajtje e sakrifica, me fragmente nga shokët më të afërt të Pejgamberit a.s., është një llambë që të ndriçon rrugët e jetës, për ta njohur të kaluarën dhe për ta vlerësuar të tashmen, dhe assesi një fragmentarizim, ndërprerje dhe copëzim i një historie, për të mbetur e pakuptueshme. Fragmentariteti në këtë libër është në shërbim të plotësimit, dhe jo në shërbim të ndarjes. Prandaj edhe titulli “Fragmente nga jeta e sahabëve” i shkon tepër mirë një përmbledhjeje copëzash jetësh që ndërtojnë një histori, jetë të plotë të një shoqërie shembullore, siç ishte ajo e Pejgamberit a.s.
Libri "Fragmente nga jeta e sahabëve”, i autorit egjiptian Dr. Abdurrahman Rafet El Basha është libër që si asnjë tjetër të afron me sahabët e Resulullahut, aq sa gjatë leximit humbet kohën dhe të duket se je pjesë e kohës kur jetuan Resulullahu dhe shokët e tij të sinqertë, sahabët r.a., ndërsa faqet e tij s'dëshiron të mbarojnë kurrë.
Duke njohur sahabët dhe jetën e tyre ne sadopak do të edukohemi dhe do të priremi të bëjmë vepra të tilla, e ky pa dyshim se është përfitimi më i madh nga leximi i këtij libri. Përveç kësaj, nga praktikimi i kësaj trashëgimie të lavdishme ne edhe do të përfitojmë shpërblim të madh nga Zoti për ruajtjen e trashëgimisë së gjeneratës më të artë që pati historia njerëzore; e pastë thënë Zoti që veprat tona t'u përngjajnë veprave të tyre!


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi