Namazi ndikon pozitivisht në produktivitetin e punës

Namazi, kjo formë adhurimi ndaj Krijuesit, ka efekte të shumanshme në favor të individit, të xhematit dhe të shoqërisë. Kjo vjen për shkak se namazi është një nga mrekullitë që i Gjithëdituri i dhuroi dhe ia bëri të prekshme njeriut.

Sigurisht nga Mi’raxhi-mrekulli duhej të zbritej një fryt i mrekullueshëm - namazi. Nga mrekullia burojnë vetëm mrekulli. Me këtë cilësi e ka përkufizuar namazin i Dërguari i Allahut “Namazi është mi’raxhi i besimtarit”. Ngado dhe sido që ta vrojtosh frytin e Mi’raxhit –namazin, do të qëmtosh veç mahnitje dhe plotë mirësi. E, për më tepër, kushdo që e shijon namazin, përjeton qetësinë shpirtërore dhe përçon paqe gjithkund në shoqëri. Alija Izetbegoviç ka sjellë në vëmendjen tonë, me të drejtë, një ndikim edukativ (frymëzim për gjurmimin e diturive) të namazit në gjeneratën besimkulluar të myslimanëve. “Meqë namazi lidhet për kohën e caktuar dhe për drejtimin e caktuar gjeografik (drejt Kabes) lutja – përkundër logjikës religjioze – vihet në lidhje me natyrën dhe lëvizjen e saj. Koha e namazit, sikurse edhe e agjërimit dhe e haxhit, është dhënë në funksion të disa fakteve astronomike...
Namazi në këtë mënyrë është fenomen i kësaj hapësirë-kohë bote. Nevoja që ky orientim në kohë dhe në hapësirë të përcaktohet mjaft mirë ndikoi fuqimisht, dhe e kushtëzoi zhvillimin e astronomisë në shekujt e parë të Islamit.
Kemi mjaft arsye të besojmë se ky ishte qëllimi i saj.” (“Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit” Alija Izetbegoviç, faqe 257, Shkup)
Natyrisht që brezi i Kohës së Lumtur e përjetoi Islamin, dhe në veçanti namazin, në të gjithë dimensionet e tij shpirtërore. Falë fuqisë shpirtërore të atyre burrave fisnikë, harta e tokave që kishin pranuar të ndriçoheshin nga drita kur’anore, ishte në zgjerim të shpejtë. Në këto kushte të reja, mjaft dinamike, nga të paktat probleme që duheshin zgjidhur në lidhje me namazin, ishte orientimi drejt Kabe-s, në çdo pozitë gjeografike që të ndodhej musal-liu. Kjo nevojë, e lidhur ngushtësisht me namazin, i motivoi myslimanët të përparonin në shkencat e astronomisë, matematikës, gjeografisë etj. Këtë shtysë pozitive të namazit thekson A. Izetbegoviç në paragrafin e cituar më lart. Përndryshe, myslimani bashkëkohor ballafaqohet jo me problemin e orientimit gjeografik dhe kohor, por me atë shpirtëror të namazit, përballet me çështje të thelbit të namazit. Sa frymëzohemi ne prej namazit për të rendur drejt së mirës dhe për t’u larguar nga e keqja dhe e shëmtuara?! Njeriu i kohëve moderne, pra edhe myslimani, i ka hapur vetes telash pas telashi. I duket sikur ka gjetur zgjidhje për një problem shpirtëror apo social, kënaqet, entuziazmohet dhe... befas, gjendet para një problemi akoma më të ndërlikuar se i mëparshmi. Ndryshe nga myslimanët e parë, myslimanët sot, herë-herë, ndoshta pa dashur, sikur janë të luhatur në dilemën “të jesh rob i Zotit” apo “rob i nefsit”. Zgjidhjet janë shpallur, janë shkruar. Dijetari boshnjak Hysein Gjozo shkruan për plagën dhe shërimin e saj: “Në pyetje është mbajtja e tyre (instikteve) brenda kufijve të vërteta të funksioneve të tyre fiziologjike, frenimi i tyre dhe ruajtja e ekuilibrit. Shumë rrezik është kur njeriu bëhet rob i pasioneve... Për t’i frenuar instiktet, pasionet njerëzore dhe për t’i mbajtur ata të funksionojnë brenda kufijve të tyre fiziologjike, Islami ka ndërmarrë një sërë masash. Ndër to, namazi është në vend të parë, i cili nëse kuptohet si duhet, është masë më e fortë për t’i frenuar elementet shtazarake te njeriu.” (“Islami në kohë” Hysein Gjozo, Shkup 1993, faqe 86-87) “Në Islam çdo gjë i është dedikuar njeriut. Të gjitha dispozitat dhe të gjitha instancat janë orientuar për humanizimin e tij...
