Pendimi nuk është shenjë dobësie, pendimi nënkupton guxim për të njohur gabimin si dhe vullnetin për t’u rikthyer në rrugën e drejtë.
Pendimi është një ndjenjë në zemër e cila të bën të braktisësh diçka që ke vepruar deri tani dhe të fillosh t’i kthehesh rrugës së Zotit të Madhëruar.
Sipas islamit njeriu, natyrisht siç është i përkushtuar për të kryer vepra të mira, ashtu është i prirë edhe për të kryer vepra të liga. Ai ashtu siç nuk është i natyrës engjëllore, nuk është as i asaj djallëzore. Në këtë gjendje, si njeri, gjithkush nga ne është e mundur që ndonjëherë t’i shkel kufijtë e vendosur nga ana e Zotit, është rrezik që të bie në mëkate.
Me dëshirë dhe vetëdije nëse shpërfillen vlerat fetare (si namazi, agjërimi... mbulesa,etj.) tek njeriu dëmtohet ana shpirtërore dhe zbehen marrëdhëniet mes krijesës dhe Krijuesit.
Gjërat që e largojnë njeriun nga Allahu, si “mëkatet” apo “veprat e ulëta” realizohen si rezultat i paditurisë dhe dëfrimeve të shkurta, të pakta dhe kalimtare. Dhe kjo jep si rezultat një karakter të dobët tek individi.
Urrejtja, armiqësia, grykësia, frika, zilia, mendjemadhësia, mburrja, përqeshja, mizoria, dëfrimi, dashuria për zbavitje-argëtim të shfrenuar dhe të njëjta si këto, nëse zënë vend tek një njeri, ai humbet aftësinë e konceptimit dhe analizës së drejtë të ngjarjeve apo situatës. Këto, dhe të ngjashme me këto prirje, bëhen pengesë për t’u përballur me të vërtetën si dhe e pengojnë njeriun të gjendet në punë të hajrit. Dhe në fund i verbohet zemra dhe i errësohet ndërgjegjja. Dhe ashtu siç zbehen marrëdhëniet me Allahun, ashtu zbehen edhe me njerëzit e gjallesat tjera.
Përderisa qëndrohet larg keqbërjes, haramit e mëkatit, forcohet personaliteti si dhe shtohen aftësitë e ekuilibrit dhe harmonisë. Pastrimi shpirtëror arrihet vetëm me anë të edukimit te personalitetit (karakterit).
Ai që e edukon nefsin e tij, shkon në një gradë të lartë dhe kështu arrin lumturinë e vërtetë... ”Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë. Dhe ia mësoi cilat janë të këqijat dhe të mirat e Tij. Pra ka shpëtuar ai që e pastroi veten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.” (Esh-Shems: 7-10)
Pendimi është ushqimi më i rëndësishëm që mban dhe zhvillon jetën fetare tek një mysliman. Pendimi është rilindje për shpirtin dhe trupin e njeriut, sepse ngritja e anës shpirtërore dhe zhvillimi i saj arrihet vetëm me pendim.
Nga vetë fakti siç ndotet ambienti dhe trupi i njeriut, ashtu ndotet edhe jeta e brendshme shpirtërore e tij. Lirisht mund të themi se prej pikësynimeve më të rëndësishme të fesë islame është pastrimi në të gjitha sferat; pra si në aspektin fizik, e ambientit, ashtu edhe në atë shpirtëror. Myslimani gjithnjë është në përpjekje ta ndërtojë jetën e tij në pajtim me ligjet e Krijuesit, të jetë sa më larg mëkateve dhe të formojë një rreth të pastër, sepse Allahu i do të pastrit...”Aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastrit.” (Et-Tevbe:108)
Synimi i fesë është ta mësojë, ta edukojë njeriun, dhe jo ta dënojë. Përderisa mëshira e Zotit ka përfshirë gjithçka, dënimi i tij është caktuar vetëm për një numër të kufizuar...”
Ai(Zoti) tha: dënimi im është ai me të cilin godas kë të dua, e mëshira ime ka përfshirë secilin send. Atë do ta caktoj për ata te cilët ruhen (mëkateve) e japin zeqatin dhe për atë që argumentet tona besojnë”. (El-A’raf: 156)
Për këtë arsye Allahu ia ka mundësuar robërve te Tij që çdo herë të mund t’i kthehen Krijuesit dhe ta përmirësojnë veten e tyre. Të pendohesh pas një më- kati me vetëdije apo pa vetë- dije qoftë ai, të kërkosh ndjesë, të falur, si dhe të insistosh që të mos kthehesh në të njëjtin gabim, kjo është baza e pendimit.
Pendimi konsiderohet edhe adhurim, sepse njeriun e afron tek Allahu, lidhjet me fenë forcohen si dhe i hapen dyert për një jetë më të përshtatshme. Pendimin shoqëroje me një vepër të mirë Pendimi është kusht të shoqërohet me vepra të mira.
Për ta kuptuar më mirë përcjelljen e pendimit me vepra të mira po përmendim disa raste që kanë ndodhur gjatë historisë. Një herë shkon një njeri pranë Pejgamberit a.s. dhe i qanë hallin për mëkatet që ka bërë dhe e pyet se a ka pendim për të? Pejgamberi a.s. e pyet: A e ke gjallë nënën. Njeriu ia kthen duke i thënë: Jo. Atëherë Pejgamberi a.s. e pyet për tezen duke i thënë se ajo e zëvendëson nënën. Njeriu ia kthen: Po, o i Dërguari i Allahut, ajo është gjallë. Atëherë bëji mirë tezes, kujdesu për të.
Po ashtu në lidhje me veprat kemi edhe rastin e Bilalit r.a. ku pas çdo marrjeje të abdesit, falte dy rekatë namaz (nafile-vullnetar), dhe kur e pyet Pejgamberi a.s.: O Bilal çfarë vepron ti më tepër se të tjerët, pasi i dëgjoj rrahjet e nallaneve të tua në xhenet? O i Dërguari i Allahut, unë nuk di që bëj ndonjë vepër më tepër nga të tjerët, përveç se pas çdo abdesi fali dy rekatë namaz (vullnetar), - ia kthen Bilali r.a.
Nuk duhet harruar se ata që pendohen për veprat e bëra Allahu i shpëton nga çdo shqetësim dhe atyre u ofron shumë mirësi...
Një herë shkojnë katër veta tek Hasan Basriu dhe i ankohen për brengat e tyre: Njëri i ankohet për thatësirën, tjetri për varfërinë, tjetri për fëmijët dhe i fundit për furnizimin, bereqetin. Hasan Basriu që të gjithëve u jep të njëjtën këshillë: Pendohuni tek Allahu sinqerisht dhe bëni punë të mira. Pastaj të pranishmit iu drejtuan Hasan Basriut duke i thënë se ata kishin brenga të ndryshme, kurse ti dhe të njëjtën këshillë! Atëherë Hasan Basriu u kujton këtë ajet: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet fal shumë. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.” (En-Nuh: 10-12)
Kushtet më të rëndësishme të pendimit janë sinqeriteti dhe përzemërsia. Ai që e prish vazhdimisht pendimin, është duke bërë lojën e shejtanit...”
Premtimi i Allahut (për sevap apo dënim) është i sigurt, pra të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj Allahut djalli mashtrues.” (Llukman: 33)
Në anën tjetër tevbeja e sinqertë është shkak i lumturisë së kësaj bote dhe të botës tjetër...”
Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë”. (El-Furkan: 70)
Pendimi është të ndjesh afërsinë e Zotit.
Të gjithë ne bëjmë mëkate dhe duhet të pendohemi për to, të mëdha qofshin apo të vogla. Vallë a nuk është gjynah i madh të vonosh namazin dhe ta bashkëngjitësh me namazin e radhës!
Pejgamberi a.s. thotë: Kush i bashkon dy namaze pa pasur shkak, ka hapur një nga portat e gjynaheve te mëdha.
Zoti në Kuran thotë: “”Të mjerët ata që falen të shkujdesur.” (Maun: 4-5)
Ibn Abasi rreth komentit të fjalës “të shkujdesur” thotë që ata faleshin, por e vononin namazin deri sa vinte koha e namazit tjetër. Ata që ofendojnë njeritjetrin duke e share nga babai apo nëna, kanë bërë gjynah të madh.
Pejgamberi a.s. thotë : “Nga gjynahet e mëdha është të shaj ndokush babanë dhe nënën e vet”. Shokët e pyetën si ka mundësi dikush t’i shaj prindërit e vet. Pejgamberi a.s. ua ktheu: “Shan nënën dhe babanë e tjetrit”.
Nga gjynahet e mëdha janë edhe gjërat që të çojnë drejt imoralitetit. Ai që shikon në televizor apo internet gjëra të pamoralshme, ka hyre në rrugën e imoralitetit.
Ne kemi nevojë të pendohemi jo vetëm për gjynahet e mëdha, por edhe për ato të vogla. Valle sa cigare pihen në ditë nga myslimanët! Sa myslimanë dalin çdo ditë të pambuluara, valle sa gjynahe u shkruhen çdo ditë atyre?! Sa herë në ditë i përgojojmë të tjerët! A nuk kemi nevojë atëherë të pendohemi edhe për këto!? Vallë a e mbajmë mend herën e fundit që na kanë rrjedhë lot nga sytë kur kemi përkujtuar Zotin? A e kujtojmë herën e fundit kur kemi rënë në sexhde me zemër të përkushtuar ndaj Tij? Zoti na ka dhënë zemrën që ta duam Atë, kurse zemra jonë qysh kur fillon të ndjejë, dashuron krijesat. Mendja jonë qysh kur fillon të mendojë, mendon si të bëjë gjynahe, si të marr pasurinë haram etj. Ne kemi nevoje te pendohemi edhe për shumë gjynahe që kemi bërë para shumë viteve që ndoshta i kemi harruar tani. Mirëpo Allahu na përkujton nëpërmes Kur’anit Fisnik “Allahu i ka shënuar (gjynahet) edhe pse i kanë harruar ata (njerëzit)”. (Muxhadele: 6)
Që të të falet një gjynah, duhet të pendohesh për të dhe ta lësh atë për hir të Zotit. Nëse dikush ka qenë imoral apo ka përdorur alkoolin dhe më pas i lë këto vese të ulëta, jo për hir te Zotit, por nga frika se mos merr ndonjë sëmundje, apo sepse tani është martuar, këtij nuk i falen deri sa të pendohet për hir të Zotit.
Zoti i Madhëruar thotë në Kur’an: “ Dhe do të vihet libri (i veprave) ku do të shihen gjynahqarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe do të thonë; të mjerët ne, ç’qenka ky libër që nuk ka lënë (gjynah) të vogël e as të madh pa e përmendur! Dhe veprat e tyre do t’i gjejnë të pranishme, pasi Zoti nuk i bën padrejtësi askujt”. (Kehf: 49)
“Ditën kur secili të shohë para vetes të mirat që ka bërë dhe të këqijat, atëherë do të dëshironte që mes tij e veprave të këqijave të kishte një largësi të madhe”. (AliImran: 30)
Tani mos thuaj se kam mbaruar dhe nuk ka më kthim për mua, mu tani është koha që t’i kthehesh Zotit tënd. Pendohu tani, para se të vijë Dita e Kiametit ku do të dëshirosh të pendohesh, por nuk do të mundesh. Dhe mos harro se pendimi është diçka që Zoti i Madhëruar e pëlqen dhe ka urdhëruar për te.
“Thuaj: O robërit e Mi që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pasi Ai fal të gjitha gjynahet, Ai është Falës dhe Mëshirues”. (Zumer: 53)
“Zoti i do ata që pendohen dhe ata që janë të pastër”. (Bekare: 222)
Literatura e përdorur:
1) “Islama Giriş” Prof. Dr. Hayati Hökelekli
2) “Faziletler Medeniyeti” Osman Nuri Topbaş
3) ”Maddetu’l-’Akide” Allame Salih b.Fevzan el-Fevzan”
4) “Përmirësimi i Zemrave” Amer Halid
Jetmir Selmani