Hyrje
Pasi kam shpjeguar se në fillim të namazit bëhet lulja hyrëse e njohur si "Subhaneke", dhe këtë mendim e përfaqësojnë pjesa më e madhe e dijetarëve, dhe njëherit, siç kishte potencuar edhe Tirmidhiu, shumica absolute nga të gjitha gjeneratat e njihnin dhe e praktikonin më së shumti këtë lutje, tani vazhdojmë me shpjegimin se pas leximit të Subhanekes lexohet El-Istiadheja (Eudhu bilahi mine-sh shejtani-rr Rraxhim) dhe besmeleja (Bismilahi-rr Rrahmani-rr Rrahim). Kjo pra është çështja që do të jetë objekt shqyrtimi e diskutimi në këtë punim.
Leximi i Istiadhes është sunet, ndërsa Besmeles mustehab
Me nocionin "istiadhe" nënkuptohen fjalët "eudhu bilahi mine-sh shejtani-rr rraxhim" që pasqyrojnë kërkimin e ndihmës nga Allahu për mbrojte nga djalli i mallkuar, ndërsa me nocionin "besmele" nënkuptohen fjalët "bismilahi-rr Rrahmani-rr Rrahim", që kanë kuptimin se punët fillojnë me emrin e Allahut që është Mëshirues dhe Mëshirëplotë.
Leximi i Istiadhes, që bëhet pas leximit të lutjes hyrëse, "Subhanekes", dhe para leximit të kaptinës "El-Fatiha", te hanefinjtë është sunet. Këtë mendim
e kanë edhe dy shkollat tjera juridike: ajo shafiite dhe hanbelite, përderisa shkolla malikite ka mendim krejtësisht tjetër.(1) Në shkollën malikite nuk parapëlqehet të lexohet duaja hyrëse, Istiadheja dhe as Besmeleja në namazet farz dhe sunet, ndërsa në ato nafile nuk ka të keqe edhe nëse lexohen.(2) Malikinjtë, sipas mendimit më të popullarizuar, mendojnë se leximi i tyre në namazet farz dhe sunet është veprim i papëlqyer (mekruh).(3) Mirëpo nëse Istiadheja dhe Besmeleja lexohen në namaz para Fatihasë, atëherë sipas malikinjve ato duhet bërë me zë të vogël, sikurse mendimi i hanefinjve. Ngjashëm me Malikun mendojnë edhe Evziu dhe Taberiu.(4)
Ibën Hazmi, për dallim nga mendimet e këtyre imamëve, ka një mendim krejtësisht tjetër. Ai në "Muhal-la" thotë: "Për secilin namazfalës është obligim i domosdoshëm (farz) që ta lexojë Istiadhen dhe Besmelen në çdo rekat të namazit, duke u bazuar në fjalët e Allahut të Madhërishëm: "Kur të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut prej djallit të mallkuar!" (En-Nahl, 98). Sipas tij, obligohet që Istiadheja të lexohet duke u bazuar në kuptimin e përgjithshëm të këtij ajeti, qoftë të jetë leximi i Kuranit në namaz, apo edhe jashtë tij.(5)
Mendoj se opinioni i Ibën Hazmit, është mendim i skajshëm, dhe shumica e dijetarëve e kanë konsideruar si mendim jo të qëlluar, madje ka prej tyre që e kanë trajtuar si mendim që bie ndesh me konsensusin (ixhmain) e gjeneratave të para, të cilët e shihnin se Istiadheja është sunet, ndërsa ajeti për Istiadhen nuk nënkupton obligueshmëri.(6)
Në shkollën hanefite leximi i Istiadhes bëhet vetëm në fillim të namazit, pra në rekatin e parë, pas leximit të lutjes hyrëse dhe para fillimit të leximit të Fatihasë. Leximi i Istiadhes bëhet me qëllim të mbrojtjes nga pëshpëritjet dhe ngacmimet e djallit. Leximi i Istiadhes nënkupton mbrojtje për leximin që pason. Ebu Hanife dhe Muhamedi janë të mendimit se Istiadheja është sunet të thuhet nga imami dhe ai që falet i vetëm, por jo nga ai që falet me imam, përderisa Ebu Jusufi është i mendimit se Istiadheja duhet të bëhet si nga imami e ai që falet i vetëm, ashtu edhe nga ai që falet pas imamit.
Se Istiadheja bëhet vetëm në fillim të namazit mendon edhe Shafiu dhe shumë dijetarë të tjerë, Ibën Sirini është i mendimit se Istiadheja bëhet në secilin rekat.(7)
Ndërsa leximi i Besmeles, sipas shkollës hanefite, është mirë të bëhet në secilin rekat (para Fatihasë), dhe ky lexim konsiderohet i pëlqyeshëm (mustehab)." Leximi i Besmeles në çdo rekat është më i sigurt dhe bëhet si largim nga polemikat rreth çështjes së Besmeles, se a konsiderohet pjesë e Fatihasë a jo. Sa i përket leximit të Besmeles pas Fatihasë, gjegjësisht para kaptinave tjera në namaz, në shkollën juridike hanefite janë dy mendime. Opinioni zyrtar i kësaj shkolle nuk e sheh të arsyeshme leximin e Besmeles pas Fatihasë, gjegjësisht para çdo kaptine, ngase mjafton leximi i Besmeles në fillim të çdo rekati, por nëse lexohet Besmeleja absolutisht nuk ka gjë të keqe, dhe madje një veprim i tillë nuk llogaritet si i papëlqyer. Ky është mendimi që përcillet nga Ebu Hanife dhe Ebu Jusufi.(9) Mendimi i dytë, që përcillet nga Muhamedi, parasheh leximin e Besmeles edhe gjatë leximit të kaptinës përcjellëse pas Fatihasë. Këtë ai e sheh si sunet. Mendimin e Muhamedit e përkrahin edhe disa prej kolosëve hanefinj, dhe praktika në terren ndoshta më tepër ka vepruar sipas mendimit të Muhamedit sesa opinionit zyrtar të shkollës. Sidoqoftë, kjo çështje është e parëndësishme dhe nuk ka peshë juridike.
El-Istiadheja dhe Besmeleja lexohen pa zë
Leximi i El-Istiadhes (Eudhu bilahi mine-sh shejtani-rr rraxhim) dhe Besmeles (bismil ahi-rr Rrahmani-rr Rrahim) lexohen pa zë, pas Subhanekes, pa marrë parasysh a falet namazi vetëm apo me imam.
Shejbani, nxënësi i Ebu Hanifes, në librin e tij të njohur "El-Asl" i njohur edhe si "el-Mebsut", thotë: "Kur njeriu dëshiron t'ia fillojë namazit, shqipton tekbirin, ngrit duart deri te veshët dhe e thotë këtë (dua): "Subhaneke Allahumme ve bihamdike, ve tebarekesmuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke." Pastaj e thotë El-Istiadhen (eudhu bilahi mine-sh shejtani-rr rraxhim) në vetvete (pa zë), e po kështu vepron edhe me Bismilahin (bismilahi-rr Rrahmani-rr Rrahim), duke e fshehur atë (pa zë), e nëse është imam në namazet ku lexohet me zë, lexon me zë, e nëse është në namazet
që leximi bëhet në vete, atëherë lexon në vetvete. Nëse është i vetëm në namaz, pa imam, lexon në vetvete, e po që se është në namazet ku leximi bëhet me zë, mund të lexojë edhe ai me zë, aq sa e dëgjojnë veshët leximin e tij (aq sa e dëgjon vetveten)."(10)
Serahsiu, në librin e tij "el-Mebsut", thotë: "Më pas e hap leximin dhe fsheh (lexon pa zë) Besmelen ... "(11) Leximi me zë i Istiadhes nuk është transmetuar nga i Dërguari i Allahut. Është transmetuar nga Aliu dhe Abdullah bin Mes'udi, të kenë thënë: "Imami i fsheh (lexon pa zë) katra." Prej tyre përmendën Istiadhen.(12)
Kush mendon se Istiadheja dhe Besmeleja lexohen pa zë?
Gabohet rëndë ai që mendon se vetëm hanefinjtë mendojnë se Istiadheja dhe Besmeleja këndohen pa zë, gjegjësisht në vetvete. Përkundrazi, pjesa më e madhe e dijetarëve eminentë dhe shokët më të dijshëm të Pejgamberit a.s. kishin mendim se edhe Istiadheja, por edhe Besmeleja këndohen pa zë. Të këtij mendimi janë Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu nga sahabët e mëdhenj e të njohur ndryshe edhe si katër halifët e drejtë. Pastaj dy kolosët e mëdhenj të hadithit, Sufjan Thevriu dhe Abdullah bin Mubareku dhe shumë të tjerë. Madje ky mendim është mendim i zgjedhur në këtë çështje. Tirmidhiu në këtë kontekst shprehet: "Praktika e myslimanëve është e tillë dhe kjo praktikë ishte te shumica e dijetarëve që nga koha e shokëve të Pejgamberit a.s., prej tyre Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu dhe të tjerët, e pas tyre te tabiinjtë Sufjan Thevriu, Abdullah bin Mubareku, Ahmedi, Ishaku, pra që të gjithë këta nuk mendonin se Besmeleja duhet të këndohej me zë, mirëpo ajo duhej të bëhej në vetvete dhe pa Zë."(13)
Të këtij mendimi, siç përmendëm, janë shumica e dijetarëve dhe pjesa më e madhe e myslimanëve, madje disa dijetarë kanë thënë se nuk ka asnjë hadith autentik(14) që sinjalizon se Besmeleja duhet të lexohet me zë e jo në heshtje. Argumentet për këtë janë të shumta dhe përderisa shumica absolute janë të mendimit se Besmeleja lexohet pa zë, do të mjaftohemi me sjelljen e dy argumenteve, sa për ilustrim, gjegjësisht transmetimin e Abdullah bin Mugaffelit dhe Enes bin Malikut: "Na ka treguar Ahmed bin Muni, nga Ismail bin Ibrahimi, ky nga Seid bin Ijas El-Xhurejrij, ky nga Kajs bin Ababeh, e ky nga Abdullah bin Mugaffel, i cili ka thënë: "Përderisa isha duke u falur, babai im më dëgjoi mua duke lexuar Besmelen, ai (pas namazit) më tha: "Biri im, solle risi. Ki kujdes nga risitë." Thotë (transmetuesi): "Nuk kam parë dikë nga sahabët që ta urrejë më shumë se ai risinë." Më pas (babai) më tha: "Jam falur me të Dërguarin e Allahut, me Omerin dhe me Othmanin, por asnjërin prej tyre s'e kam dëgjuar ta thotë atë (Besmelen), prandaj mos e thuaj as ti, e kur të falesh thuaj: "El-hamdullilahi rabbi-l alemin."(15)
Transmetimi i Enes bin Malikut është në koleksionin e Ibën Hibanit dhe të të tjerëve: "Na ka treguar Umer bin Ismail bin Ebi Gajlan Eth- Thekafij, Sufiu dhe disa tjerë përveç tyre, të cilët kanë thënë: "Na ka treguar Ali bin El-Xha'di, i cili thotë: "Na ka treguar Shu'beh dhe Shejbani nga Katadeh, i cili ka thënë: "E kam dëgjuar Enes bin Malikun duke thënë: "Jam falur pas të Dërguarit të Allahut, Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit - Allahu qoftë i kënaqur me ta, - dhe asnjërin prej tyre s'e kam dëgjuar ta thotë me zë Besmelen (bismilahi-rr Rrahmani-rr Rrahim)."(16)
Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë!
Nuk ka dyshim se Besmeleja është pjesë e Kuranit, sepse çdo gjë që është në Kuran llogaritet pjesë e tij, mirëpo dijetarët kanë polemizuar rreth Besmelesë, se a është pjesë e Fatihasë a jo?
Pjesa më e madhe e dijetarëve dhe shkollave juridike janë të mendimit se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë: ajo është pjesë e Kuranit që bën ndarjen mes kaptinave të tij. Të këtij mendimi, pra se Besmeleja nuk llogaritet pjesë e Fatihasë janë hanefinjtë, malikinjtë dhe hanbelinjtë nga shkollat juridike, dhe Evzaiu.(17) E, në anën tjetër, kemi vetëm shafiinjtë që mendojnë se Besmeleja është pjesë e Fatihasë.
Argumentet se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë
Na ka treguar Ebu Mervan Muhamed bin Othman El-Othmanij, i cili ka thënë: "Na ka treguar AbdulAziz bin Ebi Hazim nga El-Ala bin Abdurrahmani, ky nga babai i tij, e ai nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: "Thotë Allahu i Madhërishëm: "E kam ndarë namazin (Fatihanë)(18) mes Meje e robit tim në dy pjesë; njëra pjesë për Mua, e pjesa tjetër për robin tim, dhe robit tim do t'i jap çfarë kërkon." Tha i Dërguari i Allahut: "Kur robi thotë: "Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve", Allahu i përgjigjet: "Më falënderoi robi im, dhe ai do të ketë atë që e kërkon. Kur robi thotë: "Bamirësit të përgjithshëm, Mëshirëbërësit", Zoti i përgjigjet: "Më lartësoi dhe ai do të ketë atë që e kërkon." Kur robi thotë: "Sunduesit në Ditën e Gjykimit", Zoti i përgjigjet atij: "Më madhëroi robi im, dhe kjo është për mua, e ky ajet është mes Meje dhe robit tim." Kur robi thotë: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë", Zoti do t'i përgjigjet atij: "Kjo është mes Meje dhe robit tim, dhe ai do ta ketë atë që e kërkon." Kur robi thotë: "Udhëzona për në rrugën e drejtë? Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër vetes tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!" Zoti i përgjigjet: "Kjo është për robin tim, dhe robi im do ta ketë atë që e kërkon."(19)
Ky hadith na tregon se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë, ngase filloi me fjalët "Elhamdulilahi rabbil Alemin", e jo me fjalët "Bismilahi Rrahmani-rr Rrahim", e sikur të ishte Besmeleja pjesë e Fatihasë, sigurisht se do të fillonte me të e jo me falënderim. Neveviu në këtë kontekst thotë: "Ky hadith është padyshim argumenti më i qartë për ata që janë argumentuar me të."(20) Ndërsa autori i Nejlu-l Evtar-it, Shevkani, pasi që sjell hadithin në fjalë, më pas thotë: "Hadithi sinjalizon se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë, dhe se Fatihaja me konsensus të ulemasë i ka shtatë ajete, ku tre ajetet e para janë falënderim e tre të fundit lutje, përderisa ajeti i katërt është i mesëm dhe është "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë." E këtu nuk është përmendur Besmeleja, e po të ishte pjesë e Fatihasë sigurisht se do të përmendej."(21)
Kolosi maliki, Ibën AbdulBerri, e vulos këtë çështje kur thotë: "Ky hadith është argumenti më i qartë nga ajo që transmetohet nga i Dërguari i Allahut, se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë dhe është argumenti më i prerë që mund të largojë polemikat për këtë çështje."(22)
Zejleiu në veprën kolosale të tij "Nasbu-rr Rrajeh", në lidhje me këtë hadith thotë: "Ky hadith qartazi tregon se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë, përndryshe do të fillonte me të, ngase ky hadith është sqarues dhe komentues i ajeteve të kësaj sureje ... "(23)
Argumenti tjetër se Besmeleja nuk është pjesë e Fatihasë është fakti se një ajet rreth secilës kaptinë nuk vërtetohet ndryshe pos me argument mutevatir nga i Dërguari i Allahut. Dihet mirë që Besmeleja nuk është vërtetuar me ndonjë argument mutevatir që të jetë ajet nga kaptina El-Fatiha apo kaptinat tjera të Kuranit.(24) Selefët janë dakorduar se kaptina "Kevther" ka tre ajete, e praktikisht dhe pa Besmelen ajo është tre ajete. Sepse, nëse e llogarisim edhe Besmelen, atëherë na dalin katër ajete.(25)
Argumenti tjetër është hadithi i transmetuar nga Enes bin Maliku: "Na ka treguar Vekiu, ky nga Shu'beh, ky nga Katadeh e ky nga Enesi, i cili ka thënë: "Jam falur pas të të Dërguarit të Allahut, pas Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit, e asnjëri prej tyre nuk e thoshte me zë "bismilahi-rr Rrahmani-rr Rrahim."(26)
Medinasit, thuajse përgjatë gjithë historisë së tyre, që nga selefët, Besmelen ose e braktisnin në tërësi, ose e lexonin pa zë. Urvetu bin Zubejri, njëri nga shtatë juristët e njohur të Medinës, thotë: "Arrita imamët, por asnjëri prej tyre nuk fillonte ndryshe pos me "Elhamdu lilahi rabbil alemin."
________________________
(1) Bedrudin El-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 158; Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v. II, f. 37.
(2) Ebu Zejd Abdurrahman bin Muhamed Es-Sagir El-Uhderij, Metnu-l Uhderij fi-l Thadat Ala Medhhebi-l imami Malik, Matbeatu Muhamed Alij, Ezher, Kairo, v. I, f. 13.
(3) Muhamed bin Abdullah EI-Hurshij El-malikij, Sherh Muhtesar Halil, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, v. I, f. 289.
(4) Bedrudin El-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 196.
(5) Ibën Hazm, el-Muhal-la bil-Athar, v. II, f. 278.
(6) Bedrudin El-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 159.
(7) Ebu Abdullah Muhamed bin Alij bin Omer Et-Temimi El-Mazerij, El-Malikij, Sherhu-t Telkin, me recenzurë nga: Muhamed El-Muhtar Es-Selami. Bot. I-rë, Daru-l Garbi-l Islami], 2008, v. I, f. 574.
(8) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v. II, f. 43.
(9) Merginani, El-Hidajeh, v. I, f. 298; Hasfeki, Ed-Durru-l Muhtar, v. I, f. 490; Thën Nuxhejm, EI-Bahru-rr Raik Sherh Kenzu-d Dekaik, bot. II-të, Daru-l Kitab EI-Islalnij, pa vit botimi, v. I, f. 330.
(10) Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani, El-AsI (i njohur si el-Mebsut), me recenzurë nga Ebu-l Vefa EI-Afgani, Idaretu-l Kur'ani ve-l Ulumi-l Islamijeh, Karaçi-Pakistan, v. I, f. 3-4.
(11) Shemsudin Ebu Bekër Muhamed Serhasij, EI-Mebsut, bot. I-rë, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, 1421-2000, v. I, f. 18.
(12) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v. II, f. 38.
(13) Tirmidhiu në Sunen, V. I, f. 412. Shih po ashtu: Begaviu në Sherhu-s Suneh, me recenzurë nga Shuajb El-Arnaut dhe Muhamed Zuhejr Esh-Shavish, bot. II-të, El-Mektebu-l Islami], Damask-Siri, 1403-1983, v. III, f. 54.
(14) I këtij mendimi është Ukajli. Shih: Sahih Thën Hiban, v. V, f. 102.
(15) Tirmidhiu në Sunen, nr. 244, dhe thotë se hadithi është i mirë (hasen). Hadithin e transmetojnë edhe Nesaiu dhe Ahmedi.
(16) Ibën Hibani në Sahih, nr. 1799. Albani thotë se hadithi është autentik (sahih). Shih Sahih Ebu Davud, nr. 751. Shuajb El-Arnauti, që i ka bërë recenzurë dhe shpjegim Sahihut të Ibën Hibanit, thotë: "Senedi i këtij hadithi është autentik, sipas kushteve të Muslimit. Shih: Thën Hibbani, Sahih Thën Hibban, bot. II-të, Muesesetu-rr Rrisaleh, Bejrut-Liban, 1414-1993, v. V, f. 103. Hadithin me këtë sened e transmeton edhe Darekutniu v. I, f. 314-315, dhe Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, v. I, f. 202. I njëjti hadith me rrugë tjetër transmetimi (nga Hafs bin Omeri) transmetohet edhe në Sahihun e Buhariut, nr. 743, Sahihun e Muslimit, nr. 399, në Sahihun e Ibën Huzejmes, nr. 492, 494 dhe në koleksionet qera. Hadithi në fjalë ka edhe rrugë qera transmetimi,
(17) Serhasiu, EI-Mebsut, bot. I-rë, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, 1421-2000, v. I, f. 19; Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v. I, f. 203; Ibën AbdulBerr, El-Istidhkar, v. II, f. 175; Ibën Kudameh, EI-Mugni, v. II, f. 151.
(18) Neveviu thotë: "Ulemeja janë shprehur: "Qëllimi me noci onin "namaz" (në këtë hadith) është "Fatihaja", e është quajtur kështu ngase namazi
nuk pranohet pa të, e qëllimi me ndarjen e saj është në bazë të kuptimit, ngase gjysma parë e Fatihasë është falënderim, lartësim, madhërim dhe adresim (i gjykimit), përderisa gjysma tjetër është lutje, kërkim, nënshtrim dhe nevojë." Shevkani, Nejlu-l Evtar, me recenzurë nga Isamudin Es-Subabitij, bot. I-rë, Daru-l Hadith, Kairo-Egjipt, 1413-1993, v. II, f. 240.
(19) Ibën Huzejme në Sahih, nr. 502; Thën Maxheh në Sunen, nr. 3784. Shuajb El-Arnauti hadithin në fjalë e cilëson si autentik. Hadithi është thuajse në të gjitha koleksionet e hadithit.
(20) Nevevi, Sherh Sahih Muslim, bot. III-të, Dar Ihjau-t Turath el-Arebij, Bejrut-Liban, 1392v. IV, f. 103.
(21) Shevkani, Nejlu-l Evtar, v. II, f. 241.
(22) Ibën AbdulBerr, El-Istidhkar, v. II, f. 174.
(23) Xhemaludin Ez-Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, me recenzurë nga Muhamed A vvameh, muesesetu-rr Rrisaleh, Bejrut-Liban, 1418-1997, v. I, f. 339.
(24) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v. I, f. 203.
(25) Serhasiu, El-Mebsut, v. I, f. 19.
(26) Ahmedi në Musned, nr. 13915. Shuajb EI-Arnauti, Adil Murshidi, dhe të tjerët që kanë verifikuar hadithet e Musnedit të Ahmedit, për këtë hadith kanë thënë: "Hadithi është autentik, sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit." Ahmed bin Hanbel, Musned, me recenzurë nga Shuajb El-Arnauti dhe të tjerët, bot. I-rë, Muessesetu-rr Rrisaleh, 1421-2001, v. XXI, f. 368. Hadithin e transmeton edhe Muslimi, në Sahih, nr. 399.
Mr. Ejup Haziri