Alkooli: e keqe e madhe e përditësisë

Bota në përgjithësi, kurse myslimanët në veçanti sot ballafaqohen me deformime të rënda fetare, morale e shoqërore, grupore dhe individuale, në të gjitha vendet e botës. Kjo e keqe e pakundërshtueshme është alkooli, respektivisht pijet dehëse të të gjitha llojeve.

Nga kjo e keqe nuk është kursyer asnjë vend, asnjë qytet, asnjë familje, asnjë individ. Madje, edhe vendet më myslimane sot janë të goditura nga kjo sëmundje me përmasa pandemie. Nëse dikur vendi ynë ka mundur të lavdërohet me mospërdorimin e alkoolit, madje edhe nga ana e të krishterëve si ndikim i Islamit, kjo gjendje më nuk është as në trojet tona.
Kohëve të fundit, alkooli dhe vese të tjera të rënda e kanë përfshirë edhe familjen tonë, edhe lagjen tonë, edhe shkollën tonë, edhe zyrën tonë, edhe rrugën tonë, edhe qytetin tonë. Për këtë dhe arsye të tjera këtë artikull timin do t’ia kushtoj alkoolit, njërit nga haramet, veset e rënda, i cili ka marrë shtrirje shqetësuese edhe në shoqërinë tonë.
Alkooli bën pjesë në rendin e harameve (gjë- rave të ndaluara), ndalimi i të cilit bazohet në Kur’an, synet dhe ixhma. Mirëpo, ndalimi i alkoolit nuk erdhi përnjëherë, por për shkaqe praktike ndalimi ndodhi në faza.
Në fazën e parë Allahu i madhërishëm në Kur’an flet për “ushqimin dhe pijet e këndshme, që përfshin të gjitha përveç alkoolit: “Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (lëngje) dhe ushqim të mirë. S’ka dyshim se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.” (Nahl, 67)
Pastaj u shpall ajeti vijues: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi (të pakta) në to për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. …! Kështu ua sqaron Allahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).” (Bekare, 219)
Ky ajet flet se dëmi nga vera dhe bixhozi është më e madhe se dobia dhe se refuzimi i tyre është përparësi kundrejt përdorimit të tij. Ky ajet ende nuk e ndalon alkoolin në mënyrë vendimtare, por me fazat paraprake e përgatit terrenin për këtë.
Në fazën e tretë Allahu (xh.sh.) shkon një hap më tej dhe e ndalon kryerjen e namazit në gjendje të dehur: “O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, ...”! (Nisa’, 43)
Pastaj vjen faza e katërt dhe përfundimtare në ndalimin e alkoolit, rreth së cilës nuk ka pasur kurrfarë dilemash dhe diskutimesh. Për ndalimin përfundimtar flasin ajetet vijuese: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.”. (Maide, 90)
Pas thirrjes drejtuar besimtarëve dhe të drejtuarit direkt atyre, që kërkon kujdes të plotë në raport me atë që dëshirohet t’u thuhet, në ajetin e cituar në vend të parë vjen ndalimi i alkoolit, e pastaj ndalimi i bixhozit, idhujve dhe shigjetave për fallin.
Që të katër gjërat janë quajtur me një emër, e ky është rixhs (vepra e ndyrë, gjë neveritëse) dhe ky jo çfarëdo rixhsi, por ai i cili bën pjesë në veprat e shejtanit. Allahu (xh.sh.) me Kur’an kërkon nga njerëzit t’u largohen këtyre mëkateve që të jenë të shpëtuar: “Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Maide, 91)
Nëpërmjet verës dhe bixhozit, shejtani i mallkuar dëshiron të hedh armiqësi dhe urrejtje ndër njerëzit dhe t’i pengojë nga përmendja e emrit të Allahut, nga namazi dhe nga adhurimet e tjera fetare, t’i përçajë familjarët, shokët, fqinjët; dëshiron t’i shpenzojë mjetet në paudhësi, kurse shumë projekte individuale, grupore dhe të vendit të mbesin pa mjete të dëshiruara.
Ndalimi i alkoolit është urdhëruar në vitin e tretë hixhri menjëherë pas betejës në Uhud, kur kasneci i Muhamedit (a.s.) u komunikoi të pranishmëve: “O njerëz, alkooli është bërë haram (i ndaluar).” Të gjithë ata që i dëgjuan këto fjalë, ndërsa në duar kishin gota me verë, i thyen ato. Ata që në gojë kishin gllënjkat e verës të cilat ende nuk i kishin gëlltitur, i pështynë. Të gjitha enët për verë u thyen apo u shpërthyen, sikurse qëndron në transmetimin që e përcjell ashabi Enesi (r.a.): “Kam shërbyer me pije në shtëpi të Ebu Talhasë, ndërsa në këtë kohë alkooli ishte i qortuar. Muhamedi (a.s.) i urdhëroi kasnecit të shpallë ndalesën e alkoolit me ç’rast kemi dëgjuar: - Alkooli është i ndaluar! Ebu Talha më tha: - Del dhe derdhe! Dola dhe e derdha në rrugë! Disa ashabë thanë: - Ka nga njerëzit tanë të cilët kanë rënë shehidë, kurse në barqet e tyre kishte mbetur alkool! Dhe u shpall ajeti: “Ata që besuan dhe bënë punë të mira, nuk kanë mëkat për atë që u ushqyen (më herët) derisa ata ruhen (prej haramit), besojnë dhe bëjnë vepra të mira, mandej ruhen (nga ajo që ka qenë e lejuar e është e ndaluar) dhe besojnë e pastaj ruhen (nga çdo mëkat) dhe bëjnë mirë. All-llahu i do ata që bëjnë mirë.” (Ma’ide, 93)
Ndalimi i alkoolit shkallë-shkallë është dëshmi e nevojës për përshtatje në mendje dhe zemër, në mentalitet, në transformim në Islam, sidomos në gjërat të cilat qenë rrënjosur te arabët para isla mit dhe të cilat ishte vështirë me shkop magjik të ndalohen, braktisen dhe çrrënjosen. Ashabët të cilët kanë pirë alkool edhe pas ndalimit të tij, Muhamedi (a.s.), si transmeton Ebu Enesi (r.a.), i ka fshikulluar me degë palme apo me nalla, deri kur Ebu Bekri (r.a.) ata të cilët kanë pirë alkool, gjatë hilafetit të tij, i ka fshikulluar me 40 goditje.
Në një hadith thuhet se në xhenet nuk do të hyjnë tre persona: Ebu Se’idi (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: Në xhenet nuk do të hyjë: ai që përflet atë që ka dhuruar, ai që është i padëgjueshëm ndaj prindërve dhe pijaneci.” (Ahmedi) Alkooli paraqet njërën nga të këqijat më të më- dha të aktualitetit dhe bën pjesë ndër rreziqet sidomos për popullatën e re, e cila nga dita në ditë bëhet gjithnjë e më e varur nga ai.
Alkooli në masë të madhe është shkak i drejtpërdrejtë i vrasjeve, vetëvrasjeve, aksidenteve në komunikacion, dhunimeve, perversiteteve, rrahjeve, zënkave, divorceve e të tjera. Disa qytetarë, madje edhe njerëz me peshë publike, bëjnë garë kush pi pije më cilësore dhe sa më shumë, e të mbetet në këmbë!
Alkooli ka depërtuar në shkollë, nëpër zyra të institucioneve arsimore, politike, kulturore. Çdo inaugurim, çdo përvjetor, çdo festë celebrohet me alkool, nga prijësit e popullit. Çfarë skene bizare, çfarë shembulli televiziv trishtues para fëmijëve, familjarëve etj. Populli që bën gara në të keqe, populli që mburret me të keqen dhe jo me të mirën është populli që do ta humb vlerën e vet dhe do të shkojë në plehra të historisë. Ata do të jenë në përqafim të ndëshkimit të xhehenemit.
Muhamedi (a.s.) në vitin e tetë hixhri e ka ndaluar tregtinë me alkool, me mishin e kafshës së ngordhur, derr dhe me idhuj, sikurse tregohet në hadithin vijues: “Transmeton Xhabir Ibn Abdullahu (r.a.) se e ka dëgjuar Pejgamberin (a.s.) se ky ka thënë në vitin e çlirimit të Mekës: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, cofëtinat, derrin dhe idhujt.” Dikush tha: A mund ta shesim dhjamin e cofëtinës, me të cilin lyhen anijet, lëkurat dhe e përdorin për ndriçim?” Tha: “Jo, kjo është haram!” Pastaj Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Për këtë shkak Allahu është hidhëruar me hebrenjtë, sepse pasi Allahu ua ndaloi dhjamin e shtazëve, e kanë shkrirë, shitur dhe i kanë shfrytëzuar paratë që fitonin me këtë shitje!” (Buhari).
Siç shkruan në hadithin paraprak, Pejgamberi (a.s.) e ka ndaluar përdorimin e katër gjërave, kurse në pyetjen se a lejohet shitja e dhjamit të cofëtinës, thotë se edhe ai është i ndaluar dhe se Allahu është hidhëruar me hebrenjtë, të cilët edhe pas ndalesës e kanë shitur dhjamin dhe i përdornin paratë e fituara nga ai. Simaku transmeton se e ka dëgjuar Alkame ibn Vailin, kurse ky transmeton nga babai, se ka qenë në shoqëri me Pejgamberin (a.s.) kur e ka pyetur Suvejd ibn Tariku mbi alkoolin dhe Muhamedi (a.s.) ia ka ndaluar. Ai pyeti: A mund të mjekohem me të? Pejgamberi (a.s.) u përgjigj: “Ai nuk është mjekim, por sëmundje.” (Tirmidhi)
Ne jemi bashkësia fetare e të natyrshmes (fitre), kurse Pejgamberi ynë në Isra, kur iu afrua gota e qumështit dhe gota e verës zgjodhi qumështin, sikurse shkruan në hadithin vijues: Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Natën që isha në Isra, mu servirën dy enë: në njërën kishte qumësht, kurse në të dytën verë. Më tha meleku Xhibril: - Zgjidh cilën të duash! Dhe unë zgjodha qumështin dhe e piva. Më tha: “Zgjodhe atë që është natyrore, sepse sikur të ki she marrë verën, ymeti yt do të lajthiste!” (Buhari).
Me dhënien pas alkoolit a mos dëshirojnë myslimanët të largohen nga natyra e pastër humane dhe të bëhen nga ata që i ndjekin hapat e shejtanit? A mos populli të cilit i është bërë haram alkooli dëshiron të tregojë se mund të jetë mysliman dhe të pijë dhe se ky në njëfarë mënyre është mysliman bashkëkohor i cili si i tillë mund të shkojë në Evropë!? Shumë tregtarë aktualë, që dikur arsyetoheshin se shteti ua imponon shitjen e alkoolit dhe derrit, tash arsyetohen se puna u shkon shumë më mirë kur ofrojnë alkool dhe mish e prodhime derri. Natyrisht, se shejtani ua rrit xhiron atyre, por rritja e pasurisë nuk do të thotë edhe rritje e bereqetit, sepse pasuria haram shkatërrohet në mënyrën si është fituar, kurse ka shumë raste që mund të na shërbejnë si shembull për ata të cilët janë të talentuar me arsye.
Muhamedi (a.s.) i ka përmendur ata të cilët janë të mallkuar, të cilët janë të gjithë ata që gjenden në zinxhirin e prodhimit, shitjes, shërbimit dhe konsumimit të alkoolit. Ibn Umeri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Allahu e ka mallkuar alkoolin dhe atë që e pinë atë, dhe atë që e mbush gotën, atë që e shet, atë që e blen, atë që e prodhon dhe për kë prodhohet, atë që e shërben dhe kujt i shërbehet.” (Ebu Davudi)
Muhamedi (a.s.), në hadith flet për ata të cilët pinë, se namazet nuk do t’u pranohen për një kohë të caktuar: Abdullah ibn Umeri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush pi alkool Allahu nuk do t’ia pranojë namazin dyzet ditë, dhe nëse pendohet, Allahu do t’ia falë. Nëse sërish i kthehet alkoolit, Allahu nuk do t’ia pranojë namazin dyzet mëngjese e nëse pendohet Allahu do t’ia falë. Nëse sërish dehet, Allahu nuk do t’ia pranojë namazin dyzet mëngjese, e nëse pendohet Allahu do t’ia falë. Nëse sërish i kthehet alkoolit për të katërtën herë, namazi nuk do t’i pranohet dyzet mëngjese, e nëse pendohet, pendimi nuk do t’i pranohet dhe Allahu do ta ngop nga lumi i helmuar me qelb (në xhehenem).” (Tirmidhi)
Atij që qëllimisht dehet, qoftë kjo edhe një gllënjkë, nuk i pranohet namazi, e me këtë edhe veprat e tjera të mira dyzet ditë. Nëse këtë e përsërit edhe dy herë dhe sërish i kthehet alkoolit, namazi nuk do t’i pranohet por nuk do t’i pranohet as pendimi. Çdo mysliman e myslimane që deri në këtë muaj të bekuar e ka shijuar alkoolin le të marr vendim të prerë që ta braktisë alkoolin nga pirja, shërbimi, servirja në raste të përditshme dhe në festa, në raste gëzimi dhe morti, i ri apo i vjetër, të ndihmojë çka ka mundësi që të sillet ligji mbi ndalimin e konsumimit dhe shitjes së alkoolit.... së paku të bëhet ajo që është bërë në disa vende botërore: kufizimi i përdorimit të alkoolit. Çdo mysliman e myslimane duhet të vendosë prerazi se nuk do t’i kthehet alkoolit dhe le të bëjë tevbe - pendim të sinqertë!



Nexhat Ibrahimi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip