Ndikimi i fesë
S’ka dyshim bazat e civilizimeve janë fetë, dhe gjithnjë e më shumë janë më ndikuese në shoqërinë moderne. Çdoherë që feja qëndroi në ballë të revolucioneve, rezultati ishte masiv dhe reflektues. Pavarësisht që jofetarët tentuan ta përdorin për interesa më të ngushta, duke fshehur qëllimet e tyre prapa fesë, ajo mbetet elementi më ndikues dhe më masiv i shoqërisë njerëzore. Feja nxit besimtarët për punë të mira humanitare, duke e obliguar individin me misionin e kontributit për paqe e liri, për dallim nga ideologjitë njerëzore që ofrojnë diçka më të ngushtë, më minore. Bindja fetare ofron edhe amshueshmërinë.
"Baza e moralit duhet të jetë feja, për arsye së besimi është një themel dhe shtyllë e rregullimit të njerëzimit, dhe njerëzia nuk mund të zhvishet nga ajo për asnjë kohë, dhe në asnjë mënyrë.”(1)
Pavarësisht pretendimeve se me zhvillimin e shkencës njeriu do të bëhet "I pavarur nga Zoti", qetësinë, lumturinë dhe orientimin e drejtë të shoqërisë nuk mund ta sjellin këto të arritura.
“Le të pranojmë se teknika dhe komforti që sollën shkencat eksperimentale në shek XX-të kanë siguruar rehatinë e disave, mirëpo, ato në asnjë mënyrë, nuk kanë siguruar lumturinë e njerëzimit.”(2)
Në ruajtje të identitetit kombëtar
Ishin fetarët ata që i dhanë kuptim politikës kombëtare shqiptare, duke filluar që me Mulla Ymer Prizrenin e tutje, me parimin se Zoti i obligon të japin kontribut për lirinë dhe ruajtjen e popullit të tyre. Duke dashur të jenë më afër popullit, prijësit fetarë ua mësonin masës orientimin e drejtë krahas besimit edhe atdhedashurinë.
"Intelektualët shqiptarë nisën të shkruanin në gjuhën shqipe me qëllim që veprat e tyre të ishin më të kuptueshme për masën.”(3)
Shkollat e hershme ishin kryesisht fetare, apo të stimuluara nga fetarët, kurse shkrimet shqipe, pavarësisht botëkuptimeve të ndryshme, fillojnë që nga gazelat, divanet shqipe me alfabet araboosman. Në shekullin XVIII një prodhim të veçantë letrar në shqip e bëjnë autorët e qendrave jugore të Shqipërisë. Natyra e veprave të këtyre autorëve i afrohet më shumë qëllimit të një vepre letrare artistike të mirëfilltë, pa ndonjë qëllim të paravënë. Veprat e tyre merren me jetën qytetare, me përfytyrimet personale e sociale, me jetën e përditshme, madje dhe me shfaqjet karakteristike të kësaj jete. Ata u quajtën bejtexhinj, që domethënë vjershëtarë: nga gjuha arabe bejte-varg. Në këtë vështrim edhe vjershëtarët janë nismëtarët e shkrimit të letërsisë shqiptare. Kontributi i myslimanëve është që nga viti 1728, me Fjalorin e Gjuhës Shqipe nga Nezim Frakulla, kurse në 1884 me poemën e Haziz Ali Ulqinakut. Kurse poema për Muhamedin a.s. është një ndër elementet më të përhapura ne letërsinë shqipe me shkrimin osman, e ruajtur edhe gojarisht, gjeneratë pas gjenerate. "Mevludi është formë e veçantë e krijimtarisë letrare shqipe.”(4)
Në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, kishte përpjekje për të ringjallur, përhapur e mbajtur traditën islame si identitet kombëtar, por vjen komunizmi dhe e ndërpret çdo gjë. Kështu, në vitet 1923 e tutje, për 16 vjet radhazi, feja jo vetëm që ndihmoi ruajtjen dhe përhapjen e identitetit shqiptar, por edhe ndikoi në kultivimin e një pasurie kulturore një mendimi teologjik islam gjatë kohës së paspavarsisë.”(5)
Shqiptarët dhe identiteti islam në Evropë
Pozita gjeografike ku jetonin shqiptarët autoktonë i bënte ata të jenë në epiqendër dhe, duke qenë të vendosur në identitetin e tyre, të përballen me sfida të shumta. Rumelia-Ballkani, që do të thotë qendra, lindja dhe juglindja e Evropës, përkundër trysnive, luftërave dhe pasojave të pashmangshme të tyre, si varfëria dhe degjenerimi, akoma e përfaqëson krahun evropian të Islamit. ”Shqiptarët, me pranimin e Islamit, bëhen element ndikues në rajon e më gjerë, duke shpëtuar nga copëtimet greke, serbe e bullgare. Por edhe duke qenë "një prej kaptinave më të rëndësishme dhe më të bekuara të Islamit në Evropë."(6)
