Njeriu si qenie me intelekt, gjithmonë ka qenë skenë e ngjarjeve më të rëndësishme dhe komplekse në këtë gjithësi. Në rast se në një vend funksionon, lëviz apo qarkullon diçka, padyshim se aty do të ketë përkrahës dhe kundërshtarë.
Këtë mund ta vërejmë në çdo vend të botës dhe në secilën periudhë që jetoi para nesh. Të gjitha mundimet, vrapimet, përparimet dhe zhvillimet që ndodhin në botë, mendojmë se e kanë të vetmin qellim.
Ky qellim pa dyshim se është të jetuarit në mënyrë luksoze pa brenga e vështirësi dhe udhëheqja e të tjerëve. Sepse njeriu e pëlqen që atij t’i përulet dikush dhe të kërkoje diç nga ai. Me një thënie tjetër ai është mendjemadh dhe kërkon që të tjerët t’i nënshtrohen. Kur këtë e bën një individ, pse mos ta bëje një shtet? Pse të mos ketë nën kontroll të gjitha vendet e botës?
Mu për këtë, Allahu i Plotfuqishëm në Kur’anin Fisnik neve na ka rrëfyer për bashkësinë dhe parinë e popujve të më hershëm, se si ata – gjegjësisht udhëheqësit e tyre janë munduar që ta koordinojnë të gjithë atë pozitë gjeografike ku kanë jetuar por edhe më gjerë. Shembulli më i mirë dhe efikas i kësaj sigurisht se është ai i Faraonit, i cili deklaroi se ishte zoti i egjiptianeve.(1)
Për këtë shkak Madhëria Hyjnore e Allahut xh. sh. e porositi Pejgamberin Musa duke i thë- në: “Shko te faraoni se vërtet ai e ka tepruar”(2) mirëpo edhe megjithëkëtë faraoni “I tuboi (të gjithë të vetët) dhe u mbajti fjalim. E u tha: “Unë jam zoti juaj më i lartë!”. (3)
Në këtë mënyrë krenaria dhe mburrja e bën njeriun që të mos njoh Autoritetin e lartë që e krijoi atë. Me një pushtet të vogël që poseduan disa sundues të njohur, i tejkaluan kufijtë dhe më në fund vetveten e tyre e gjeten në ferr. Mënyra tjetër e mburrjes së njeriut është atëherë kur ai të përballohet me të vërtetën dhe drejtësinë, mirëpo për shkak të autoritetit të tij nuk e pranon këtë të vërtetë edhe pse e ka kuptuar. Si shembull më efikas të kësaj e kemi rastin e Velid ibn Mugires, i cili edhe pse e dëgjoi me vëmendje të madhe Kur’anin dhe sapo deshi të dorëzohet para kësaj mrekullie magjepse, prapëseprapë nuk deshi ta humbe atë autoritet që kishte.(4)
Në këtë rast ai ra në mendime dhe halle se çfarë të bënte, cilën rrugë ta zgjidhte etj. Ose me shprehjen Kur’anore “Ai sërish thellohej në mendime. Pastaj mrrolej dhe bëhej edhe i vrazhdë.(5)
Më në fund, e shënoi edhe një brutalitet të madh në mohimin e realitetit të kësaj mrekullie, në historinë njerëzore. Për këtë shkak Allahu xh. sh. i dha vend në Kur’an rastit tij për arsye se në të ka mësime për ata që dinë dhe duan t’i marrin. Dukuria tjetër më e shëmtuar e mohimit të realitetit dhe mburrja e robit del në pah dhe nuk harrohet asnjëherë kur ai me zilinë dhe burrërinë e tij largohet nga e vërteta. Kjo dukuri bëhet edhe më e shëmtuar kur një prijës i një qyteti apo vendi respektohet nga vendasit e tij, mirëpo me ardhjen e realitetit paria e tij largohen nga ai kurse ky edhe më tej vazhdon me mohim. Nuk ka dyshim se shembulli më i mirë i kësaj është rasti i Ebu Xhehlit.
Iniciativat e shumta dhe tentimet e mëdha të Muhammedit a. s. për ta futur në parinë islame këtë njeri të mençur, gjithmonë ishin aktive. Sa që Pejgamberi a. s. Ebu Xhehlin e futi në listën e atyre tre personave që nëse e pranojnë islamin, do të merrte një fuqi dhe hov të madh. Mirëpo ky fat nuk e përfshiu atë, dhe nga kjo u quajt Ebu Xhehl- Babai i Injorancës, ngase me vetëdije e mohoi realitetin. Këto tri raste janë më të prekshmet si në historinë islame ashtu edhe në atë botërore, sepse këta kishin pushtet dhe autoritet të madh në vendet ku vepronin. Në të njëjtën kohë, këta ishin edhe të mençur dhe zellshëm, por edhe trima të mëdhenj.
Por, me gjithë mundimet dhe faktet bindëse që iu paraqiten këtyre, këta e prishen unitetin demokrat të asaj periudhe dhe se qiten në pah vetëm probleme të shoqërisë. Pasi që Allahu xh. sh. nuk ka lejuar që robi të sundoje mbi robin, nuk deshi t’u jepe mundësitë as këtyre që t’i realizojnë planet e tyre. Përfundimi i këtyre që donin të sundonin dhe pushtonin demokracinë njerëzore, ishte tejet i tmerrshëm. Kontrollimi, logjika e shendosh, perceptimi i drejtë i gjërave e tërheq njeriun kah e vërteta. E kundërta e këtyre tre kundërshtareve ndodhi mu në kohen e Pejgamberit a.s. Pasi që Kur’ani i ftoi të gjithë të jenë unik dhe të bashkuar, kishte nga ata që këtë e kundërshtuan dhe thanë se këto vargje janë vetëm se poezi të kota. Kurse pjesa tjetër u dorëzua para kësaj mrekullie magjepse dhe pranoi shpalljen hyjnore. Në fillim ata Kuranin e pranuan të magjepsur, si pala besimtare ashtu edhe ajo jobesimtare. Pra, përderisa njëra palë magjepsej dhe besonte, pala tjetër magjepsej dhe ikte,(6) mohonte, refuzonte etj.
Edhe pse magjepsej nga Kur’ani, Velid ibni Mugire, intelektin e tij e përdori për të keq dhe mohoi, kurse Umer Ibni Hattabi me një logjikë të shëndoshë u dorëzua dhe pranoi të vërtetën. Përmes këtyre shembujve dhe shumë të tjerëve, islami ka caktuar kufij dhe na ka mësuar unitetin ndërmjet popujve. Ai gjithmonë na ka ftuar dhe po na fton në bashkëpunim dhe barazi.
Në këtë kontekst, Allahu xh. sh. thotë: “Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos Allllahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri - tjetrin zot pos All-llahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!(7)
Njëra nga detyrat më të rëndësishme e pejgambereve ishte që të krijojnë barazi dhe unitet në mes njerëzve. Kur Pejgamberi Muhammed shkoi në Medine, menjë- herë krijoi vëllazërimin e atyre dhe asnjëherë nuk e mposhti ndonjërin nga ata. Në të gjitha kohërat islami është munduar të mbaj një balancim në mes të gjithë krijesave dhe etnive. Ai në vetvete dhe në normat e tija gjithmonë ka mbrojtur të drejtën dhe ka mohuar mashtrimin, të padrejtën. Po ashtu thelbi i fesë islame është paqe, dashuri, barazi dhe unitet. Ajo mbështjell dhe bashkon të gjitha shoqëritë dhe idetë në një burim dhe pikë.(8)
Për këtë arsye edhe ka parinë më të madhe të pjesëtarëve të sajë në botë, por edhe respektin, lidhshmërinë dhe dashurinë e tyre. Për këtë shkak ajo i tubon në Qaben e Bekuar një herë në vit më se tre milion mysliman. Përveç kësaj brenda vitit ky vend i tubon edhe vizitorët që dëshirojnë ta kryejnë Umren. E gjithë kjo dëshmon se islami në të gjithë botën është unik dhe bashkues i të gjithë atyre që i dorëzohen atij.
