Frika nga Allahu Fuqiplotë

Frika nga Allahu xh. sh. është një ndër cilësitë më të larta të robërve të mirë të Allahu xh.sh. Të ashtuquajturit "Ibadun Salihun," janë gradë e lartë me të cilën janë cilësuar pejgamberët e Zotit, engjëjt e Tij, dhe gradë që e kanë arritur sahabët (shokët e Muhamedit a.s.) si dhe gjeneratat pas tyre, si: tabiinjtë etj.

Frika nga Allahu argumenton njohjen dhe respektin e lartë që posedon robi ndaj Tij, e po ashtu është argument i besimit (imanit) dhe adhurimit të sinqertë ndaj Tij. Thotë Allahu në Kuran: "Dhe njëri-tjetrit i qasen duke pyetur (për punët e tyre në këtë botë). (Këta) Thonë: Ne edhe kur ishim në familjet tona ishim ata që frikësoheshim. E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti nga dënimi i erës (flakës) së nxehtë të zjarrit. Ne më parë ishim ndër ata që e lutëm Atë, e Ai është Bamirës dhe Mëshirues." (Et Tur, 25- 28)
Allahu xh.sh. në këtë ajet na sqaron se frikërespekti i tyre ndaj Allahut në këtë botë qe shkak për shpëtimin e tyre nga dënimi i Xhehenemit në Ditën e Gjykimit.
Allahu xh.sh. i ka përshkruar engjëjt me frikë ndaj Tij, kur thotë: "I frikësohen dhe i përulen Zotit të tyre, që është lart mbi ta, dhe bëjnë çfarë urdhërohen." (En Nahl, 50)
Në qoftë se engjëjt e Zotit janë ata që nuk i bëjnë mëkate Allahut në atë çka janë urdhëruar, dhe bëjnë atë që kërkohet prej tyre nga frika ndaj Allahut, atëherë si qëndron puna e njeriut që vazhdimisht bën mëkate dhe të këqija, dhe këmbëngul në atë aq sa nuk ka frikë; është i pakujdesshëm, dhe nuk përulet! Vërtet më së shumti frikë nga Allahu ka ai që kontrollon veten e tij, duke i pasur parasysh dobësitë dhe të metat, gjë kjo që e detyron ta njohë Atë, të ketë respekt dhe turp ndaj Tij, sepse vetëm Ai meriton të adhurohet, respektohet e madhërohet. Sa i shtohet robit njohja e Allahut, aq i shtohet frika ndaj Tij. Mu për këtë arsye Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ishte që më shumti kishte frikë nga Allahu, ngase ai e ka njohur më së miri Atë.
Ka thënë Aisheja (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!): "Ka thënë Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!): "Unë jam më i dituri për Allahun, dhe më i frikësuari ndaj Tij." (Transmeton Buhariu, hadithi i 20-të)
Frika nga Allahu është fryt i besimit (imanit) dhe bindjes, dhe sa të forcohet besimi (imani) dhe të të rritet bindja, aq më tepër shtohet frika ndaj Allahut. Kjo frikë lë gjurmë në zemrën tënde duke shfaqur moralin tënd te gjymtyrët dhe veprat tua, me respekt, prehje, devotshmëri, qarje etj, Fshehtësia e kësaj urtësie është se besimi (imani) e çon njeriun në vërtetimin e Ditës së Gjykimit dhe përkujtimin e vdekjes dhe varrit dhe errësirën në të, Xhehenemin dhe zjarrin e tij, e besimtari jeton mes shpresës për Xhenet dhe frikës nga Xhehenemi. Pra, ai i kupton mangësitë e bëra gjatë adhurimit, përkujtimit të Allahut, dhe kështu te ai mbizotëron frika, dhe më ky rob nuk duket përveçse i qetë e modest, duke shpresuar në mëshirën e Zotit dhe duke u frikësuar nga dënimi i Tij. Si të mos ketë frikë ndaj Zotit të tij?! Ai i ka urdhëruar robërit e Tij që të kenë frikë dhe drojë nga Ai, që t'i ruhen hidhërimit dhe dënimit të Tij. Allahu xh.sh. thotë: " ... dhe të më kini frikë vetëm Mua!" (El Bekare, 40). Pastaj: "Dhe për atë që i frikësohet daljes para Zotit të tij, për të do të jenë dy xhenete." (Err Rrahman, 6)

Shenjat e frikës ndaj Allahut xh.sh.

Vërtet ai që ka frikë Allahun xh. sh. me një frikë të vërtetë, te ai patjetër duhet të shihen shenjat e gjurmët e frikës, që nga gjymtyrët, veprat, të folurit, dhe ai nuk shihet ndryshe vetëm se i qetë, modest, i frikësuar çdo herë që përmendet dënimi i Allahut. Pastaj është i ndaluar dhe i kujdesshëm ndaj kufijve të Zotit xh. sh., ambicioz dhe me vullnet për punë të mira, i larguar nga mëkatet etj. Nga shenjat më të dukshme tek ai janë:
1. Devotshmëria në fshehtësi dhe dukje. Esenca e devotshmërisë është të bësh pengesë në mes teje dhe dënimit, dhe hidhërimit të Allahut xh. sh., e kjo nuk arrihet përveç kur robi ka parasysh Lartmadhërinë e Allahut xh. sh, fuqinë e Tij, mbikëqyrjen e pashmangshme të Tij mbi të dhe të gjitha krijesat, frikën nga dënimi, largimin nga mëkatet dhe ndalesat, zbatimin e urdhrave të Tij, të munduarit në punë të mira etj. Allahu xh. sh. thotë: "O ju që besoni, kini frikë Allahun me një frikë të vërtetë, dhe mos vdisni ndryshe përveç duke qenë myslimanë." (Ali Imran, 102)
Ka thënë Hasan El Basriu: "I frikësuar është ai që ka frikë ndaj ndalesave (harameve) të Zotit, dhe i cili punon e i nënshtrohet urdhrave të Tij." Ndërsa Umer Abdul Azizi në lidhje me këtë thotë: "Nuk është devotshmëri në Allahun agjërimi ditën (vullnetar/nafile) dhe falja e namazit natën (vullnetar/nafile), por devotshmëri është braktisja e ndalesave dhe zbatimi i urdhrave të Tij, e kush furnizohet me këto dy të mira vetëm se është furnizuar me mirësi mbi mirësinë."
2. Llogaritja e vetvetes. Llogaritja e vetvetes është një nga shenjat më të rëndësishme të frikës ndaj Allahut xh.sh. Allahu thotë në Kuran: "O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe përmbushni detyrat ndaj Tij, dhe le të shikojë secili se çfarë ka përgatitur për të nesërmen, dhe kini frikë Allahun. Vërtet Allahu e di në detaje atë që punoni!" (El Hashr.18)
Ai që i kërkon llogari vetvetes e zbulon gabimin e vet, e kush zbulon gabimin e vet e përkujton pendimin dhe kërkon falje nga Allahu, e kush pendohet dhe kërkon falje prej Tij, atij vetëm se i është dhuruar një mirësi (begati) e madhe, dhe shpëton, me lejen e Zotit, nga dënimi i Tij.
Abdullah bin Mesudi r.a. transmeton se Muhamedi a.s ka thënë: "Në Ditën e Kiametit nuk ka rob që s' do të pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij, - se si e ka kaluar; për rininë e tij, - se në çka e ka shfrytëzuar; për pasurinë e tij, - se si e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar; dhe për diturinë, - se çka ka punuar me të. (Transmeton Tirmidhiu, Sahihul-xhami', 7299)
Thotë Hasan El Basriu: "Besimtari gjithherë i kërkon llogari vetvetes, se çka deshi të punojë, e çka të hajë e të pijë, kurse mëkatarit i shkon koha e nuk i kërkon llogari vetvetes." Ka thënë gjithashtu: "Vërtet robi vazhdon të jetë në mirësi deri sa në veten e tij ka një këshillues dhe një përkujtues për llogaritjen e vetes."
3. Qarja nga frika prej Allahut xh. sh. Pa dyshim se zemra që përzihet me dashurinë ndaj Allahut dhe me frikën ndaj Tij do të jetë zemër e butë, e qetë dhe e frikësuar. Nuk ka mundësi që t'i kalojë ndonjë ajet kuranor që përshkruan mëshirën dhe ndëshkimin e të mos lë gjurmë të thellë në zemrën e tij, zemër që më pas shkakton daljen e lotëve. Është fjala për lotët e frikës dhe shpresës, e Allahu, duke e përshkruar besimtarin, thotë: "Dhe ata bien me fytyrë për toke (në sexhde), duke qarë, dhe kjo ua shton nënshtrimin (ndaj Zotit)" (El Isra,109) Thotë po ashtu I Lartmadhërishmi: "A nga ky rrëfim (Kurani) po habiteni?! E po qeshni e nuk po qani?!" (En Nexhm, 59 dhe 66)
Transmeton Enesi r.a., dhe thotë: "Na ligjëroi i Dërguari i Allahut një ligjërim, e që nuk kam dëgjuar asnjëherë sikur ai, dhe na tha: "Sikur ta dinit atë që e di unë, do të kishit qeshur shumë pak dhe do të kishit qarë shumë." Kurse Enesi thotë: "Shokët e Muhamedit mbuluan fytyrat e tyre dhe filluan të qajnë." (Buhariu 8/210, dhe Muslimi 2359). Ka qenë Muhamedi, a.s. njeriu që më së shumti qante nga frika ndaj Allahut. Transmeton Abdullah bin Hajri, dhe thotë: "Erdha te i Dërguari, dhe ai ishte duke u falur, me ç'rast nxirrte nga brendësia (e barkut) të tij një zë frikësues nga qarja." (Transmeton Ebu Davudi, hadithi i 904-të, me sened të vërtetë). Kur i përmendej vdekja Umer bin Abul Azizit r.a, qante aq shumë saqë i lagej mjekra nga lotët e shumtë; dhe një natë qau aq shumë, saqë qau e tërë familja e tij. Pasi që u ndal, Fatimja, gruaja e tij, e pyeti: "Më trego, për Zotin, o sundues i besimtarëve, përse qave aq shumë?" Tha: "Përkujtova njerëzit në Ditën e Gjykimit, kur paraqiten para Zotit në dy grupe: Grupi që hyn në Xhenet dhe grupi që hyn në Xhehenem."

Frytet dhe dobitë e frikës prej Allahut xh.sh.

- Frika prej Allahut është shpëtim nga hidhërimi dhe dënimi i Tij. Muhamedi a.s. ka thënë: "Nuk e përshkon zjarri njeriun që qan nga frika prej Allahut, si dhe nuk bashkohet pluhuri (i goditur) në rrugën e Allahut dhe tymi i Xhehenemit." (Transmeton Tirmidhiu, me sened të mirë (hasen) 1633)
A nuk është dobia dhe fryti më i madh i frikës ndaj Allahut shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit? Sepse kush ia ka frikën Allahut në këtë botë, ai e siguron botën tjetër. Kush ndjek rrugën e shpëtimit, cilësohet dhe kujdeset për respektin ndaj Allahut, në fshehtësi dhe duke përmirësuar gjendjen e tij, dhe përforcohet edhe më tepër në rrugën e udhëzimit duke shpresuar shpërblimin e Allahut xh. sh., pra i mbështetur në Të dhe i penduar tek Ai.
- Nga frytet e frikës ndaj Allahut gjithashtu është se robi në Ditën e Gjykimit hyn nën hijen e Arshit të Allahut, kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij.
Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: "Shtatë (lloje njerëzish) Allahu do t'i futë nën hijen e Tij, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Allahut: 1. Sunduesi i drejtë; 2. I riu që rritet në adhurim ndaj Allahut; 3. Njeriu, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë; 4. Dy persona që e duan njëri-tjetrin vetëm për hir të Allahut, që kur të takohen, takohen vetëm për hir të Allahut, dhe kur ndahen, ndahen vetëm për hir të Allahut; 5. Personi që refuzon një grua të bukur dhe të pasur, pasi që ajo ta ketë ftuar (për marrëdhënie imorale), duke thënë: "Unë i frikohem Zotit!" 6. Ai që qan kur e përkujton Allahun në vetmi, dhe; 7. Personi që jep lëmoshë, duke mos ditur dora e majtë e tij për atë se çka ka dhënë dora e djathtë e tij. (Buhariu 2/19, dhe Muslimi 1031)

Për fund

Assesi mos të të mashtrojnë kënaqësitë e kësaj jete, shpresat e kota, e as cytjet e djallit, por forcoje veten tënde në frikën ndaj Allahut, respekt ndaj Tij, si dhe pikëllohu dhe qaj për mëkatet tua; bëje pengesën mes teje dhe dënimit të Zotit, e largohu nga ndalesat (haramet)! Pranoji të lejuarat (hallallet), çdo herë që bën një punë të mirë, shpreso në shpërblimin e Allahut dhe në mëshirën e Tij, kurse çdo herë që bën një punë të keqe, pendohu dhe ki frikë nga hidhërimi i Tij; kujtoje se loti që del nga sytë e të frikësuarit është i shtrenjtë tek Allahu!



Ma. Sc. Burim Bibaj


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi