Toleranca dhe vëllazëria në fenë islame

Ndër gjërat më të rrezikshme që kërcënojnë shoqëritë dhe që i çon drejt përçarjes dhe armiqësisë, madje drejt shpërthimit të luftërave mes tyre dhe bijve të të njëjtit lloj e të të njëjtit atdhe, pa dyshim se është fanatizmi. Në këtë shkrim me fanatizëm nuk kemi parasysh të qenit krenar me besimin dhe idetë të cilave u besojmë në mënyrë krejt të pavarur, kjo është diçka që nuk mund të fajësohet dhe kritikohet.

Në këtë shkrim kemi për qëllim mbylljen dhe izolimin e plotë të dikujt, në besimin dhe ideologjinë e tij, duke i konsideruar të tjerët si armiq dhe kundërshtarë, duke pritur çdo të keqe prej tyre, duke pasur opinion të keq për ta, duke folur për ta me gjuhën e urrejtjes dhe dhunës etj..., fakte këto që ndikojnë negativisht në rehatinë dhe qetësinë e një shoqërie, përkatësisht një personi.
Islami kultivon kulturën e tolerancës e jo fanatizmin, njohjen e jo refuzimin, dashurinë e jo urrejtjen, dialogun e jo përplasjen, butësinë e jo dhunën, mëshirën e jo ashpërsinë, kultivon paqen e jo luftën.
Kjo kulturë ka disa karakteristika dhe veçori, ku ndër më themeloret është se ajo ka ngjyrim fetar dhe me burim hyjnor. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një urdhër hyjnor dhe kërkesë profetike, e cila ushtron pushtetin e saj te myslimanët, duke zënë vend në zemrat dhe ndërgjegjen e tyre. Ata e kanë pranuar dhe e praktikojnë, gjithmonë të motivuar nga besimi dhe frika ndaj Zotit.
Edhe vetë Kurani na flet për diversitetin racial, ku Zoti thotë: "O njerëz, në të vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, dhe ju bëmë popuj e fise që ta njihni njëri-tjetrin!”(1)
Mashkulli dhe femra që përmenden në këtë ajet janë Ademi (a.s) dhe Havaja, dy prindërit e parë të njerëzimit.(2) Mirëpo, për ta mbështetur këtë ajet po sjellim dhe një lutje profetike, të cilën Profeti (a.s) e citonte pas çdo namazi: "O Zoti ynë dhe Zoti e Sunduesi i gjithçkaje tjetër, unë dëshmoj se Ti je i Vetëm dhe i Pashoq! O Zoti ynë dhe Zoti e Sunduesi i gjithçkaje tjetër, unë dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari Yt! O Zoti ynë dhe Zoti e Sunduesi i gjithçkaje tjetër, unë dëshmoj se të gjithë robërit (njerëzimi) janë vëllezër!”
Kurani pohon gjithashtu se për të gjithë pjesëtarët e një religjioni ekziston dhe vëllazëria fetare dhe e besimit. “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër” (El Huxhurat, 10).
Kjo është një dhunti e Zotit, dhe për këtë Ai thotë në Kuran: ”...në sajë të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër.” (Ali Imran, 103).

A ekziston vëllazëria nacionale?

Po ashtu Kurani pohon se ekziston dhe vëllazëria nacionale dhe kombëtare. Kjo vëllazëri është po ajo që e ka pohuar se ishte edhe mes profetëve dhe popujve të tyre. Këtë më qartë mund ta kuptojmë në citatet e mëposhtëm: "Fisit Ad ia dërguam vëllanë e tyre - Hudin.” (El A`raf, 65). Pastaj: "Ne i dërguam fisit të Themudit, vëllanë e tyre - Salihun." (En Neml, 45). Në këtë rast, siç shihet qartë, nuk flitet për vëllazëri fetare, por për vëllazëri kombëtare dhe nacionale. Profetët e lartpërmendur e fillonin komunikimin e mesazhit hyjnor me fjalët: "O populli im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.” (El A`raf, 59)
"Kujto kur vëllai i tyre, Nuhu, u tha: "Vallë a nuk i frikësoheni ju Allahut?” (Esh Shuaraë, 106)
Fisi Ad të Dërguarit i quante gënjeshtarë: "Kujto kur vëllai i tyre, Hudi, u tha: ”Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?” (Esh Shuaraë, 123-124).
"Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të Dërguarit e Zotit. "Kujto kur vëllai i tyre, Salihu, u tha: ”Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?” (Esh Shuaraë, 141-142)
"Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit. Kujto kur vëllai i tyre, Luti, u tha: ”Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?” (Shuaraë, 160-161).
Gjithë këta popuj i patën përgënjeshtruar të Dërguarit e Zotit, ndërsa ajo që na intereson në këtë shkrim është përshkrimi i marrëdhënieve mes profetëve dhe popujve, si marrëdhënie vëllazërore, Kurani i përcaktuar qysh herët. "Vëllai i tyre...”- thotë Kurani, sepse të Dërguarit e Zotit ishin prej tyre dhe jo të huaj. Ata i lidhte me njëri-tjetrin vëllazëria e atdheut dhe vatanit, paçka se nuk i lidhte besimi i njëjtë.
Në të njëjtën sure përmendet dhe historia e profetit Shuajb a.s. me banorët e Ejkes. "Edhe banorët e Ejkes i quajtën gënjeshtarë të Dërguarit. Kujto kur Shuajbi u tha atyre: "Vallë a nuk i frikësoheni ju Allahut?" (Shuaraë, 176-177).
Për dallim nga citatet e mësipërm, në citatin e lartcekur shohim se Kurani nuk përmend lidhje vëllazërore mes profetit dhe popullit të tij. Përse? Sepse Shuajbi a.s. nuk ishte nga ky popull, pra nuk ishte nga populli i Ejkes. Ai ishte i ardhur në atë vendbanim. Ai pra vinte nga qyteti Medjen. Kështu, populli i Ejke nuk ishin populli i profetit Shuajb a.s., prandaj edhe Allahu nuk thotë ia dërguam vëllanë e tyre. Ndërkohë që, në disa vende të tjera në Kuran theksohet vëllazëria mes Shuajbit a.s., dhe popullit të tij në Medjen.
"Popullit të Medjenit Ne ia dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin.” (Araf, 85); (Hud, 84); (Ankebut, 36).
Kjo tregon se vëllazëria nuk është gjithmonë me bazë fetare, por mund të jetë dhe me bazë kombëtare-atdhetare, nacionale. E nëse vërtetohet prania e kësaj vëllazërie, ajo shoqërohet dhe duhet shoqëruar me dashuri, respekt, barazi dhe solidaritet. Kjo është vërtetuar edhe në kohën e Pejgamberit a.s., i cili kur po themelonte shoqërinë e parë myslimane dhe rendin e ri islam, praktikisht përpunoi konceptin e Islamit mbi shoqërinë.
Është i njohur fjalimi i tij në Haxhin Lamtumirës: "O njerëz, ju keni një Zot dhe një baba të vetëm. Të gjithë vini nga Ademi, ndërsa Ademi është nga dheu. Më i miri prej jush është ai që bën më së shumti mirësi. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë dallime mes arabit dhe joarabit, s'ka përparësi i kuqi mbi të bardhin, e as i bardhi mbi të kuqin. E vetmja gjë që ju dallon mes vete është vepra e mirë që bëni.”
Këtë traditë të Pejgamberit a.s., e vazhdonin edhe shokët e tij, njëherit edhe udhëheqësit e shtetit të asaj kohe, siç ishte Aliu r.a.
Kur Aliu r.a. vendosi të dërgojë Malik bin El-Harisin për guvernator të Egjiptit, në letrën i shkroi: "Zemra jote të jetë e mbushur me mëshirë dhe dashuri ndaj njerëzve! Bëhu i butë ndaj tyre! Mos u bëj si bisha që mban viktimën nën kthetrat e veta! Pakicat pranoji si vëllezër ose nga feja, nëse janë myslimanë; ose nga krijimi, sepse janë njerëz! Nëse dikush gabon ndaj teje, me qëllim apo pa të, fale njëjtë sikur Zoti të falë ty kur ti gabon ndaj Tij! Ti je kujdestari i tyre. Mos harro se edhe ti ke një kujdestar! Mbikëqyrësi dhe kujdestari yt është Krijuesi i Madhërishëm.”(3)
Është fakt që njerëzit i kanë takuar dhe vazhdojnë t'i takojnë besimeve të ndryshme, që mbështesin ideologji të ndryshme dhe që kanë pikëpamje tjera. Njerëzit kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk mund të jenë të njëjtë në mendimet e tyre. Kjo as nuk duhet kërkuar, e as nuk është e dobishme. Për këtë që po e them kemi dy dallime: dallimin gjuhësor dhe atë fetar.
Dallimi gjuhësor: "Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës, dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që mendojnë (dinë)." (Rrum, 22).
Dallimi fetar: "Sikur të dëshironte Zoti yt do t'i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse) ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete), përveç atij që mëshiroi Zoti yt. Po për këtë edhe i krijoi ata.” (Hudë, 118-119).
Lidhur me fjalinë e fundit të këtyre ajeteve, interpretuesit e Kuranit, thonë: "Zoti i krijoi njerëzit për diversitet (dallime), pra për të qenë të ndryshëm.”(4)

Vëllazëria kombëtare shqiptare

Edhe në vendin tonë kemi dallime fetare, mirëpo kombi ynë është krenuar gjithmonë për tolerancën fetare. Fakt për tolerancën ndërfetare që kemi është edhe një dukuri e rrallë, e cila gjendet vetëm në shoqërinë tonë krahasuar me gjithë Evropën (ndoshta edhe botën), e që është objekti i Xhamisë së Madhe dhe Kishës ortodokse në Ferizaj në një oborr. Shqiptarët myslimanë shumicë nëpër histori kanë ruajtur bashkëkombësit e tyre, por edhe të tjerët. Ata edhe më tutje janë të tillë. Edhe gjeneratat e reja duhet të frymëzohen me ide përparimtare, tolerante dhe bashkëpunim mes njerëzve. Gjuha e urrejtjes duhet larguar nga fjalori i fesë, politikës dhe jetës sociale. Duhet të krijohet gjeneratë e dashurisë, humanizmit, gjeneratë që e do dhe e respekton njeriun, pa marrë parasysh si quhet ai njeri, cilës fe i takon, cilës etni, cilës pikëpamje apo ideologji. Duhet krijuar një gjeneratë e arsimuar dhe që mendon për të mirën e njeriut, të këtij vendi dhe të këtij populli, e jo që shkel mbi vlera, që shfrytëzon pozitën për interesa të ngushta. Jeta, sado e gjatë të jetë, ajo është e shkurtër nëse kalohet në vuajtje dhe vështirësi, derivate këto të mungesës së vëllazërisë.
Për tolerancë fetare ndihmojnë gjithë populli, mirëpo një rol shumë të rëndësishëm e kanë prijësit shpirtërorë-fetarë nga gjithë komunitetet fetare shqiptare, pa dallim. Në vijim citojmë disa vargje të tyre, që të na shërbejnë si mësim për tolerancën që duhet kultivuar në të ardhmen.
Njëri nga komentuesit më të njohur të Kuranit te shqiptarët, në fillim të shekullit të 20-të, Hafiz Ibrahim Dalliu, në favor të bashkëjetesës fetare ndërshqiptare thoshte: "Ne shqiptarët prej çdo feje qofshim, jemi tanë vllazën gjaku dhe vllazën vatani. Do të shkojmë mbarë e mirë me shoqë si jemi tue shkue, do të punojmë për lulzimin e atdheut tonë dhe do ta mbrojmë atë me gjakun tonë”.
Ndërsa Mulla Idriz Gjilani, imam dhe predikues i thellë i Islamit në trojet shqiptare thoshte: "Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell dhe Një Zot. Detyrë mbi detyrë kemi bashkëpunimin dhe mbrojtjen e atdheut."
Ndërsa shkrimtari i njohur kombëtar, Gjergj Fishta, në favor të kultivimit dhe të respektit të ndërsjellë fetar ndërshqiptar thoshte: "Është e vërtetë se ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi të përbashkët.(5)
Gjithashtu, një citat nga Kurani, që na mëson për modesti e tolerancë në jetë, thotë: "Mos ec në tokë me mendjemadhësi e kryelartësi, sepse ti as nuk do të arrish të çash tokën, e as nuk do të arrish lartësinë e maleve (kodrave)!" (El Isra, 37)
Për fund, po e lëmë me porosinë e Allahut xh.sh., dhe të Pejgamberit a.s., Thotë Allahu në kaptinën El-Maide, citati 2: ”Ndihmohuni, (bashkëpunoni dhe bashkëveproni) në të mirë dhe devotshmëri, dhe mos bashkëpunoni në të keqe dhe armiqësi!" Pastaj: "Kini kujdes nga e keqja (fitneja dhe turbullirat), sepse kur ajo ndodh, në të nuk përfshihen vetëm zullumqarët (të këqijtë) por edhe të mirët (pra të pafajshmit)!” (El Enfal, 25).
Pejgamberi a.s, .ka thënë: "Ruajuni lutjes së atij që i keni bërë fatkeqësi vetëm pse keni pasur mundësi, sepse mes lutjes së tij dhe Zotit nuk ka perde (pengesë)!”


__________________
(1) Kurani përkthimi me komentin në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti, (Huxhurat, 13).
(2) Tefsiri, Ibn Kethiri vëllimi 7, Fondacioni i rinisë islame, Zurih, prill, 2011, f. 283.
(3) Biografia e Ali bin Ebi Talibit.
(4) http://zaninalte.al/2013/09/toleranca-nderfetare-ne-islam-sipas-kuranit-dhe-tradites-profetike/, qasja më 13. 09. 2015 .
(5) Feja dhe trajtimi i saj në shoqëri, Gratoprint, Prishtinë, 2014 f. 18, 19.



Mustafë Ahmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip