Leximi (i mjaftueshëm) i Kuranit pas Fatihasë

Hyrje

Pasi kam shtjelluar tematikën e Fatihasë dhe dispozitat që ndërlidhen me të gjatë namazit, është e nevojshme të shpjegohet dhe shtjellohet edhe leximi i Kuranit, që bëhet pas Fatihasë. Si rrjedhojë e kësaj do të mundohem të bëj një paraqitje modeste të kësaj tematike, pra pa u stërzgjatur shumë.

Leximi i Kuranit pas Fatihasë

Sipas shkollës hanefite, leximi i Kuranit në namaz është farz apo pjesë përbërëse e namazit, pa specifikuar kaptinën apo pjesën kuranore, ndonëse Fatihaja konsiderohet si obligim (vaxhib) i namazit. Çështja këtu ka të bëjë me leximin e Kuranit pas Fatihasë në dy rekatet e para të namaze ve të obligueshme (farz), që thuajse nga të gjithë dijetarët është konsideruar sunet. Për këtë Ibën Kudameh ishte shprehur: "Nuk dimë që dijetarët të kenë divergjenca rreth asaj se është sunet leximi i një kaptine pas Fatihasë në dy rekate të para të çdo namazi."(1)
Sa i përket leximit të Kuranit pas Fatihasë, në shkollën juridike hanefite kjo çështje trajtohet me kujdes të madh, dhe atë në tre tabore:
I pari: Minimumi i leximit për vlefshmërinë e Kuranit në namaz;
I dyti: Leximi që e kalon limitin (pragun) e mekruhit, dhe;
I treti: Leximi i preferuar. Këto tri çështje, ndonëse pa u zgjeruar shumë, do t'i trajtoj në këtë shkrim, në mënyrë që të formohet një pasqyrë e përgjithshme rreth kësaj tematike.

Minimumi i leximit për vlefshmërinë në namaz

Sa i përket minimumit të leximit të Kuranit për vlefshmërinë e namazit, brenda shkollës hanefi te kemi tri pikëpamje, apo tre qëndrime, e që transmetohen nga Ebu Hanife:

- Qëndrimi i parë është leximi i plotë i një ajeti, pa marrë parasysh a është ajeti i shkurtër apo i gjatë, si për shembull ajeti: "Nga gjelbërimi i shumtë duken të mbyllura në të zi." (Err Rrahman, 64) "Ai sërish thellohej në mendime." (El Mudethir, 21) "Pastaj mërrolej dhe bëhej edhe i vrazhdë." (El Mudethir 22)
Ky qëndrim transmetohet nga Ebu Hanife, dhe njëherit ky është qëndrimi zyrtar i shkollës hanefite.
- Qëndrimi i dytë është leximi i papërcaktuar, mirëpo atë e shpjegon më së miri emri lexim.
- Qëndrimi i tretë është leximi i një ajeti të gjatë, si Ajetul Kursija (Bekareh, 255) apo ajeti i borxhit (Bekareh, 282), apo tre ajete të shkurtra. Këtë qëndrim e kanë dy nxënësit e njohur të Ebu Hanifes: Ebu Jusufi dhe Muhamedi.
Dy nxënësit e Ebu Hanifes u argumentuan me ajetin kuranor: " ... pra faluni duke lexuar Kuran sa t'ju vijë më lehtë prej namazit..." (El Muzemil, 20)
Sipas tyre, fjalimi i përgjithshëm merr dispozitën e traditës, e ajo që më paku njihet si lexim i traditës është një ajet i gjatë apo tre të shkurtë. Nga i njëjti ajet ka argumentuar gjithashtu edhe Ebu Hanife, i cili ajetit në fjalë i jep shpjegim nga dy këndeJ pari - se Allahu i Madhëruar urdhëroi me lexim, e urdhri është i përgjithshëm, dhe se leximi i një ajeti të vetëm konsiderohet si lexim; dhe i dyti - se Allahu i Madhëruar urdhëroi që të lexohet pjesa më e lehtë nga Kurani, e ndoshta lehtësimi nuk kuptohet ndryshe pos me leximin e një pjese të tillë.
Alaudin Kasani, autori i librit madhështor "Bedaiu-s Sanai ..." mbështet plotësisht mendimin e Ebu Hanifes, madje, sipas tij mendimi i Ebu Hanifes është më i logjikshëm sesa mendimi i dy nxënësve të tij.(2)
Mirëpo, këtu duhet shpjeguar një çështje që është shumë e rëndësishme, e që ka të bëjë me atë se çfarë nënkuptohet me ajetin e shkurtër? Sa duhet të jetë ai ajet, sepse në Kuran kemi ajete edhe me një fjalë të vetme apo edhe me vetëm një apo dy shkronja.
Dehleviu në "El Fetava Et Tataruhanijeh", gjatë shtjellimit të kësaj tematike, thotë: "Me fjalët ajet i shkurtër nënkuptohet ajeti që ka së paku dy fjalë e më tepër, ndërsa ajetet që kanë vetëm një fjalë, si "Sad", "Nun", "Kaf" dhe të ngjashme, sipas mendimit më të saktë nuk lejohet. Pra, edhe atëherë kur e lejojnë me një ajet të vetëm, kërkohet që ajeti të ketë së paku dy fjalë e më tepër.(3)
Autori i librit të njohur "Umdeturr Rriajeh ...", kur flet për tematikën e leximit të Kuranit, gjegjësisht për leximin e Kuranit pas Fatihasë, thotë: "Ajo që është e obliguar është një ajet që përbëhet më së paku nga gjashtë shkronja ... , e nëse një ajet kuranor përbëhet nga vetëm një fjalë, si: "Kaf", "Sad" apo "Nun", atëherë kjo çështje është e diskutueshme mes dijetarëve. Mirëpo, ajo që është më e sakta, nuk lejohet një gjë e tillë, ngase nuk mund të quhet lexim një veprim i tillë (me një fjalë të vetme)."(4) Këtë e potencon edhe Zejleiu, në "Tebjinu-l Hakaik".(5)