Islami dëshiron të vërë e të mbajë harmoni dhe ekuilibër mes të gjitha atyre elementeve të kundërta që e përbëjnë qenien e njeriut. Për të mbajtur këtë ekuilibër dhe për të formuar një personalitet të shëndoshë kreativ dhe të baraspeshuar njerëzor, pa mëdyshje, një rol jashtëzakonisht me rëndësi i takon namazit...
Namazi është ngritje, afrim te Allahu dhe hyrje në botën e Tij...
Muhamedi shpesh theksonte se në namaz gjen kënaqësinë më të madhe, se namazi për të paraqet çastet më të lumtura, më admiruese, më të gëzuara, më të qeta dhe më entuziaste...” (“Islami në kohë” Hysein Gjozo, Shkup 1993, faqe 78-80)
“Përmes namazit, duke u lidhur me Burimin e Fuqisë, njeriu shpirtërisht forcohet dhe freskohet.” (“Islami në kohë” Hysein Gjozo, Shkup 1993, faqe
84)
Po ashtu dijetari bashkëkohor M. Fet’hullah Gylen thekson: “Namazi është prehja e shpirtit, shëtitja e ndërgjegjes...
Namazi është jo një intermexo midis dy situatash që mund e duhet të kalohet lehtë e lehtë, por ndriçim ritmik i jetës shpirtërore të njeriut.” (“Dritë e Pashuar” F. Gylen, botimi shqip, Tiranë 2004, faqe 352, 353) Pa dyshim që kreu i të gjithave është vetë fjala e Zotit –Mëshirues dhe i Dashur me krijesat e Tij “Me të vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve)” (“Ankebut” 45) “Kanë shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazet e tyre... dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes namazit të tyre...” (Mu’minun 1-2,9)
“Vazhdoni rregullisht namazet tuaja edhe atë namazin e mesëm dhe ndaj Allahut të jeni respektues...” (Bekare, 238)
Të vazhdojmë më tej me ajetin-argument “Kryejeni namazin në mënyrën e duhur, sepse namazi në kohët e caktuara është obligim për besimtarët.” (Nisa, 103).
Për këdo që zbaton ajetin e cituar, porosinë për të falur rregullisht në kohë namazin, Allahu Mëshirues i hap dyert e mirësive të pafund. Garanci për këtë është ajeti tjetër: “Kanë shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazet e tyre dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes namazit të ... tyre...” (Mu’minun, 1-2, 9)
Prandaj insiston Allahu në Kuran së përsërituri apelin ndaj besimtarit “Vazhdoni rregullisht namazet tuaja edhe atë namazin e mesëm dhe ndaj Allahut të jeni respektues...” (Bekare, 238)
Ndërsa Bediuzzaman Said Nursi, i frymëzuar nga përjetimi i mirësive të “Mi’raxhit të besimtarit” (namazit), ndërton dialogun shpjegues: “Vëlla! Ti më pyet mua lidhur me urtësinë e kohëve të përcaktuara të pesë faljeve të përditshme.
