Njeriu është një krijesë e përsosur me veçantitë e tij, me përshtatshmërinë anatomike dhe bukurinë fizike, sidomos me dhuntinë e të menduarit dhe mendjen e shëndoshë për të gjykuar drejt dhe për të kuptuar esencën e jetës dhe jetën. Këto janë pasuri e veçantë, dhe vijnë si dhunti nga Zoti i Madhërishëm, e të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të kompensohen me
pasuritë tjera, si dhe dallojnë nga krijesat tjera.
Njeriu është një krijesë e Zotit, përkatësisht e Allahut të Madhërishëm dhe të Gjithëpushtetshëm, dhe jo krijesë e njeriut, ndonëse njerëzimi vazhdon të zhvillohet sipas rregullave për shtim të njerëzve prej njeriut të parë, Ademit a.s. e deri më sot. Dhuntia e të menduarit që vjen nga Zoti si një dhuratë mrekulli, njeriun e bën të zhvillojë mendimin dhe të krijojë konceptin e të gjykuarit drejt për një jetë të denjë dhe të drejtë. Kjo dhunti është një pasuri e madhe që njeriut i shërben çdoherë dhe në çdo kohë, në të mirë të shpirtit të tij dhe të trupit të tij, për të kuptuar drejt jetën dhe për të jetuar sipas rregullave e parimeve, gjë që njeriut i sjell suksese dhe fitore në këtë dhe në botën tjetër.
Pa dyshim se pasuri dhe vlerë e pazëvendësueshme për njeriun është besimi, përkatësisht feja. Besimi e lartëson njeriun si një qenie fizike dhe e bën të lumtur në këtë botë, por e bën të lumtur edhe në botën tjetër. Të menduarit dhe besimi bëjnë që njeriu të dallohet nga të gjitha krijesat e kësaj bote. Koncepti i të gjykuarit drejt për jetë të drejtë sipas parimeve e rregullave, sipas fesë islame, është një vlerë pa të cilën besimtari i mirëfilltë dhe i ditur nuk bën të vazhdojë rrugën e jetës. Prej tij kërkohet të angazhohet për një koncept të drejtë për jetën e kësaj bote, e cila është e mbushur me plot e përplot të mira, të cilat njeriu duhet t'i shfrytëzojë të gjitha, sepse të gjitha ato të mira Allahu xh.sh. i ka krijuar për të mirën e tij.
Të gjykuarit e njeriut për jetë të drejtë dhe të gjykuarit e drejtë për jetën e kësaj bote bazohet në parimet e fesë islame, sidomos në dy burimet kryesore, e që janë Kurani dhe Hadithi.
Në Kuranin e shenjtë përfshihen, pos shumë të tjerave, edhe kriteret dhe parimet e konceptit të të gjykuarit drejt për jetë të drejtë. Kurani famëlartë është libër i shenjt, është libër i qartë dhe i kuptueshëm, në të cilin janë përfshirë jo vetëm parimet e fesë islame por edhe parimet bazë të drejtësisë, të çështjeve sociale dhe të dispozitave ligjore. Kurani përmban urdhëresa dhe ndalesa, gjithmonë në të mirë të njeriut.
Duke e kuptuar mirë kuptimin e jetës, pra sipas fesë islame, Kurani i udhëzon njerëzit në qëllimin e krijimit të tyre. Jeta e njeriut është një dhuratë nga Allahu xh. sh., të cilën njeriu duhet ta mbrojë dhe të kujdeset për te. Si të mos kujdeset njeriu për një dhuratë aq të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshme me asgjë në këtë botë?! Njeriu kujdeset dhe ka respekt për një dhuratë që i vjen nga një mik; - e si të mos kujdeset për dhuratën më të çmueshme që i vjen nga Allahu i Madhërishëm, dhuratën më me vlerë dhe më të çmueshme që mund të ekzistojë në këtë botë, dhuratën që nuk ka çmim, dhuratën që nuk mund të zëvendësohet me asgjë në këtë botë, e që është jeta e njeriut?! Duhet të kujdesemi dhe ta mbrojmë jetën. Këtë e kemi obligim si njerëz që jemi. Besimtari ka obligim nga Allahu xh. sh. që ta mbrojë jetën e vet, por ta mbrojë edhe jetën e tjetrit, sepse njeriu është krijesë (bina) e Allahut xh. sh. Prindërit kanë obligim t'ua mbrojnë jetët fëmijëve të tyre, e gjithashtu edhe fëmijët kanë obligim t'ua mbrojnë jetët prindërve të tyre. Obligim për ta mbrojtur jetën e ka secili për secilin, sepse jeta është dhuratë e Allahut xh.sh. E si pra të mos mbrohet dhe si të mos ketë kujdes njeriu besimtar, njeriu që ka shpirt dhe ndjenja, për ta mbrojtur dhuratën më të shtrenjtë të Allahut xh. sh., e që është jeta e njeriut?!
Si konkludim që vjen nga një rezonim dhe nga një logjikë plotësisht e shëndoshë, pra del se askush në këtë botë nuk ka të drejtë që askujt t'ia marrë jetën. Ky pra është koncepti i drejtë i të gjykuarit drejt për jetën e drejtë. Këtë koncept të të gjykuarit, që vjen prapë dhuratë dhe dhunti nga Allahu i Madhërishëm, nga të menduarit, është koncept të cilin nuk e përjashton dhe as që mund ta përjashtojë as feja islame. Për gjykimin e drejtë të konceptit për jetën e falënderojmë Allahun xh. sh., dhe themi se tek atëherë, pas këtij falënderimi, vlera e të gjykuarit drejt për konceptin dhe konceptimin e jetës ka vlerë permanente dhe imediate në filozofinë e jetës. Nga të gjitha këto konkludime besimtari me logjikë të shëndoshë i shtron vetës një sërë pyetjesh:
A u përmbahen besimtarët urdhrave të Kuranit?
A i zbatojnë ata rregullat dhe parimet bazë të jetës së tyre, duke u nisur nga rregullat dhe parimet e fesë islame?
Nëse përgjigjet do të ishin pozitive, atëherë koncepti i të gjykuarit drejt për jetën është më se i saktë dhe i vërtetë, atëherë pra është kuptuar drejt kodi i jetës, duke ecur në rrugën e të mirës. Besimtari nuk duhet të dalë nga binarët e të menduarit dhe të konceptuarit, duke arritur synimet dhe qëllimet për jetën e njeriut, e cila do të begatohej me të mirat që i ka dhuruar Allahu xh. sh. në këtë botë, pikërisht për njeriun dhe jetën e tij.
Jeta e njeriut është një vlerë bazike
Të gjitha të mirat e kësaj bote njeriu duhet t'i shfrytëzojë, duke u nisur nga produktet ushqimore, pijet, e deri te vlerat njerëzore, që janë besimi, edukata, ahlaku apo mirësjellja, devotshmëria, kultura, e vlerat e tjera. Njeriu nuk është sikurse krijesat tjera të kësaj bote, të cilat nuk kanë të menduar. Prandaj edhe dallon dhe duhet të dallojë edhe nga koncepti i drejtë për jetën dhe koncepti i të gjykuarit drejt për jetën. Jeta e njeriut është një vlerë bazike e papërsëritshme. Njeriu ka një jetë në këtë botë, prandaj nuk duhet keqpërdorur dhe dhuruar të këqijat, siç janë krimi, korrupsioni, hajnia, alkooli, droga, bixhozi, kamata, etj., të cilat, sipas fesë islame, janë të ndaluara (haram). Për ta bërë jetën të mirë njeriu duhet t'i marrë dhe t'i shfrytëzojë vetëm të mirat, dhe në asnjë mënyrë të këqijat. Nga kjo rezulton se njeriu nuk guxon dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që t' i sjell vetës të këqija, por as edhe njerëzve të tjerë. Aq më pak njeriu nuk ka
të drejtë, dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë, që t'ia marrë jetën njeriut. Jeta e njeriut duhet të ruhet dhe të çmohet, sepse është dhuratë e Allahut xh.sh.
"Nëse një njeri e rrëzon një ndërtesë, një kompleks banesor (pallat) dhjetëkatësh, të cilin e ka ndërtuar dora e njeriut, ai njeri dënohet nga ligjet që i ka bërë njeriu. Ndërkaq, njeriu është ndërtesë (bina) e Allahut. Si atëherë njeriu ta rrëzojë ndërtesën e Allahut?! Allahu na ruajt nga kjo vepër e shëmtuar! Ai njeri që e rrëzon ndërtesën e Allahut, ai ka mëkat të madh. Atë e pret zjarri i Xhehenemit!" (H. Sherif ef. Ahmeti).
Edhe ky shembull që u përmend është pjesë dhe rezultat i konceptit të të gjykuarit drejt për jetë të drejtë. Nëse ky koncept nuk përfillet nga besimtari, atëherë ai është larg udhëzimeve kuranore dhe të haditheve ...
Ahmet Pllana