Institucioni i urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja

“Nga ju le të jetë grupi që thërret për atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Ata janë të shpëtuarit.” (Ali Imran, 104)

Hyrje(1)

Allahu i Lartësuar ka urdhëruar dijetarët që t’u transmetojnë dhe shpjegojnë njerëzve dispozitat dhe mësimet e ligjeve të Allahut, ashtu siç ka urdhëruar të mësojnë ata që nuk kanë njohuri. Një nga mënyrat e mësimit është që të kërkohet shpjegim prej atyre që janë të ditur, ndaj për këtë, në fenë islame ekziston institucioni i fetvasë. Megjithatë, prapë ndodh që myslimani të mbetet injorant ndaj ligjeve të Allahut. Kjo ndodh ose për shkak të neglizhencës së dijetarëve ose për shkak të mosangazhimit të myslimanit për të mësuar ato çështje të fesë që janë të domosdoshme. Pra, në këtë mënyrë, myslimani mbetet injorant, ngaqë nuk kërkon shpjegime prej dijetarëve për çështjet e fesë dhe kështu bëhet mëkatar duke kundërshtuar ligjin e Allahut, për shkak të injorancës. Po ashtu ndodh që myslimani t’i dijë dispozitat e Allahut, por prapë bie në mëkat, për arsye se ndjek pasionin e vet. Në të dy rastet mëkati është prezent: qoftë kur nuk e njeh çështjen, qoftë kur e njeh mirë, por nuk vepron. Kur paraqitet e keqja, është obligim mënjanimi i saj dhe, kur e mira nuk zbatohet, atëherë obligohet urdhri për punë të mira dhe pengesa nga të këqijat.

Argumentimi i ligjshmërisë së këtij institucioni

Për ligjshmërinë e këtij institucioni kemi si argumente ajetet kuranore dhe hadithet e të Dërguarit (s.a.v.s.). Çdo ajet që flet për urdhrin në të mira dhe pengimin nga të këqijat, është argument për ligjshmërinë e këtij institucioni dhe kërkesë nga sheriati për t’u zbatuar ky institucion. Kurani Fisnik argumenton zbatimin e këtij institucioni në mënyra të ndryshme. Nganjëherë ajetet e përshkruajnë këtë institucion si cilësi të besimtarëve, shkak për të sjellë të mirat në shoqëri dhe si qëllim për të arritur në këtë tokë fitore me udhëheqje, nëpërmjet institucionit që urdhëron në të mira dhe pengon nga të këqijat. Nëse ky institucion braktiset, atëherë vjen mallkimi nga Allahu i Lartësuar. Nga ajetet që flasin për këtë institucion mund të citojmë: “Nga ju le të jetë grupi që thërret për atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Ata janë të shpëtuarit.”(2), “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin; urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja,”(3), “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija”(4), “Ai ndihmon Ata të cilët, kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej së keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve.”(5), “Ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, birit të Merjemes. U veprua kështu, sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ishin ata që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.”(6).
Suneti i të Dërguarit (s.a.v.s.), argumenton për ligjshmërinë e institucionit të urdhërimit në të mira dhe pengimit nga të këqijat. Prej haditheve që argumentojnë ligjshmërinë e këtij institucioni mund të veçojmë: “Kur dikush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta eliminojë me forcë, e nëse nuk mundet me forcë, le të reagojë me gjuhë dhe, nëse nuk mundet as kështu, ta kundërshtojë me zemër, por ky është besimi më i dobët”. “Ju do të urdhëroni në të mira dhe do të pengoni të keqen. Përndryshe, Allahu do të sjellë tek ju si udhëheqës më të këqijtë prej jush, ndërsa të mirët do të bëjnë dua (lutje), por nuk do të pranohet lutja e tyre”. “Dëshmori më i mirë i umetit tim, mbetet ai që është ngritur kundër prijësit të keq, e ka urdhëruar atë për vepra të mira, e ka ndaluar nga veprat e këqija dhe prijësi më pas e ka mbytur atë”.

Norma e urdhërimit në të mira dhe e ndalimit nga të këqijat

Institucioni i urdhërimit në të mira dhe pengimit prej të këqijave, në aspektin normativ mund të jetë:
1. Farzi kifaje (obligim kolektiv), që do të thotë se, nëse dikush nga myslimanët e kryen këtë obligim, atëherë të tjerët lirohen prej tij. Nganjëherë zbatim i këtij obligimi mund të bëhet edhe farzi ajn (obligim individual), duke iu caktuar kjo detyrë ndonjë personi të veçantë. Nga ky rregull kuptohet se, kur ndodh që vepra për të cilën urdhërohet është e kategorisë së obligimit të prerë apo është vepër e ndaluar rreptësisht, atëherë edhe thirrja për zbatimin apo për pengimin e veprës është farz, pavarësisht nëse është farzi kifaje apo farzi ajn.
2. Mustehab (vepër e rekomanduar). Kjo detyrë mund të jetë e kategorisë së veprës së rekomanduar, atëherë kur vepra që urdhërohet të kryhet është e kategorisë së mustehabit.

Pozita e institucionit

Ky institucion ka pozitë shumë të madhe në islam, sepse me këtë urdhërohet në të mira dhe ndalohet nga të këqijat. Po ashtu, kjo është njëra prej veçorive me të cilën është veçuar i Dërguari (s.a.v.s.). Për ta bërë të qartë këtë të vërtetë, Allahu i Lartësuar thotë: “e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe”(7). Allahu i Lartësuar i ka përshkruar besimtarët e umetit islam ashtu si e ka përshkruar të Dërguarin e Tij. Ky umet do ta kryejë këtë detyrë pas të Dërguarit (s.a.v.s.). Allahu i Lartësuar ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja,”(8). Urdhri në të mira dhe ndalimi nga të këqijat konsiderohet një ndër themelet madhështore të islamit dhe këtij institucioni i kanë kushtuar shumë rëndësi juristët islamë. Juristi i njohur me nofkën Ibnul Uhuveti, ka thënë: “Institucioni i urdhërimit në të mira dhe pengimit nga të këqijat, është njëra prej bazave të çështjeve fetare, ku dijetarët e gjeneratës janë angazhuar vetë në zbatimin e tij, për shkak të shpërblimit nga Allahu. E ky ishte urdhri në të mira, kur e mira braktisej dhe pengimi nga e keqja, kur ajo paraqitej, si dhe pajtimi mes njerëzve”. Institucioni i urdhërimit në të mira dhe ndalimi prej të këqijave, është një detyrë fetare, një obligim i prerë (farz), që duhet t’i caktohet atij që është i aftë për ta kryer këtë detyrë...”

Urtësia e ligjësimit të këtij institucioni

Urtësia e ligjësimit të këtij institucioni, është se me të zbatohet përhapja e thirrjes islame me të gjitha konceptet e saj e që të gjitha gradohen nën konceptin e kuptimit të urdhërimit në të mira dhe pengimit nga të këqijat. Po ashtu, si urtësi e ligjësimit të këtij institucioni, është edhe ruajtja nga dënimi dhe zbritja e mëshirës së Allahut. Si sqarim për këtë, është se mëkatet janë shkak për paraqitjen e fatkeqësive dhe zbritjen e dënimit tek njerëzit, qoftë si edukim , si hakmarrje apo edhe si shkatërrim i tërësishëm. Në këtë mënyrë zbatohet ligji i Allahut në këtë jetë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai ju fal.”(9). Ndodh që njeriu apo ndoshta edhe ndonjë grup njerëzish të bëjë mëkate e të tjerët të heshtin dhe të mos urdhërojnë në të mira e të pengojnë prej të këqijave dhe për shkak të mëkateve të tyre t’i godasin fatkeqësitë. Në hadithin e të Dërguarit (s.a.v.s.), thuhet kështu: “Vërtet, kur njerëzit shohin të keqen dhe nuk mundohen ta ndryshojnë atë, ata mund t’i godasë dënimi i Allahut”. Siç sjell mëkati fatkeqësi dhe dënim, ashtu edhe nënshtrimi ndaj Allahut sjell begati, bollëk dhe kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Pra ky është ligji i Allahut. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat”(10), “Ndaj Allahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër; Allahu i do punëmirët.”(11), “Atyre që migruan për hir të Allahut, e u torturuan, gjithsesi do t’u mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, po shpërblimi i botës tjetër do të jetë edhe më i madh, sikur njerëzit ta dinin (për atë shpërblim).”(12).

Shtyllat bazë të këtij institucioni

1. Ai që urdhëron në të mira dhe pengon nga të këqijat . Personi, i cili urdhëron në të mira dhe pengon nga të këqijat, njihet në të drejtën islame me emërtimin “elmuhtesib”. Juristët myslimanë kanë përcaktuar disa kushte për atë që urdhëron në vepra të mira dhe pengon nga veprat e këqija. Këto kushte janë:
a. Të jetë i hyrë në moshën madhore.
b. Të jetë i aftë mendërisht.
c. Të jetë mysliman.
ç. Të jetë i drejtë.
d. Të jetë i ditur. Kushtëzohet që muhtesibi të ketë dituri, aq sa të mund të njohë të keqen dhe ta pengojë atë, të njohë të mirën dhe ta urdhërojë atë, sipas ekuivalencës së sheriatit dhe, në këtë mënyrë, urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave bëhet mbi bazat e dijes dhe njohjes e jo me injorancë.
dh. Të jetë i aftë për ta kryer detyrën e tij me forcë dhe me gjuhë, e më e pakta që mund të bëjë është të kundërshtojë me zemër. Obligueshmëria e urdhërimit në të mira dhe pengimit prej të këqijave nuk bie për shkak të paaftësisë fizike.

Cilësitë e atij që urdhëron në të mira dhe pengon nga të këqijat

Juristët myslimanë kanë përmendur këto cilësi:
a. Të jetë durimtar.
b. Të jetë i butë.
c. Të ketë moral të mirë.
d. Të jetë i afërt me njerëzit. Ky duhet të tregohet i afërt me njerëzit gjatë urdhërimit në të mira dhe pengimit prej të këqijave, por duke u treguar i pathyeshëm në çështjet e fesë. Në shikim të parë, kjo thënie e juristëve myslimanë duket si kontradiktore. Si mund të jenë bashkë edhe butësia edhe ngurtësimi? Në realitet këtu nuk ka kurrfarë kontradikte, sepse butësia dhe të mos qenët i ashpër është urdhëruar nga ligjet e sheriatit. Për këtë, i Dërguari (s.a.v.s.), ka thënë: “Vërtet, Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo çështje”. Në Kuranin Fisnik thuhet kështu: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngaqë Allahu dhuroi mëshirë e, sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje”(13). Muhtesibi mundet që, në urdhërimin në të mira dhe pengimin prej të këqijave të jetë i butë dhe përfitues i zemrave.
2. Ai që ftohet për të vepruar mirë dhe për t’u larguar prej të këqijave.
Personi që urdhërohet në të mira dhe pengohet nga të këqijat është çdo njeri, pavarësisht se kush është ai. Nuk kushtëzohet që personi, i cili urdhërohet për vepër të mirë apo që pengohet nga zbatimi i ndonjë vepre të keqe, të jetë i moshës madhore dhe i aftë mendërisht. Nga kjo kuptohet se, kur ndodh që i çmenduri të bëjë zina (imoralitet), duhet penguar, duke u urdhëruar në të mira dhe duke e penguar nga e keqja. Po ashtu, fëmija, i cili është në gjendje të dallojë të keqen prej të mirës apo ende nuk di, ndodh që pi alkool apo interesohet të pijë alkool, atëherë muhtesibi e pengon atë dhe vendos preventiva mes fëmijës dhe alkoolit etj.
Personi i cili urdhërohet në të mira dhe pengohet prej të këqijave është çdonjëri. Ndaj duke u bazuar në këtë, na del se çdo person në shoqëri, pa kurrfarë përjashtimi, mund të jetë prej atyre që urdhërohen në të mira dhe pengohen prej të këqijave, pavarësisht në është prijës i myslimanëve, apo prej njerëzve të rëndomtë.
Personat që mund të urdhërohen për të vepruar mirë dhe të pengohen nga veprat e këqija, mund të kategorizohen si më poshtë:
a. Të afërmit. Është më se e qartë që urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave, përfshin të afërmit dhe të largëtit. Mirëpo, ajo që i ka shtyrë juristët myslimanë të përmendin këtë kategori, është fakti që personi i cili urdhëron në vepra të mira apo ndalon nga të këqijat, duhet jetë shumë i kujdesshëm dhe i përmbajtur. Pra, duhen ruajtur të drejtat prindërore, duke mos bërë veprime ekstreme në rastin e urdhërimit në të mira dhe pengimit prej të këqijave.
b. Jomyslimanët. Urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave duhet të praktikohet edhe tek jomyslimani, i cili qëndron nën sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit islam. Pra, nëse ne jemi të urdhëruar që ata t’i lëmë të lirë në çështjet e besimit të tyre, kjo nuk nënkupton që ata të veprojnë në atë mënyrë që të prishin sistemin islam dhe të dalin haptas kundër tij. Por me këtë lejim nënkuptohet që ata të lihen të lirë në zbatimin e besimit të tyre nëpër shtëpitë e tyre dhe vendet e adhurimit të tyre. Ndërsa, kur ndodh që ata t’i kundërvihen haptas: të dehen në mes të rrugës apo të mbajnë ndonjë fjalim, duke e sharë haptas islamin apo duke e përgënjeshtruar të Dërguarin e islamit, atëherë ata pengohen nga veprime të tilla dhe ndaj tyre duhet të zbatohet urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave.
c. Prijësit. Urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave do të praktikohet edhe ndaj prijësit-udhëheqësit dhe ndaj të gjithë atyre që kanë pushtet. Por muhtesibi, duhet doemos që të ketë parasysh pozitën e prijësit dhe t’i njohë dispozitat e mënyrës së urdhërimit në të mira dhe pengimit prej të këqijave ndaj tij. Për këtë, juristët myslimanë thonë se urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave duhet të jetë sqarimi i dispozitës së sheriatit, duke e këshilluar e jo duke përdorur forcën. Historia jonë islame është e zbukuruar me ndodhitë që muhtesibët kanë pasur me halifët dhe prijësit e myslimanëve, duke mos i prekur asnjë e keqe. Përkundrazi, ata i respektonin muhtesibët dhe i pritnin me gjithë kënaqësi. Ja pra, kështu ka qenë gjendja e prijësve të mirë.
ç. Gjykatësit. Urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave duhet të praktikohet edhe ndaj gjykatësve. Juristët myslimanë kanë thënë: “Muhtesibi duhet të vizitojë mexhliset e kadive e sunduesve dhe t’i pengojë këta që t’i gjykojnë njerëzit nëpër xhami e mesxhide. Po ashtu, kur ndodh që muhtesibi sheh se kadiu është hidhëruar shumë ndaj palës që është duke gjykuar apo e shan atë dhe i flet fjalë të ashpra, duhet ta këshillojë kadiun dhe t’i rikujtojë frikën ndaj Allahut të Lartësuar, sepse kadiut nuk i lejohet që të gjykojë kur është i hidhëruar, as të flasë fjalë të ashpra apo të jetë i vrazhdë”.
d. Ata që kanë profesione të ndryshme. Urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave duhet të praktikohet edhe ndaj atyre që kanë profesione-zanate të ndryshme, ngase feja islame e ka të përcaktuar normën për secilin profesion. Dispozita islame për secilin profesion-zanat, të nevojshëm për njerëzit, është farzi kifaje (obligim kolektiv). Ndaj, kur ndodh që personat që i kanë profesionet e duhura ndalen nga zbatimi i tyre, muhtesibi duhet t’i nxisë që ata të angazhohen përsëri. Po ashtu, feja islame ka përcaktuar për ata që merren me këto profesione, ta kryejnë detyrën e tyre duke mos bërë mashtrime dhe duke mos u shkaktuar dëme të tjerëve. Muhtesibi duhet të angazhohet për t’i inspektuar që të gjithë e, nëse nuk veprojnë sipas dispozitave të sheriatit, duhet t’i pengojë. Mu për këtë dijetarët (Allahu i mëshiroftë!) kanë shpjeguar rregullat dhe parimet se si duhet të veprojnë ata që janë zanatlinj dhe muhtesibi duhet të bindet se ata po u përmbahen rregullave dhe parimeve të caktuara.
3. Zbatimi i urdhërimit në të mira dhe pengimi nga të këqijat
Vepra e keqe është tematika e urdhërimit në të mira dhe pengimit prej të këqijave.
E keqja mund të jetë vepra e ndaluar sipas sheriatit, por mund të jetë edhe braktisja e veprës së urdhëruar. Pra vepra e keqe mund të jetë në dy aspekte:
Aspekti i parë: kur zbatohet vepra e cila është e ndaluar.
Aspekti i dytë: kur braktiset ndonjë vepër e mirë, të cilën e ka urdhëruar sheriati. Pra, urdhërimi në të mira dhe pengimi prej të këqijave mund të bëhet në dy aspekte, duke penguar zbatimin e asaj vepre që është e ndaluar me sheriat derisa ajo të eliminohet apo të pengohet dhe tjetri aspekt është, kur pengohet braktisja e veprës së mirë, derisa ajo të praktikohet. Duke u bazuar në këtë, ne ndikohemi që ta pengojmë të keqen në të dy aspektet e përmendura.

Shënim:

Në të shumtën e rasteve vepra e keqe nënkupton mëkatin. Dihet se mëkati është vepër që bie në kundërshtim me ligjet e sheriatit dhe bëhet duke vepruar atë që e ka ndaluar sheriati e duke braktisur atë që e ka urdhëruar, pavarësisht nëse ky mëkat është prej mëkateve të mëdha apo të vogla, ka të bëjë me obligimet ndaj Allahut apo ndaj njeriut. Mirëpo, shprehja “el-munker vepër e keqe”, në tematikën e urdhërimit në të mira dhe pengimit nga të këqijat, ka kuptim më të gjerë nga ajo që kemi përmendur. Në këtë shprehje përshihen të gjitha veprat e këqija apo ato që i ka ndaluar sheriati islam, edhe nëse këto vepra kryhen nga ai që nuk është i ngarkuar me obligime, si fëmija apo i çmenduri. Nëse bënë zina (prostitucion) i çmenduri apo mundohet ta bëjë këtë mëkat, apo nëse fëmija pi alkool, që të dy kanë vepruar vepër të keqe dhe meritojnë të kundërshtohen, edhe pse për ta ky veprim nuk mund të konsiderohet mëkat, për shkak se nuk i plotësojnë kushtet e ngarkimit me obligime fetare e që janë aftësia psikike dhe mosha madhore.

Kush ka aftësi të përcaktojë atë që është vepër e keqe

Këtë të drejtë e ka vetëm sheriati islam dhe Ligjdhënësi i vetëm është Allahu i Lartësuar: “vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos All-llahut”(14).

Kushtet e veprës së keqe

Vepra e keqe në të dy aspektet është tematikë e urdhë- rimit në të mira dhe pengimit prej veprave të këqija dhe kjo vepër duhet të plotësojë disa kushte të veçanta për tu penguar. Cilat janë këto kushte? Dijetarët tanë (Allahu i Lartësuar i mëshiroftë!) kanë thënë: vepra e keqe kushtëzohet të plotësojë këto kushte: të zbatohet haptas, të jetë prezente në mesin e shoqërisë dhe që për normën e kësaj vepre të keqe të jenë unanimë të gjithë dijetarët.


_____________________
1. Ky punim kryesisht është i marrë nga libri i dr. Abdul Kerim Zejdanit “Usulu Daveti”.
2. Ali Imran: 104.
3. Et-Teubetu: 77.
4. Ali Imran: 110.
5. El-Haxhxh: 41.
6. El-Maidtu: 78-79
7. El-E’araf: 157.
8. Et-Teubetu: 77.
9. Esh-Shura: 30.
10. Ibrahim: 7.
11. Ali Imran: 148.
12. En-Nahl: 41.
13. Ali Imran: 159.
14. Jusuf: 40.



Ma. sci. Flamur Sofiu


Artikulli i kaluar
Vëllazëria në islam
Artikulli radhës
Ç’është kamata?

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip