Jemi dëshmitarë të shumë trazirave që po ndodhin nëpër botë, e shumë analistë, gazetarë dhe media të ndryshme nuk hezitojnë që Islamin ta paraqesin shkaktarë të tyre. Por, në fakt si na mëson Islami që të sillemi me të tjerët, çfarë ishte shëmbëlltyra e Muhamedit a.s.? Për këto dhe shumë pyetje të tjera do të mundohemi t'i sqarojmë më poshtë.

S'ka dyshim se feja Islame është fe e butësi së, mirësisë dhe dashamirësisë. Ajo kërkon që njeriu të jetë i butë, i njerëzishëm dhe i mëshirshëm me vëllezërit e tij. E tërë jeta e myslimanit, besimi i tij, ibadeti i tij, morali i tij dhe marrëdhëniet e tij ndërnjerëzore duhet të jenë të ndërlidhura me butësinë. Me këtë cilësi, është dërguar krijesa më e nderuar. mbi sipërfaqen e tokës, zotëria ynë, Muhamedi s.a.v.s., i cili kërkonte nga njerëzit të jenë të butë e të mëshirshëm ndërmjet veti.(1) Ai i ftoi njerëzit në Islam me mençuri dhe këshilla të bukura ashtu siç e urdhëroi Allahu xh.sh. në Kuran:
"Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira ...!" (EnNahl,125)
Ajeti tjetër: "Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri...!" (El-Ankebutë, 46)
Allahu i Madhëruar na e bën të qartë pozitën dhe prestigjin e më të dashurit të Tij, Muhamedit a.s. dhe na tregon shkakun se përse njerëzit e deshën dhe iu bashkëngjitën radhëve të tij! Pra, ishte pikërisht mëshira dhe butësia e madhe e tij ajo që i përfitoi zemrat e njerëzve.
Siç thotë Allahu në Kuranin famëlartë lidhur me të: "Ti (o Muhamed) ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falu atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që i mbështeten!" (Ali Imran, 159)
Kurani i Madhëruar nëpërmjet këtyre ajeteve na ka treguar të vërtetën e butësisë dhe na thërret të gjithë neve (myslimanëve) që të sillemi me butësi me të gjithë njerëzit, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në realizimin e qëllimeve tona (e që është thirrja në Islam - daveti).
Tregohet se kur një da'i (thirrës islam) e kishte këshilluar Kalifin e myslimanëve me një ton tepër të ashpër dhe të vrazhdë, Kalifi, me mençuri ia kishte kthyer: "O dijetar, tregohu i butë e i mëshirshëm, ngase Allahu ka dërguar atë që ka qenë më i mirë se ti, tek ai që ka qenë më i keq se unë, ka dërguar dy Pejgamberët e Tij, Musaun dhe Harunin te krijesa më e keqe mbi sipërfaqen e tokës, Faraoni, i cili e kishte shpallur veten Zot dhe Allahu i kishte porositur ata: " ... Atij (Faraonit) i thoni fjalë të buta ... " (Ta Ha, 44). Pra në këto parime të shëndosha dhe në këtë rrugë hyjnore ka ftuar i Dërguari i Allahut a.s. umetin e tij. Me këto atribute dhe me këto virtyte i ka edukuar pasuesit e tij, të jenë të butë dhe të mëshirshëm me të gjithë njerëzit në marrëdhëniet e tyre ndërnjerëzore.

Butësia e Muhamedit a.s

I Dërguari i Allahut a.s., butësinë e ka konsideruar si njërën ndër adhurimet më të rëndësishme. Këtë e vërteton rasti kur Pejgamberi a.s. edhe pse kishte thënë që kënaqësia e syve të tij ka qenë në namaz, dhe se namazi është prej adhurimeve ku robi është më afër Krijuesit të tij, ai e kishte shkurtuar namazin me një rast kur kishte dëgjuar të qarën e fëmijës dhe këtë vetëm nga butësia dhe mëshira për nënën e tij (pra nga butësia për umetin e tij). Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
Pejgamberi a.s. i ngrite duart dhe lutej te Zoti i tij për atë që tregohej i butë ndaj të tjerëve. Imam Muslimi në "Sahihun" e tij shënon një hadith të cilin e transmeton Aisheja r.a. e cila thotë: "E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke u lutur në shtëpinë time (pasi që i kishte ngritur duart nga qielli) me këtë lutje: "O Zoti im, ai që e merr përsipër një çështje administrative të umetit tim dhe tregohet i ashpër me ta, edhe Ti tregohu i ashpër me të. Kurse ai që merr përsipër një çështje administrative të umetit tim dhe tregohet i butë me ta, edhe Ti tregohu i butë me të!".
Për butësinë dhe mëshirën e madhe që kishte Pejgamberi a.s. për umetin e tij, dëshmojnë edhe lutjet që bënte tek Zoti për faljen e tyre. Një ditë filloi të lutej ashtu siç ishte lutur Ibrahimi a.s.: "Zoti im! Ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua, ai është i imi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je që fal dhe që mëshiron". (Ibrahim, 36). Po ashtu, lutej siç ishte lutur edhe Isa a.s. për popullin e tij:"Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i Gjithëfuqishmi, i Urti!" (El Maide, 118). Pastaj i ngriti duart duke iu lutur Allahut xh. sh.: "O Zot, më fal umetin tim, o Zot, më fal umetin tim" dhe filloi të qaj i Dërguari i Allahut (paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin për të) nga butësia dhe mëshira që kishte për umetin e tij.
Resulullahi a.s., përveç që ishte i butë me njerëzit, ishte i butë edhe me kafshët. Në hadithet e tij na tregon se Allahu ia kishte falur mëkatet një njeriut që i kishte dhënë ujë për të pirë një qeni të etur. Kurse në anën tjetër, një grua kishte hyrë në zjarr për shkak të një maceje që e kishte lidhur dhe nuk i kishte dhënë asgjë për të ngrënë e as për të pirë derisa kishte ngordhur. E sot janë formuar një numër i madh i organizatave vendore e ndërkombëtare nëpër botë për t' i ruajtur kafshët nga shfarosja e tyre, sepse njerëzit janë të pangopur në brendësin e tyre, andaj nuk kanë kufi. Por kanë nevojë t' i rikthehen mësimeve të Islamit dhe shëmbëlltyrës së të dërguarit tonë.
Transmetohet se Pejgamberi a.s., një ditë hyri në kopshtin e një ensari (medinasi) dhe një deve u përkul (u gjunjëzua) në shenjë respekti ndaj Resulullahit a.s. Pejgamberi u afrua tek deveja e cila filloi të rënkoi (të ankohet) për keqtrajtimin që i bënte i zoti i saj. Kur dëgjoi Pejgamberi a.s. rënkimin e devesë, pyeti se kush është i zoti i kësaj deveje? Një djalë prej ensarëve tha: Unë o i Dërguar i Allahut. Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: "Përse i trajtoni kafshët në këtë mënyrë? A nuk po keni frikë Allahun? Kjo deve u ankua tek unë se ti e ke lënë pa ngrënë dhe e ke keqtrajtuar!" Salavatet dhe selamet qofshin për ty o i dashuri dhe ndërmjetësuesi ynë, o ti që ishe shumë i butë e i mëshirshëm për umetin tënd, ishe i butë me të gjithë njerëzit, me kafshët, me myslimanët dhe jo myslimanët, bile edhe me armiqtë e tu (idhujtarët).
Kurani fisnik thotë: "E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t'i dëgjojë fjalët e Allahut (Kuranin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt..." (Et-Teube,6)
Nga shembujt e butësisë së tij është edhe tregimi i Thumame ibën Uthalit i cili ishte njëri prej prijësve të fisit Beni Hanife. Ai ka qenë armik i përbetuar i Muhamedit a.s. dhe kishte luftuar ashpër kundër myslimanëve. Mirëpo, pasi e zunë rob, i paraqitën Islamin për tre ditë rresht. Kur e pa i Dërguari ynë se nuk dëshiron të hyjë në Islam, nuk e detyrojë me forcë ta përqafojë Islamin, por u tha myslimanëve që ta lirojnë, ngase e kishte falur. Njeriu pasi u lirua, filloi të mendoj thellë për atë që kishte ndodhur duke thënë në vetveten e tij: "Unë, armiku dhe kundërshtari i përbetuar i Muhamedit, e ai jo që nuk më detyrojë ta pranojë Islamin, por edhe më shpëtoj jetën time, vërtetë një gjë të tillë nuk e bën kush veç ai që ka moral profetik". Atëherë u pastrua dhe menjëherë shkoi tek i Dërguari i Allahut të cilit iu drejtua me këto fjalë: “O Muhamed, dije se nuk ka pasur qytet më të urrejtur për mua sesa qyteti yt, kurse tani është qyteti më i dashur për mua. Nuk ka pasur fytyrë më të urrejtur për mua sesa fytyra jote, ndërsa tani nuk ka fytyrë më të dashur për mua sesa fytyra jote e ndritur. Nuk ka pasur fe më të urrejtur për mua sesa feja jote, por tani nuk ka fe më të dashur për mua se feja jote, andaj dëshmoj dhe deklaroj se nuk zot tjetër pos Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut" . Pra, shikoni se si përqafoi Islamin, me butësinë dhe tolerancën e krijesës më të nderuar, Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
Pra, kjo është butësia e Pejgamberit a.s., të cilën e kishte rrënjosur thellë në shoqëri, duke kërkuar që të jemi të butë dhe të sjellshëm me të gjithë njerëzit, me kafshët, me myslimanët bile edhe me jomyslimanët.
Atëherë, nga ky vend i drejtohem botës mbarë, e veçanërisht të gjithë atyre që kanë mendje dhe arsye për të gjykuar drejtë, se a thua vallë, një fe e pastër sikurse kjo, meriton të quhet fe e vrazhdë dhe ekstreme siç po akuzohet kohëve të fundit në botën perëndimore? A thua vallë, Muhamedi a.s., të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për myslimanët dhe për jomyslimanët meriton të quhet "fashist" e "terrorist"? Allahu i Madhëruar e përshkruan me pak fjalë qëllimin e dërgimit të Muhamedit a.s. ku thotë: "E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët" (El-Enbija, 107). Sikur të zbatoheshin mësimet e tij (Muhamedi t a.s.) nuk do të kishte luftëra e trazira mbi sipërfaqen e tokës.
Myslimanët, kudo që ndodhen në rruzullin tokësor, duhet të kapen fort për fenë e tyre dhe t' i tregojnë botës se janë një popull që besojnë fuqishëm në Allahun e Lartmadhëruar, se feja e tyre është Islami, si dhe Muhamedi a.s. është Pejgamberi dhe i Dërguari i tyre.
Feja jonë e pastër, na thërret që të jemi të butë dhe të njerëzishëm me të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush e lëndon (dëmton) një të siguruar (dhimmij, jomysliman në shtetin islam), unë do të jem armiku i tij, e kujt i bëhem armik do ta luftoj atë në Ditën e Gjykimit".
Po ashtu ka thënë: "Kush i bën padrejtësi një të siguruari, apo e detyron në diçka që s'ka mundësi apo merr diçka pa dëshirën e tij, atëherë unë jam kundërshtari i tij Ditën e Gjykimit". I Dërguari i Allahut a.s. tregon se do të jetë armik i atij myslimani që i ka bërë padrejtësi jomyslimanit, po a ka ndonjë sistem apo organizatë në fytyrën e tokës që mbron nderin dhe të drejtat e njeriut ashtu siç mbrojte ti o i Dërguar i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin për ty?!

Për fund

Qëllimi i butësisë nuk është që të heqim dorë nga punët tona. Qëllimi i butësisë nuk është që të tregohemi të pakujdesshëm ndaj obligimeve tona me të cilat jemi të ngarkuar. Qëllimi i butësisë nuk është që të humbasim ato rregulla (parime) me të cilat vazhdon sistemi i jetës, por qëllimi apo synimi i butësisë është që obligimet tona t'i zbatojmë me njerëzi, të jemi përgjegjës për veprimet tona, të punojmë me nder dhe sinqeritet, e jo të jemi burokratë dhe të ashpër me njerëzit, por të mëshirshëm dhe të butë me ta në të gjitha rastet. Pra, ky është obligim që na urdhëron feja.
Feja Islame, me idealet e saja, me humanitetin e saj si dhe në marrëdhëniet e saja ndërkombëtare i mbron të drejtat e njeriut, të drejta të cilat janë shkelur padrejtësisht nga ata që ushtrojnë dhunë, nga tiranët, zullumqarët dhe mizorët. Pra, këto kritere mashtruese, na detyrojnë t' i drejtohemi botës së frikësuar se shpëtimi i vetëm i saj është kthimi në fenë e Allahut xh. sh.,
se shpëtimi, fitorja, siguria dhe mirëqenia në mbarë rruzullin tokësor do të mbizotërojë vetëm atëherë kur pasohen mësimet e krijesës më të pastër që ka ecur mbi sipërfaqen e tokës, e ky është i Dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s.



Ma. Sc. Burim Bibaj


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi