Në lidhje me këtë temë Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë urdhëron e thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).” (Huxhurat,10)
Siç kuptohet dhe nga ajeti Kur’anor besimtarët janë vëllezër pa marrë parasysh ngjyrën, racën, gjuhën, kombin etj. Besimtarët duhet që të jenë të dashur në mes tyre.
Muhammedi (a.s.) duke dashur të tregojë rëndësinë e vëllazërisë në islam ka thënë: “Nuk do të hyni në xhennet derisa të besoni dhe nuk do të besoni derisa të mos duheni ndërmjet jush. A dëshironi t’ju tregoj një gjë të cilën, nëse e bëni, do të respektoheni mes vete? Përhapeni selamin midis jush” (Muslim)
Përsëri Pejgamberi (a.s.) në një hadith të tij ka thënë: “Mos kini smirë për njëri-tjetrin, mos mashtroni, mos urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri- tjetrit. Jeni vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e gënjen dhe nuk e përçmon atë. Devotshmëria është këtu (e tha këtë tri herë, duke bërë me shenjë nga zemra e tij). (Muslim)
Transmetohet prej Omer ibn Hattabit, i cili thotë: Se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ka disa njerëz, të cilët nuk janë as pejgamber e as dëshmorë, por në Ditën e Gjykimit do t’ua kenë lakmi pejgamberët dhe dëshmorët për pozitën e tyre te Zoti. Shokët i thanë: O Pejgamber i Allahut, na trego kush janë ata? Ai u përgjigj; Ata janë njerëzit të cilët janë dashur mes veti në emër të Zotit, pa pasur lidhje fisnore mes vete dhe pa pasur ndonjë interes material të përbashkët. (Ahmedi)
Pra vëllazëria për të cilën na porosit dhe na nxit Muhammedi (a.s.) është vëllazëria që i ka rrënjët thellë në besim. Ajo nuk është sipërfaqësore e bazuar në interesa meskine të kësaj jete. Ajo është dashuria e vërtetë që shprehet me fjalë dhe mirësjellje. Kjo është dashuria që e nxit besimtarin të dëshirojë për vëllan e tij në fe, atë që dëshiron për veten e tij. Dhe kush nuk e arrin këtë nivel dashurie do të thotë qe besimi i tij nuk është i plotë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Askush prej jush nuk është besimtar ( i vërtetë) përderisa atë që e dë- shiron për vete nuk e dëshiron edhe për vëllanë e tij”. (Buhari Muslim)
Në një hadith tjetër Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai që i largon muslimanit një brengë ne këtë botë, Allahu ia largon brengën Ditën e Kijametit; Ai që i mbulon muslimanit një të metë në këtë botë, Allahu do t’ia mbulojë të metat e tija në Ditën e Kijametit.”
Në kohët aktuale muslimanët kanë nevojë më tepër se kurrë të forcojnë lidhjet vëllazërore në mes tyre.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shtatë persona Allahu do t’i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij atë ditë kur nuk do të ketë tjetër mbrojtje përveç hijes së Tij…” e ndër ta janë. “Dy njerëz të cilët në emër të Allahut duhen, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur deri në ndarje (vdekje)”. (Buhari Muslim)
Tregohet se një mbret urdhëroi t’i priten kokat tre njerëzve të mirë, ndër të cilët ishte edhe Ebul Husej en Nuri, i cili u afrua i pari te vendi i ekzekutimit. I habitur nga veprimi i tij, mbreti e pyeti: Përse u afrove i pari? Ai iu përgjigj: “Që t’i jap kohë për të jetuar vëllezërve të mi”. Kjo fjalë e sinqertë preku zemrën e atij mbreti, i cili i fali që të tre më pas. Ndërsa sot, krejt ndryshe nga ky moral i lartë njerëzor e Islam, shumë njerëz në shoqëri mundohen të marrin jetë, jo të japin kohë ta jetojnë atë. Prandaj duhet të jemi të bashkuar njëri me tjetrin sepse po nuk hyri përçarja në një popull në atë popull armiku nuk hynë.
Allahu i madhëruar në Kuranin famëlartë urdhëron e thotë: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani”!
Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Te koka e lutësit qëndron një melek që ka për detyrë që, pas çdo lutjeje të mirë për vëllanë musliman të thotë Amin, ta dhëntë Allahu edhe ty të njëjtën gjë!” (Muslim)
Tregon El-Adviu (sipas transmetimit të Kurtubiut): “Ditën kur u bë lufta e Jermukut unë shkova ta kërkoj djalin e xhaxhait. Me vete kisha marrë pak ujë për t’ia dhënë ta pijë për të shuar etjen. Kur e takova, i thashë që të pijë dhe ai pohoi me kokë. Ndërkohë u dëgjua një njeri që rënkonte… djali i xhaxhait ma bëri me kokë që të shkoj tek ai që rënkonte për t’i dhënë ujë. Ishte Hisham Bin el Asi ai që rënkonte dhe kur i thashë të pijë ujë, ai pohoi me kokë, por kur dëgjoi (Hishami) një tjetër dukë rënkuar për ujë ma bëri me kokë që të shkoj tek ai (për t’i dhënë ujë). Kur arrita, pashë se ai kishte vdekur. U ktheva përseri te Hishami, por edhe ky tashmë kishte vdekur. Kur u ktheva tek djali i xhaxhait, as atë s’e gjeta në jetë.” Siç shihet asnjëri prej këtyre nuk piu ujë (edhe pse ishin të etur), sepse u vetëflijuan për vëllezërit muslimanë. E lus Allahun xh.sh. që këtë dashuri ta fusin në zemrat e të gjithë muslimanëve
Naim Drijaj