Qytetërimi i vjetër grek marrëdhëniet mes njerëzve dhe zotave i përfytyronte si revoltë dhe sfidim. Sipas tij, zotat gjithnjë duan ta nënshtrojnë njeriun dhe, në mënyrë që ai të mos i gëzojë frytet e punës së vet, sa herë që ai arrin sukses, zotat e hedhin në fatkeqësi. Ndërkaq, njeriu, në anën tjetër, i sfidon vazhdimisht zotat dhe kur bie, ai përsëri e merr veten dhe vazhdon luftën e tij me zotat.
Legjenda e njohur për Prometeun thotë se Zeusi, perëndia më i madh, babai i perëndive dhe i njerëzve e urdhëroi Epimeteun, që ishte i biri i Titan Japet që t’i jepte çdo qenie të gjallë armët që i duheshin për të mbrojtur jetën. Kështu Epimeteu i pajisi kafshët me thonj, dhëmbë e shkathtësi që të mbijetonin, por ai bëri një gabim sepse harroi njeriun. Raca njerëzore do të ishte zhdukur sikur atë mos ta ndihmonte Prometeu, vëllai i Epimeteut.
Meqenëse nuk kishte mbetur asnjë armë për njeriun, Prometeu i dhuroi atij diçka më të çmuar: trurin. Edhe pse ai i dha njeriut zgjuarsinë që të mund të përballonte armiqtë e tij, njerëzit përsëri vuanin, sepse u mungonte diçka që të mund tua bënte jetën të mundshme: zjarri. Zjarrin e kishin dhe e përdornin vetëm perënditë. Ata donin ta mbanin vetëm për vete. Sipas këtij miti, titani, Promete duke parë se njerëzit jetonin në errësirë e në të ftohtë, i erdhi keq për ta, andaj ua rrëmbeu zjarrin perëndive dhe ua dha njerëzve dhe që atëherë filloi epoka më e rëndësishme për njerëzimin. Mirëpo Zeusi u zemërua për këtë “krim”me Prometeun dhe me njeriun. Meqë tashmë nuk mund t’ua merrte zjarrin njerëzve, vendosi ta ndëshkonte rëndë Prometeun dhe njeriun. E rrëmbeu Prometeun dhe e çoi në një mal të madh që quhej Kaukaz duke e lidhur me zinxhirë që të mos lëvizte. Ngarkoi një shqiponjë të madhe që të hante ditën mëlçinë e Prometeut, e cila i rritej përsëri natën. Kësaj torture të Prometeut që zgjati 30 vjet i dha fund Herkuli që ishte i biri i Zeusit, hero dhe gjysmë perëndi. Ai iu lut Zeusit, ta lejonte të vriste shqiponjën dhe të këpuste zinxhirët që kishin mbajtur të lidhur martirin Promete. Zeusi ia plotësoi dëshirën Herkulit dhe e lejoi që ta lironte Prometeun.
Kurse njeriut Zeusi i dërgoi Pandorën dhe së bashku me të i dërgoi dhuratë një kuti të mbyllur. Kur njeriu e hapi atë pa se ajo ishte e mbushur me të këqija, që dolën nga kutia dhe u shpërndanë në sipërfaqen e tokës, në mënyrë që të jenë shkak armiqësie dhe trishtim i vazhdueshëm për njeriun. Pra, përmes kësaj legjende, raportet mes njeriut dhe zotave janë vlerësuar si raporte konkurrence dhe sfidimi mes tyre.
Ndërkaq krejt ndryshe nga ky mit i rremë, sipas doktrinës islame njeriu është i krijuar prej Allahut, çdo gjë i është dhuruar prej Tij, gëzon përkrahjen e Tij dhe mbështetet në çdo çast të jetës tek Ai dhe në fund i kthehet vetëm Krijuesit. Mësimi islam thekson gjithëfuqinë e All-llahut. Kurani na flet për mëshirën e All-llahut dhe vë baraspeshën mes më- shirës dhe drejtësisë së Allahut. Çdo sure e Kuranit fisnik dhe çdo vepër e besimtarit fillon me “Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim”, ku janë të përmendur emrat e bukur të mëshirës: err Rrahman dhe err Rrahim, e jo emrat e zemërimit. Sipas një hadithi të Muhammedit (a.s.) mëshira i paraprin hidhërimit të All-llahut.
Njeriu sipas Islamit është rob dhe mëkëmbës i All-llahut. Si rob i All-llahut njeriu duhet t’i nënshtrohet plotësisht vullnetit të Tij, duke pranuar Programin Hyjnor që përmban udhëzimin dhe drejtimin dhe ta zbatojë atë në jetën e përditshme në mënyrë që të fitojë kënaqësinë në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër. Kurse si mëkëmbësi i Allllahut njeriu duhet të jetë aktiv sepse ka pranuar amanetin që nuk e pranuan as toka dhe as qiejt (El Ahzab: 72).
Kurani na mëson se Zoti nuk është ziliqar ndaj njeriut, sikurse flitet në legjendën greke, përkundrazi Zoti, sipas Kuranit, është shumë bujar ndaj njeriut, madje Zoti i ka dhënë njeriut shumë favore, duke e lartësuar mbi të gjitha krijesat tjera:
“Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam. (El-Isra: 70);
E ka bërë njeriun në formën më të bukur:
“Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Et Tin: 4);
I ka dhënë shpirtin:
“…dhe kur ta kem përsosur atë (njeriun) dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni atij (në sexhde)” (Sad: 72);
Dhe e ka caktuar të jetë mëkëmbës i Tij mbi tokë:
“(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një mëkëmbës!...” (El-Bekare: 30).
Islami nuk e sheh njeriun si rival të Krijuesit apo si një krijesë të pavarur prej tij, që mund të zërë edhe vendin e Krijuesit. Zoti e krijoi njeriun për të dëshmuar Njëshmërinë e Tij dhe për të adhuruar vetëm Atë.
All-llahu i është drejtuar njerëzimit që në kohën e shpirtrave me pyetjen:
“A nuk jam Unë Zoti juaj?” dhe njerëzit, pa përjashtim, që të gjithë janë përgjigjur: “Po, dëshmojmë!”(El Araf:172).
Nëpërmjet kësaj Po-je njeriu e ka pranuar Allahun si Zot të vetin, madje qysh para ardhjes së tij në këtë botë. Pra Zoti ka marrë prej shpirtrave të njerëzve zotimin (mithakun) që në botën e shpirtrave dhe gjithë njerëzimi ka pranuar Hyjninë e All-llahut. Kjo paraqet besëlidhjen që shpirti i secilit njeri e ka “nënshkruar” para Zotit. Secili njeri është zotuar se do ta njohë dhe se do ta pranojë All-llahun për Krijues dhe Furnizues të tij. Kjo tregon për atë se adhurimi dhe pranimi i Krijuesit është skalitur në vetë natyrën e njeriut (el fitrah) që ndonëse mund t’i nënshtrohet harresës, egoizmit dhe pasionit, megjithatë është i pranishëm në zemrën e çdo njeriu.
Sipas Islamit mëkati dhe rënia e njeriut vjen para së gjithash si pasojë e harrimit të këtij zotimi. Qëllimi i mesazhit të Zotit është që t’ia përkujtojë njeriut zotimin e dhënë para se të vinte në këtë botë. M’u për këtë në shumë vende në Kuranin fisnik lexojmë shprehjen fe dhekir: përkujtoji atyre.
Islami i kundërvihet tërësisht idesë së rebelimit dhe revoltës ndaj Krijuesit. Dyshimi e individualizmi që mund të shihet në Greqinë e Vjetër dhe Evropën pasmesjetare i pasqyruar në letërsinë e këtyre periudhave, nuk gjendet në Islam.
Në Islam njeriu nuk konceptohet në natyrën e tij titanike ose prometiane, që rebelohet ndaj Vullnetit të Qiellit në mënyrë heroike. Përkundrazi, madhështia e njeriut sipas mësimit islam qëndron në të qenët e tij robshërbëtor i All-llahut. Prandaj ideja e pavarësisë së njeriut nga Krijuesi dhe mosnjohja e moszbatimi i urdhrave të Tij, një trend i shoqërisë perëndimore, është i huaj për mësimin islam.
Zoti ka përmbushur zotimin e tij ndaj nesh duke na dhënë fuqi, aftësi, udhëzim dhe ka vënë çdo gjë në shërbim të njeriut, në mënyrë që ai të mund ta realizojë rolin e tij prej mëkëmbësi mbi tokë. Mbetet në dorën e njeriut nëse dëshiron të jetë konsekuent ndaj zotimit që i ka dhënë All-llahut dhe pranimit të Njësisë së Tij, duke marrë përgjegjësi si mëkëmbësi i All-llahut në tokë, apo të rrëshqasë në një nivel edhe më të ulët se kafshët: (El Araf: 179).
Madhështia njeriut nuk i vjen prej vetes dhe prej të qenët i pavarur, por prej të qenurit krijesë, shërbëtor dhe mëkëmbës i Tij. Pikërisht për këtë Muhammedi (a.s.) nuk lartësohet nga muslimanët në nivelin e Hyjit, apo në nivelin e birit të Hyjit, sikurse bëjnë të krishterët me Isain a.s (hasha lilah, All-llahu na ruajt) por konsiderohet rob-shërbëtor dhe i dërguari i All-llahut.
Kjo është shkalla më e lartë që mund të arrijë njeriu. Këtu qëndron gjithë madhështia e Islamit karshi doktrinave dhe feve të tjera