Adhurimi dhe drejtësia si reflektime të dashurisë ndaj Allahut

Adhurimi është nënshtrim dhe përulje me nderim e respekt ndaj Allahut. Në periudhën e injorancës njerëzit adhuronin idhujt që i kishin ndërtuar me duart e veta.

Këta idhuj ishin thjesht statuja, tek të cilat arabët para islamit besonin që zotëronin cilësi hyjnore.
Është afërmendsh se adhurimi i këtyre qenieve të pavlera e të pafuqishme, jo vetëm që i mbante njerëzit larg nga mendimi dhe ndjenja e gjykimit në Ditën e Kiametit, por idhujtaria u hapte rrugën padrejtësive të shumta në mesin e shoqërisë.
Ata thonë: "Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote. Vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron". Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu." (El- Xhathije, 24.)
Sipas ajetit, mosbesimi ne botën e amshuar buronte nga mungesa e besimit në një Zot që mund te krijonte një botë tjetër. Mungesa e një besimi të tillë i bën ata të jetonin një jetë të papërgjegjshme. Pra, ata kishin përvetësuar një botëkuptim të ndërtuar mbi hyjnizimin e idhujve.
Ky hyjnizim dhe dashuri për idhujt i kishte çuar në adhurimin e interesave personale. Sepse 360 idhujt që gjendeshin në Qabe, ishin shkak për tubimin e njerëzve për tregti dhe ky fakt e gëzonte shumë elitën idhujtare të Mekës. Pra, adhurimi i idhujve, përveç karakterit tradicional, mbartte edhe karakterin ekonomik. Nëse shprehemi me gjuhën profetike, ata ishin bërë adhurues të dërhemit dhe dinarit, pra adhurues të pasurisë materiale. Duke mos pasur një sistem që të mbante nën kontroll shpërthimin e teptisjen e egove të tyre, padrejtësitë nuk njihnin kufij.
Edukimi i ndjenjave është i domosdoshëm, sepse ndihmon në zhvillimin e ndjenjave pozitive që shpien në marrëdhënie konstruktive me njerëzit, universin dhe jetën.

Adhurimi dhe drejtësia sipas Kuranit

Kjo ishte gjendja, përsa i përket heshtjes së adhurimit, kur filloi zbritja e Kuranit. Kur erdhi islami, nuk urdhëroi për një adhurim pa themel. Së pari, islami hodhi themelin teorik, pra besimin në një Krijues të vetëm për të kaluar më vone në planin praktik. Kurani e ftoi njeriun të mendonte thellë mbi krijimin, sepse kështu do ta njihte shumë më lehtë Krijuesin e vërtetë. Kur njeriu arrin ta njohe Krijuesin nëpërmjet përsiatjes mbi gjithësinë dhe kur shikon qe çdo gjë është krijuar në mënyrë të përsosur, fillon të ushqejë dashuri për Allahun. Një njeri që ka në zemër dashurinë për Allahun, nuk mund të rrijë pa e pyetur veten se si mund ta falënderojë Atë për gjithë këto të mira qe i ka dhuruar.
Në të vërtetë, shprehja e falënderimit për çdo të mirë është në natyrën e njeriut. Pra, falënderimi që shprehim ndaj Allahut për të gjitha mirësitë e pafundme, është në natyrshmërinë e njeriut. Ndërsa dashuria abstrakte, pa anën praktike, konsiderohet e pavlere nga ana e njerëzve. As që mund të pretendohet që dashuria e pashprehur në praktikë ndaj Allahut mund të jetë e vërtetë. Falënderimi ndaj Allahut nuk është gjë tjetër perverse shprehja e dashurisë në praktike, që në fenë islame quhet ibadet. Forma dhe mënyra e ibadetit nuk është lenë në dorë të njerëzve, por është përcaktuar saktë nga vetë Allahu i Lartësuar.
Ajeti kuranor "O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj"(El Bekare, 21.) urdhëron të gjithë njerëzit që ndjenjën e falënderimit, e cila vjen si pasojë e dashurisë për Allahun, ta zbatojnë në formë ibadeti. Fundja, njerëzit dhe xhindet janë krijuar vetëm për t'i bërë ibadet Allahut. Detyra e ibadetit nuk është e kufizuar në kohë, por është e vlefshme deri në vdekje. "Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të vijë vdekja" (El-Hixhr, 99.)
Ajeti kuranor e shpreh qartë që detyra e ibadetit vazhdon deri në vdekje, sepse mirësitë dhe begatitë e Allahut ndaj njeriut vazhdojnë deri në vdekje. Me vdekjen mbarojnë sprovat në këtë bote dhe njeriu kalon në një botë tjetër. Nga të gjitha këto, kuptohet qartë se qëllimi kryesor i krijimit të njeriut pas imanit është ibadeti.
Nga ana tjetër, në shumë ajete të Kuranit Allahu i urdhëron njerëzit të jenë të drejtë dhe të udhëheqin me drejtësi. "O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qofshin të pasur ose te varfër" (Nisa, 135.).
Ajeti urdhëron të jemi të drejtë edhe kur drejtësia flet kundër interesave tona. Allahu përshkruan në Kuran në mënyrë të detajuar drejtësinë dhe i informon besimtarët për qëndrimin që duhet të mbajnë përballë ngjarjeve me të cilat përballen, si dhe për mënyrën se si duhet ta ushtrojnë drejtësinë. Një udhëzim i tille përbën një mirësi dhe mëshirë të madhe për besimtarët. Për këtë arsye, ata që besojnë, kanë përgjegjësinë e të ushtruarit të drejtësisë pa bërë dallime, për të fituar aprovimin e Zotit dhe për t'i drejtuar jetët e tyre në paqe e siguri Drejtësia, për të cilën Zoti urdhëron në Kuran, është ajo drejtësi që ushtrohet në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit, pa dallim gjuhe race apo kombësie.

Dy ajetet e mëposhtme sqarojnë se çarë duhet të bëhet në emër të drejtësisë: "Me të vërtete, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t'ia vini veshin" (Nahl, 90)
"Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët" (Mumtehine, 8.)
Siç konstatohet lehtësisht, në ajetet kuranore urdhërohet për drejtësi dhe të qenët i drejtë konsiderohet ibadet. Sepse ibadeti është zbatimi i urdhëresave dhe distancimi i plotë nga ndalesat. Atëherë e drejta është përputhshmëria me parimet kuranore, duke mbrojtur të vërtetën e të mirën kundër të keqes dhe qëndrimi në mesin e barazlarguar ndërmjet dy skajeve ekstreme. Realizimi i të gjitha këtyre është ibadet.
Ibadeti duhet realizuar sipas direktivave uranore, por mënyrën e realizimit mund ta mësojmë vetëm prej Pejgamberit (a.s.). Kryerja e ibadeteve sipas mënyrës se Pejgamberit (a.s.), është obligim për gjithë besimtaret. Obligimi i ndjekjes se Pejgamberit (a.s.), ceket edhe në Kuran: "Binduni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut)/' (Al-lmran,132.)
"Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut." (Nisa, 80.).
Këto dy ajete dhe të tjerë të ngjashëm, urdhërojnë besimtarët që të ndjekin Pejgamberin (a.s.), me përpikëri, sepse Ai është i dërguari i fundit nga Allahu dhe, për pasojë, shembulli më i mirë për t'u pasuar në të gjitha aspektet. Kurani thekson faktin se Pejgamberi (a.s.), zotëron një moral të lartë dhe është shembulli më i mirë për t'u pasuar nga besimtarët.

Ndjekja me bindje të plotë e Muhamedit (a.s.), është e lidhur ngushtë me dashurinë për Allahun e Lartësuar. Siç shpreh edhe Kurani: “Thuaju (o Muhamed): "Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Ai t'ju dojë dhe t'jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë" (Ali Imran, 31).
Pra, bindja ndaj Pejgamberit (a.s.), është pasojë e dashurisë që ushqejmë për Allahun e lartësuar. Dhe për rrjedhojë, rruga më e saktë, më e drejtë dhe më e shkurtër për tek Allahu është rruga e ndjekur nga Pejgamberi (a.s.). Atëherë ibadeti është bindje ndaj Allahut dhe të dërguarit te Tij. Siç theksohet edhe në Kuran, bindja ndaj Allahut dhe Pejgamberit (a.s.), është për të fituar dashurinë e Allahut dhe faljen e mëkateve.

Nëpërmjet adhurimit, njeriu arrin të kuptojë dobësinë dhe pafuqinë e tij në këtë gjithësi, duke ndjerë nevojën e domosdoshme për Allahun, krijuesin e gjithësisë. Në këtë bote të gjithë kanë nevojë për Allahun, pa përjashtim. Kush e kupton nevojën që ka për të Plotfuqishmin, përpiqet me zell për të realizuar kuptimin e vërtetë të ibadetit. Adhurimi ndaj Allahut edukon ndjenjat e njeriut, duke rregulluar marrëdhëniet edhe me Allahun edhe me njerëzit.
Edukimi i ndjenjave arrihet duke kufizuar "lirinë" e instinkteve dhe kjo arrihet përmes ibadetit. Sepse ibadeti e nxit njeriun për mirë dhe e pengon nga e keqja. Një njeri qe adhuron Allahun, nga njëra anë kryen obligimet, ne anën tjetër përpiqet të përmbushë normat morale të Kuranit. Ngaqë të gjitha këto kryhen për hir të Allahut, ndërmjet Allahut dhe njeriut formohet një lidhje e fortë, që në të njëjtën kohe, është edhe pasojë e një besimi të plotë e të fortë. Një besimtar i tillë është i vetëdijshëm që për çdo të keqe do të gjykohet dhe për çdo të mire do të shpërblehet në botën e amshuar. Në këtë mënyrë shfaqet drejtësia, sepse, së pari formon ekuilibrin, i cili pasqyrohet pastaj edhe jashtë tij, duke u sjellë me drejtësi me të gjitha krijesat e Allahut. Ai nuk gjendet në sjellje që dëmtojnë të tjerët, sepse kjo bie ndesh me ibadetin.

Lidhja mes adhurimit dhe drejtësisë konsiston ne faktin se, sa herë bëhet ibadet, kujtojmë Allahun.
Realizimi i detyrimeve fetare, si namazi, agjërimi, haxhi, zekati, norma morale dhe distancimi i plotë nga ndalesat, forcon imanin e besimtarit. Nëpërmjet adhurimit forcohet besimi në Allahun, në pejgamberët, në engjëjt, në Ditën e Gjykimit dhe caktimin e Allahut.
Realizimi i kushteve të imanit e nxit njeriun për të mirë dhe e pengon nga e keqja. Kështu formohet një bashkëveprim i ndërsjellë, ku imani forcon ibadetin dhe ibadeti forcon imanin. Një njeri që beson se do të gjykohet për çdo veprim të keq që kryen në këtë botë, nuk mund të behet i dëmshëm për shoqërinë. Përkundrazi, ai behet një njeri i cili i respekton, i nderon dhe i ndihmon të gjithë njerëzit. Ai përpiqet të jetë i drejtë, sepse e di që Allahu i do të drejtët. I drejti është i dashur si për Allahun, ashtu edhe për shoqërinë.

Ky është njeriu që kërkon Kurani, larg rrymave filozofike, të cilat parashikojnë një njeri hedonist, egoist, mendjemadh e fuqiplotë. Kurse Kurani na ofron një njeri me besim, me adhurim dhe me moral të bukur, i cili është në gjendje të ekuilibrojë ndjenjat. Ky ekuilibrim është garant për qetësinë publike dhe drejtësinë sociale. Këto janë dy alternativat për stil jete; zgjedhja e njërës alternative është në vullnetin tonë të lirë.



Albert Halili


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip