Çështje të shëndetit mjedisor në Islam

Të jesh i shëndetshëm, sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, do të thotë të kesh mirëqenie të plotë fizike, mentale dhe shoqërore, e jo vetëm mungesë të sëmundjes. Shëndeti është në ndikim të vazhdueshëm me faktorët gjenetikë dhe rrethin ku jeton e vepron njeriu.

Kur jemi te raportet e njeriut me rrethin apo mjedisin, duhet përmendur mjedisin e punës, mjedisin e jashtëm, ambientin personal, ambientin fizik, kimik, biologjik, socio-kulturor e socio-ekonomik, si pjesë të pandashme të bashkëveprimit mes njeriut dhe ambientit.
Kur e shikojmë në aspektin shëndetësor, mjedisi mund të përgatitë terrene për sëmundje. Si për shembull, kushtet klimatike ndikojnë në shtimin e sëmundjeve të sistemit respirator. Ai po ashtu mund të jetë shkaktar i drejtpërdrejt i sëmundjeve, apo të lehtësojë përhapjen e tyre, ose të përcaktoj rrjedhën dhe përfundimin e disa sëmundjeve, siç është, për shembull: ndotja e ajrit në vendet në zhvillim dhe rritja e sëmundjeve respiratore, si astma, dhe zvogëlimi i saj në vendet e zhvilluara, ku ka me pak ndotje të ajrit. Apo shembulli tjetër, me rastin e pasojave radioaktive pas shpërthimit në Çernobil, dhe efektet e tij në një hapësirë të gjerë gjeografike.
Në anën tjetër, sëmundja dhe shëndeti sa janë në lidhje me faktorët e mjedisit natyror, janë në një ndikim sa të drejtpërdrejt aq edhe indirekt me komunitetin. Ngase papunësia, hapësira e pamjaftueshme dhe kushtet e vështira sociale, ndërtimet pa plan dhe kritere, mungesa e kujdesit shëndetësor, zhurmat, stresi i tepërt, kultura e pirjes së duhanit, apo mosvënies së rripit të sigurisë gjatë udhëtimit me automjet, ndikojnë dhe i paraprijnë problemeve shëndetësore dhe ndotjes së ambientit. Thënë me drejt, të gjitha ndryshimet fiziko-gjeokimike që e vënë në rrezik shëndetin e njeriut dhe gjallesave tjera mund te përkufizohen si ndotës të ambientit.
Këta ndotës mund të hyjnë në sasi të ndryshme dhe rrugë të ndryshme në organizëm duke ndikuar në ciklet biokimike të funksionimit të organizmit dhe duke i prishë e ndryshuar funksionin me fillim nga qelizat, indet, organet dhe gjithë organizmit. E për ndotje të ambientit dhe vënies në rrezik të shëndetit, dhe njëherit vuajtjes së pasojave më pas, rolin kryesor e luan vetë njeriu.
Këtu duhet theksuar se disiplina shkencore që merret me problematikën e identifikimit dhe marrjes nën kontroll të faktorëve fizike, kimikë, biologjikë, socialë e psikologjikë, që ndikojnë drejtpërdrejt apo indirekt në shëndetin e njeriut dhe gjallesave tjera, pra është shëndeti mjedisor, si pjesë e shëndetit publik(1)

Ndotja e ambientit

Nën ndikimi i globalizimit dhe rritjes së fluksit të lëvizjes nëpër botë, në fillim dhe enkas pas gjysmës së shekullit të kaluar, është parë dhe vërtetuar se ndotja e ambientin, është një e vërtetë e patjetërsueshme që duhet ndalur në mënyrë që të kemi vazhdueshmëri të baraspeshës në natyrë. Për këtë arsye kanë filluar nisma nga më të ndryshmet për ruajtjen e ambientit dhe shëndetit mjedisor, siç është rasti i përdorimit për herë të parë i termit "Edukimi Mjedisor" në literaturë, në vitin 1948, në Paris, nga Asociacioni Ndërkombëtar për ruajtjen e ambientit, ose edhe futja e edukimit mjedisor si pjesë e edukimit formal, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 1960(2)
Këtu nuk po listojmë të gjitha iniciativat e mëvonshme, por duhet të themi se janë numër shumë i madh i takimeve dhe konferencave kombëtare e ndërkombëtare në vende të ndrysh me të botës, pa i harruar edhe iniciativat individuale dhe të grupeve më të vogla nëpër mbarë botën. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm në formësimin e vetëdijes për një ambient të shëndoshë pa tjetër që e kanë edhe religjionet, e për ne myslimanët qasja ndaj kësaj çështje është thelbësore, ngase vjen direkt nga Kurani fisnik.
Sipas dijetarit nga India, Abdulhafiz el-Masri, në Kuran ekzistojnë rreth 500 ajete rreth ambientit, e që tregojnë se si duhet të sillemi në raport me të. Sigurisht se këtu nuk kemi mundësi që t'i diskutojmë të gjitha ato, por më poshtë po i përmendim vetëm disa, e që në vete përmbajnë parime të raportit të njeriut me ambientin dhe shëndetin mjedisor.
Pastërtia është sfidë jo vetëm e shëndetit mjedisor por në përgjithësi e kohës moderne, ndërsa për të kemi kërkesa të drejtpërdrejta në Kuran: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen"(3)
Allahu ka krijuar çdo gjë dhe ka krijuar balancë mes tyre. Njeriu nuk është ngarkuar ta balancojë natyrën, e as të bëjë seleksionime. "Ai e ka ngritur qiellin lart dhe ka vënë balancën" (Er-Rahman, 7); "Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën, dhe gjithçka që gjendet midis tyre, vetëm me urtësi..."(El Hixhr, 85); "Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli...!" (El A'Raf, 56).
Ajo që e bën akoma më të rëndësishme ambientin në raport me shëndetin mjedisor është se për natyrën vlen parimi i të qenit e përkohshme dhe e kufizuar, dhe nuk ekziston komoditeti që të konsumohet dhe ndryshohet pa masë dhe për interesin personal.
”Ai, që nga qielli zbret ujë me masë, e nëpërmjet tij ngjall tokën e vdekur..."(Ez-Zuhrut, 11); "Ne i kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar..." (El Ahkaf, 3); "Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem, dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!" (El Mulk, 1).
Elementi estetik i ambientit është potencuar në Kuran, ndërsa tani shkenca bashkëkohore rekomandon që ambienti të soditet për relaks dhe shërim.
"Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të...” (El Kehf, 7); "Edhe Tokën e kemi shtruar! Sa shtrues të Mrekullueshëm që jemi!" (Edh Dharijat, 48).
Ndër problemet kryesore të shëndetit mjedisor vlerësohen të jenë ndotja e ujit, ajrit, tokës dhe ushqimeve. Kurse porosia pejgamberike "Pastërtia është gjysma e imanit", e bën pastërtinë pjesë të pandashme të jetesës së shëndoshë të myslimanit. Po ashtu edhe thirrja tjetër e Pejgamberit a.s., që ta duam natyrën ashtu sikurse është krijuar, siç thuhet në hadith: "Uhudi është një bjeshkë. Ai na do neve, edhe ne e duam atë."(4), pra është çështje e rëndësishme, ngase është vërtetuar se motivi më i lartë nxitës dhe me jetëgjatësinë me të madhe për njeriun është dashuria.
Ajeti tjetër “... hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë." (El A'raf, 31), që thërret në baraspeshë në konsum, sikur i del në krye zgjidhjes me të mire të njërit nga problemet më serioze të kohës. Ngase ndër problemet bashkëkohore fenomeni i konsumimit sa më shumë është gjithnjë e më evident.
Për të vërtetuar këtë nuk kemi nevojë për shumë hulumtime, mund ta provojmë lehtë, dhe ta testojmë gjithsecili nëpër shtëpitë tona. Vetëm kemi nevojë ta shikojmë se sa shpesh e hedhim shportën me mbeturina nga shtëpia. Ose edhe më thjeshtë, se me çka e mbushim përditë atë shportë të mbeturinave. A nuk janë ambalazhet e gjësendeve që i kemi blerë dhe konsumuar gjatë asaj dite ose të një dite më parë?! Muhamedi a.s., para katërmbëdhjetë shekujsh na ka porositur me parime themelore të shëndetit mjedisor, e të cilat parime sot dalin të jenë mjaft bashkëkohore, dhe që trajtojnë problemet e përditshme të civilizimit.

Pastërtia e ambientit

Ai e ka ndaluar kryerjen e nevojës në burimet e ujit dhe përskaj lumenjve. Po ashtu e ka ndaluar të urinohet në ujëra rrjedhës dhe ujëra të qetë, të prishet abdesi në rrugët që qarkullohet, ka rekomanduar të hiqen pengesat nga rrugët që përdoren për qarkullim... Çështja e strehimit është një sfidë me të cilën janë ballafaquar njerëzit qysh nga fillimi i jetës në tokë. Me kalimin e kohës strehimi ka marrë forma nga më të ndryshmet, duke filluar nga përdorimi i shpellave e deri te shtëpitë dhe banesat me luksoze të kohës. Sa i takon planifikimit të shtëpive, një problem ky që na sfidon edhe sot e kësaj dite, Muhamedi a.s., shtëpitë e gjera i ka definuar si dhënëse të rehatisë dhe lumturisë, ndërsa shtëpitë e ngushta si shkaktare të mos rehatisë moslumturisë, duke i dhënë dimension edhe socio- kulturor përveç atij fizik, dhe sikur është kërkuar që të planifikohet hapësira për anëtarët e familjes. E shkenca bashkëkohore përveç që ka caktuar standarde të hapësirës së banimit për çdo anëtarë të familjes, ka arritur të vërtetojë edhe ndikimin në shëndet të ngjyrave të interierit nëpër vendbanime. Këtyre që u thanë më lartë nuk bënë pa ua shtuar edhe konstatimin e studiuesit Hüseyin Akyüz, i cili në një rast Muhamedin a.s., e quan: “Një Pejgamber mik i ambientit"(5)
Në ditët e sotme njerëzimi ka nevojë për një vetëdijesim më të madh rreth ruajtjes së ambientit, dhe njëkohësisht ruajtjes së shëndetit mjedisor, në mënyrë që të ruhet shëndeti publik dhe të parandalohen problemet dhe sëmundjet e reja dhe epidemike.
Po e përfundojmë me përkujtimin e ajetit: “Me të vërtetë Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ai të ndryshojë ç'ka në vetvete..." (Er-Ra'd, 11).


________________
1. Prof. Dr. Cagatay Gülur, Çevre Sagigi (Çevre ve Ekoloji Baglantilariyla), 1. Cilt, Yazit Yayincilik. Ankara 2012. F. 39
2. KOYLU, M., "Çevre Egitimi: Dini Bir Yaklasim", Uluslararasi Çevre ve Din Sempozyumu, C.1, s. 165-189, (15-16 Mayis 2008).
3. El Bekare, 222 (Të gjitha përkthimet e ajeteve i janë referuar: Kurani i Madhërishëm-Përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan Nahi, Përgatiti për botim Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, 2011-1432)
4. Malik b. Enes, ul-Muvatta’ Çagri Yayinlari, lstambul 1992. Medinu, 10, 20: Buhari, Zekát, 54; Cihad, 71, 74; Enbiya, 10; Et’ime, 28; ľtisam, 16.
5. Hüseyin AKYUZ. ÇEVRE DOSTU BIR PEYGAMBER: HZ. MUHAMMED, Turkish Studies - lnternational Periodical For The Languages, Literature and history of Turkish or Turkic; Volume 9/2 Winter 2014, p, 107-126. ANKARY-TURKEY



Dr. Bernard Tahirbegolli (PhDc)