Nëse ndonjëherë ka pasur dëshmi se një femër myslimane me dinjitet nuk duhet të jetë nënë dhe grua e nënshtruar, është jeta e Ajshes, e treta prej njëmbëdhjetë grave të Profetit.
"A e dini kur përnjëmend dijetarët islamë nisën të flisnin kundër femrave?", - më ka pyetur sheiku. "Kur ata nisën ta studionin filozofinë." Aristoteli, burri që thoshte me ngulm se nënshtrimi i femrave është punë e natyrshme dhe domosdoshmëri shoqërore, ndikoi te dijetarët më të mëdhenj myslimanë që kishin formësuar fikhun, teorinë e së drejtës islame, ka argumentuar Akram. Para se Aristoteli të bëhej bërthama e tekstit, dhe para se dijetarët e Mesjetës të flisnin më shumë për rolin e grave në të drejtën fetare, burrat dhe gratë ishin larg më të barabartë sipas lirive islame. U them njerëzve, Zoti u ka dhuruar vajzave cilësi dhe potencial, ka thënë ai. Nëse ata nuk i lejojnë të zhvillohen, nëse nuk u japin mundësi të studiojnë dhe mësojnë, në fakt është si t'i varrosësh për së gjalli. Puna e sheikut për dijetarët sfidon paragjykimet e të gjitha llojeve. Talibanin e armatosur që qëllon një vajzë pse shkon në shkollë. Mullahun që ua ndalon femrave të hyjnë në xhaminë e tij. Radikalët që pretendojnë se feminizmi është ideologji perëndimore që nënvlerëson mënyrën islamike të jetesës. Perëndimorin që pretendon se islami i shtyp gratë.
Dhe prapëseprapë, me përjashtim të hyrjes së publikuar në anglisht, studimi i tij ka mbetur ende në kompjuter. Pesë vëllime do të ishin alamet të shtrenjta për botim, kanë thënë botuesit e tij të zakonshëm në Damask, Bejrut dhe Lucknow. Pavarësisht lutjeve të përzemërta të studentëve, ai dëshiron që librin para së gjithash ta botojë para se të postohet në internet. Disa prej studentëve të tij tashmë kanë ngritur fondin "Muhadithat", me qëllim të mbledhjes së parave për nxjerrjen e tij në dritën e botimit. Nëse ndonjëherë ka pasur dëshmi se një femër myslimane me dinjitet nuk duhet të jetë nënë dhe grua e nënshtruar, është jeta e Ajshes, e treta prej njëmbëdhjetë grave të profetit. Ajo ka ndarë pikëpamjet e njerëzve që nga shekulli i shtatë në mesin e myslimanëve dhe jomyslimanëve.
Dijetare e jashtëzakonshme islame, frymëzim për të drejtat e grave, komandante ushtarake që prin prej shalës së devesë, dhe juriste e nxjerrjes së fetvave, formimi intelektual dhe autoriteti fetar i Ajshes ishin të jashtëzakonshëm për standardet e kohës dhe rrethanave. Ajsheja nuk është gruaja e vetme e Muhamedit, jeta e të cilës kapërcen nocionet e asaj që konsiderohet grua myslimane tradicionale. Hadixheja i kishte prirë karvanit tregtar në Mekë. Tregtare e pasur dhe e vyer, dy herë kishte mbetur si nënë pa burrë. Ajo ishte pesëmbëdhjetë vjet më e vjetër se Muhamedi. Ishte shefja e tij. Propozimi për martesë profetit të ardhshëm nuk kishte si të bëhej më drejtpërdrejt: "Më pëlqeni për shkak të marrëdhënieve tona, emrit tuaj të madh në mesin e popullit tënd, besnikërisë, karakterit dhe fjalës së dhënë." Hadixheja shfaqet-mahnitshëm papritmas, por është Ajsheja ajo që zgjon më së shumti kureshtjen, prirja e saj për t'u dalluar, xhelozia ndaj ortakeve. Ja një moment kur ajo hahet me Safijën, na kujton Arzoo gjatë një bisede me skype.
Akrami u ishte kthyer burimeve studimore, dhe zbuloi një jurist dhe gjykatës të shekullit të tetë, Ibën Shubrume, që kishte nxjerrë një fetva kundër praktikës së martesës së fëmijëve. Ibën Shubrume kishte argumentuar se çështja ishte punë vullneti e vajzave. Kur vajzat të piqen në pubertet, mund të zgjedhin me kë duan të martohen. Por atyre nuk u lejohej të martoheshin sa ishin fëmijë.
Arzoo dhe Mehrun ia kanë ndërruar mendjen Akramit. Kam mësuar prej këtyre vajzave, ka thënë ai. Fatkeqësisht ka shumë burra që mohojnë se gratë dhe të bijat e tyre gëzojnë të drejtat elementare, duke u fshehur prapa Kuranit. Ata mezi presin ta citojnë ajetin e famshëm të 34-të, të kaptinës së katërt të Kuranit, En-Nisa.
Kjo pjesë padyshim se është në mesin e teksteve më të debatuara me gjaknxehtësi në librin e myslimanëve. Grupi i grave, "Musawah", i ka cilësuar këto vargje si "ADN-ja e patriarkatit" për traditën ligjore islamike. Ka shumë dijetarë që pretendojnë se Zoti u ka dhuruar epërsi dhe autoritet burrave ndaj grave, një autoritet që mund të zbatohet edhe me forcë.
Në një përkthim të njohur prej përkthyesit të fillim shekullit njëzetë, Mohamad Marmaduke, shkruan në anglisht: "Burrat u prijnë grave, sepse Allahu i ka krijuar ata që të shquhen prej të tjerëve, dhe për shkak se ata shpenzojnë pasurinë e tyre (për të mbështetur gratë). Aq të mira janë gratë kur binden për ruajtjen e sekretit, saqë Allahu u ka dhuruar mbrojtje. E për ata që i frikësohen kryeneçësisë, qortoni dhe largoni prej shtratit, dhe fshikulloni."
Vazhdon edhe ditëve të sotme debati se si duhet të përkthehet ky ajet. Përkthimet e reja sugjerojnë më pak kuptime seksiste se në të mëhershmet. Disa u referohen burrave si mbrojtës dhe kujdestarë të grave, derisa të tjerët thonë se burrat duhet të kujdesen për gratë, sepse Zoti u ka dhënë më shumë forcë. Një gjë nuk e luan topi: interpretimi i ajetit nga ana e burrave i ka katandisur miliona gra në mjerim. Myftinjtë, ose gjykatësit islam, e citojnë që të justifikojnë dhunën në familje. Qeveria e Arabisë Saudite e përdori si mesazh për të nxjerrë ligjin për sistemin e mbrojtjes, ku gratë deri para pak kohësh nuk kanë mundur të hapnin llogari bankare ose të udhëtonin jashtë vendit pa lejen e njërit prej burrave të familjes. Kur e ngrita këtë çështje me të, Akrami më tha se ajeti i 34-të, nis me një thënie se gratë dhe burrat janë krijuar prej një shpirti. Kështu që Kurani nis me supozimin e barazisë absolute qysh në krijim.
Përveç kësaj, ka vërejtur ai, profeti kurrë nuk i ka goditur gratë e tij. Më i miri prej jush, thoshte profeti Muhamed, është ai që kujdeset më së miri për gruan e tij. Kur një herë një student e pyeti çfarë mendonte për feminizmin, Akrami iu përgjigj pa menduar dy herë. "Feminizmi kërkon drejtësi për femrat. Aty ku nuk ka drejtësi për femrat, do të vijnë këto lëvizje." Por, ndryshimi i sjelljes dominuese do të marrë kohë, më këshillon Akrami. Në Evropë, ka thënë ai, ata flasin sikur gjithnjë gjendja e femrave ka qenë e tillë. Por, në disa vende, femrat kanë votuar vetëm prej viteve 1970. Prej momentit kur shpallja e parë "Lexo" - zbriti te profeti, islami është përhapur si fe e fjalës. Myslimani i mirë duhet të lexojë burimet e informacionit. Por, me një tekst të ndërlikuar dhe të fuqishëm si Kurani, leximi i tij kërkon më shumë se shkrim-lexim. Anembanë botës, progresistët myslimanë në vende si Xhakarta dhe Virginia e kanë lexuar ajetin e 34-të, si bazë për paragjykime të meshkujve që kanë zvetënuar të vërtetën për shekuj me radhë. Vajzat pakistaneze po sfidojnë ediktet talibane me etjen e tyre për dituri. Aktivistët afrikan ë po kërkojnë që mullahët lokalë të tregojnë se ku e thotë Kurani se lejohet gjymtimi gjenital i femrave.
Njëkohësisht, aktivistët malejzianë udhëtojnë nëpër qyteza, duke shkuar nëpër xhami dhe shkolla, duke dorëzuar pamflete që në ballinë kanë këtë pyetje:
"A janë të barabartë burrat dhe gratë para Allahut?"
Gjithnjë e më shumë njerëz po e marrin vesh se përgjigja është po. Disa vjet para se të nisja të studioja me Akramin, mora pjesë në një konferencë të organizuar nga "Musawah", organizatë botërore e femrave të përkushtuara për reformimin e së drejtës islame për familjen, mbajtur në një sallë vallëzimi në një hotel në Kuala Lumpur.
Kah fundi i mbrëmjes, ajeti i 35-të i sure s Az'hab u lexua zëshëm. I ishte shpallur Muhamedit pasi njëra prej grave të tij, e mrekullueshmja Umu Selemeh, e kishte pyetur se pse nganjëherë i dukej sikur Zoti u është drejtuar vetëm meshkujve, e jo edhe femrave. Menjëherë erdhi përgjigja: "Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh".
Ishte premtimi i kësaj falje, këtij shpërblimi, që i priu sheikut. Ai nuk do ta konsiderojë veten feminist. Por, thjesht mysliman që e ka lexuar Kuranin e tij.
Carla Power
Daily Telegraph