Shembujt të cilët i cekëm më lartë, e që burimin e kanë në Kur’anin Fisnik, nuk janë të rastësishëm aspak, ngase këta e kanë humbur unitetin e njerëzimit në botë. Përveç kësaj, ata kanë luajtur me ndjenjat, gjakun, të drejtat dhe liritë e këtyre njerëzve. Dhe me plotë bindje e themi se nuk i lejuan krijesës njerëzore lumturi në jetë. Shembujt e ngjashëm janë përsëritur dhe përsëritën edhe me tej...
A thua kush mund t’i ndal këto? Nuk besojmë se bindjet e tilla mundë të çfarosen përmes forcës apo presionit, assesi. Këtë mund ta ndaloj vetëm besimi në një Zot, shpresa dhe frika ndaj tij. Pasi që dëmi konkret mund të parandalohet edhe nga forcat shtetërore, ai abstraktë pengohet vetëm nga bindja në Allahun Fuqiplotë, sepse çdo gjë e cila është në dëm të krijesave Allahu e ndalon. Ndalimi nga ana e Allahut xh. sh. drejtpërdrejtë ndikon në shpirtin dhe ndjenjat e njeriut, dhe në këtë mënyrë del në pah paqja. Në këtë mënyrë fitohet uniteti i një bashkësie. Ngase feja Islame është një fe e cila rrezatoi dhe ndriçoi me diell dhe dritë çdo anë të errët të botës në të cilën jetojmë. Baza e çdo norme dhe ligji është thënie qiellore dhe hyjnore. Qëllimi final është bashkimi i sinqertë në islamin e vërtetë. Kontributi i prijësve mysliman gjithmonë ka qenë i shkëlqyeshëm si në kohën e Pejgamberit (a.s.) ashtu edhe në kohërat e tjera. Edhe periudha e Hulefa-i Rashidinëve ishte një periudhë e artë ngase përqafoi të gjithë, ndihmoi të dobëtin dhe ia rriti vlerën atij. Ata si synim e kishin që shumë etni, të jenë të bashkuar në një formulë. Këtë e bëri edhe Shteti Islam Osman, i cili krijoi një harmoni në mes etnive të shumta e të ndryshme në botë, konkretisht në Ballkan, dhe edhe shumë dijetarë mysliman dhe organizatorë tjerë janë duke e bërë këtë. Këtë ftesë na e bën Kur’ani Fisnik duke u shprehur: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llâhut, e mos u përçani! Përkujtoni nimetin (mirësinë) e All-llâhut...”, “E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh”(9)
Ndaj, si përfundim i kësaj mund të theksojmë se përçarja nuk ka vend në islam dhe as që lejohet kjo. Edhe pse ndonjëherë bashkimi i të gjithë myslimanëve është pak si i vështirë, kjo nuk do të thotë se është e pamundur dhe e parealizueshme. Si ndaj myslimanëve ashtu edhe ndaj jomyslimanëve, ndoshta është shumë me rëndësi që të bëhet së pari një bashkim dhe njohje të kulturave,(10) ideologjive etj. Mirëpo kjo duhet bërë me hapa të sigurta dhe të ngadalshme në mënyrë që të mos keqkuptohen debatet dhe mesazhet e njëri-tjetrit, sepse në bazë, Kur’ani të gjithë njerëzit i cilësoi dhe nderoi si vëllezër.
_________________
1. Më gjerësishtë shih: Prof. dr. Ismail Lutfi Çakan – N. Mehmed Solmaz, “Kur’ani Kerime Gore Peygamberler ve Tevhid Mucadelesi” f. 172 – 184.
2. Naziât, 79/17
3. Naziât, 79/23-24.
4. Shih, Muhammed Ali Sabuni, Safvetu’tTefâsîr, Sureja el-Muddeththir.
5. Muddeththir, 74/21-22.
6. Prof. Sejjid Kutb, Ilustrimi Artistik në Kur’an, f. 33, Shkup 2001
7. Ali Imran, 3/64.
8. Dr. Jusuf el-Kardavi, Veçoritë e Përgjithshme të Islamit, f. 268-271. Prishtinë 2002.
9. Âli İmrân, 3/103, 105.
10. Prof. Dr. Jusuf el- Kardavi, Revi - ta “Altınoluk” nr. 262, Dhjetorë, Istanbul 2007.
Zymer Ramadani