"Në krahasim me vendet tjera të Ballkanit, në Kosovë nuk janë më të pakta medresetë, mejtepet, çezmat, urat, sahatkullat, hanet, hamamet, karvansarajet dhe objektet tjera të ”qytetërimit”, gjegjësisht të dijes, shkencës, pastërtisë, rregullit, sigurisë e urbanizmit.”(7)
Projektet serbe për të dëmtuar fenë
Historikisht mësymjet kriminale serbe janë bërë në ditët që shënojnë identitetin fetar të shqiptarëve, si dhe mbi objektet e tyre fetare. Përveçse me qëllim të shndërrohen festat e gëzimit në hidhërime e vuajtje për besimtarët, mësymjet e tilla në ditë të Bajramit, dhe mbi xhamitë e mbushura me besimtarë shqiptarë, ishin një pëlqim i qartë i mesazhit se shqiptarët duhet braktisur tokën e tyre.(8)
Serbët, ku mundën dhe si mundën, bënë masakra mbi shqiptarët. Ata janë të prirë që krimet më të mëdha t'i bëjnë në ditët dhe në netët festive më të mëdha fetare islame, siç është dita e Bajramit, dita e xhumasë etj? Kënga epiko-historike e Demë Ahmetit ka për objekt këndimin e një masakre të thellë e të përmasave të mëdha që bënë kriminelët serbë ndaj familjes së Demës, pikërisht në ditën e Bajramit. Duke e ditur se meshkujt shkojnë në xhami për ta falur Bajramin, e në shtëpi mbesin vetëm gratë dhe fëmijët, serbët e ditën se do ta kishin më të lehtë të bëjnë krime dhe t'i shfryjnë ndjenjat shtazarake, ta zhdukin familjen, ta nëpërkëmbin nderin familjar, kombëtar e fetar.”(10)
Nga ana tjetër, mendimi i hoxhës vë në funksion lëvizjen e burrave për ta ruajtur nderin, duke ndërprerë faljen dhe festimin e Bajramit. Kështu, kur vjen lajmi i Demës për masakrën në familjen e tij, hoxha jep zgjidhjen e duhur për t'iu bashkangjitur Demë Ahmetit. Këtë e shprehin edhe vargjet e këngës popullore:t
Kush s'priton mas Demës me shkue,
Kit Bajram si n'Qabe me çue.”(11)
Elementet e qëndrueshmërisë
Feja islame me qytetërimin e saj në vazhdimësi zuri vend në botën materiale shpirtërore të shqiptarëve, por ajo u reflektua gradualisht edhe në fushën e krijimtarisë poetike gojore. Islami dhe praktikimi i tij, siç është agjërimi i Ramazanit, ishte dhe do të mbetet shtyllë e fortë e qëndrimit të myslimanit në fenë e tij, pastaj sakrificë dhe vepër madhore, por edhe stimulim për të qëndruar patundshëm në këtë fe dhe etnitetet.
Te këngët popullore shqiptare gjejmë këtë element të qëndrueshmërisë dhe të fuqishëm e inkurajuese, për të mos u dorëzuar ndaj dhunës kriminale që bënë sllavët për t'ua ndërruar fenë shqiptarëve, anekënd trojeve, e veçanërisht pjesës së Lugut të Baranit, ku udhëheqësi, Hazir Alia, u thotë vendosmërisht kriminelëve:
"Niher Zotit i kemi besue
Për çdo ditë në xhami jem shkue,
Ramazanin kemi ngjinue ,
gjithë Bajramin e kem festue ,
s'mun na shtjen kurrë fenë me nrrue."(12)
________________________
(1) Hafiz Ali Kraja, "A duhet feja - A e pengon bashkimin kombëtar” Shkup, 1999 f.53.
(2) Prof. Dr. Bekir Toploglu "Biseda fetare", Përktheu: Mit'hat Hoxha, Istambull, 1999, 16.
(3) Dr. Abdullah Hamiti, "Nazim Frakulla - jeta dhe divanet e tij”, Në: "Edukata Islame", nr. 67-2002, Prishtinë, f. 41.
(4-5) Grup Autorësh: "Mevludi tek shqiptarët”, Prishtinë, 2010, f. 105.
(6) K.M.SH. "Zani i nalt”, Vëllimi i pare, Tiranë, 2014, f. xi.
(7) "Kosova kitableri", Mbishkrimet në Kosovë, f. 21.
(8) Po aty, f. 25.
(9) Dr. Hysen Matoshi, "Lotët për atdheun e robëruar”, Në "Takvimi (1432-1433), 2011, Prishtinë, 2011, f. 238.
(10) Prof. Dr. Adem Zejnullahu, "Këngë popullore me elemente islame", Prishtinë, 2011, f. 31.
(11) Po aty. f. 32.
(12) (k 21.V.V 166-171).
(13) K. 50 V36-41, Sipas Prof. Dr. Adem Zejnullahu, "Këngë popullore me elemente islame", Prishtinë, 2011, f. 46.