Leximi që e kalon pragun e mekruhit

Hanefinjtë, edhe kur e lejojnë leximin e Fatihasë me një ajet, opinioni i tyre është vetëm në saje të lejimit, e jo të preferimit . Madje, sipas tyre, për ta tejkaluar limitin e veprimeve të papëlqyera duhet të lexohet Fatihaja, e së bashku me të edhe një ajet i gjatë apo një i shkurtër. Nëse lexohet vetëm një ajet i shkurtër, praktikisht veprimi është i lejuar, por i papëlqyer. Prandaj, kërkohet që krahas Fatihasë t'i bashkëngjitet një lexim prej tre ajeteve.(6)

Leximi i preferuar

S'ka dyshim se në namaz preferohet që Kuran të lexohet sa më gjatë, sidomos në disa prej namazeve, me theks të veçantë në namazin e sabahut, por edhe në atë të drekës.

Leximi i preferuar në namazin e sabahut

Ulemaja e medhhebit hanefi kanë opinione të ndryshme, si pasojë e transmetimeve që përcillen nga Ebu Hanife. Në librin "El Asl", përmendet një transmetim prej tij, se imami në namazin e sabahut, në dy rekatet farz, lexon katërdhjetë ajete, përderisa në "El Xhamiu-s Sagir", transmetohet nga katërdhjetë, pesëdhjetë, e deri në gjashtëdhjetë ajete, pa llogaritur Fatihanë.(7) Madje, disa thonë edhe deri në 100 ajete. Zejleiu, kur bën bashkimin e këtyre mendimeve, thotë: " Ata që janë të pasionuar pas leximit dhe namazit, i lexojnë nga njëqind ajete, pa llogaritur Fatihanë; ata që janë dembelë, katërdhjetë ajete; ndërsa ata që janë mesatarë, nga pesëdhjetë deri në gjashtëdhjetë ajete. Gjithashtu duhet të shikohet edhe gjatësia e natës apo e kundërta e saj, dhe të shikohet edhe angazhimi i madh apo i paktë i atij që falet.?(8)
Qëllimi i katërdhjetë, pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë ajeteve që preferohen të lexohen gjatë namazit të sabahut është për kohën brenda dy rekateve, e jo brenda një rekati të vetëm. Këtë e potencon edhe autori i librit "El Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij", ku thotë: "Me fjalën "katërdhjetë" apo "pesëdhjetë" nuk nënkuptohet brenda një rekati, mirëpo brenda dy rekateve (të sabahut), e që i bie nga njëzet ajete për rekat."(9)
Transmetimet që përcillen nga shokët e të Dërguarit të Allahut për leximin e Pejgamberit a.s. në kohën e namazit të sabahut janë të ndryshme. Ebu Berzeh El Eslemij transmeton se i Dërguari i Allahut lexonte në namazin e sabahut mes gjashtëdhjetë dhe njëqind ajeteve.(10) Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut gjatë namazit të sabahut lexonte kaptinën "Kaf",(11) dhe "En Naziat". Nga Ebu Hurejre dhe Amër bin Hurejth transmetohet se i Dërguari i Allahut gjatë namazit të sabahut ka lexuar kaptinën "Et Tekvir"(12) dhe "El Infitar". Gjithashtu, po nga ai transmetohet se i Dërguari i Allahut lexoi "El Murselat" dhe "En Nebeë".
Nga Umu Selemeh përcillet të ketë thënë: "U solla përreth njerëzve që faleshin pas të Dërguarit të Allahut, e ai lexonte kaptinën "Et Tur".(13) Nga Xhabir bin Semurete transmetohet se i Dërguari i Allahut në namazin e sabahut lexonte kaptinën "El Vakiah" dhe kaptina të ngjashme me të."(14)
Ebu Hurejre dhe Abdullah bin Abasi transmetojnë se i Dërguari i Allahut gjatë faljes së namazit të sabahut, në ditën e xhuma, lexonte kaptinën "Es Sexhde" dhe "El Insan".(15)
Transmetohet se Ebu Bekri në namazin e sabahut lexoi kaptinën "El Bekareh", e pas namazit Omeri iu drejtua: "Gati sa lindi dielli, o halifi i myslimanëve." Ndërsa Ebu Bekri ia ktheu: "Edhe po të lindte, nuk do na gjente të pakujdesshëm!"
Preferohet që në rekatin e parë të lexohet më tepër Kuran sesa në rekatin e dytë. Kjo është me konsensus të dijetarëve, ekskluzivisht për namazin e sabahut.
Zgjatja e rekatit të parë bëhet me qëllimin se ndoshta vjen ndokush me vonesë dhe e zë namazin. Sa i përket zgjatjes së rekatit të parë në namazet tjera, themi se kjo çështje është e diskutueshme, sepse vetëm për namazin e sabahut ka konsensus për një veprim të tillë. Ebu Hanife dhe Ebu Jusufi janë të mendimit se në namazet tjera bëhet një baraspeshim mes (dy) rekateve (të para), përderisa Muhamedi është i mendimi se në secilin namaz preferohet zgjatja e rekatit të parë karshi rekateve tjera. Polemika e tyre dhe qëndrimet e tyre reflektojnë edhe te namazi i xhumasë dhe i bajrameve, ku Ebu Hanife dhe Ebu Jusufi kanë të njëjtin mendim sikurse me pesë namazet ditore, gjegjësisht baraspeshimi i dy rekateve të xhumasë dhe bajrameve, ndërsa Muhamedi preferon zgjatjen e rekatit të parë si te xhumaja ashtu edhe te bajramet. Ky i fundit argumentohet me atë që transmeton Ebu Katadeh, se i Dërguari i Allahut preferonte zgjatjen e rekatit të parë ndaj rekateve tjera, në të gjitha namazet, ngase preferenca e zgjatjes është si shkak për arritjen e namazit dhe xhematit. Ndërsa Ebu Hanife dhe Ebu Jusufi argumentohen nga transmetimet se i Dërguari i Allahut në namazin e xhumasë lexonte kaptinën "El Xhumua" në rekatin e parë, përderisa në rekatin e dytë e lexonte kaptinën "El Munafikune", e këto dy sure thuajse janë të barabarta në ajete. Gjithashtu transmetohet se ai në rekatin e parë lexonte kaptinën "El A'la", ndërsa në të dytin "El Gashije". Që të dyja këto kaptina janë të barabarta.(16)

Leximi i preferuar në namazin e drekës

Në namazin e drekës është mirë të lexohet Kuran sikurse në namazin e sabahut, apo diç më pak se aq.
Transmetohet në koleksionin e Muslimit, dhe në të tjerëve, nga Ebu Seid El Hudriu: "Na ka treguar Shejban bin Ferruh, na ka treguar Ebu Avaneh, nga Mensuri, ky nga El Velid Ebu Bishër, ky nga Ebu Sadik En Naxhij, e ky nga Ebu Seid El Hudriu, se i Dërguari i Allahut në namazin e drekës, në rekatin e parë lexonte përafërsisht tridhjetë ajete, e në rekatin tjetër pesëmbëdhjetë ajete apo sa gjysma (e rekatit të parë)."(17)
Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut në namazin e drekës kishte lexuar kaptinën "Et Tarik" dhe "Esh Shems".(18)
Ebu Katadeh transmeton nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut në namazin e drekës, në dy rekatet e para lexonte Fatihanë dhe nga një kaptinë, përderisa në dy rekatet e fundit vetëm Fatihanë, e ndonjëherë ajetet i lexonte me zë; e në rekatin e parë e zgjaste më tepër, e kështu nuk vepronte në rekatin e dytë. Kështu thuajse vepronte edhe në ikindi e sabah."(19)

Leximi i preferuar në namazin e ikindisë

Në namazin e ikindisë dhe jacisë është mirë të lexohen kaptinat e xhuzit të fundit, që janë mesatare. Përafërsisht është e rekomanduar të lexohen njëzet ajete pos Fatihasë.
Transmetohet nga Ebu Hurejre dhe Xhabir bin Semurete, se i Dërguari i Allahut në namazin e ikindisë e lexonte kaptinën "El A'la" dhe "El Gashijeh".

Leximi i preferuar në namazin e akshamit

Në namazin e akshamit duhet të lexohen kaptinat
e shkurtra, gjegjësisht kaptinat që kanë nga pesë apo gjashtë ajete.(20) Transmetohet se i Dërguari i Allahut në namazin e akshamit ka lexuar kaptinat "El Felek" dhe "En Nas".(21) Argument për leximin e kaptinave të shkurtra në namazin e akshamit është shkresa e Omerit dërguar Ebu Musa El Eshariut, ku e porosit: "Lexo në namazin e sabahut dhe të drekës kaptinat e gjata, në ikindi e jaci kaptinat mesatare, përderisa në aksham kaptinat e shkurtra ... !"(22) Në namazin e akshamit preferohet të mos stërzgjatet leximi i kaptinave, mirëpo leximi të jetë sa më i shkurtër, madje as të mos shtyhet fare namazi i akshamit, për dallim nga kohët tjera të namazit.

Leximi i preferuar në namazin e jacisë

Në namazin e jacisë, siç e kam thënë më lart, të lexohet aq sa lexohet në namazin e ikindisë, që nënkupton leximin e kaptinave mesatare, e që janë në pjesën e fundit të Kuranit." Ndërsa në namazin e vitrit është transmetuar se i Dërguari i Allahut në rekatin e parë ka lexuar kaptinën "El-A'la", e në të dytin "Kafirun", ndërsa në të tretin kaptinën "El-Ihlas". Gjithashtu transmetohet se ai në namazin e vitrit i bashkonte nëntë kaptinat e shkurtra; në rekatin e parë lexonte kaptinat "Kadr", "El Zilzal" dhe "Et Tekathur", në të dytin kaptinat "El Asr", "Kevther" dhe "El Fet'h", kurse në të tretin "El Kafirun", "El Mesed" dhe "El Ihlas".(24)
Kasani në kryeveprën e tij, për leximin e Kuranit gjatë kohëve të namazit sjell mendimin e Kerhit, ku thotë: "Në namazin e sabahut, për atë që është vendas (jo mysafir), duhet të jetë nga tridhjetë deri në gjashtëdhjetë ajete në rekatin e parë, pa llogaritur Fatihanë, kurse në rekatin e dytë mes njëzet e tridhjetë ajeteve. Në namazin e drekës, gjatë dy rekateve të lexojë aq sa lexon në rekatin e parë të namazit të sabahut. Gjatë namazit të ikindisë dhe jacisë të lexojë njëzet ajete, pa llogaritur këtu Fatihanë. Në namazin e akshamit, gjatë dy rekateve të para të lexojë Fatihanë dhe një kaptinë të shkurtër." Më pas thotë: "Ky transmetim është prej transmetimeve më të pëlqyera, e që e transmeton El Mual-la nga Ebu Jusufi, e ky nga Ebu Hanife."
Diferenca e leximit të Kuranit mes namazeve ka gjasë të jetë si pasojë e ndryshimit të gjendjes së njerëzve, për shkak se namazi i sabahut është në kohën e gjumit dhe pakujdesisë, andaj preferohet leximi i më shumë ajeteve, në mënyrë që ata të mos e humbin shansin e namazit kolektiv (xhematit). Kështu qëndron puna edhe me namazin e drekës, ku sidomos gjatë verës dhe për shkak të nxehtësisë një pjesë e njerëzve bëjnë një gjumë të lehtë, andaj edhe preferohet zgjatja e namazit. Koha e ikindisë është koha e kthimit të njerëzve nëpër shtëpitë e tyre, andaj edhe leximi është më i shkurtër, sikurse që bëhet një lexim i tillë edhe gjatë kohës së jacisë, për shkak se atyre u është ofruar koha e gjumit. Ndërsa koha e akshamit është koha e ngrënies së ushqimit, prandaj është shkurtuar leximi i ajeteve kuranore për shkak të mos durimit për ushqim, me theks të veçantë për agjëruesit. Kjo padyshim që dallon nga ndryshimi i kohës, imamit dhe njerëzve.(25)
Kjo ishte sa i përket preferencës, prandaj nuk duhet kuptuar si kushtëzim i leximit brenda kohëve të namazit sepse shpeshherë, për shkak të pjesëmarrjes së njerëzve të ndryshëm, me theks të veçantë të atyre që janë të shtyrë në moshë dhe të atyre që janë të sëmurë, obligohet që imami të mos e zgjatë shumë, sepse në mesin e namazfalësve ka të sëmurë dhe të shtyrë në moshë, e që nuk mund të qëndrojnë gjatë në namaz.


________________________
(1) Thën Kudameh, El Mugni, v.II, f. 164.
(2) Kasani, Bedaiu-s Sanai, v.II, f. 43.
(3) Feridudin Alim bin El Ala Ed Dehlevi, El Fetava Et Tataruhanijeh, me koment të Shebijra Ahmed El Kasimi, mektebetu Zekerija Budjubenud, Hind, v.II, f. 58.
(4) Leknevij, Umdetu-rr Rriajeh ala sherhi-l vikajeh, v.II, f. 119.
(5) Zejleiu, Tebjinu-l Hakaik, v.l, f. 129.
(6) Për më tepër për këtë çështje shih: Zejleiu, Nasbu-rr Rrajeh, v.l, f. 487.
(7) Kasani, Bedaiu-s Sanai, v.l, f .. 205; Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.l, f. 343.
(8) Zejleiu, Nasbu-rr Rrajeh, bot.l-rë, Daru-l Hadith, Kajro-Egjipt, 1415-1995, v.II, f. 11.
(9) Ebu-l Mealij, El Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.l, f. 344.
(10) Muslimi në Sahih, nr.461; Tirmidhiu në Sunen, nr.306; Ibën Maxheh në Sunen, nr.818. Hadithi është autentik.
(11) Bejhekiu në Sunen El Kubra, nr.4012. Ngjashëm me të përcjell edhe Kutbetu bin Malik, i cili thotë: "U fala dhe i Dërguari i Allahut na printe në namaz, e ai lexoi nga kaptina "Kaf" derisa arriti te fjala: "Dhe rritëm trungje të gjata hurmash ... " (Kaf: 10), thotë transmetuesi: "Unë vazhdova ta përsëris këtë ajet dhe më nuk dita çfarë lexoi." Muslimi në Sahih, nr. 165 (457).
(12) Muslimi në Sahih, nr. 164 (456); Nesaiu në Sunen, nr.951. Albani thotë se hadithi është autentik. Ahmedi në Musned, nr.18733.
(13) Buhariu në Sahih, babu-l xhehri bikiraeti salati-l fexhri.
(14) Bejhekiu në Sunen El Kubra, nr.5284.
(15) Muslimi në Sahih, nr. 65 (880); Thën Huzejme në Sahih, nr.533; Ahmedi në Musned, nr. 3325.
(16) Kasani, Bedaiu-s Sanai, v.II, f. 48-49.
(18) Muslimi në Sahih, nr.452.
(19) Kasani, Bedaiu-s Sanai, v.II, f. 45-46.
(20) Buhariu në Sahih, nr. 776.
(21) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.II, f. 46.
(22) Nga Abdullah bin Mesudi transmetohet se i Dërguari i Allahut në namazin e akshamit lexonte kaptinën "Kafirune" në rekatin e parë, përderisa në të dytin kaptinën "Ihlas".
(23) Zejleiu, Nasbu-rr Rrajeh, bot.l-rë, Daru-l Hadith, Kajro-Egjipt, 1415-1995, v.II, f. 11.
(24) Ebu-l Mealij, EI-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.l, f. 346; Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.II, f. 46; Zejleiu, Nasbu-rr Rrajeh, v.ll, f. 11; Leknevij, Umdetu-rr Rriajeh ala sherhi-l vikajeh, v.II, f. 120-121.
(25) Ebu-l Mealij, El Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.l, f. 347.
(26) Kasani, Bedaiu-s Sanai, v.ll, f. 47.



Mr. Ejup Haziri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi