Para së gjithash, si domosdoshmëri e krijimit tonë, gratë duhet të bëjnë kujdes në adhurimin dhe devotshmërinë ndaj Allahut. Në këtë çështje, përveç kujdesit që duhet të tregojnë ndaj adhurimeve, namazit etj., ato duhet të bëjnë kujdes edhe ndaj hallallit dhe haramit.
Devotshmëria dhe qëndrimi i gruas në rrugë të drejtë, duhet të jetë faktor nxitës i mirësisë dhe bamirësisë tek burri, fëmijët, të afërmit dhe fqinjët e saj. Një grua e mirë, është si një lule me aromë xheneti, e cila përhap lumturi rreth vetes.
Detyra më e rëndësishme për gratë pas devotshmërisë ndaj Allahut, është të bëjnë të lumtur burrat dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Lumturia që u japin burrave dhe familjes së tyre, i bën ato të fitojnë kënaqësinë e Allahut. Lidhur me këtë, Pejgamberi (a.s.), ka thënë: "Gruaja e mirë; e gëzon burrin kur ai shikon fytyrën e saj, i plotëson kërkesat e ligjshme të burrit të saj dhe e ruan pasurinë dhe nderin e tij kur ai nuk ndodhet aty.” (Ibn Maxhe, Nikah, 5/1857)
Prandaj, gruaja duhet të kërkojë mënyrat për ta bërë të lumtur burrin e saj, duke fituar kënaqësinë e tij.
Brenda shtëpisë, ajo duhet të kujdeset për veten; për pamjen dhe pastërtinë e saj. Nëse gruaja është e papastër dhe e çrregullt, asaj i bie vlera edhe para syve të një burri të thjeshtë. Ajo duhet të ruhet nga çdo lloj pamjeje e pahijshme pranë burrit të saj. Zemra e atij që nuk e gjen në shtëpinë e tij atë që kërkon, rrëshqet në vende të gabuara jashtë shtëpisë së tij dhe si rezultat shkatërrohet lumturia familjare. Prandaj, në shtëpi, gruaja duhet të jetë si një buqetë e mbledhur nga lule me ngjyra dhe aroma të ndryshme dhe duhet të reflektojë lumturi dhe paqe tek burri i saj. Ndërsa burri duhet ta presë me padurim mbrëmjen dhe nuk duhet ta urrejë kthimin në shtëpi në mbrëmje.
Gruaja e mirë, duhet ta presë burrin e saj tek dera dhe e buzëqeshur. Po ashtu edhe kur del nga shtëpia duhet ta përcjellë atë me fjalë të bukura dhe dua. Edhe në ditët kur ndihet shumë e lodhur, ajo nuk duhet ta reflektojë këtë tek burri dhe nuk duhet të shtrembëroj ë fytyrën pranë tij. Ajo duhet t'i kuptojë vështirësitë e burrit dhe duhet ta ndihmojë atë të çlodhet.
Bashkëshortët nuk duhet t'ia prishin qetësinë njëri tjetrit me mërzit je të tepërta dhe ankesa vend e pa vend. Lidhur me këtë, është me vend të kujtojmë sjelljen shembullore të Ummu Sulej mit (r.a.) karshi burrit të saj:
Edhe pse i kishte vdekur djali, ajo nuk ndaloi nga shërbimi dhe sakrifica ndaj burrit të saj. Sipas transmetimit, djali i sëmurë rëndë i Ebu Talhasë (r.a.), kishte ndërruar jetë kur ai nuk ndodhej në shtëpi. Kur Ummu Sulej me e pa që djali i saj kishte ndërruar jetë, e lau dhe qefinosi atë. Më vonë, kur Ebu Talha (r.a.), erdhi në shtëpi, pyeti:
"- Ku është djali?" Ummu Sulejme (r.a.), tha:
"- Djalit iu qetësuan dhimbjet dhe tani besoj se po rehatohet pak." Madje, Ummu Sulej me i porositi njerëzit e shtëpisë duke u thënë:
"- Kujdes, mos i tregoni Ebu Talhas për vdekjen e djalit, deri sa t'i tregoj vet!.."
Më pas, i solli ushqimin burrit të saj dhe ai hëngri. Ndërsa Ummu Sulejme (r.a.) u zbukurua dhe doli para tij. Më vonë, ata shkuan të çlodheshin në
dhomën e tyre. Në mëngjes, në momentin kur Ebu Talha (r.a.), po bëhej gati dilte nga shtëpia, Ummu Sulejme, e cila ishte një grua e zgjuar dhe e devotshme, i tha:
"- O Ebu Talha! Pa shiko ç'bëri ky fqinji ynë ...
Kur i kërkova amanetin që ia kisha dhënë për ta përdorur, ata s'deshën të ma jepnin." Ebu Talha (r. a.), u përgjigj:
"- Jo nuk bën kështu. Nuk kanë vepruar aspak mirë!"
Pas këtyre fjalëve, Ummu Sulejme (r.a.), tha:
"- O Ebu Talha! Djali yt ishte një amanet i Allahut tek ty dhe Ai e mori përsëri." Ebu Talha papritur u shastis, heshti dhe më pas tha:
"- Ne jemi të Allahut dhe padyshim se tek Ai do të kthehemi!"
Kur shkoi në xhami për të falur namazin, ia tregoi Pejgamberit (a.s.), gjithçka që kishte ndodhur. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), bëri dua duke thënë:
"- Allahu jua begatoftë këtë" nate!"
Pa kaluar një vit prej kësaj duaje, Allahu i fali kësaj familjeje një tjetër djalë. Pejgamberi (a.s.), duke i dhënë pak hurmë bëri dua për këtë fëmijë dhe ia vuri emrin Abdullah. Transmetohet se, po në sajë të kësaj duaje, Abdullahut i lindën shtatë apo nëntë fëmijë dhe që të gjithë u bënë hafiza. (Buhari, Xhenaiz 42, Akikal; Muslim, Edeb 23)
Ajo nuk duhet ta neglizhojë kurrë burrin e saj dhe nuk duhet ta vërë atë në radhë të dytë ndër pjesëtarët e familjes. Për shkak se kjo gjendje bie ndesh me natyrën e krijimit, një burrë normal nuk mund ta pranojë një sjellje të tillë të gruas.
Për ta kënaqur një njeri, duhet ta njohësh shumë mirë atë. Për këtë arsye, gruaja duhet të përpiqet ta kuptojë burrin e saj, idealet, interesat dhe ndjenjat e tij; të ndajë me të dëshirat dhe të mos shkëputet kurrë prej tij. Përkundër kësaj, edhe burri duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë me gruan e tij. Nëse nuk i japin rëndësi kësaj, "uniteti dhe pikat e përbashkëta" si rrjedhojë e natyrshme e bashkëshortësisë, do të pakësohen dita ditës dhe me kalimin e kohës bashkëshortët do të largohen nga njëri-tjetri. Nëse nuk merren masa në kohën e duhur, pas një farë kohe, kjo gjë merr një përmasë të atillë, saqë dashurinë dhe unitetin midis bashkëshortëve e zë ndarja dhe urrejtja. Dhe, periudha më e keqe e kësaj, është pleqëria, sepse ndarja në moshën e pleqërisë të atyre që kanë kaluar me vitet të tërë së bashku dhe nuk janë përpjekur ta njohin e ta kuptojnë njëri-tjetrin, shkakton një vetmi të hidhur dhe një pendesë të pakthyeshme.
Gruaja, duhet ta ndihmojë burrin e saj në çdo punë të mirë e të lejuar. Ajo nuk duhet të tregojë mungesë respekti ndaj të afërmve të tij. Nëse vihet në pozitën e zgjedhjes midis dëshirës dhe sakrificës, ajo duhet të tregojë më tepër afërsi ndaj familjes së tij.
Jeta është e mbushur me surpriza. Mund të ketë edhe periudha fatkeqësie dhe problemesh. Prandaj, në periudha të tilla, ajo duhet të gjendet pranë burrit të saj dhe të përpiqet t'ia lehtësojë barrën atij.
Ngjashëm me këtë,janë thënë shumë fjalë të urta dhe aforizma. Për shembull, duke u frymëzuar nga këto fjalë, në çaste të vështira thuhet; "Edhe nëse te" rrjedh gjak nga goja, thuaj se piva lëng qershie!". Një fjalë tjetër thotë: "Në çerdhen familjare duhet hyrë me fustan nusërie. Shtëpinë duhet ta mbushësh me lumturi dhe prej asaj dere duhet dalë për në udhëtimin e përjetshëm me një qefin të bardhë e pa njolla."
Pejgamberi (a.s.), nuk mundi ta harronte një jetë të tërë durimin e gruas së tij të parë Hadixhes (r.a.), mirëkuptimin, dorëzimin dhe sakrificën e saj, duke e përkujtuar gjithmonë me dua.
Shkurtimisht, njerëzit duhet të duan, që të duhen; duhet të respektojnë, që të respektohen. Duhet të jesh flijues, që në këmbim të marrësh mirësi. Mirëpo, në një familje, në radhë të parë këto duhet të vijnë nga gruaja. Natyrisht që, gruaja e mençur, e bën burrin e saj që ta dojë dhe bëhet arkitekt ja e rrugës së lumturisë. Në një hadith fisnik, thuhet: "Gruaja që vdes ndërkohë që burri i saj është i kënaqur me të, hyn në xhenet." (Tirmidhi, Rada, 10)
Ky hadith fisnik, na lajmëron edhe për shpërblimin e një gruaje të mirë nëse ajo e kënaq burrin e saj, por cek edhe pozitën e burrit në familje dhe moralin e gruas.
Ndërsa burri duhet të bëjë kujdes të fitojë hallall me punën e tij. Ai duhet të bëjë kujdes që të mos i ushqejë me gjëra të dyshimta gruan dhe fëmijët e tij, të cilët nuk e dinë burimin e shpenzimeve që bëhen.
Në një hadith tjetër, thuhet: “Bukuria e njeriut është e fshehur në fenë e tij fisnikëria dhe nderi në mendjen e tij, ndërsa bukuria e sojit, në moralin e tij." Me këtë, ai na ka bërë të ditur kriteret e nevojshme që duhen pasur kujdes gjatë zgjedhjes së bashkëshortit/es.
Gruaja e mirë, nuk duhet të mjaftohet vetëm me dashurinë dhe respektin që tregon ndaj burrit të vet, por duhet të tregojë afërsi brenda kuadrit legjitim edhe për të afërmit dhe miqtë e tij. Kjo sjellje e gruas, e kënaq burrin e saj. Mirëpo, këtu ka një pikë në të cilën duhet pasur kujdes. Dhe kjo, është respektimi i kufijve të intimitetit që ka përcaktuar Islami. Kur gruaja është e vetme në shtëpi, ajo nuk duhet ta pranojë në shtëpi një të afërm me të cilin -sipas Islamit- i lejohet martesa. Kjo, është një çështje tepër delikate. Askush nuk duhet të vendosë syzet e qëllimit të pastër e të mirë dhe të rrënojë muret e intimitetit. E në mënyrë të veçantë, gruaja duhet të ruhet nga njollosja e vetvetes. Kjo, sepse gruaja është si një rrobë e bardhë, në të cilën bie në sy edhe njolla më e vogël. Edhe Pejgamberi (a.s.), ka dëshiruar të qëndrohet larg çdo pune që mund të ngjallte dyshime:
Një mbrëmje, i Dërguari i Allahut (a.s.), po ecte në një rrugicë me një prej grave të tij. Përball tij po vinin dy sahabë prej ensarëve, të cilëve u foli në formë prezantimi:
"Kjo është nëna juaj Sajije binti Hujej." Sahabët thanë:
"O Rasulullah! Allahu është i pastër dhe është e pamundur që Dërguari i Tij te" veprojë gjëra të papërshtatshme." Pas këtyre fjalëve, Resulullahu (a.s.), tha:
"Shejtani shëtit si gjaku në trupin e njeriut. Prandaj, unë kam frikë se mos ju hedh ndonjë të keqe -apo dyshim në zemrat tuaja." (Buhari, I'tikaf, 11; Muslim, Selam 23-25) Në këtë mënyrë, ai i porosiste njerëzit të mos bëheshin shkaktarë të dyshimeve dhe akuzave.
Gratë duhet të jenë gjithmonë pranë burrave të tyre në punë të lejuara, me qëllim që burrat të gjejnë ngushëllim tek to dhe t'u shtohet dëshira për punë. Siç dihet, mirësitë dhe bukuritë shtohen aq sa ato ndahen me të tjerët; ndërsa fatkeqësitë dhe hidhërimet pakësohen. Bashkëshortët, nuk duhet të harrojnë kurrë se janë shoku i jetës së njëri-tjetrit edhe në udhëtimin e kësaj bote, edhe në udhëtimin e botës tjetër. Ndërkohë që më parë secili prej tyre kishte një jetë private, me martesën u bënë pjesë të një jete dhe fati të përbashkët. Për rrjedhojë, ata duhet të respektojnë detyrimet e jetës së përbashkët dhe duhet të kujdesen gjithmonë për njëri-tjetrin në zbritjet apo tatëpjetat e jetës. Nëse njërit i pengohet këmba, tjetri duhet t'i bëhet bastun dhe nëse rrëzohet, tjetri duhet ta kapë përdore dhe ta ngrejë.
Gruaja, duhet të bëjë kujdes ndaj sjelljeve të burrit të saj dhe, kur e vë re se ai nevrikoset në një çështje, ajo nuk duhet ta zmadhojë çështjen dhe nuk duhet ta çojë deri në grindje. Kjo, sepse grindjet serioze dhe afatgjate, e cenojnë dashurinë dhe respektin midis tyre, duke e vënë në rrezik çerdhen familjare. Në raste të tilla, është e domosdoshme që gratë të bëjnë kujdes në sjelljet e tyre ndaj burrave, duke vazhduar të jenë të edukuara. Më në fund, edhe burri do ta kuptojë gabimin e vet dhe do ta respektojë gruan e tij edhe më shumë. Përndryshe, edhe pse mund të jetë në gabim, ai nuk ka për ta parë këtë padrejtësi që po bën dhe shejtani i cili ka hyrë midis tyre, do të mbjellë urrejtje dhe armiqësi në të dyja zemrat.
Një çështje tjetër në të cilën duhet të bëjnë kujdes bashkëshortët, është mosbesimi dhe xhelozia e tepërt. Një nga gjërat që i shqetësojnë më shumë njerëzit, është edhe mosbesimi që tregohet ndaj tyre. Nëse lidhur me këtë çështje dalin në pah shumë probleme serioze, para se të fajësojnë njëri-tjetrin, duhet të ulen e të provojnë të flasin. Pra, nuk duhet t'i zmadhojnë çështjet e imëta dhe t'i kthejnë në probleme të mëdha nga ku nuk mund të dilet më.
Disa njerëzve, mund t'ju mungojë intuita në lidhje me disa çështje. Mund të harrojnë ose të gabojnë. Prandaj, nëse gruaja e sheh se burri ka nevojë të këshillohet, duhet që ta bëjë atë të ndjejë se ajo është pranë tij me gjithë sinqeritetin dhe qëllimin e mirë. Dhe, në këtë çështje duhet të thotë më të drejtën e atyre që di. Ajo duhet të jetë njeriu më i besuar i tij.
Nuk duhet harruar se, burri dhe gruaja, janë elemente që e plotësojnë njëri-tjetrin. Për rrjedhojë, edhe gratë e Pejgamberit (a.s.), që janë edhe nënat e besimtarëve, shpesh herë e kanë ndihmuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), me mendimet e tyre. Për shembull, gjatë Marrëveshjes së Hudejbijes, sahabët shfaqën pakënaqësi në lidhje me pikat e marrëveshjes. Për këtë shkak ata po tregonin ngurrim në zbatimin e urdhrave të Pejgamberit (a.s.), i cili u hidhërua shumë nga kjo gjë. Mirëpo, nëna jonë Ummu Seleme (r.a.), e cila ndodhej aty, e ngushëlloi Pejgamberin (a.s.) dhe e këshilloi që urdhrin e dhënë ta zbatonte vetë pa pritur të tjerët. Kjo, sepse ajo e pa se, nëse Pejgamberi (a.s.), nuk e zbatonte vetë i pari urdhrin e rruajtjes së kokës dhe daljes nga ihrami, kishte mundësi që vendimet e marra në Hudejbije të tërhiqeshin, gjë për të cilën edhe sahabët ishin në pritje. Nëse e shohim në plan të parë, për atë moment ata nuk e kishin kuptuar urtësinë e vendimeve të marra në Hujdejbije dhe po prisnin që të hiqej dorë nga ato. Mirëpo, në sajë të këshillës jashtëzakonisht me vend të nënës sonë Ummu Seleme (r.a.), Pejgamberi (a.s.), e rroi kokën dhe doli nga ihrami. Kur sahabët e panë këtë, dolën nga ihrami kokulur dhe kjo çështje u zgjidh pa u lënë vend përfundimeve të hidhura.
Po ashtu, kur Pejgamberi (a.s.), mori shpalljen e parë, nëna jonë Hadixhe (r.a.), e ngushëlloi, ndau me të mërzitjen dhe shqetësimin dhe, duke e ndihmuar të takohej me Uaraka bin Neufelin, fitoi kënaqësinë e Pejgamberit (a.s.).
Në historinë Islame, një shembull i ngjashëm përmendet edhe në lidhje me Omerin (r.a.). Kur gjendeshin në xhami, Omeri po thoshte se gratë po kërkonin tepër mehir, gjë e cila po e vështirësonte martesën. Për këtë arsye, ai deshi ta kufizonte sasinë e mehrit. Në atë moment, një grua, e cila po e dëgjonte Omerin nga radhët e fundit, u ngrit në këmbë dhe e kundërshtoi atë, duke lexuar ajetin e 20 të sures en Nisa, ku theksohet se gratë mund të kërkojnë mehir aq sa të duan. Pas kësaj, Omeri e kuptoi gabimin dhe e ndërroi mendimin duke thënë: "Gruaja foli drejtë; Omeri u gabua. "(Ali el- Muttaki, XVI,536-537/45796)
Megjithatë, këtu kemi edhe një çështje të rëndësishme, mbi të cilën duhet të ndalemi. Ndërkohë që gruaja është duke këshilluar në çfarëdolloj çështjeje, edhe sikur mendimi i saj të jetë i drejtë, ajo duhet të ruhet nga mendjemadhësia. Kur i jep mendime dhe këshilla burrit të saj në çfarëdolloj çështjeje, ajo nuk duhet të dalë jashtë respektit dhe nuk duhet ta ulë burrin duke e treguar veten më të mençur. Kjo, sepse burrat nuk e kanë fort qejf të marrin këshilla prej grave. Me pak fjalë, gruaja e mirë, mirësinë e mendjes që i ka dhënë Allahu, duhet të dijë ta përdorë me kujdes ndaj burrit.
Një grua, duhet të gëzojë artin dhe marifetin për të hyrë në shpirtin e burrit të saj. Në histori gjenden shumë shembuj të këtij fakti. Shumë gra sulltanësh kanë ditur t'ua fitojnë zemrën burrave të tyre dhe kanë arritur të bëhen ortakë në sundimin tyre. Dhe, në këtë mënyrë ato kanë lënë pas shumë xhami dhe institucione të ndërtuara si sadaka-i xharije(1) për veten e tyre. Për rrjedhojë, ato ende përkujtohen me dua të mira për shkak të këtyre mirësive që kanë bërë.
Gjithashtu, nëse gruaja mundohet ta kritikoj ë apo ta këshillojë burrin e saj pranë të tjerëve, edhe kjo është në kundërshtim me rregullat e edukatës. Sado i gabuar qoftë, ajo nuk duhet ta turpërojë atë duke i nxjerrë në shesh të metën!.. Në të njëjtën mënyrë, një sjellje e tillë është e gabuar edhe për burrin, sepse në një ajet fisnik, urdhërohet: Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato ... " (Bekare, 187)
Po ashtu, përkundër mangësive dhe të metave të burrit të saj, është e gabuar që gruaja të lavdërojë një burrë tjetër pranë burrit të saj. Ajo nuk duhet të ankohet për burrin e saj as tek nëna dhe as tek babai i saj. Gjithashtu duhet të bëjë kujdes të mos e vërë në pozitë të vështirë pranë askujt. Në vend që t'i reflektojë mosmarrëveshjet midis tyre tek të tjerët, ata duhet të mundohen t'i zgjedhin ato ndërmjet tyre.
Sot, jemi dëshmitarë se në disa martesa, në themel të mos arritjes së lumturisë nga të dyja palët, qëndron mosvlerësimi i burrave nga gratë ose i grave nga burrat e tyre. Mirëpo, burri dhe gruaja, mund të jenë edhe xheneti, por edhe xhehenemi i njëri-tjetrit. Nëse gruaja tregon kujdes në devotshmërinë ndaj Allahut dhe fiton kënaqësinë e bashkëshortit të saj duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të tij, kjo grua e mirë është në rrugën drejt xhenetit.
________________
1. Sadaka Xharije: Një vepër e mirë, e cila vazhdon edhe pas vdekjes së personit. P.sh. edukimi i brezave, mbjellja e një peme, etj., prej të cilave do të kenë dobi njerëzit dhe krijesat e tjera edhe pas vdekjes së personit.
Osman Nuri Topbash
Revista Etika