Bomba që vret përditë

Pa dyshim që keni dëgjuar për “Murtajën e shekullit”, për “Bombën shkatërruese”, për “Vrasësen më të madhe”, më të pamëshirshme, për atë që ka vrarë dhe që vazhdon të vrasë me miliona njerëz, për atë e cila po të preku të dogji.

Pikërisht, bëhet fjalë për sëmundjen e pashërueshme të sida-s, prej së cilës, burra e gra, pleq e të rinj, madje edhe fëmijë të pafajshëm i dhanë dhe po i japin lamtumirën kësaj bote. Fajtori kryesor i kësaj gjëme vdekjeprurëse është vetë njeriu, sepse kjo bela e rëndë përhapet si pasojë e degjenerimit, marrëdhënieve të jashtëligjshme, e megjithatë vetja e njeriut anon nga e keqja, gjithmonë dëshiron të provojë të ndaluarën, pa marrë parasysh se çfarë rreziku e pret. Njerëzit, duke mos i respektuar normat morale, bien në një greminë nga e cila nuk ka më shpëtim, por më e keqja është se marrin në qafë edhe njerëz të tjerë. Duhet ditur se çdo e keqe që na kaplon, qoftë sëmundje, varfëri, fatkeqësi, telash, vuajtje, etj., është rezultat i veprave tona.
Nga nevojat fizike të njeriut, janë dhe marrëdhëniet seksuale. Të tillë e ka krijuar Zoti njeriun, dhe kjo me qëllim që të garantojë vazhdueshmërinë e llojit dhe racës njerëzore, por kurdo që ai devijon nga rruga që i është caktuar, ndëshkohet në jetën e kësaj bote para se të ndëshkohet në jetën e botës tjetër. Duke u përplasur me ligjet dhe normat e caktuara nga vetë Zoti në këtë botë, do të vjelësh frutat e kalbura dhe vuajtjet e kësaj përplasjeje.
Sot, jemi dëshmitarë ku shumë institucione përpiqen dhe ia kanë arritur që perversitetin ta konsiderojnë diçka normale. Organizojnë konferenca, takime, martesa kolektive mes individëve të së njëjtës gjini, etj. Rezultati i kësaj lirie të shfrenuar është kjo bombë seksuale të cilën e shohim të shpërthejë çdo ditë. Kurdo që përhapet shthurja morale, duke u konsideruar si kulturë mes njerëzve, sjell me vete sëmundje dhe epidemi të ndryshme, të padëgjuara më parë.
Sida dhe shumë sëmundje të tjera, të cilat transmetohen kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve intime, janë sëmundje që nuk njiheshin nga brezat e mëparshëm, që nuk janë zbuluar veçse në dekadat e fundit dhe vijnë si pasojë e përplasjes mes njeriut e vetë natyrës së tij dhe ligjeve të Zotit. Ato janë rezultat i dhënies pas epsheve dhe kënaqësive, duke mos njohur kufij. Edhe kafshët që janë kafshë, e kanë të organizuar dhe të disiplinuar çështjen e shumimit, ndërsa njeriu nuk njeh caqe, derisa arrin në kulmin e sjelljeve perverse, madje nuk mjaftohet me kaq, por këtë fillon ta reklamojë dhe konsiderojë si emancipim dhe modernitet.
Shpërthimi i bombës seksuale nuk njeh nivele të caktuara kulturore, nuk njeh varfëri apo pasuri, gjenialë apo dritëshkurtër. Ai është një shpërthim epshor, të cilin njeriu nuk e kontrollon dot, nëse nuk është parimor dhe i ushqyer me vlera fetare dhe morale. Ne jemi dëshmitarë që njerëzimi po mbytet nga një degjenerim që nuk njeh kufij dhe prej kësaj nuk e shpëton gjë tjetër përveç fesë, vlerave morale dhe forcimi i lidhjeve me Zotin, Krijuesin tonë. Prandaj secili prej nesh, duhet dhe mund t’i frenojë epshet e tij, vetëm duke besuar në parime logjike, të cilat gjenden vetëm në fenë e Zotit.
Sot është për të ardhur keq, sepse edhe institucionet arsimore dhe “edukative” proklamojnë në mënyrë indirekte degjenerimin, duke ndikuar kështu në mbjelljen e sëmundjeve më të rrezikshme të kohës. Në lëndën e Edukatës seksuale në shkollë, fëmijët mësojnë se marrëdhëniet intime duhen kryer me masa mbrojtëse, por asnjëherë nuk u mësohet atyre se marrëdhëniet jashtëmartesore janë ndër shkaqet kryesore të lindjes dhe zhvillimit të virusit të SIDA-s. E njëjta gjë ndodh edhe me organizatat dhe fondacionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat vjelin fonde të majme për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje, e këto fonde justifikohen me organizimin e disa aktiviteteve, qëllimi i të cilave është më shumë pasqyrimi mediatik sesa kurimi i plagës në thellësinë e saj dhe nga rrënjët. Në të shumtën e rasteve po të njëjtat organizata legjitimojnë dhe mbrojnë marrëdhëniet brenda të njëjtës gjini, duke e quajtur gjithë këtë “Zgjedhje e lirë njerëzore” që duhet respektuar. A nuk është ky një kontrast i gjallë?! Nuk shuhet zjarri me benzinë.
Madje, ditëve të sotme, të tilla organizata dhe simotra të tyre ngrejnë zërin për të legjitimuar shtëpi publike, si zgjidhje e problemit dhe si parandalim i rrezikut të përhapjes së AIDS-it. Por a mund të jetë vallë kjo një zgjidhje?! Apo mund të rezultojë një mejdan më i gjerë, i cili do të shënojë një numër më të madh viktimash sesa ai i tanishmi që ka ngrënë kjo kuçedër e madhe me emrin “SIDA”, të cilën sapo e përmend të kall datën.
Për fat të keq edhe në rrugët, hotelet dhe motelet e Shqipërisë po qarkullojnë me qindra e mijëra “kobra”, të cilat po të infektuan s’ke më shpëtim, ndërsa organet përkatëse e mbajnë njërin sy mbyllur duke mos i vënë re këto shtigje shkatërruese të shoqërisë.
Programi i luftës kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme pranë Kombeve të Bashkuara u dërgoi ftesa të gjithë liderëve fetarë për të marrë pjesë në konferencën e Kajros dhe atë të Damaskut më pas. E habitshme është se këto ftesa dhe kërkesa për ndihmë nga OKB drejtuar njerëzve të fetarë, bëhen vetëm pasi çështjeve të seksit dhe epsheve, u është lënë fushë e lirë veprimi në të gjithë mediet. Kjo bëhet vetëm pasi politikanët, pasanikët, biznesmenët grykës etj., kanë shkatërruar çdo vlerë morale dhe kanë shenjtëruar paranë dhe epshin.
Një tjetër instrument nxitës për përhapjen e rrezikut te prekjes nga sëmundja më me nam në këto dekada është edhe media, e cila me programet e saj shthurëse, ku kanale të tëra mediatike me përmbajtje pornografike reklamohen nëpër paketa të ndryshme satelitore dhe tokësore, duke tërhequr kështu shtresa të ndryshme të shoqërisë njerëzore, të cilët “zot” të vetin kanë veten dhe epshet e tyre. E kush është kapur pas vetes dhe epshit dhe ka dalë i fituar?! Askush. Të paktën ky është rezultati që vjen nga historia e deritanishme njerëzore që nga njeriu i parë në faqen e dheut.
Po t’i pyesësh të prekurit nga Sida se çfarë do të ishin të gatshëm të bënin për t’u shëruar, të gjithë pa përjashtim do të bënin gjithçka, si e si që të zgjidheshin nga këto pranga, të cilat i mbysin çdo ditë nga pak, derisa të vija dita t’ua mbyllin dhe sytë përgjithmonë.
Pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes janë:
-Si mund të shpëtojmë pa rënë në kthetrat e kësaj egërsire?
-Si mund ta çojmë jetën pa rënë në këtë gropë?
-Si mund të jetojmë të lirë pa rënë në këtë burg?
-Ku duhet të kapemi që të mos biem në këtë ferr?
Shpëtimi vjen nga Shpëtuesi dhe ai është Një, Allahu. Ai që e krijoi njeriun dhe e di se për çfarë ka nevojë vetja dhe shpirti i tij. Gjithçka i ofroi në shërbim të tij, pikërisht për përmbushjen e këtij qëllimi, por njeriu është i pangopur. “Tahmaja e madhe të lë pa gjë”, kjo fjalë e urtë e popullit zë vend shumë mirë edhe këtu.
Duhet të jemi vigjilentë, të kemi kujdes ku hedhim hapat, pasi dërrasat e kalbura na rrethojnë gjithandej, edhe pse nga jashtë janë lyer me shkëlqyes. Duhet të kemi kujdes në çdo hap që hedhim, që të mos biem në pusetat e shumta që na dalin përpara, edhe pse në pamje të parë na duken të mbyllura, por sapo shkel mbi to, përfundon në thellësitë e tyre. Këto puseta janë shumë herë më të rrezikshme sesa ato të rrugëve tona, të cilat mund të të sakatojnë ndonjë gjymtyrë të trupit, por këto të tjerat ta presin shumë shpejt biletën për në jetën tjetër, atje ku dënimi për shkelje në dërrasë të kalbur do të jetë edhe më i madh sesa ai i përjetuar në këtë botë.
Nëse duam të shpëtojmë, le të kapemi fort pas fesë dhe vlerave tona. Le t’i forcojmë lidhjet me Zotin tonë, le të largohemi nga harami, t’i njohim pasuesit e rrugës së keqe dhe që e reklamojnë atë, me qëllim që t’u qëndrojmë larg atyre. Le ta forcojmë veten dhe vullnetin tonë me besim. Le të largohemi nga ekranet e stacioneve me filma dhe programe epshndjellëse. Le të largohemi nga çdo faqe elektronike me përmbajtje erotike. Le të largohemi nga shoqëria që nxit për vepra të ulëta.
Për largimin nga ferri nuk mjafton një ditë. Edhe për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së Sida-s nuk mjafton vetëm data 1 Dhjetor, ditë në të cilën organizohen aktivitete të ndryshme shumëmiliardëshe. Që të kemi një shoqëri të shëndoshë duhet të kemi një familje të shëndoshë, që të kemi një familje të shëndoshë duhet të kemi prindër të edukuar. Që të kemi një të ardhme të shëndoshë, duhet të kemi një rini të shëndoshë. Për realizimin e këtyre objektivave kërkohet edukim mbi baza të larta morale, të cilat ofrohen në një paketë ofertë, vetëm në kushtetutën hyjnore të të vetmit Allah, e ajo është Kur’ani dhe Tradita Profetike e Muhamedit, paqja qoftë mbi të! Kush është kapur pas tyre ka shpëtuar, kush jo, ka humbur, dhe ka humbur shumë. /Drita Islame/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi