Sado që ideologjitë dhe filozofitë e ndryshme pretendojnë se islami ka bërë krim në kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, sistemi Kur’anor assesi nuk është i tillë.
Njeriut, në sistemin e kësaj bote, i është dhënë gjëja më e përsosur ndër gjithë krijesat tjera, e ajo është liria dhe vullneti i tij. Kështu që, pasi njeriu pranoi përgjegjësinë që të jetë udhëheqës dhe zëvendës/ halife në sipërfaqen e tokës, Allahu, menjëherë i mundësoi atij që t’i mësojë emrat e çdo gjëje të kësaj gjithësie.(1)
Me fillimin e zhvillimit të jetës, njeriu nuk u detyrua që t’i përmbahet vetëm një sistemi, mirëpo atij iu bë i ditur se sistem më i përsosur i fesë në të cilin ai mund të gjente lumturinë, është Islami. Kështu që Allahu në Kur’an thekson se: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”.(2)
Atëherë, pasi që Kur’ani e vulosi të gjithë sistemin e hershëm, nuk bëri ndonjë dallim dhe ndarje në mes të njerëzve. I lejoi dhe u preferoi që të jetojnë në bashkësi dhe grupe në mënyrë që ta zbukurojnë edhe më mirë jetën e tyre. Sado që ideologjitë dhe filozofitë e ndryshme pretendojnë se islami ka bërë krim në kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, sistemi Kur’anor assesi nuk është i tillë. Ata pa bërë asnjë hulumtim, analizë dhe pa gjetur ndonjë argument bindës, këto ideologji i kanë shpërndarë në të gjithë mediat dhe literaturën botërore. Përveç kësaj, përmes shumë rrugëve tentojnë që të spërkatin mendimet e pastra të rinisë, e cila është e ardhmja e popullit.(3)
Mirëpo siç theksuam edhe më lart, Kur’ani assesi nuk ka bërë një ndarje të tillë, por ai gjithmonë fton në vëllazërim bashkim, prosperitet dhe bashkëpunim me njëri tjetrin dhe toleron pjesëtarët e tij gjer në atë masë sa nuk është e mundur që njeriu të mos arrijë lumturinë më të përsosur që ekziston. A mos ndoshta njeriu nuk është në gjendje ta kuptojë apo ndoshta e ka kuptuar, por e ka harruar ajetin ku Allahu thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij...(4), apo hadithin e Pejgamberit a.s., se njerëzit janë të barabartë në aspektin sociologjik, por se ata dallojnë vetëm në devotshmëri dhe veprat që bëjnë(5) , ose “Njerëzit janë të barabartë dhe të njëjtë sikurse dhëmbët e kranit”(6) etj.
Nëse ndalemi dhe u bëjmë një analizë këtyre thënieve të arta – e që përveç këtyre ka edhe shumë tjera- do të shohim se njeriut i është dhënë çdo e drejtë personale, fetare dhe shoqërore. Nuk u detyrua që patjetër dhe me dhunë të pranojë Islamin, sepse; “Nuk ka dhunë në fe”(7) , dhe “Po qe se do të dëshironte Allahu, nuk do të kishte mbetur askush në këtë sipërfaqe pa besuar”.(8)
Duhet të jemi të bindur se çdo individ, kudo që të jetë, është i lirë. Njeriu si krijesë njerëzore, vetëm pse është njeri është i lirë dhe i ndershëm, sepse Allahu atë e nderoi me shumë gjëra: “Më të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit”.(9)
Nga vetë krijimtaria e njeriut, ai është i nevojshëm për të besuar diçka, pra besimi është një ndjenjë natyrore. Nëse hulumtojmë historinë më të hershme njerëzore, do të shohim se asnjë popull nuk ka qenë pa besim.(10)
Pas të gjitha këtyre, kur kthehemi tek Kur’ani menjëherë përballemi me ajetet, të cilat tregojnë se përderisa një populli nuk i dërgohet ftesa dhe njohuria e Islamit, ai popull, nuk do të jetë përgjegjës për besimin apo mosbesimin e tij. Nëse i kthehemi sistemit modern, i cili pjesërisht praktikohet sot në botë, do të vërejmë se çdo kushtetutë botërore ka hartuar dhe ka cekur në planin e saj të drejtat dhe liritë e njeriut, qofshin ideologjike apo fetare. Mirëpo para se të paraqesim këto kushtetuta, menjëherë duhet të bëjmë se a janë duke u praktikuar ashtu siç janë përpiluar. Një kushtetutë e tillë, për herë të parë – pas Kushtetutës Medines – është cekur në “Komunikatën e të Drejtave në Virgjinja” më 12 Qershor 1776, duke theksuar këto: “Lidhur me besimin dhe fenë që i jemi borxh krijuesit tonë, duhet të bëjmë të ditur se këto duhet t’i plotësojmë dhe t’i pranojmë përmes vullnetit dhe mendjes, e jo përmes dhunës dhe përdorimit të forcës. Për këtë shkak, të gjithë njerëzit janë të barabartë në zgjedhjen dhe aplikimin e detyrimeve të veta fetare”.(11)
Po të njëjtën gjë, më 26 Gusht 1789 e kanë cekur Francezët në nenin 10 dhe 11, se populli është i lirë në pranimin dhe aplikimin e fesë. Por, pak më qartë se këto, më 10 Dhjetor 1984, në Kushtetutën Amerikane të të drejtave të njeriut, në nenin 18 thuhet: “Çdo person është i lirë në mendimin, dhe fenë e tij...”(12) Sipas këtyre kushtetutave të këtyre vendeve të zhvilluara dhe demokratike, vërehet se të drejtat dhe liritë fetare të njeriut ndërtohen mbi katër themele:
1. Besimi: Çdo individ është i lirë të zgjedhë cilën fe të dojë.
2. Vepra: Çdo individ është i lirë të praktikojë ritet e fesë që i takon.
3. Shkollimi : Çdo individ është i lirë të mësojë dhe shpjegojë fenë e vet.
4. Dhe që çdo kush ka të drejtë të formojë bashkësinë e tyre fetare e sociale.
Nëse këto katër pika aplikohen në çdo vend të botës, atëherë mund të themi se edhe myslimanët do të kenë të drejtat e tyre që të formojnë shkollat, ndërtojnë xhamitë, ligjërojnë Islamin dhe të kenë qendrat e tyre për bashkësi dhe tolerancë ndërfetare. Ne si predikues të Islamit, jemi të detyruar, që t’ ia sqarojmë liritë dhe të drejtat një individi në mënyrë sa më të mirë, duke pasur parasysh pozitën dhe shkallën e tij. Gjithmonë duke filluar nga pikat e përbashkëta që kemi me bashkëbiseduesin dhe gjithmonë duke i treguar atij shembujt e artë se si ka vepruar Pejgamberi (paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të) me njerëzit.
____________________
1. El-Bekare 2/ 30,31
2. Ali İmran, 3/85
3. Shih fjalimin nga Prof. Dr. Ali Bardakoğlu të mbajtur në Ankara gjatë vizitës që i bëri Papa Benediku XVI – Turqisë, Ankara, 28 Dhjetor 2006.
4. Huxhurat, 49/13
5. Ahmed ibni Hanbeli, vëll. V, no. 411.
6. Axhluni, Keshfu’ı Hafa, no. 2847.
7. El-Bekare, 2/ 256
8. Junus, 10/99
9. İsra, 17/70
10. Günay Tümer, Abdurrahman K - çük, Dinler Tarihi, f. 27.
11. Şeref Ünal, Avrupa İnsan Hakları Sözleşmesi, f. 206
12. Saffet Köse, İslam Hukuku Açısından Din ve Vicdan Hürriyeti, f. 14.
Zymer RAMADANI