Allahu është i bukur dhe e do të bukurën

Një ditë, i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, tha: “Nuk do të hyjë në xhenet ai që ka në zemër diçka prej mendjemadhësisë, qoftë edhe sa grimca...”

Ky ishte një paralajmërim shumë i rëndësishëm. Ata që e dëgjuan, sigurisht u tronditën. E mblodhën veten dhe të brengosur pyetën, me qëllim që ta kuptonin gjendjen më mirë e për të marrë masat e duhura: “Çdo njeri dëshiron t’i ketë rrobat të bukura, këpucët t’i ketë të bukura... (Domethënë, edhe kjo është shenjë mendjemadhësie?).” I Dërguari i Allahut (a.s.) tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia e vërtetë është neglizhimi e nënvlerësimi i së vërtetës dhe t’i shohësh njerëzit nga lart duke i përçmuar.”(1)
Nga ky hadith fisnik, dalin shumë mësime përfituese për ne: Para së gjithash, kuptohet qartë se disa sjellje dhe vepra mund ta shkatërrojnë njeriun. Atëherë, ne duhet t’i lëmë patjetër sjelljet e këqija, zemrën duhet ta kemi të pastër, moralin të lartë duke e zbukuruar me sjellje të mira, fisnike e të pjekura dhe duhet të bëhemi njerëz të plotë, të ditur në fe dhe me edukatë. Njëri prej synimeve më të mëdha të fesë sonë, është pjekuria etike. Faktikisht edhe i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, e ka shprehur qartë se është dërguar për të plotësuar moralin e lartë.(2)
Veçanërisht, gjithmonë duhet të kemi respekt për të vërtetën, duhet ta duam atë, duhet t’i pranojmë të vërtetat, edhe nëse janë të hidhura, duhet t'i lëmë inatet dhe kontradiktat, të cilat lindin për shkak të mendjemadhësisë dhe krenarisë, në çdo vend e në çdo punë duhet të veprojmë sipas masave të drejtësisë, duhet t’u dalim kundër padrejtësive, duhet të themi të vërtetën, nuk duhet ta kundërshtojmë fjalën e vërtetë dhe duhet të dëshmojmë të vërtetën, edhe nëse është kundër nesh apo të afërmve tanë.
Përsëri duhet ta dimë se njëra prej sjelljeve më të bukura dhe më të rëndësishme është modestia dhe përulësia. Sjellja e keqe, e cila është e kundërta e kësaj, quhet “mburrje” dhe del në pah duke e pëlqyer veten, duke e mbajtur kokën përpjetë, duke i parë njerëzit nga lart, duke i nënçmuar, poshtëruar dhe tallur ata. Mburrja është pengesë për teufiki ilahijje, domethënë, ajo bëhet shkak që njeriu të ndëshkohet duke iu ndërprerë ndihma hyjnore, gjë e cila është tragjedia më e madhe për të.
Njeriu nuk duhet të mburret e të pëlqejë veten, duhet ta dijë kufirin në fjalë, në punë e në sjellje, duhet ta kuptojë paaftësinë e tij dhe duhet të jetë modest, duke menduar se ka njerëz më të ditur, më të pjekur dhe më të mirë se ai.
Së fundi, te të gjithë duhet të jetë vendosur dhe zhvilluar fuqishëm aftësia e perceptimit të shëndoshë estetik, dashuria ndaj së bukurës, të dashurit dhe vlerësimi i së bukurës.
Ne synojmë që çdo gjë ta bëjmë në formën më të bukur, veten tonë ta zbukurojmë me cilësitë më të bukura dhe të arrijmë rezultatet më të mira e shpërblimet më të mëdha në këtë botë dhe botën tjetër. Allahu i madhëruar na mundësoftë t’i fitojmë dhe t’i arrijmë këto. Amin!


_______________________
1. Për hadithin e transmetuar nga Ibn Mes’udi, radijallahu anh, shih Muslim, “Iman”, 147, 149; Ebu Davud, “Libas”, 29, hadith nr: 4091; Tirmidhi, “Birr”, 61, hadith nr: 1998-1999; Ibn Maxhe, “Iftitah”, 9, hadith nr: 59; “Zuhd”, 16, hadith nr: 4173.
2. Për hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre, radijallahu anh, shih M - lik, “Husnu’l-hulk”, 8; Ahmed b. Hanbel, II, 381, hadith nr: 8939; Buhari, elEdebu’l-mufred, fq. 104, hadith nr: 273; Hakim, II, 670, hadith nr: 4221; Kuda’i, Musnedu’sh-Shihab, II, 192, hadith nr: 1165.



Fatmir Sulaj


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip