Audiencë e nderuar!
Kaptina e parë që u shpall në Kuran është imperativ për dituri. Ta lexojmë me vëmendje:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).
Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).
Lexo! Se Zoti yt është më bujari!
Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë.
Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El - Alak, 1-5)
Kjo kaptinë madhështore e Kuranit famëmadh përfshin tri dimensione të mëdha që përbëjnë një tërësi organike. Këto janë:
1. Ikre dhe edukata;
2. Ikre dhe shkenca;
3. Ikre dhe adhurimi.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1340653804.jpg[/img]
Nga kjo kaptinë e begatshme kuptojmë dhe mësojmë se dituria dhe penda janë dy simbole me vlerën më të madhe në islam.
Ja edhe disa versete nga Kurani për diturinë:
“Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Ez - Zumer, 9)
“Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët . . .” (Fatir, 28)
“(Jehuditë i thanë se nuk të besojmë në shpallje Muhammedit) Por All-llahu dëshmon për atë që t'u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjt dëshmojnë, po mjaft është All-llahu dëshmues.”(En - Nisaë, 166)
Argumentet nga hadithi (Tradita):
“Njerëzit e ditur janë trashëgimtarët e të dërguarve të Allahut.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhxheh dhe Ibn Hibbani)
“Vdekja e fisit të tërë është më e lehtë se vdekja e dijetarit.” (Tirmidhiu)
“Njeriu i ditur është delegues i Allahut të madhërishëm në Tokë.” (Ibn Abdulberr)
Hasan el-Basriu ka thënë: “Ngjyra e dijetarëve do të vlerësohet me gjakun e dëshmorëve dhe ngjyra e dijetarit do të mbipeshojë gjakun e dëshmorit.”
Pra, ditura, arsimimi dhe shkenca qenkan urdhër kuranor, ibadet të cilin duhet ta kultivojë dhe ta zgjerojë çdo besimtar.
Të gjitha këto nuanca ngjyrash dhe formash të ndryshme në këtë galeri të multiuniversit nuk janë asgjë veçse shprehje e fuqisë së Allahut të gjithëpushtetshëm, e diturisë dhe urtësisë së Tij, që ka përfshirë çdo gjë. Andaj, ngado që kthejmë kokën tonë, lexojmë Librin e Tij të hapur, në të cilin janë regjistruar versetet e qarta. Kur lexojmë Kuranin jemi në fjalët e Tij, kur lexojmë librin e universit jemi në veprën e Tij, kur lexojmë librat shkencore jemi në ligjet e Tij, kur lexojmë historinë jemi në dëshirën dhe përcaktimin e Tij, ndërsa kur lexojmë për artin jemi në shkëlqesinë e emrave të Tij.
Psikologjia moderne na mëson që njeriu së bashku me qëndrimet e tij, traditat e formon mjedisin i cili e rrethon.
Xhamia ose mesxhidi është i menduar si pikë qendrore ku bashkohen myslimanët me qëllim të organizimit, edukimit, lutjes dhe punës ekipore. Ekipi apo grupi ekipor sipas definicionit është grup njerëzish i cili takohet rregullisht, konsultohet reciprokisht, e njeh bukur detyrën , kryen ndarjen e rregullt të detyrave dhe në mënyrë të sinkronizuar synon të arrijë qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata duke dhënë secili individ mundin maksimal.
Dikur islami kishte xhemate apo ekipe të cilat kanë qenë fanar të aftë që të akumulojnë sasi të mjaftueshme të erës në gjiun e tyre duke udhëhequr shoqëri të tëra myslimane në ardhmëri të shkëlqyer.
Por, ajo që sot kemi në shumicën e botës islame, mund ta përshkruajmë me fjalën grumbull (grup). Ndërsa grumbulli sipas definicionit, është një grup njerëzish i afërt në një hapësirë të caktuar, në afat të caktuar kohor me një interaksion sipërfaqësor, me një rrjedhë njëkahëshe të informatave, pa kurrfarë ndarjeje të punës dhe me një lidhje të pamjaftueshme ndërmjet tyre. Shembulli i këtyre grumbujve mund ta shohim p.sh. në aeroplane, teatër, tramvaje, autobus, etj.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1340653856.jpg[/img]
Myslimanët potencialë, me intelekt kritik, ose heshtin, ose nuk përcaktohen për ekip, janë vetëm vëzhgues, për të mos u identifikuar me islamin.
Puna islame ka një madhësi dhe kahje si madhësia vektoriale matematikore. Nëse individët nuk punojnë në harmoni me njëri-tjetrin, më një plan të pastër dhe me një ndjenjë për kohën e duhur, ata nuk japin kurrfarë rezultate, përkundër energjisë së jashtëzakonshme që mund ta harxhojnë. Po qe se vazhdojmë t’i tregojmë gabimet e njëri-tjetrit, duke i lënë anash kontributet pozitive duke nënçmuar arritjet e tjerëve, ne nuk do të arrijmë asgjëkund. Duhet ta largojmë ndjenjën se gjithmonë kemi të drejtë, ndërsa të tjerët gjithmonë gabojnë. Duhet t’i pranojmë e njohim të gjithë punëtorët në fushën e Islamit dhe të mundohemi t’i bashkërendisim përpjekjet tona.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1340653890.jpg[/img]
Pesë cilësi të cilat duhet t’i kultivojmë janë:
1. Perceptoje kohën! Më mirë kontrolloje ti atë sesa ajo aty, duke shfrytëzuar që çdo sekondë të punosh për islamin.
2. Përqendrohu mbi rezultate konkrete.
3. Ndërto mbi fuqitë e jo mbi dobësitë. Kjo nuk përfshin vetëm fuqinë tënde, por edhe ato të vëllezërve (motrave) tjerë. Njih dhe pranoji fuqitë dhe dobësitë tua dhe bëhu i aftë të pranosh më të mirën te të tjerët, pa pasur ndjenjën se pozita yte është e rrezikuar.
4. Koncentrohu mbi disa sfera, ku puna e vështirë dhe e qëndrueshme do të jep rezultate të jashtëzakonshme.
5. Mbështete besimin tënd te Allahu dhe syno lart, në vend që t’i kufizosh qëllimet tua vetëm në gjërat e sigurta dhe të lehta. Përderisa je duke punuar për Të, mos u frikëso nga asgjë.
Vallë, keni pyetur ndonjëherë pse një fe kaq madhështore ka ithtarë kaq të prapambetur? Diçka nuk është në rregull. Me siguri, problemi është në bartësit e porosisë - në ne, e jo në vetë porosinë.
Allahu i madhërishëm në Kuranin famëmadh urdhëron e thotë:
“Ndërsa e tërë krenaria (fuqia) i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” (El - Munafikunë, 8)
Mirëpo, kjo është vetëm mundësi potenciale. Atë duhet ta shndërrojmë në energji dinamike dhe kinetike që mund t’i ndërrojë rrethanat dhe mjediset. Pese lugë sheqer në një gotë me çaj nuk do ta bëjnë atë të ëmbël, por kur ta trazoni atë, do ta fitoni ëmbëlsinë.
Jam i bindur, se me lejen e Allahut të madhëruar po qe se ne e kuptojmë dhe zbatojmë frymën ekipore në Islam si duhet do të kemi arritje në efektshmërinë e aktiviteteve islame. Arritja e këtillë do të manifestohej në sferat e koncepteve, qeverisjes, administrimit, komunikimit, konferencave dhe të mbledhjeve.
Duke medituar thellë për çështjen e Islamit në perspektivë, duhet të kemi ndërmend versetin e Kuranit fisnik:
“O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” (El - Kehf, 10)
Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi