Çfarë i premtoi pejgamberi Muhamed (a.s.) botës?

Muhamedi (a.s) është padyshim krijesa më e mirë e njerëzimit, për arsye se mirësia e tij nuk u kufizua brenda një shoqërie apo një kombi, por përfshiu gjithë kombet dhe komunitetet. Ai është njeriu i vetëm të cilit bota, pa marrë parasysh kufijtë e saj gjeografikë, besimet apo dallimet racore, i detyron borxhin më të madh të mirënjohjes.

Koha në të cilën atij i zbriti shpallja hyjnore ishte një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore. Me të nisur zbritja e shpalljes, Muhamedi (a.s), tashmë i Dërguari i Allahut të Lartësuar me revelatë hyjnore, u ndërgjegjësua për misionin e tij, 'përveshi mëngët' dhe nuk pati forcë e as pengesë ta ndalonte. Nevoja për reformim total të shoqërisë atë e udhëhoqi drejt tri premtimeve madhore që ia bëri botës, e të cilat janë:
1. Largimi nga adhurimi i zotave të rremë për të, dhe njohja dhe adhurimi i Zotit të vërtetë, Një dhe të Vetëm;
2. Dalja nga ngushtësitë e kësaj bote në gjerësitë e Ahiretit, dhe;
3. Largimi nga padrejtësitë e 'feve'tokësore e të devijuara, në drejtësinë e Islamit.
Në Kuranin famëlartë, pejgamberi Muhamed (a.s) u njoh nga Allahu i Lavdishëm me epitetin "Rahmetun lil-alemin", mëshirë për gjithë botët, element ky shumë i nevojshëm për realizimin e këtyre premtimeve dhe objektivave globale.
Para Islamit, Arabia nuk kishte një rend shoqëror të mirëfilltë dhe rëndësi historike. Arabët bënin një jetë të degraduar moralisht dhe ishin të robëruar shpirtërisht ndaj epsheve dhe pasioneve kafshërore. Jeta e tyre nuk kishte ndonjë kuptim, arsye apo qëllim specifik për të cilin ia vlente të jetohej apo vdisej. Shpirti njerëzor po priste një rreze drite në burgun e errët shoqëror në të cilin ndodhej, një shenjë për të filluar ndryshimin e madh për fitimin e lirisë së vërtetë.
Kjo rreze drite filloi shkëlqimin e saj në qytetin e Mekës, kryeqendrës së idhujtarisë së asaj kohe, në vitin 610, me Muhamedin, të birin e Abdullahut. Islami si fe e shpallur dhe e emëruar e tillë nga vetë Zoti I Gjithësisë, është feja që do të mbështillte dhe mahniste botën me madhështinë e saj.
Kjo fe "e vjetër dhe e re njëkohësisht", me gjithë potencialin e saj, synonte jo vetëm risistemim të marrëdhënieve familjare dhe shoqërore, por njëkohësisht kërkonte përmbysje totale në besim, kulte dhe zakone prapanike pagane, me të cilat identifikohej Arabia e asaj kohe, por jo vetëm.
Për njerëzimin ky ishte bekimi më i madh, pasi i çliroi njerëzit, burra apo gra qofshin, nga adhurimi i idhujve dhe zotave të rremë. I orientoi drejt njohjes së Allahut të Lartësuar, Zotit të Vetëm që ekziston dhe meriton të adhurohet. Pejgamberi (a.s) e zhveshi veten nga çdo atribut hyjnor, duke u njohur dhe prezantuar thjesht si rob dhe i Dërguar i Zotit. Ky është thelbi i Tevhidit-Njëshmërisë së Zotit; njohja dhe adhurimi i Tij pa të meta dhe çlirimi nga robëria ndaj krijesave. Pa dyshim që kjo është mirësia më e madhe në jetën e njeriut, një nga premtimet që ky pejgamber iu zotua botës, e të cilin e realizoi me sukses në teori dhe praktikë.
Islami, kjo lëvizje që u proklamua nga pejgamberi i ri, hasi në një rezistencë të fortë dhe të ashpër nga aristokracia e asaj kohe, e cila sundonte shpirtrat dhe trupat e mbështetësve. Ky ishte fillimi i luftës për jetë a vdekje ndërmjet kultit të rremë të idhujve dhe besimit në Allahun si Zot të Vetëm. Besimi në kultin e idhujve e kufizonte gjithçka me këtë botë; për ta kjo botë ishte dynjaja dhe ahireti. Nga ana tjetër, besimi të cilin predikonte pejgamberi Muhamed (a.s) i kapërcente kufijtë e kësaj bote, pa e anashkaluar këtë të fundit. Sipas pikëpamjes pejgamberike, kjo botë- dynjaja, është trampolinë për në botën tjetër; vend testimi ku njeriu vlerësohet për veprat dhe punët e tyre, dhe nëpërmjet tyre presin faturën për në Xhenet ose Xhehenem. Për një shoqëri që ishte larguar krejtësisht nga mësimet hyjnore dhe e zhytur thellësisht në injorancë dhe besëtytni, besimi në botën tjetër ishte diçka e pakapshme, e paarritshme për mendjet dhe shpirtrat e tyre. Në disa versete kuranore dhe hadithe pejgamberike poashtu, menjëherë pas besimit në Allahun e Lartësuar, përmendet besimi në botën tjetër. Për shembull, në një thënietë saktë pejgamberike thuhet: "Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!". Shembuj të tillë gjenden plot në literaturën islame të lartpërmendur. Ky është element tregues për vlerën që përmban besimi në botën tjetër, ndikimi që ai jep në shoqëri dhe reflektimi rreth problemeve të shoqërisë së asaj kohe. Kur njeriu veprat në jetën e kësaj bote i harmonizon me nijetin dhe veprat për botën tjetër, duke formuar një ekuilibër të qëndrueshëm, arrin gradën në të cilën e ka emëruar Allahu, si mëkëmbës i Tij në tokë. Ky ekuilibër ndërmjet Dynjasë dhe Ahiretit përmblidhet në një lutje, të cilën Pejgamberi (a.s) e bënte shpesh dhe e donte shumë: "O Allah, na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, e na ruaj nga dënimi me zjarr!" Pejgamberi Muhamed (a.s) ishte emancipuesi suprem i njerëzimit, shpëtimtar i qytetërimit të virtyteve, i cili nxorri nga humnerat e Dynjasë në fushat e gjera të Ahiretit jo vetëm një popull por gjithë njerëzimin, duke qenë se mesazhi i tij ishte botëror. Ai i kapërceu kufijtë materialistë të kësaj bote, pa i shembur krejtësisht ato. Në pikëpamjen e Pejgamberit, ruajtja e balancit ndërmjet dy botëve është çelësi i suksesit në Dynja dhe Ahiret.
Siç u përmend dhe mësipër, shoqëritë në përgjithësi, e ajo arabe në veçanti, kishin arritur në fazë kritike, ku vlerat ishin thuajse krejtësisht të zhdukura dhe ishte forca ajo që bënte rolin "edhe të ligjit, edhe të maliqit" . Padrejtësia kishte zaptuar çdo sferë të jetës, por edhe çdo kënd të shpirtrave njerëzor. Padrejtësitë ndaheshin dhe ndahen në 3 lloje: padrejtësi ndaj Zotit, padrejtësi ndaj njerëzve dhe padrejtësi ndaj vetes. Dy prej padrejtësive më të mëdha të cilat mbisundonin në atë kohë ishin: shirku dhe varrosja e foshnjave vajza e të gjalla. Shirku apo idhujtaria është padrejtësia më e madhe, e cila përkthehet si mosmirënjohje ndaj Zotit, ndaj të mirave që Ai jep. Mbytja e foshnjave të pafajshme është padrejtësi që krijesa i bën krijesës, tregues ky i mungesës së besimit në Zot dhe zvetënimit të ndjenjave njerëzore. Të dyja këto padrejtësi reflektojnë në jetën e njeriut duke e dëmtuar drejtpërdrejt. Për ta luftuar këtë padrejtësi që kishte prekur thellësisht çdo hallkë shoqërore, duhej shkatërruar themeli i saj, i cili kishte hedhur shtat, sikur bima e kungullit mbi trupin e plepit të lartë. Pikërisht, këtu nisi edhe zanafilla e drejtësisë islame, me Njëshmërinë e Zotit. Teuhidi është thelbi i drejtësisë, baza dhe themeli i një shoqërie të shëndoshë mbi baza hyjnore. Ai e largon njeriun nga robërimi i njeriut, duke pranuar t'i robërohet vetëm Zotit, robëri e cila është pikënisja e drejtësisë dhe lirisë së vërtetë. Sa më shumë t'i robërohet njeriu Allahut të Lartësuar, aq më shumë fiton liri dhe bëhet i drejtë.
Nëse Islami është harmoni e forcave të kundërta, trupore dhe shpirtërore, atëherë personifikimi ideal i kësaj harmonie është figura e pejgamberit Muhamed (a. s), të Dërguarit të fundit të Zotit. Kur Kurani deklaron se Muhamedi (a.s) është vetëm njeri dhe vë në dukje anën njerëzore të karakterit të tij, ai nuk e ul pejgamberin, por lartëson njeriun. Sipas Kuranit, ai nuk është as shenjtor e as engjëll, por është pikërisht njeriu në formën më të përsosur nga krijesat e Zotit. Muhamedi (a.s) ka qenë njeri, më i madhi që ka ekzistuar ndonjëherë. Premtimet që ai u zotua t' i mbajë, arriti t' i mbajë me sukses të plotë, siç nuk janë regjistruar askund dhe asnjëherë më parë. Kjo është një nga dëshmitë që figura e tij qëndron lart, aq lart saqë mbi 1.5 miliard njerëz ndjekin shembullin e tij.



Anderson Marku


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi