“Më e para shtëpi që është vënë për gjithë njerëzit, është ajo që gjendet në Mekë.” (Ali Imran, 96)
Thotë Zoti në Kuran: "Dhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë-luteshin): "Zoti ynë, pranoje këtë prej nesh! Me të vërtetë Ti je që Dëgjon dhe Di!" (El Bekare, 127)
Fjalët" duke i ngritur themelet" tregojnë se themelet e Qabesë ishin të ndërtuara, pasi, sipas shumicës së dijetarëve, ishte Ademi a.s. ai që e kishte ndërtuar më parë atë, ndërkaq tufani i Nuhut a.s. e kishte shkatërruar atë, për t' ia lënë vetëm themelet.
Fakti që tregon se Ademi a.s. është ai që e ndërtoi Qabenë është ajeti i Kuranit, që thotë: "Shtëpia e parë e ndërtuar është ajo në Beke." Meka ndryshe njihet edhe me emrin "Beke" - si në këtë ajet. Kjo për shkak se njerëzit në këtë vend qajnë shumë. (Beke d.m.th. qaj). Prandaj, nëse nuk qan në Mekë, si përkushtim ndaj Zotit, ku tjetër do të qash?! Aty është vendi ku qahet, saqë edhe vet emrin e ka marrë po nga e qara.
Ndërtesa e Qabesë, që e ndërtoi Ibrahimi a.s., ishte e lartë shtatë parakrahë, e gjerë njëzet e një parakrahë, dhe ishte pa çati. Gjatë gjithë kohës që e ndërtonin, Ibrahimi a.s. dhe Ismaili a.s. luteshin: "Zoti ynë, pranoje këtë prej nesh! Me të vërtetë Ti je që Dëgjon dhe Di!" (El Bekare, 127)
A ka nder më të madh se të ndërtosh Qabenë?!
Megjithatë, ata kishin frikë se mos Zoti nuk ua pranonte këtë mund. Më e ndershmja dhe më e vjetra shtëpi që është ndërtuar dhe ngritur në faqe të dheut për të kryer ibadetet të gjithë njerëzit, pra është ajo shtëpi që gjendet në vendin e quajtur Beke (Mekë). Ajo është më e para faltore e ndërtuar për t'u lutur çdo mysliman. Kur e kanë pyetur Pejgamberin a.s.: "Cila faltore është ngritur e para?" Pejgamberi a.s. ka thënë: "E para faltore është Qabeja, që e ka ndërtuar Ibrahimi, kurse pas dyzet vitesh është ngritur Bejti Mukadesi."
Fahri Raziu thotë se për ngritësin e parë të Qabesë janë thënë fjalë të ndryshme, por më e vërteta është se atë herën e parë e kanë ngritur engjëjt, me urdhrin e Zotit, në formë të Bejti Mamurit, që është në qiell, para se të jetë krijuar Ademi a.s., për ta pasur atë kibël në falje, dhe për të bërë tavaf gjithë njerëzit; sepse edhe në sheriat të Ademit, Shitit, të Idrisit dhe Nuhit ka pasur falje me sexhde, që nënkupton se doemos duhej një kibël, pra vend për t'u kthyer andej. Nga ky tregim kuranor nënkuptojmë se faltoret e vjetra janë më të vyeshme, sepse Allahu xh.sh. e vërtetoi ekzistimin e Qabesë më të vyeshme se Bejti Mukadesi, pra me ngritjen e asaj para Bejti Makdesit. Ajeti kuranor:
"Inne evvele bejtin" (Ali Imran, 96), u përkthye edhe me fjalët: "Më e ndershmja shtëpi është Qabeja". Por, mund të thuhet se më e ndershmja godinë në botë është Bejtull-llahi, sepse urdhërues i ngritjes së saj është Allahu xh. sh., arkitekt që ka hartuar planin e saj është Xhibrili, dhe ndërtues i saj është Ibrahimi a.s., duke pasur si punëtor të birin Ismail a.s. Virtyte të tilla nuk janë përmbledhur në një godinë tjetër në botë, e as nuk mund të përmblidhen më vonë.
Qabeja është vënë për të bërë ibadet të gjithë njerëzit
"Lel-ledhi bibekkeie" (Ali Imran, 96), është: "ajo që gjendet në vendin e quajtur Beke", që është qyteti i Mekës. Disa thonë se Beke quhet vendi në të cilin haxhilerët bëjnë tavafin rreth Qabesë, dhe Mekë është emri i gjithë (Haremi sherifit), vendeve të caktuara që dihen në atë qytet.
Vendit që është ngritur Qabeja dhe rrethit të saj u është thënë Beke, për arsye se aty mblidhen njerëzit me shumicë. Thuhet edhe se Mekë quhet Qabeja, dhe Beke është emër i atij qyteti.
Fahri Raziu thotë se sa vend i bekuar është Qabeja kuptohet vetëm kur njeriu të mendojë se ajo është si një pikë qendrore, e safat që drejtohen andej janë si vargjet që rrethojnë atë pikë. Pra, kur njeriu ka parasysh se
sa milionë njerëz janë kthyer për t' u falur andej, ndër të cilët doemos gjenden njerëz të mirë, shpirtkulluar e zemërndritur, atëherë e kuptojmë qartë që ai vend është tepër i bekuar. "Ve huden lilalemin" (Ali Imran, 96) - "Qabeja është edhe udhërrëfyes (kibël) për njerëzit mbarë". Kjo do të thotë se Qabeja është një shtëpi që tregon se të gjithë njerëzit duhet të kthehen andej kur të falin namaz. "Fihi ajatun bejjinatun mekamu Ibrahim" (Ali Imran, 96) -"Aty ka shenja të dukshme (që rrëfejnë se ajo është e respektuar më tepër se të tjerat), ndër të cilat është mekami i Ibrahimit".
Me mekamin e Ibrahimit është fjala për gurin që e ka vendosur ai nën këmbë kur e ka ngritur Qabenë, pra për t'i lartësuar muret e saj. Këtë gur të njohur e ka vendosur djali i tij, Ismaili, në mënyrë që Ibrahimi a.s. të hipte në të kur ndërtesa përparoi në lartësi e nuk mund të muroste më nga toka. Ky gur, që nga kohët e lashta e gjer në kohën e Omer bin Hatabit, ka qëndruar pranë murit të Qabesë, kur ai e largoi pakëz, në mënyrë që ata që faleshin tek ai të mos i pengonin të tjerët që bënin tavaf. Ato shenja në atë gur janë edhe sot e kësaj dite. Pra, ekzistimi i atij guri në Qabe tregon se Qabeja është më e vlefshme se Bejti Makdesi, sepse atë e ka ngritur i madhi Ibrahim a.s., e Bejti Makdesin e ka ngritur i madhi Sulejman a.s., e Ibrahimi a.s. dihet se është më i virtytshëm se Sulejmani a.s.
"Ve men dehalehu kane amina" (Ali Imran, 96) - "Dhe kushdo që futet aty, ai është i sigurt (nga sulmi i armikut dhe nga çdo cenim)". Ndër shenjat e dukshme që janë në Qabe, pra është edhe kjo: Kushdo që hyn aty, ai është i siguruar nga sulmi i armikut dhe nga çdo cenim tjetër, sepse gjithmonë ka qenë zakon i arabëve që një njeri që porsa futet në Harem, nuk sulmohet dhe nuk plaçkitet, dhe as nuk vritet prej askujt. Ky zakon është ruajtur deri në ditët e sodit. Transmetohet se Omeri r.a. ka thënë: "Sikur ta shihja edhe vrasësin tim në Harem, nuk do t'i bëja asgjë."
Ajeti nuk tregon se prej kujt është i sigurt ai njeri që futet në rreth të Qabesë, prandaj mund të thuhet se njeriu që futet aty është i sigurt edhe prej sulmit të armikut, por edhe prej dënimit të Allahut në ahiret, e kjo pasi ta kryejë detyrën e Haxhit; në qoftë se nuk bënë ndonjë mëkat të madh më pas. Ky sigurim i njeriut kuptohet edhe prej shumë fjalëve të shenjta të Pejgamberit a.s. Allahu ka mjaftuar që në këtë ajet të tregojë vetëm dy shenjat që u përmendën: Mekami i Ibrahimit a.s., dhe sigurimi i atij që futet aty, por mysafirët thonë se aty ka edhe shenja të tjera të dukshme:
- Vizituesit e Qabesë e shohin me sy se kur zogjtë janë duke ardhur me turmë andej, porsa të vijnë përmbi Qabe, shpërndahen e nuk fluturojnë mbi atë me turmë; - Në haremi sherif nuk gjuajnë as zagarët as skifterët, madje edhe shtazët e shpezët e egra nuk e hanë e as nuk e gërgasin njëra-tjetrën;
- Në Mina secili haxhi hedh gurë të marrë nga larg.
Pra, aty mund të bëhet një mal i lartë prej gurëve që hidhen vit pas viti, pra me qindra mijëra haxhilerë. Por, nuk gjendet vetëm se një sasi e vogël. Aty, afër, nuk ka ndonjë gropë që të thuash se futen gurët;
- Nuk ka mundur të vijë aty ndonjë mbret ose komandant me qëllim që ta shembë e ta zhdukë Qabenë; (As'habi filët) Ebreheja me ushtrinë e vet është afruar me qëllim që ta rrënojë Qabenë, por i vrau Zoti me gurë të zogjve Ebabil, dhe Ebrehaja nuk mundi t' ia arrij qëllimit. Ndërkaq, Bejti Makadesin e pati shembur e rrënuar Buhtunasri. Në Qabe ka edhe shenja të tjera të dukshme.
Allahu xh.sh., pasi tregoi vlerat kuptimore e materiale të Qabesë, për të treguar se njerëzit duhet ta vizitojnë atë, urdhëron e thotë: "Velil-lahi alen-nasi hixhxhulbejti meni' steta' a ilejhi sebila" - "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo". (Ali Imran, 97)
Njerëzit, vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit, janë ngarkuar me detyrën e shenjtë që të vizitojnë Qabenë, kur kanë mundësi nga aspekti shëndetësor dhe material, pra për t'ia mësyrë asaj. Meqenëse kryerja e Haxhit është një nga pesë shtyllat e Islamit, kur zbriti ajeti i treguar më lart, Pejgamberi a.s. i thirri myslimanët dhe disa prej jehudive sepse edhe ata patën thënë: "Ne jemi myslimanë", - dhe të gjithëve ua komunikoi urdhrin e Zotit, e myslimanët në atë çast e pranuan, por jehuditë nuk e pranuan shkuarjen atje. Atëherë zbriti fundi i ajetit: "Ve men kefere feinnall-llahe ganijun anil alemin". (Ali Imran, 97) - "E kush nuk e beson, Allahu nuk është i nevojshëm për ibadetin që e bëjnë njerëzit".
Haxhi është urdhër i Allahut, e ai që e mohon Allahun ose mohon obligimin e Haxhit, ose bëhet kryeneç e nuk ia di për nder Zotit për të mirat që i ka dhënë dhe nuk e kryen këtë detyrë, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për asgjë në këtë botë.
Myslimani gjatë namazit pesë herë në ditë e drejton fytyrën e tij kah Qabeja e bekuar në Mekë. Në këtë mënyrë ai tërë jetën shpirtërisht është i lidhur me kiblen, që është simbol i ibadetit, atdheu i misioneve dhe i aksioneve që i ndërmori Pejgamberi ynë për të mirën e njerëzimit, dhe xhamia e parë që u ndërtua në tokë. Andaj, vizita e Qabesë, pra kryerja e Haxhit, paraqet dëshirën dhe synimin e çdo myslimani, kudo që jeton ai. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe thirr ndër njerëz për Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta". (El Haxh, 27)
Ky është Haxhi, një nga detyrat e kësaj bote dhe një nga rrugët e ahiretit. Ai që e mohon Haxhin si dispozitë, e mohon Allahun.
O Zot, të gjithë atyre që kanë vendosur ta bëjnë Haxhin, ndihmoj u dhe pranoje nijetin e tyre!
Literatura:
-Kurani, përkthim me komentim në Gj. Shqipe, h. Sherif Ahmeti,
-Ajka e Kuptimeve të Kurani Kerimit,
-"Hëna e Re", Prill,1994,
-El Hafidh bin Kethir, Rrëfime mbi pejgamberët, 1998, Mitrovicë,
-Amër Halid. Historitë e profetëvë, Shkup, 2007.
Xhafer Fejziu