Po, në të vërtetë, ashtu si koha e çdo namazi, e cila shënon fillimin e një ndryshimi të rëndësishëm, po ashtu ajo është një pasqyrë për veprimet e mëdha Hyjnore, në të cilën reflektojnë mirësitë e përgjithshme Hyjnore në atë kohë. Prandaj është urdhëruar që në ato kohë faljesh të bëhen më shumë lavdërime e falënderime për të Gjithëfuqishmin e
Vetëm Absolut, dhe të shtohen tesbihatet dhe madhërimet për mirësitë e panumërta të grumbulluara ndërmjet dy kohëve...” (Përmbledhja “Risale-i Nur”
-“Fjalët” Bediuzzaman Said Nursi, botimi shqip, Stamboll 2006, faqe 61) “Me namazin –shkruan F. Gylen- dita dhe nata i nënshtrohen një përpjestimi të fshehtë, ... sigurohet rrjedha e mirë e sjelljeve tona nën kontrollin hyjnor dhe, ndërkaq, edhe lëvizjet tona jashtë adhurimit marrin formën e adhurimit, vishen me ngjyrën e adhurimit dhe jeta jonë e përkohshme mbi tokë nis të ngjyhet me ngjyrën e banorëve të qiellit.” (“Udhërrëfyesi i një myslimani (adhurimet)” Ekipi i Studimeve Akademike Turqi, Prizmi, Tiranë 2010)
Besimtari, sidomos ai që punon në administratën shtetërore, shpesh gjendet nën presionin e pyetjeve që i bën shoqëria që e rrethon: “Si arrin të falesh në pesë vakte?”, “Si gjen kohë për t’u falur?” apo “A nuk të pengon namazi në punën e përditshme që bën?” etj. etj. Allahu e krijoi njeriun, ia mësoi se ç’është e mira dhe e udhëzoi se ç’rrugë të ndiqte për të përvetësuar sa më shumë të mira. Kështu i mësoi njeriut të falte namazin. Por çelësi që hap dyert e të mirave pafund është namazi i falur në kohën e caktuar. Gjatë 8 orëshit të punës mund të jenë një ose dy namaze për t’u falur (sipas kohëzgjatjes së ditës).
Nëse për çdo namaz duhen të paktën 5 minuta, gjatë 8-orëshit besimtarit i duhet t’i kushtojë më së shumti 10 apo 15 minuta Zotit Krijues. Kështu besimtari, me ndërgjegje të pastër e vullnet, mund ta plotësojë 8- orëshin e plotë të punës duke punuar edhe rreth 10- 15 minuta jashtë orarit. Por, ne si besimtarë, kemi të drejtë edhe të pyesim: Sa kohë shpenzon një nëpunës në kafe gjatë orarit të punës? Sa kohë shpenzon një nëpunës duke luajtur në kompjuter, apo naviguar e komunikuar në internet jo për interesa të punës? Sa kohë i kushton një nëpunës zgjidhjes së problemeve vetjake gjatë 8-orëshit? A e ka ndërgjegjen e duhur nëpunësi për të plotësuar këtë kohë pune, duke punuar jashtë orarit zyrtar? Nisur nga realiteti, duke nënkuptuar përgjigjen e pyetjeve të mësipërme, mund të llogarisim se koha e shpenzuar nga nëpunësit në kafene, në lojëra e thashetheme gjatë orarit të punës është shumëfishi i kohës që besimtari i kushton Allahut Mëshirëmadh në namaz. Po të përdornim një terminologji ekonomike do të theksonim se besimtari është më efiçent në punë. Duke shfrytëzuar në maksimum kohën e punës.
Jo vetëm kaq. Namazi ndikon në rritjen shumë- fish të efiçencës në punë të besimtarit. Le ta argumentojmë këtë edhe me gjuhën e shkencës, pasi kësaj gjuhe i besojnë (me sa duket vetëm kur ajo është në interesin e tyre). Të trajtojmë kohën e namazit të drekës, meqë kjo është më së shumti kohë e orarit të punës. Pejgamberi Muhamed (a.s.) na tregon që “Koha e namazit të mesditës është atëherë kur dielli e kalon pikën kulmore ...” Në këtë kohë të ditës ndodhin disa ndryshime në organizmin e njeriut, të cilat tentojnë të ulin aktivitetin jetësor të tij dhe për rrjedhojë të ulin edhe produktivitetin e punës. Ja ç’na mësojnë studimet shkencore.

1. Një nga ritmet fiziologjike, ndër qindra që kushtëzojnë mirëqenien e njeriut, është cikli gjumë-zgjim. Tjetër cikël është ai që ka të bëjë me sekrecionin e kortizolit, një hormon i rëndësishëm ky, që lidhet me gjendjen e stresit të organizmit. –Si shpjegohet që nga mesi i ditës thuajse të gjithë ndihen si të përgjumur? Një arsye është se pikërisht në këtë kohë cikli gjumë-zgjim pëson rënie. Është ky një çast përgjumësie, që vështirë të shmanget. Por mund të kapërcehet duke dalë në ajër të freskët e duke bërë lëvizje. Ushtrimet fizike rritin sasinë e O2 (oksigjenit) në organizëm dhe në tru, shpejtojnë qarkullimin e gjakut dhe i japin organizmit energji e freski refleksesh. Me kohë, duke bërë një gjysmë ore ushtrime aerobike në ditë, me intensitet, të ulët ose të mesëm, do ta ndieni veten më energjikë dhe nuk do të provoni më krizën e pagjumësisë së mesditës.

2. Një studim i ri tregon se një nga format e meditimit, i quajtur meditimi transhend, ndihmon funksionimin normal të arterieve që furnizojnë zemrën me gjak. Shkencëtarët kryen prova me dy grupe burrash me sëmundje në arteriet e zemrës, duke i kërkuar njërit grup të kryente çdo ditë ushtrime medituese, ndërsa grupit tjetër ushtrime fizike dhe të mbante dietë ushqimore. Pas 4 muajsh, u vu re se burrat që bënin pjesë në grupin e meditimit, kishin një tension gjaku të ulët dhe aftësitë e organizmit për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak u përmirësuan dukshëm. Meditimi ndikon pozitivisht në përgjigjen fiziologjike të organizmit ndaj stresit. Për meditim nuk duhet shumë kohë dhe përpjekje. Sipas studimit, përkushtimi 20 minuta në ditë për të qetësuar mendjen mund ta ndihmojë njeriun të bëjë një jetë të plotë e të shëndetshme.
Siç mund të kuptohet nga dy përfundimet e mësipërme, lëvizjet në ajër të pastër dhe ushtrimet fizike në kohën e mesit të ditës, të kombinuara me, meditimin transhend japin efekte shumë pozitive në gjendjen fizike dhe mendore të njeriut. A nuk janë pikërisht këto elemente (lëvizjet, ushtrimet fizike dhe meditimi transhend) pjesë përbërëse të namazit?
Besimtari niset nga vendi i punës, lëviz në ajër të pastër për të shkuar në xhami; kryen ushtrime fizike, duke vënë në aktivitet tërë gjymtyrët kur merr abdes dhe falet; mediton për Krijuesin, e madhëron Atë dhe i lutet gjatë kohës së abdesit dhe faljes. Namazi i drekës, me intensitetin e ulët apo mesatar të lëvizjeve, i largon krizën e përgjumësisë së mesditës nëpunësit, e bën atë më energjik, d.mth. i jep freski për të vazhduar me ritmin e duhur punën. Meditimi në namaz dhe prania afër Zotit - Dhurues të mirë- sive, ndikojnë pozitivisht që organizmi të përballojë streset që shkakton puna dhe marrëdhëniet me të tjerët. Kjo i jep nëpunësit qetësinë dhe maturinë e duhur për të ndërtuar ura bashkëpunimi me kolegët, qartësinë në objektivat e punës që bën, fisnikërinë dhe korrektësinë në të komunikuarit me njerëzit e thjeshtë, dashurinë për të mirën dhe të drejtën, ashpërsinë për të luftuar të keqen, të shëmtuarën dhe padrejtësinë. Ja pra, si shkrihen në namaz dobitë e identifikuara nga shkenca pas 1400 vjetësh. Mjaft bukur e ka përshkruar rëndësinë e faljes në kohë të namazit të drekës Bediuzzaman Said Nursi: “Në kohën e “dhuhrit” (mesdita –arabisht), është zeniti, kulmi i plotësimit të ditës dhe fillimi i venitjes së saj.
Është koha e plotësimeve të punëve të përditshme. Është koha e një pushimi të shkurtër pas punës dhe presionit të saj. Është koha kur shpirti ka nevojë për një pushim prej atij mundimi që i jep kjo dynja e përkohshme dhe prej punëve të lodhshme kalimtare, të cilat japin pakujdesi e pandjeshmëri. Përveç kësaj, është edhe momenti i shfaqjes së mirësive Hyjnore. Atëherë gjithkush mund të kuptojë se sa e mirë, sa e këndshme, sa e domosdoshme dhe sa e përshtatshme është kryerja e faljes së mesditës, e cila do të thotë të çlirohesh nga presioni, të shkundësh pakujdesinë, t’i lësh prapa ato gjëra të pakuptimta e të përkohshme dhe të kërkosh strehim tek dera e Vetekzistuesit të Përhershëm – i Cili është Mirëbërësi i Vërtetë – nëpërmjet duave dhe lutjeve përpara prezencës së Tij, duke i dhënë Atij falënderime e lavdërime ndaj të gjitha dhuratave të Tij, duke kërkuar ndihmë prej Tij, duke u përkulur për të shfaqur pafuqinë e vet përpara Lavdisë dhe Madhështisë së Tij; duke rënë në sexhde dhe duke shpallur habinë ndaj Tij, dashurinë dhe përulësinë.
Ai që nuk do ta kuptonte këtë, nuk është qenie e vërtetë njerëzore...” (Përmbledhja “Risale-i Nur” - “Fjalët” Bediuzzaman Said Nursi, botimi shqip, Stamboll 2006, faqe 65) Namazi i kryer në këtë frymë është “ndriçim ritmik i jetës shpirtërore të njeriut” (siç shkruan F. Gylen), “llargon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat” (Ankebut, 45) dhe, në përfundim, është shpëtim në këtë jetë dhe në Ahiret: “Kanë shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazet e tyre ... dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes namazit të tyre...” (Mu’minun, 1-2, 9)
Dobitë dhe vlerat e namazit janë të paçmueshme. Namazi i kultivon besimtarit qetësinë, urtësinë, maturinë, besnikërinë, ndershmërinë dhe korrektësinë në punë, edukatën e komunikimit në familje e shoqëri, gatishmërinë dhe vullnetarizmin për të ndihmuar të tjerët, durimin dhe guximin në përballjen me vështirësitë e jetës dhe punës. Këto janë epërsitë cilësore të nëpunësit besimtar ndaj nëpunësve të tjerë. Kryerja e rregullt e namazit, e nxit dhe e motivon besimtarin të jetë produktiv në punë.
“Domethënë, faljet e detyruara, të cilat janë një detyrë e natyrshme, themeli i adhurimit dhe një borxh i pakundërshtueshëm, janë më të përshtatshmet e më me vend që të jenë vërtet në këto kohë.” (Përmbledhja “Risale-i Nur” -“Fjalët” Bediuzzaman Said Nursi, botimi shqip, Stamboll 2006, faqe 64)
“Kryejeni namazin në mënyrën e duhur, sepse namazi në kohët e caktuara është obligim për besimtarët.” (Kuran, Nisa: 103)



Blerim Lazimi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip