Thuaj: Namazi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e gjithë- sisë”. El- En’am,162.
Allahu i madhëruar në këtë botë i sprovon robët e Tij në forma të ndryshme, por jep edhe sihariqin që pas vështirësisë vjen lehtësimi.
“Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Inshirah, 5-6)
Në Kur’anin e madhërushëm shohim që pejgamberët dhe besimtarët e devotshëm në jetën e tyre janë përballuar me shumë vështirësi, por Allahu (xh.sh.) u ka krijuar lehtësime. Allahu (xh.sh.) na tregon në Kur’anin famëlartë për ata të cilët duke u përpjekur në rrugën e Allahut (xh.sh.) u përballuan me pengesa të ndryshme aq sa u detyruan të braktisnin vendlindjen dhe të emigronin.
Në suren Nisa Allahu (xh.sh.) thotë: “Kush shpërngulet për hir të (fesë) së Allahut, ai gjen mundësi të madhe dhe begati në tokë. E kush del prej shtëpisë si emigrues tek Allahu dhe i dërguari i Tij, e zë vdekja (në rrugë), shpërblimi i tij i takon Allahut. Allahu është mëshirues dhe mbulues i të metave. (Nisa, 100)
Ata që luftuan për të mbrojtur veten dhe fenë e vet kanë gradë të lartë te Allahu (xh.sh.) Por, shpërblim kanë edhe ata që patën dëshirë, por ishin të paaftë, siç janë, të gjymtuarit, të verbëritë ose të sëmurët.
Sahabet kanë sakrifikuar shumë në rrugë e Allahut (xh.sh.) me të gjitha mundësitë e tyre. Nga ky moral i lartë i tyre Zoti (xh.sh.) i ka shpërblyer me mirësi të mëdha.
Në suren Enfal Zoti (xh.sh.) thotë: “Kujtoni kur ishit pakicë e dobët në tokë dhe frikësoheshit se do t’u rrëmbejnë njerëzit (idhujtarët), por Allahu u mundësoi vend të sigurt dhe u përkrahu me ndihmën e Tij. (Enfal, 26)
Të gjitha të mirat që i qenë dhënë Ejubit (a.s), iu morën prej duarsh një e nga një, si një sprovë hyjnore. Pas kësaj e zu një sëmundje e rëndë, por durimi dhe nënshtrimi i Tij është bërë legjendar në historinë e njerëzimit. Ky durim i jashtëzakonshëm i Ejubit (a.s), ashtu siç është i lavdëruar në Kur’an, është ngritur lart edhe në hadithet profetike: “Ejubi (a.s) qe më i buti i njerëzve, më i duruari dhe ai që e përmbante më shumë zemërimin!” (Osman Nuri Topbash, “Vargu i Profeteve 3”, fq. 114) Durimi është gjëja më e rëndësishme për njeriun. Që të jesh i suksesshëm duhet të durosh. Që të adhurosh Zotin e Madhëruar, duhet të durosh. Që të largohesh nga gjynahet, duhet vendosmëri dhe durim. Që të përballosh fatkeqësitë e ndryshme, duhet të durosh. Që të jesh trim, duhet të jesh i duruar.
Një çift nga Medina kishin vetëm një djalë, Ebu Talhan. Një ditë, kur burri ishte jashtë shtëpisë, fëmija vdes. Kur kthehet dhe pyet për djalin se ku ishte, gruaja i thotë se e ka zënë gjumi. Pasi i jep të hajë dhe e lë të çlodhet, ajo e pyet të shoqin: Nëse kemi marrë diçka hua nga komshinjtë, a t’ua kthejmë? Sigurish,- i thotë i shoqi. Edhe nëse e kemi ruajtur në shtëpinë tonë për një kohë të gjatë?”- e pyet përsëri e shoqja. Po,- ia kthen i shoqi. Atëherë duro, se Zoti (xh.sh.) na e mori atë që na e kishte lënë amanet deri tani, djalin tonë”.
Historia e njerëzimit, dhe sidomos historia e përhapjes sё Islamit, ёshtё plotё me shembuj qё flasin shumё qartё se asnjё sukses, qoftë edhe mё i vogli, nuk mund tё arrihet pa sakrifica. Sa herё qё bashkёsia e muslimanëve bёhej e fuqishme shpirtёrisht dhe tregohej e gatshme tё jepte çdo gjё prej vetes, muslimanёt ecnin pёrpara dhe gëzonin prosperitet.
Naim Drijaj