Urdhëresa e Pejgamberit: “Llogariteni veten tuaj para se të llogariteni nga Allahu” drejtuar ymmetit musliman është diçka e veçantë.
Ajeti, i cili gjendet në suren Ahkaf, i cili, në të njëjtën kohë, u bën të ditur dhe përkujton njerëzve ditën e llogarisë, që jetën e tyre ta kalojnë në adhurim dhe duke bërë llogarinë e saj:
“Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”(1)
Në mesin e ajeteve, të cilat e paralajmërojnë dhe i bëjnë të ditur njeriut për çështjet e jetës, ky ajet ka një këshillë të veçantë, sepse i mëson njeriut që në të ardhme të ecë me hapa të drejtë dhe të sigurt. Përveç kësaj, ajeti i tregon njeriut se edhe pasi ta arrijë moshën dyzetvjeçare, ai përsëri është i dobët, sikurse që ishte në kraharorin e s’ëmës më herët, dhe në këtë moshë ndoshta atij i bën të ditur etapën e parë të krijimit. Sikurse po i drejtohet edhe në këtë mënyrë që njeriu le të vëzhgojë se në ç’mënyrë dhe nëpërmjet kujt ka ardhur në këtë sipërfaqe. Përveç kësaj, sa shumë lutje mirësie duhen bërë për prindërit të cilët përjetuan aq shumë vështirësi për ty...
Pas këtyre, më mirë do ta kuptosh nëse kthen vëzhgimin prapa dhe mendon se nga erdhe dhe në ç’gjendje je tani dhe se do ta kuptosh më mirë gjendjen në të cilën je, kështu që do t’i falënderosh të gjithë ata të cilët kontribuan për ty, e falënderon edhe pronarin e vërtetë të mirësisë në emrin tënd dhe prindërve. Në këtë mënyrë do të kesh mundësi të parashikosh dhe të paramendosh se për kah do të vazhdosh rrugën dhe se ku do të arrish...
Ah, po qe se njeriu një ditë do të ulej dhe do bënte llogarinë e dyzet viteve... çfarë thua do të mendonte nëse do t’i përkujtonte të gjitha të bërat, thëniet dhe nëse do t’i peshonte në zemrën e tij të gjitha ato gjëra që i ka parë?
Sigurisht se do të mendonte gjëra të ngjashme me këto: “Jam një udhëtar dyzetvjeçar që ec në këtë fushë provimi. U përsos gjendja ime shpirtërore dhe mundësia ime fizike, dhe se tani unë jam në kohën kur është dërguar Pejgamberi (a.s.) me ligj nga Allahu. Tani duhet që të ec dhe të përcjell një drejtim të saktë. Atëherë më duhet që të nxjerr një llogari për sistemin e jetës sime të djeshme, të sotshme dhe të nesërme. Më duhet që të bëj llogarinë dyzetvjeçare... Ja pra, ky duhet të jetë qëllimi i ajetit...
Mendoj se një njeri, i cili ka shkelur moshën dyzetvjeçare, ka parë shumë gjëra të kësaj bote. Ai e ka përjetuar mundësinë se si të rritet një fëmijë. Duhet që atij t’i jetë rritur diapazoni i mendimeve dhe sjelljeve.
Ai nuk është më sikurse ishte para njëzet viteve. Ai tashmë nuk është në ato pasione të ngarkuara, sikurse ishte në të njëzetat apo tridhjetat. Me të vërtetë, mosha dyzetvjeçare tregon një kthesë dhe një formim fizik të rëndësishëm. Njeriu, i cili ka arritur në këtë moshë, duhet që të dijë ta peshojë dhe vlerësojë veprën e tij. Pra, tashmë për të është koha të bëjë llogarinë se prej nga e ku ka ardhur dhe se nga do të vazhdojë.
Llogaria, caktimi, përcjellja e kohës në këtë botë, i është lënë në lirinë dhe dëshirën e tij. Mirëpo për ne është sekret vetëm fundi i kësaj bote. Atëherë, një njeri i cili arriti në këtë moshë, duhet që t’i drejtohet Krijuesit, t’i lutet Atij... duhet që të jetë mirënjohës dhe falënderues për mirësitë që i janë dhënë, pastaj të menduarit t’i hedhë në praktikë. Duhet që amanetin e besimit, të cilin e ka marrë nga gjyshërit ta përcjellë tek fëmijët... të vëzhgojë djathtas, majtas, para dhe mbrapa, sepse po qe se qëllimet nuk janë për hir dhe në emër të Allahut dhe po qe se nuk kihet në mendje ahireti, frikësohemi që këto mundime dhe iniciativa të marrin një drejtim tjetër dhe ta mashtrojnë njeriun.
Sipas një aspekti, jeta është një lloj tregtie... mund të themi se ditët tona janë duke kaluar duke bërë allishverishe. Kurse për ato allishverishe që nuk paguhen në atë çast, caktohet një afat i caktuar me muaj apo vite. Mirëpo Allahu, njeriut i mundëson një afat gjatë gjithë jetës... ajeti, i cili u cek më lart që ka të bëjë me këtë çështje, po i mundëson njeriut që përsëri të kujtohet, kur t’i arrijë të dyzetat. Kur mendoj dhe kujtohem se a thua si mund ta kuptoj këtë ajet fisnik, më vjen në mendje një shembull i kë- tillë: Mundohem të parafytyroj një zog në kafaz dhe duke menduar se dynjaja përbëhet vetëm nga ajo që shoh aty... mirëpo një ditë ndodh që zogu të fluturojë nga kafazi, kështu që pas fluturimit e vëren çdo gjë nuk ishte siç e kishte mësuar dhe parë në kafaz, por zgjohet dhe e vëren të vërtetën. Më pas vëren dallimet në vendin ku fluturon apo ku vendoset. Kjo, do të ishte një natyrë e freskët apo një pastruese e ndyrësirës...?!
Ne mendojmë në atë mënyrë saqë ky ajet fisnik i përngjan shembullit të zogut në kafaz, duke i përkujtuar njeriut se një ditë do të zgjohet dhe do t’i vërejë të vërtetat. Edhe pse ndodhet jashtë kafazit, kur paraqitet nevoja, paralajmërohen sekretet e sprovës dhe të vërtetat që i kishte të errëta më herët. Pastaj thotë:
“Zgjohu para se të vijë koha që të fluturojë shpirti i zogut nga kafazi”.
Duhet që të kujtojë edhe gjykimet e tjera në dyzetëshen..., se shkuan kaq dhe mbeten edhe kaq nga ymri që kemi. Kjo nuk është një periudhë e shkurtër, saqë nuk mund të dijë që pas kësaj kohe edhe sa të kanë mbetur. Ajo e vërtetë, e cila nuk ndryshon është se koha dyzetvjeçare që të është dhënë ty, është sikurse një pjesë apo copëz e përdorur. Çdo vit bëhet llogaria e bilancit nga menaxherët, kontrollohet fitimi dhe humbja, kështu që asnjë vit nuk e mbyllin pa i bërë këto llogari. Menaxhimet, të cilat nuk mund ti bëjnë llogaritë e tyre saktësisht, nuk kanë mundësi që t’i vazhdojnë edhe më tej punët e tyre, ndoshta që nuk mund të ekzistojë fare për një kohë të gjatë...
Të gjitha ato aktivitete të bëra përmes bajrameve apo festave tjera, duhet të dijë që ti bëjë të gjitha llogaritë e tij një nga një në mënyrë apo edhe nëse jo këto, të paktën të bëjë një llogari në dyzetvjeçarin e tij.
Ai, i cili nuk e bën këtë llogari, si mund të bëjë llogarinë e gjithë jetës së tij të gjatë?
Lexo dhe mendo!
Zemra dhe shpirti i besimtarit:
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”.(2)
Ky ajet sinjalizon një portret të një besimtari, kështu që:
Bashkëpunimi i tij me besimtarët në gjuhën arabe theksohet me termin velijj, që do të thotë ndihmës, mik apo person i dashur nga të gjithë besimtarët dhe nga Allahu. Specifika më e kristaltë e tij është urdhërimi, këshillimi në të mira dhe ndalimi nga e shëmtuara dhe e keqja. Qëllimi i tij është që e para nga këto të përhapet, kurse e dyta të zbritet nën nivelin më të ulët. Në këtë mënyrë, ky person është aq shumë dashamir dhe zemërbujar saqë të gjithëve ua dëshiron të mirat.
Zotëron namazin dhe e fal atë me gjithë dëshirën e zemrës. Ai, me gjithë dëshirë e jep zekatin. Ai e di se shpirti dhe pasuria e tij janë të Allahut. Në këtë mënyrë ai dëshiron që çdo pa- rim personal apo shoqëror ta kthejë në ibadet. Në gjërat dhe kriteret që Allahu dhe Pejgamberi kanë sjellë norma, ai i pranon me një zemërbutësi dhe në asnjë mënyrë nuk mundohet që në argumentet dhe normat e prera të mendojë diçka tjetër apo të mundohet të hulumtojë domethëniet e thella të tyre.
Ai person është i pajtuar me Allahun, vetveten dhe gjithë njerëzit e tjerë. Dëshira e tij thjesht është një copëz e trupit të tij. Zemra e tij është aq shumë e gjerë saqë mund të përmbledhë gjithë rrethin dhe gjithë njerëzimin. Çdo fatkeqësi së pari atë e shqetëson dhe i lëndon zemrën, kurse çdo gjë e lumtur e bën të lumtur edhe zemrën e tij. Ashtu siç zgjerohen dhe hapen harqe, kur hidhet guri në ujë... gjatë gjithë kohës që jeton edhe zemra e besimtarit në atë mënyrë zgjerohet dhe rreh. Ai i përhap frytet dhe flakën e tij plot dashuri dhe gëzim në rrethin e vet, sepse shembulli më i mirë në zemrën e tij është ai që e ka marrë nga i dashuri i Allahut, Muhammedi (a.s.)
________
1 El-Ahkaf, 15
2 Et-Tevbe, 71
Zymer Ramadni