Vëllazëri apo bashkim?

“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër me njëri-tjetrin” (Kur'an, 49:10)

Ky ajet kur'anor është i njohur pasi në shumë hutbe të xhumasë apo në vaze të ndryshme, apo edhe në biseda të ndryshme që bëhen në shoqëri mes besimtarësh përdoret shpesh duke transmetuar domethënie të shumta apo më mirë të themi duke e komentuar në mënyra të ndryshme.
Fakti që ne jemi besimtarë do të thotë që kemi arritur në një pjekuri të tillë që të kuptojmë më së miri disa aspekte mjaft të rëndësishme të jetës. Jemi brumosur me një botë shpirtërore mjaft të pasur e cila padyshim që nuk mund të thuhet se ka arritur kulmin e plotësimit të saj.
Ne jemi besimtarë dhe kjo do të thotë se kemi arritur në një shkallë të caktuar besimi. Kemi arritur të krijojmë një vizion në lidhje me besimin tonë, pra ajo që kemi bërë nuk është gjë tjetër veçse një mbështetje diku, kemi gjetur një ngrohje shpirtërore diku, dhe te një Krijues. Të arrish të gjesh një mbështetje shpirtërore diku nuk është aspak e lehtë pasi kjo mbështetje tregon dhe paraqet edhe një siguri që i kemi dhënë atij që i kemi besuar. Ky lloj besimi në fakt, lidhet drejt për drejtë me zemrën dhe shpirtin tonë, pasi siç e dimë, është zemra thelbi i çdo gjëje, çdo lëvizjeje të pjesëve të trupit, të çdo qelize të trupit bile, pasi çdo lëvizje ne e bëjmë të vetëdijshëm dhe rrjedhimisht edhe me shpirt.
Një fenomen i tillë vihet re shumë herë në jetën tonë të përditshme. Kështu p.sh.: Që në momentin kur i japim dorën një njeriu qoftë ky besimtar apo jo, shfaqim ndaj tij një lloj mbështetjeje dhe sigurie. Në plan të parë ne tregojmë një lloj respekti ndaj atij individi duke i shtrënguar dorën dhe duke i dhënë të kuptojë se ne jemi të paktën miq me njëri-tjetrin. Këtu është pikërisht ajo kënaqësi shpirtërore e cila na lidh me të, pra është një ndjenjë dashamirësie dhe mirëkuptimi që na çon më pas edhe në një lloj bashkimi zemrash. Nga ana tjetër duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin lëmë të kuptojmë se jemi në paqe dhe harmoni dhe se e duam njëri-tjetrin në të mirë dhe në të keqe. Por, këtu duhet pranuar edhe ajo që, jo çdo shtrëngim dore tregon të njëjtën siguri dhe mirëkuptim. Pikërisht, këtu qëndron edhe thelbi i çdo gjëje, sepse çdo gjë është e lidhur me gjendjen shpirtërore të individit.
Ashtu sikurse e thotë edhe Pejgamberi ynë Muhamedi (a.s.) në një hadith: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit” askush nuk mund ta dijë se ky veprim ishte me të vërtetë sipërfaqësor apo jo. Askush nga ne nuk mund ta kuptojë të vërtetën e saj përveç Allahut të Lartësuar, një dhe të vetëm, por ne gjithmonë i besojmë faktit që pavarësisht se nuk i dimë sjelljet dhe veprimet e drejta të njerëzve, të paktën kemi mundësi të përcjellim ngrohtësi dhe sinqeritet tek ata.
Një element mjaft goditës për të kuptuar sa më mirë këtë, është edhe “buzëqeshja”. Pejgamberi ynë Muhamedi (a.s.) e ka dhënë mesazhin e tij duke thënë: “Edhe një buzëqeshje është një sadaka”. Në momentin kur dhurojmë një buzëqeshje tregojmë dhe transmetojmë te tjetri ngrohtë-si dhe afrimitet.
Dhurimi i një buzëqeshjeje i hap zemrën njeriut duke e bërë atë me tjetrin një të vetëm. Në atë moment organizmi ndien një lloj çlirimi dhe dukesh se je më i lirë dhe më i qetë në vetvete dhe njëkohësisht ndien një lloj gatishmërie edhe më të madhe për t’u pajtuar me problemin e tjetrit. Prandaj edhe dhurimi i një buzëqeshje është quajtur si një sadaka sepse ashtu sikurse një sadaka e gëzon tjetrin duke e vlerësuar si një kontribut ashtu edhe buzëqeshja vlerësohet si një lloj kontributi duke bërë të mundur forcimin e një marrëdhënieje dhe krijimin e një baze për mbështetje.
Pozicionimi i individit në momentin e parë të komunikimit dhe sinjalet e para të këtij komunikimi janë përsëri elemente që të afrojnë në një siguri dhe mbështetje. Mënyra se si qëndrojmë kur flasim me dikë, mimika e fytyrës, lëvizjet e para të trupit përbëjnë disa elemente të cilat formojnë imazhin e parë të besimit dhe të mbështetjes së kërkuar. Reflektimi pozitiv te individi që kërkon të marrë një mesazh nuk është gjë tjetër vetëm një shprehje besimi dhe sigurie si dhe një kurajë për të ecur me hapa të sigurt përpara.
Njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm në çdo moment dhe kohë për çdo hap që merr pasi rrethi shoqëror nuk mund të jetë përherë ai që dëshirohet në të vërtetë. Jo çdo herë, bile me keqardhje mund të themi se shpesh herë mbetemi pre e reagimeve të ndryshme, të papritura dhe të papëlqyeshme. Nëse kërkojmë një mbështetje dhe besim diku apo te dikush duhet të kontrollojmë veten tonë se sa jemi në gjendje të reflektojmë te tjetri mirëbesimin dhe mbështetjen në momente dhe raste të ndryshme. Sa e kemi forcuar besimin në vetvete dhe sa e kemi pastruar veten tonë për t’u bërë vend edhe të tjerëve aty ku jemi.
Sipas një hadithi të Profetit tonë thuhet: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk mendon për vëllanë e tij besimtar atë që mendon edhe për vete” Në këtë rast kemi një tregues mjaft të rëndësishëm të formimit të besimit dhe të mbështetjes, “të qënurit human”, një virtyt njerëzor ky mjaft serioz dhe domethënës. Ky tipar përbën edhe një urë lidhëse mes dy apo më shumë njerëzve pasi paralelisht me anën shpirtërore ndihmesa dhe kontributi konsiston edhe në aspektin material sado modest qoftë ai. Mjafton të kemi pak bujari në shpirtin tonë dhe modestia del në plan të parë. Mjafton të jemi zemërgjerë dhe njeriu gjen patjetër mbështetje dhe përkrahje. Ajo që ka rëndësi këtu është që mbështetjen e siguruar ta çosh më tutje dhe ta përcjellësh edhe te rrethi shoqëror, pasi shoqëria është e krijuar nga grupe individësh që megjithëse janë të botëkuptimeve të ndryshme kanë disa gjëra të përbashkëta, bujarinë, mirënjohjen, respektin për të tjerët, besnikërinë dhe tolerancën dhe të gjitha këto të çojnë drejt një qëllimi final, formimin i “vëllazërisë shoqërore”.
Por, a kemi të bëjmë me të vërtetë me një vëllazëri shoqërore apo thjeshtë me një njohje shoqërore e cila formon më pas atë që quhet bashkim shoqëror apo grupim shoqëror që ka si një emërues të përbashkët vetëm përshëndetjen e rastit dhe asgjë tjetër? Përshëndetjet e rastit janë të përkohshme dhe nuk përbëjnë një bazë të shëndetshme të një shoqërie të plotë. Në një shoqëri të tillë nuk mund të thuhet se krijohen bazat e një besimi dhe mbështetjeje pasi edhe njohja me individin është shumë e paktë dhe e pamjaftueshme për të realizuar një veprim të duhur megjithatë edhe në këto raste duhet të tregohemi të kujdesshëm në kultivimin e vlerave të larta njerëzore dhe normave kulturore pasi këto njohje të çastit mund të bëhen baza për një njohje më konkrete edhe për një të nesërme më të begatë.
Edhe Pejgamberi ynë Muhamedi (a.s.) thotë: “Mos e duaj mikun plotësisht pasi nesër mund të bëhet edhe armiku yt, por edhe armikun mos e urrej plotësisht pasi nesër mund të bëhet edhe miku yt”. E vërteta është se çdo njohje e re sjell një shoqëri të re e cila nesër mund të kthehet në një vëllazërim të ri dhe njëkohësisht edhe në një zgjerim të vëllazërisë aktuale, por në këtë situatë, kujdesi duhet të jetë akoma edhe më i madh, pasi jo çdo njohje e re dhe shoqëri e re luan një rol pozitiv në formimin e vëllazëri. Këtu pikërisht një rol parësor luan edhe çështja e besimit pasi nëse e duam dhe e afrojmë një individ për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij atëherë kjo shoqëri me të vërtetë do të ketë frytet e saj në të ardhmen dhe do të na ndihmojë në forcimin e vëllazërisë, kështu ajo nuk do të jetë një vëllazëri e përkohshme, por e qëndrueshme mbi baza të forta aty ku besimi është më i fortë, gjithmonë me qëllim fitimin e pëlqimit të Allahut, aty ku urdhrat e Allahut dhe jeta e Profetit kanë gjetur një zbatim mjaft të gjerë, padyshim që aty mbështetja është edhe më e madhe dhe më e sigurt. Atëherë edhe njerëzit forcojnë besimin te njëri-tjetrin duke krijuar kështu një unitet të pathyeshëm që i qëndron të gjitha kohërave.



Evans Drishti


Artikulli i kaluar
Pacifizmi në Islam
Artikulli radhës
Leximi i Subhanekes

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip