Abdullah ibni Mes’udi (r.a.), transmeton këtë hadith: “Kur ndodhesh në namaz dhe dyshon në ke falur tre apo katër rekate, ndërsa dominon mendimi se, megjithatë, ke falur katër, duhet recituar teshehhud. Pastaj bëj dy sexhde në ulje para selamit, recito sërish teshehhud dhe jep selam.” (Ebu Davud)
Sehvi sexhdeja (sexhdeja e harresës) në terminologjinë e fikhut nënkupton sexhden, kur musaliu (ai që është duke u falur) nga harresa, lëshon, vonon, ose kryen para kohe ndonjë vaxhib të namazit(1) dhe, po ashtu, nëse e vonon apo e kryen më herët ndonjë rukn të namazit.(2) Në këtë rast në uljen e fundit, pasi të këndohet teshehudi, jepet selam nga ana e djathtë, pastaj shkohet dy herë në sexhde duke qëndruar ulur, derisa të lexohen të gjitha ato që duhen lexuar dhe dhe në fund jepet selam. Sehvi sexhdeja është vaxhib (obligim), ngase është paraparë që me të të përmirësohet mungesa në namaz. Kryerja e ibadetit në mënyrë të plotë është farz (obligim i prerë qartazi), ndaj kjo është vaxhib, siç është vaxhib therja e kurbanit për mangësi me rastin e haxhit.(3) Këtë e konfirmojnë hadithet sahih, me të cilët urdhërohet kryerja e sehvi sexhdes. Në esencë, imperativi aludon në obligim.
Nëse falësi e lëshon qëllimisht, pa kurrfarë arsyeje, kjo do të ishte mëkat dhe do të duhej përsëritur namazi, që të përmirësohet mangësia e hasur në të. Obligueshmëria e zbatimit të sehvi sexhdes vlen si për imamin, ashtu edhe për xhematin. Po qe se ndodh që xhemati ta arrijë imamin duke bërë sehvi sexhden dhe, më pastaj, lidhjen pas tij, në këtë rast xhemati nuk e ka obligim zbatimin e sehvi sexhdes. E nëse ndodh që gjatë faljes së xhematit me imam, të paraqitet nevoja për sehvi sexhde, atëherë xhemati e ka obligim t’i bashkëngjitet imamit në zbatimin e sehvi sexhdes, pa marrë parasysh nëse xhemati është mudrik(4) apo mesbuk(5) ,madje edhe nëse janë pas imamit, pas harresës së tij. Shkaqet që e shkaktojnë sehvi sexhden janë:
1. Kur musaliu harron ose gabimisht e lexon suren para fatihasë. Po që se musaliu ka lexuar suren apo ajetin para fatihasë, e mandej e ka lexuar fatihanë por prapë e ka përsëritur leximin e sures apo ajetit, në këtë rast nuk duhet bëre sehvi sexhde. E nëse nuk e ka përsëritur leximin e sures apo ajetit pas fatihasë, duhet bërë sehvi sexhde, ngaqë leximi i fatihasë para sures është vaxhib e lëshuarja e vaxhibit shkakton sehvi sexhden.
2. Kur musaliu lexon suren dhe harron të lexojë fatihanë apo anasjelltas, lexon fatihanë por harron të lexojë suren, ai duhet të bëjë sehvi sexhde për të kompensuar atë që ka harruar të lexojë.
3. Kur musaliu harron dhe bie në sexhde pa bërë ruku. Nëse ndodh që, pasi të ketë shkuar në sexhde i kujtohet se nuk ka bërë ruku, menjëherë duhet të ngrihet në këmbë, të bëjë ruku e pastaj sexhden. Në këtë rast rekati është i kryer, por duhet bërë sehvi sexhde. Nëse ndodh që kur të ngrihet në rekatin e radhës i kujtohet se nuk ka bërë ruku, në këtë rast duhet ta përsërisë rekatin dhe duhet të bëjë sehvi sexhde.
4. Kur musaliu, nga harresa, ngrihet në rekatin e tretë pa qëndruar në uljen e parë. Nëse musaliut i kujtohet se nuk ka qëndruar në uljen e parë, atëherë ai mund të kthehet dhe të qëndrojë ulur, me kusht që të jetë më afër uljes se sa ngritjes e në këtë rast qëndron ulur dhe nuk duhet të bëjë sehvi sexhde. Nëse i kujtohet kur ngritja e tij është më afër qëndrimit në këmbë, në këtë rast duhet të vazhdojë rekatin e tretë dhe në fund të bëjë sehvi sexhde.
5. Kur musaliu ulet në uljen e parë, por harron të lexojë teshehudin dhe ngrihet në rekatin e tretë. Në këtë rast musaliu vazhdon rekatin e tretë dhe në fund e bën sehvi sexhden.
6. Kur musaliu ulet në rekatin e tretë, duke menduar se është në rekatin e katërt. Kur musaliut t’i kujtohet se është ulur gabimisht, ai duhet të ngrihet menjëherë e, nëse është ndalur sa ka qenë ulur dhe ka qëndruar më pak sesa të thuhet tri herë subhanallah, nuk duhet të bëjë sehvi sexhde e, nëse ka qëndruar më tepër se sa të thuhet tri herë subhanallah, duhet të vazhdojë rekatin e katërt dhe të bëjë sehvi sexhde.
7. Kur musaliu jep selam duke menduar se e ka përfunduar namazin farz. Kur ndodh kjo dhe, ende pa folur asgjë që e prish namazin, pa e lëshuar vendin dhe pa e larguar gjoksin prej kibles, ai duhet ta vazhdojë namazin dhe në fund të bëjë sehvi sexhde.
8. Kur ndodh që musaliu të harrojë dhe në ndonjërin prej rekateve bën vetëm një sexhde e jo dy, siç kërkohet. Në këtë rast musaliu duhet ta vazhdojë namazin, por me kusht që në fund të namazit të bëjë sexhden kaza e pastaj të japë selam dhe të bëjë sehvi sexhden.
9. Kur ndodh që musaliu të harrojë dhe të bëjë tri sexhde ose dy ruku. Në këtë rast duhet të bëhet sehvi sexhde.
10. Kur ndodh që musaliu dyshon në vete dhe nuk e di se sa rekate ka falur. Në këtë rast do të veprojë sipas hamendjes. Nëse ia merr mendja se i ka falur tri rekate dhe duhet ta plotësojë edhe një, vepron kështu, por në fund duhet të bëjë sehvi sexhde.
11. Nëse musaliu dyshon dhe të menduarit e tij zgjat sa kryerja e një rukn, ai duhet të bëjë sehvi sexhde.
12. Kur ndodh që musaliu, nga harresa, ngrihet dhe e shton një rekat në namaz. Nëse i ndodh kjo musaliut dhe i kujtohet duke qëndruar në këmbë apo edhe në ruku, pa e bërë sexhden në rekatin e shtuar, ai duhet të ulet dhe të bëjë sehvi sexhde.
Shënim: Kur ndodh që musaliu, duke falur namaz farz, ka qëndruar në uljen e fundit, pavarësisht nëse namazi është dy tre apo katër rekat, ai ka dy mundësi:
a. të kryejë rekatin e tepërt dhe në fund të bëjë sehvi sexhde,
b. të kryejë edhe dy rekate, në mënyrë që katër rekatet e parë të jenë farz, ndërsa dy të fundit nafile dhe të bëjë sehvi sexhde.
Po nuk pati qëndruar fare në uljen e fundit, namazi farz duhet të përsëritet, por është mirë që të kryhen edhe dy rekate dhe këto rekate të falura konsiderohen nafile.
13. Kur musaliu harron të bëjë kunut në namazin e vitrit dhe ka shkuar një ruku. Kur të ngrihet musaliu prej rukusë, nuk duhet të bëjë kunut, por duhet të bëjë sehvi sexhde.
14. Kur musaliu harron më shumë se një herë në namaz.
Shënim: Nëse ndodh që musaliu, nga harresa, të lexojë me zë në namazet që falen pa zë ose anasjelltas, nuk duhet të bëjë sehvi sexhde.
Sehvi sexhdeja në namazin me xhemat
1. Kur ndodh që imami të harrojë në namaz, musaliu mund t’ia tërheqë vërejtjen duke thënë “subhanallah” e, nëse imami nuk e dëgjon vërejtjen, musaliu duhet ta ndjekë imamin, pavarësisht prej gabimit që është duke bërë imami. Në këtë rast imami duhet të bëjë sehvi sexhde, po qe se gabimi e shkakton sehvi sexhden.
2. Kur imami harron dhe lexon me zë në namazet pa zë apo anasjelltas, lexon pa zë në namazet që lexohen me zë, imami duhet të bëjë sehvi sexhde.
3. Kur të bëjë imami sehvi sexhde edhe musaliu duhet të bëjë, pavarësisht nëse ka vërejtur gabimin e imamit apo jo. Po ashtu, nëse musaliu është mesbuk, duhet ta ndjekë imamin në sehvi sexhde po qe se ka gabuar imami edhe në ato rekate të cilat nuk i ka falur me imamin.
4. Nëse ndodh që muktediu të gabojë kur është duke u falur pas imamit, në këtë rast muktediu nuk duhet të bëjë sehvi sexhde.
5. Po ndodhi që imami të ketë bërë ndonjë gabim, për të cilin duhet bërë sehvi sexhde gjatë namazit të xhumasë, bajrameve dhe namazeve të ngjashme ku ka shumë xhemat, ai nuk do të bëjë sehvi sexhde vetëm e vetëm që të mos shkaktohet hutim.
Shënim: Nëse shfaqet dyshimi te falësi pasi ta ketë përfunduar namazin, kësaj nuk i duhet dhënë rëndësi, vetëm nëse dominon mendimi se nuk është plotësuar namazi. Në atë rast duhet përsëritur namazi, nëse pas selamit ka bërë diçka që nuk i lejon ta plotësojë namazin e vet. Nëse nuk ka bërë asgjë që e pengon ta plotësojë namazin e vet, duhet bërë sehvi-sexhde dhe të plotësojë namazin.
Nga Ubade ibni Samiti citohet se Pejgamberi (a.s.), ishte pyetur për njeriun i cili gabon dhe nuk di sa rekate ka falur. Lidhur me këtë Pejgamberi (a.s.), kishte deklaruar: “Le ta përsëritë namazin dhe t’i kryejë dy sexhde ulur”.(6)
Nëse dyshimi është prezent për vetë namazin dhe lidhet me numrin e rekateve, ndërsa kjo falësit i ndodh për herë të parë dhe harresa nuk është diçka e zakonshme, namazi i tij është prishur dhe duhet përsëritur. Nga Ibni Omeri transmetohet që për njeriun i cili nuk e di sa rekate ka falur, tre apo katër, të ketë thënë: “Dhe ta përsëritë për ta mbajtur mend.”(7)
Nëse harresa i përsëritet, duhet të veprojë ashtu siç mendon se është më e drejtë. Muhamedi (a.s.), deklaron: “Nëse dikush prej jush dyshon gjatë namazit të vet, le të përpiqet ta kuptojë gjendjen e vërtetë, ta plotësojë dhe të japë selam, pastaj të bëjë dy sexhde”.(8)
Nëse falësi nuk mund të përcaktohet për njërin prej numrave, duhet marrë në konsideratë numrin më të vogël. Do të bëjë ulje në ato vende për të cilët mendon se janë vende ku duhet bërë, pastaj do të bëjë sehvi sexhde. Nga Abdurahman ibni Avfi transmetohet që Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Kur dikush prej jush fillon të dyshojë në namazin e vet dhe nuk e di nëse ka falur një apo dy rekate, le të vendosë për një rekat. Nëse dyshon për dy apo tre rekate, le të vendosë për dy. Nëse dyshon për tre apo katër, le të përcaktohet për tre, ndërsa, kur ta përfundojë namazin, le të bëjë sehvi-sexhde”.(9)
Është mustehab (vepër e rekomanduar) përsëritja e namazit, nëse një person besnik dhe i sinqertë e paralajmëron se ka falur më pak rekate. Nëse dyshon në sinqeritetin e tij, është e obligueshme përsëritja e namazit që paralajmërohet nga dy persona.(10)
Kur imami dhe xhematlinjtë janë në papajtueshmëri për atë që është vepruar në namaz, por imami është i sigurt në veprimin e tij, nuk është i detyruar ta përsëritë namazin. Në të kundërtën, duhet ta përsëritë pas ndërhyrjes të falësve. Nga ebu Hurejre citohet se Muhammedi (a.s.), e kishte përfunduar namazin pas dy rekateve, ndaj Dhul-Jedejni pyeti:
-O Pejgamber i Allahut, a ishte namaz i shkurtuar apo harrove? Pejgamberi i Allahut (a.s.), u përgjigj:
-A është e vërtetë kjo që tha Dhul-Jedejni?
-Po,-u përgjigjën sahabët.
Atëherë Pejgamberi (a.s.), fali edhe dy rekate shtesë, dha selam, bëri sexhde, si ato të tijat apo edhe më gjatë, pastaj u ngrit.(11)
Sexhdeja e leximit në namaz
Sexhdu tilaveti -sexhdeja e leximit, është ajo sexhde e cila zbatohet kur lexohet apo dëgjohet ajeti i sexhdes. Zbatimi i sexhdes së tillë është vaxhib. Këtë sexhde duhet ta zbatojë doemos ai që e lexon ajetin e sexhdes apo e dëgjon. Veprimi i sexhdetu tilavetit ka bazë në hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s.), të transmetuar nga Ibn Umeri (r.a.), i cili ka thënë: “Pejgamberi (s.a.v.s.), duke lexuar Kuran, kishte lexuar kaptinën në të cilën kishte sexhde, me ç'rast bëri sexhde dhe ne bëmë sexhde me të...”(12)
Mënyra e zbatimit të sexhde tilavetit kur nuk jemi në namaz.
Personi i cili duhet të bëjë këtë sexhde duhet të kthehet nga kibla të marrë tekbir, pa i ngritur duart, pastaj të bjerë në sexhde dhe të lartësojë Allahun tri herë (tesbih) e, duke thënë Allahu Ekber, e kryen sexhden. Ruken (kushti kryesor) i kësaj sexhdeje është të vendosurit e ballit në tokë, ndërsa dy tekbiret dhe tesbihu janë sunet. Kjo sexhde mund të zbatohet edhe duke qenë ulur, por më mirë është që të ngrihemi e pastaj të biem në sexhde. Mënyra e zbatimit të sexhdetu tilavetit në namaz Kur ndodh që ajeti, në të cilin ka sexhde, të lexohet në namaz, qoftë me zë apo pa zë, duhet të kryhet sexhdeja e tillë. Kur ndodh që të lexohet ajeti i sexhdes në namaz menjëherë pas fatihasë dhe musaliu mendon të lexojë ende pas ajetit të sexhdes, duhet të shkojë menjëherë në sexhde, pa shkuar fare në ruku, që të kryejë sexhden e leximit e pastaj të ngrihet, të vazhdojë leximin dhe ta kryejë rekatin normal. Po nëse ndodh që ajeti i sexhdes të jetë ajeti me të cilin mendon të përfundojë musaliu leximin në namaz, në këtë rast ai bën ruku dhe sexhde normale dhe, me kryerjen e rekatit, kryhet edhe sexhdeja e leximit.
Disa rregulla që kanë të bëjnë me sexhden e leximit
1. Sexhdeja e leximit është obligim për secilin që e ka detyrim faljen e namazit. Kjo sexhde nuk është obligim të zbatohet nga fëmija, gruaja me menstruacione (hajz) dhe në kohën e lehonisë (nifas).
2. Për zbatimin e kësaj sexhdeje janë të obliguar si lexuesi, ashtu edhe dëgjuesi, pavarësisht nëse dëgjuesi e ka pasur për qëllim dëgjimin e ajetit apo jo.
3. Kur ndodh që lexuesi të lexojë disa herë të njëjtin ajet në të njëjtin vend, ai duhet të bëjë vetëm një herë sexhde. E, nëse ndodh që të njëjtin ajet ta lexojë në disa vende, atëherë duhet bërë sexhde, sa herë që është lexuar ajeti.
4. Po qe se ndodh që ajeti i sexhdes lexohet vetëm me sy ose mendohet, por nuk shqiptohet me gjuhë, nuk kërkohet zbatimi i sexhdes.
5. Kur ndodh që ajeti i sexhdes të lexohet jashtë namazit, kryerja e kësaj sexhdeje mund të shtyhet për më vonë, por më mirë është që ajo të zbatohet menjëherë.
6. Nëse ndodh që sexhdeja e tillë të bëhet obligim për t'u kryer në namaz, atëherë duhet doemos të zbatohet në të njëjtin namaz, pa marrë parasysh se në këtë namaz lexohet pa zë apo me zë. Nëse prishet namazi para se të shkohet në sexhde, mund të kryhet jashtë namazit, meqë, kur është prishur namazi, ka mbetur vetëm recitimi, i cili nuk llogaritet më si recitim i namazit.
7. Nëse e reciton ose e dëgjon duke kalëruar, lejohet të bëhet përkulje në shalë. Nëse e reciton një person i shëndoshë, që është në gjendje të bëjë sexhde dhe nuk e kryen atë gjersa nuk sëmuret, e atëherë nuk është në gjendje ta bëjë, lejohet të bëjë një përkulje dhe nuk obligohet ta përsëritë kur të shërohet, ngase ajo nuk bën pjesë në obligime që duhet kryer menjëherë. Madje, nëse e kryen pas një viti, llogaritet se e ka kryer në kohë, ngaqë nuk është e lidhur për një kohë të caktuar.
8. Nëse e dëgjon ajetin me sexhde nga falësi dhe nuk i bashkohet në namaz ose i bashkohet në rekatin e dytë, sexhden duhet ta kryejë jashtë namazit. Nëse falësi, pavarësisht nëse është imam, muktedi apo falet vetëm, e dëgjon ajetin në të cilin ka sexhde nga dikush që nuk është në namaz, nuk duhet të bëj sexhde në namaz, por pas namazit. Nëse bën sexhde në namaz nuk do t’i llogaritet dhe duhet ta përsëritë jashtë namazit.
9. Nëse e reciton në namaz dikush që falet me imam, kjo sexhde nuk është e namazit, duke pasur parasysh se recitimi i saj nuk ka rëndësi, por është i detyruar të bëjë sexhde pas namazit.
10. Personi memec nuk është i obliguar të bëjë sexhde në bazë të recitimit të një personi tjetër, por është i obliguar të bëjë sexhde, nëse ai vetë reciton ajete të sexhdes.(13)
________________________
1. Vaxhibet e namazit janë obligime që duhet të kryhen, por, nëse nuk kryhen mund të përmirësohen duke bërë sehvi sexhede. Vaxhibet e namazit janë si vijon: 1. Tekbiri fillestar të shprehet me fjalën Allahu Ekber, 2. Leximi i Fatihasë, 3. Sasia e të lexuarit nga Kurani, së paku e një ajeti të gjatë apo tre të shkurtër ose një sureje të shkurtër pas fatihasë, 4. Rradhitja e leximit. Kjo do të thotë të lexohet një herë fatiha e pastaj diçka nga Kurani, 5. Të vendosurit e hundës në sexhde bashkë me ballin, 6.Të qëndruarit në uljen e parë në namazet që kanë tri e më shumë rekate, 7. Leximi i teshehudit në uljen e parë dhe të fundit, 8. Të ngriturit pas teshehudit, duke mos u vonuar në rekatin e tretë, 9. Të përfunduarit e namazit me selam, 10. Të qenët i qetë duke i zbatuar ruknet e namazit, 11. Të zbatuarit e rukneve në mënyrë të rregullt, 12. Që imami të lexojë në heshtje në namazin e drekës dhe të ikindisë, ndërsa në namazin e sabahut, akshamit dhe të jacisë më zë, 13. Që muktediu të heshtë, kur të falet pas imamit. Atij që është duke u falur pas imamit, nuk i lejohet të lexojë fatihanë dhe as suren apo ajetin kur të qëndrojë në këmbë, pavarësisht në është namaz që imami lexon më zë apo pa zë, ndërsa duatë dhe shprehjet e tjera duhet t’i lexojë, 14. Duhet që muktediu ta ndjekë imamin dhe nuk lejohet të shkojë para apo të vonohet shumë pas imamit. 15. Të bërit kunut dhe tekbir në namazin e vitrit. Këndimi i duasë së kunutit është sunet, ndërsa të bërit kunut dhe tekbir në namazin e vitrit konsiderohet vaxhib.
2. Ruknet e namazit janë konditat e brendshme të tij. Nëse ndonjëra prej tyre lëshohet, atëherë namazi duhet përsëritur e, nëse vonohet apo kryhet para kohe ndonjëra, atëherë mund të plotësohet me sexhden e harresës. Ruknet e namazit janë si vijon: 1. Tekbiri fillestar, 2. Qëndrimi në këmbë, 3. Leximi i ndonjë pjese të Kuranit, 4. Të bërit ruku, 5. Të bërit sexhde dhe 6. Të qëndruarit në uljen e fundit.
3. Sherhul-mun’je, 455.
4. Mudrik konsiderohet ai person i cili e ka arritur namazin prej fillimit. 5. Mesbuk konsiderohet ai person që është vonuar në namaz dhe nuk e ka arritur imamin prej fillimit të namazit.
6. Hadithin e shënon Et-Taberani, mirëpo në zinxhirin e transmetimit ka shkëputje.
7. Hadithin e shënon Ibni Ebi Shejbe.
8. Hadithin e shënon El-Buhariu, 401.
9. Hadithin e shënojnë Ahmedi dhe Et-Tirmidhi dhe e konsiderojnë autentik.
10. El-Hedijjetul-‘ala’ijje.
11. Hadithin e shënon El-Buhariu, 1228.
12. Tranmseton Buhariu dhe Muslimi
13. Et-Tahtavi ala merakil-felah