Duke e përcaktuar kuptimin e vërtetë të jetës Kurani i udhëzon njerëzit në qëllimin e ekzistimit. Nëse çështje kryesore për njeriun është ngrënia, pirja, të kënaqurit, të fituarit dhe të grumbulluarit e të mirave materiale (pasurisë) së kësaj bote, atëherë nuk është sipas konceptit të gjykimit drejt për jetën, ngase në këtë rast jeta nuk është kuptuar drejt sepse qëllimi kryesor në këtë jetë nuk është te këto që u përmendën, ndonëse edhe këto nuk guxojnë të lihen anash dhe të neglizhohen, ngase janë nevojë permanente për të jetuar.
Një ajet kuranor thotë: " ... e ata që nuk besuan përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë), dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri." (Kurani, 47:12).
Lakmia është një virtyt i keq, andaj shpeshherë njeriun e çon në rrugë të gabuar.
Njeriu duhet të ketë pak lakmi për të poseduar dhe shfrytëzuar të mirat, për të arritur suksese në këtë jetë, por besimtari në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë lakmi të tepruar, sepse fundja një ditë do ta lëmë këtë botë të përkohshme dhe do të drejtohemi për botën tjetër, të përhershmen. Për ata që lakmojnë në këtë botë Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë se pasuria nuk duhet të lakmohet në masën e tepruar, sepse është e dëmshme. "Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, ndaj djemve, ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, por tek Allahu është e ardhmja më e mirë." (Kurani, 3:14)
Në këtë botë ka njerëz që nuk e kanë kuptuar drejt konceptin e të gjykuarit drejt të jetës, dhe si pasojë e kësaj ata garojnë në jetë dhe mbushen me mëkate. Mjerisht në këtë botë, aq më keq, ka edhe njerëz që shkaktojnë telashe e probleme, ngatërresa e luftëra, mashtrime e dredhi, shkaktojnë kaos dhe bëjnë kërdi në jetët e njerëzve. Për këto lloje njerëzish është thënë: "Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (sepse në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E porsa të kthehet, ai në tokë vepron të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin)." (Kurani, 2: 204-205)
Nëse jeta e besimtarit mbushet me të këqija, atëherë ai nuk e ka kuptuar drejt konceptin e të gjykuarit drejt për jetën, andaj një jetë e tillë nuk i përngjan besimtarit. Allahu i Madhërishëm ka shtruar për besimtarët detyra dhe përgjegjësi, ka shtruar rregulla dhe disiplinë maksimale për të krijuar kornizën në të cilën vihet jeta me të mirat e saj, pra si një pikturë e mahnitshme dhe si një mrekulli nga e cila vjen kënaqësia dhe lumturia e kësaj bote, por nga e cila vjen edhe kënaqësia dhe lumturia e botës tjetër (ahiretit), sepse vetëm me këtë botë besimtari e fiton botën tjetër. Prandaj, prej besimtarit kërkohet përmbushja e misionit të tij njerëzor, për të përdorur kodin e jetës, e që është besimi dhe rruga drejt të vërtetës, që është besimi në Allahun xh.sh. Krijuesin e gjithësisë; besimi në pejgamberin Muhamedin a.s.; besimi në Kuranin famëlartë; besimi në librat e shenjtë; në engjëjt; në Ditën e Kiametit, dhe në çdo gjë që ndodh, se nuk ndodhë pa caktimin e Allahut xh. sh. Besimi si një mbrojtës i njeriut duhet përmbushur me obligimet tjera të rëndësishme që e përmbushin dhe e plotësojnë jetën, e ato janë veprat e mira.
Ndërsa, dihet se veprat e mira bëhen me punë, me angazhim dhe jo me fjalë të kota e boshe. Dikush do të thoshte: "Unë jam njeri i mirë, se e kam zemrën e mirë", e që nënkupton se, sipas tij, nuk ka nevojë të praktikohen veprat e mira në jetë. Pra, duhet ditur se ai e ka gabim. Pa vepra të mira nuk bëhet jeta, nuk arrihet asgjë dhe nuk ka rezultate, nuk ka produkt, nuk ka suksese në jetë. " ... Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim ... !" (Kurani, 22:77)
Ky ajet i Kuranit famëlartë jep të kuptojmë se koncepti i të gjykuarit drejt për jetën është plotësim dhe domosdoshmëri për të gjetur rrugën e drejtë në përmirësimin e jetës në çdo aspekt, duke e përmbushur atë, praktikuar dhe zbatuar me rregullat dhe parimet, drejt lumturisë dhe shpëtimit në të dy botët. E tërë jeta e besimtarit duhet t'i kushtohet të vërtetës. Besimtari duhet ta përmbush jetën e tij me pastërti shpirtërore dhe me çlirim nga robërimi i materiales. Pasuria dhe të mirat materiale për ekzistencë duhet të fitohen me punë të mira, me punë të lejuara (hallall), me punë të ndershme, me djersë, dhe jo me punë të këqija, me punë të ndaluara (haram), pa djersë, pa ndershmëri, me gënjeshtra e mashtrime, me hajni e plaçkitje, me punë të pista e të ndyra, me prostitucion, me drogë, etj. Në këtë rast shtrohet pyetja:
A janë bërë njerëzit, besimtarët, robër të lakmisë? A i ka mundur ata lakmia për materialen (paranë, pasurinë)? A është ky i vetmi qëllim i jetës së tyre? Nëse po, atëherë ata janë të gabuar, e kanë humbur rrugën e drejtë, e kanë lajthitur rrugën, duke u mashtruar keq dhe duke hyrë në mëkate dhe harame të cilat sigurt se edhe në këtë botë, në fund, do t' i çojnë në mjerim dhe fatkeqësi, në një jetë me përplot peripeci, sfida dhe të papritura, ndërsa në botën tjetër do të jenë në ferr-Xhehenem. Koncepti i jetës, përkatësisht koncepti i të gjykuarit dhe të menduarit drejt për jetën, nuk është vetëm ushqimi i mirë, nuk është vetëm vozitja me vetura luksoze e të shpejta, nuk është vetëm veshja me rroba të shtrenjta dhe të stolisura, nuk është gjumi i mirë dhe takimi me gra të bukura, por është diçka më shumë, diçka përtej kësaj, e ato përtej kësaj janë besimi dhe veshja e besimit me vepra të mira, veshja e jetës me rregulla dhe parime të drejta, të cilat i japin jetës koncept të drejtë dhe e avancojnë atë. Njëanshmëria asnjëherë nuk është e mirë dhe e pranueshme, ngase shpie drejt izolimit, kurse jeta e besimtarit nuk guxon
të jetë e izoluar. Jeta e besimtarit duhet të plotësohet me të gjitha të mirat e kësaj bote, që i ka dhuruar Allahu i Madhërishëm, pikërisht për njeriun (njerëzit), për krijesën më të mirë të kësaj bote. Jeta e besimtarit nuk krijohet në ëndrra, në meditime e në imagjinatë.
Jeta e besimtarit krijohet në besim, në bazën e burimeve të besimit, në konceptin e të gjykuarit të drejtë për jetën. "Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu xh. sh. do t'i çojë në xhenete nëpër të cilët rrjedhin lumenj, e ata që nuk besuan përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri." (Kurani, 47:12)
Të gjithë njerëzit e kësaj bote lindin me natyrë dhe me krijim të pastër, pa mëkate. Kjo nuk do të thotë që jeta e njerëzve me mëkate nuk duhet të mbrohet, ngase mund të ndodhë pendimi që është i pranueshëm. Sigurimi i paprekshmërisë së jetës është një nga të drejtat themelore njerëzore. Edhe ky parim është koncept i të gjykuarit drejt mbi jetën e njeriut. Besimtari nuk duhet ta neglizhojë këtë element të rëndësishëm të besimit mbi jetën e njeriut dhe të drejtën e jetës. Allahu xh. sh. ia falë jetën njeriut dhe Allahu xh. sh. ia merr jetën njeriut, dhe vetëm Ai ka të drejtë, dhe jo njeriu. Njeriut nuk i takon dhe nuk e ka këtë të drejtë, duke u bazuar në burimet dhe bazën e besimit, por edhe në logjikën e shëndoshë dhe në konceptin e të gjykuarit drejt për jetën. Besimtari nuk mund të sillet në atë mënyrë që ta rrezikojë jetën e tjetrit, por njeriu apo besimtari madje as veten e tij nuk e hedh në rrezik. Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit a.s. "Është i ndaluar dëmtimi për njeriun dhe përgjigjja ndaj dëmit me dëm.”
Me këtë hadith është theksuar rëndësia e jetës së njeriut, duke e kuptuar drejt misionin e njeriut, e që është jo vetëm jeta e tij si individ, por jeta e tij si anëtar, në radhë të parë i familjes së tij, si anëtar i shoqërisë dhe si anëtar i njerëzimit në përgjithësi, duke jetuar në kolektivitet dhe bashkësi, duke jetuar në harmoni të plotë me tjetrin, dhe duke krijuar jetë të begatshme me vlera shpirtërore dhe materiale për veten dhe të tjerët. Pra, jo vetëm për veten, si egoist, por edhe për të tjerët, ngase njeriu me njeriun kanë lidhshmëri që ua përcakton vetë jeta. Një fjalë e urtë popullore thotë: "Dora për dorën ka nevojë, e jo më njeriu për njeriun!" Jeta e drejtë e njeriut e përmbushur me parime e rregulla varet nga koncepti i të gjykuarit drejt për jetë të drejtë, nga konceptimi i drejtë i jetës, nga konceptimi ndaj dhuratës së Allahut xh.sh., të Cilin duhet falënderuar çdoherë, në çdo kohë dhe në çdo moment, sa herë që na bie ndërmend për këtë dhuratë e mrekulli, e që është jeta e njeriut.
Ahmet Pllana