Bashkësia Islame është e angazhuar fuqishëm që në shtetin tonë të krijohet ambient i sigurt për të gjithë

(Fjala përshëndetëse e myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava në hapjen e konferencës shkencore "Myslimanët shqiptarë në Ballkan")

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli. I nderuari sekretar i përgjithshëm i Ligës Botërore Islame, Muhamed bin Abdulkerim al Isa. I nderuari Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame, Ajni Sinani. Të nderuar anëtarë të kryesisë, anëtarë të Kuvendit Studiues, pedagogë të Fakultetit e të Medresesë. Ju të çmuar udhëheqës të këshillave të BI Efendilerë të respektuar. Zonja dhe zotërinj.
Më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, t'ju falënderoj sinqerisht që keni ndarë nga koha juaj e shtrenjtë për të qenë sot me ne në këtë aktivitet kulturor, që organizohet në bashkëpunim me Ligën Botërore Islame me seli në Mekë.
Të nderuar të pranishëm! Në fillim më lejoni që ta falënderoj e tapërshëndes sekretarin e përgjithshëm të Ligës Botërore Islame, zotëri Muhamed bin Abdulkerim al Isa, i cili ndër vizitat e para pas marrjes së postit, zgjodhi të vijë në vendin tonë, ndaj ndihemi të nderuar dhe njëkohësisht shpreh bindjen time që tani e tutje do të ketë rritje të bashkëpunimit mes Ligës Botërore Islame dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
Më duhet të them se Bashkësia Islame e Kosovës dhe Liga Botërore Islame kanë pasur një bashkëpunim të hershëm, mirëpo është hera e parë, që një sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate të rëndësishme për botën islame është për vizitë te ne. Me këtë rast e gjej të rrugës që edhe njëherë ta falënderojmë Ligën Botërore Islame për mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën që i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar populli e vendi ynë. Po ashtu falënderojmë dhe i jemi mirënjohës Ligës për përkrahjen dhe mbështetjen që ka dhënë në anëtarësimin dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ku duhet veçuar mbështetjen dhe përkrahjen për Kosovën te vendet e konferencës islamike dhe te vendet e Ligës Arabe.

Të nderuar të pranishëm!
Kosova tani e nëntë vjet është shtet i pavarur, e i njohur nga 114 vende të botës. Gjatë kësaj kohe Kosova ka organizuar e ngritur institucione e administratë demokratike, e cila është në shërbim të qytetarëve të saj. Pavarësia e Kosovës ka stabilizuar rajonin, dhe si e tillë përveç që është një rrëfim e një ngjarje suksesi, për më tepër është vënie në vend e drejtësisë së mohuar për një kohë të gjatë, dhe njohje e së drejtës së popullit të Kosovës për mëvetësi e sovranitet si të gjithë popujt e lirë e të përparuar.
Tanimë fal mbështetjes dhe përkrahjes nga miqtë tanë ndërkombëtarë, Kosova është bërë pjesë e shumë mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare, por kemi ende rrugë për të bërë deri në anëtarësimin e vendit tonë në OKB dhe në mekanizmat tjerë të rëndësishëm, andaj i nderuari sekretar, presim nga ju personalisht dhe nga Liga Botërore Islame që edhe më tutje ta mbështetni e përkrahni Kosovën në rrugën e saj për integrimin e plotë në institucionet ndërkombëtare.
Po ashtu, presim nga ju që ta përdorni autoritetin tuaj te shtetet me shumicë myslimanë të cilat ende se kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, që këtë ta bëjnë sa më parë, dhe besoj se kjo është më e pakta që ato mund ta bëjnë për vendin tonë.

Të nderuar të pranishëm!
Në gjithë rrugëtimin historik të popullit të Kosovës drejt shtetësisë, s'ka dyshim se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë një aktor i rëndësishme në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar populli e vendi ynë, e cila gjithherë qe pranë popullit, me popullin, dhe në ballë të stuhive me të cilat është përballur vendi e populli ynë. Meqenëse tema e konferencës së sotme është "Myslimanët shqiptarë të Ballkanit" më lejoni që t' i them disa fjalë për këtë.
Siç dihet nga historia, feja islame te ne është e pranishme qe më shumë se 6 shekuj, pra këtu e 6 shekuj në vendin tonë kemi edhe organizimin e jetës fetare islame. Gjatë këtyre shekujve feja islame ka luajtur rol të rëndësishëm në edukimin, arsimimin e fisnikërimin e popullatës sonë, por mbi të gjitha ka kontribuar në ngritjen dhe edukimin shpirtëror, pastaj atë kulturor, qytetërues e socio-ekonomik. Personalitete të shquara nga radhët e ulemave tanë kontribuuan fuqishëm në formonim e identitetit tonë kombëtar, kulturor, fetar e shtetëror. Me këtë duhet kujtuar të gjithë prijësit e ulematë tanë, të cilët lanë gjurmë të mëdha në historinë e popullit tonë. Ishin ulematë shqiptarë myslimanë që ndikuan në formimin e mendimit islam shqiptar, duke pasur parasysh kërkesat, nevojat, pritjet dhe objektivat e popullit tonë, krejt këto të bazuara e të frymëzuara në mësimet e pastra islame dhe në traditën pozitive të popullit tonë. Kontributi i veçantë i ulemasë dhe i prijësve myslimanë shqiptarë është edhe mëvetësimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar më 1923, që është edhe kontribut i drejtpërdrejtë i ndërtimit të shtetit dhe kombit shqiptar. Po ashtu paria myslimane qe bartëse e promovuese e vlerave humane, siç janë toleranca, mirëkuptimi e harmonia ndërfetare e ndëretnike.

Të nderuar të pranishëm!
I vetëdijshëm se për kontributin e myslimanëve shqiptarë në Ballkan do të flasin më tepër studiuesit në pjesën tematike të konferencës, nuk do të zgjatem më tepër, por më lejoni që të them edhe disa fjalë për angazhimet e Bashkësisë Islame në Kosovën e re, në Kosovën e lirë, në Kosovën e pavarur. Përveç misionit të saj primar, organizimit dhe promovimit të jetës fetare islame, me gjithë vështirësitë me të cilat jemi përballur, ngase siç dihet BI, nga lufta doli e dëmtuar dhe e shkatërruar rënd, por megjithatë Bashkësia Islame e Kosovës është angazhuar me tërë kapacitetet e saj, me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të madhe që të jemi pranë popullit, pranë bijve e bijave tonë, dhe t' i ngremë e t' i edukojmë shpirtërisht e moralisht, në ditë, kohë e çaste të vështira. Po ashtu, jemi angazhuar në rivendosjen e dialogut dhe të afrimit të komuniteteve e etnive që jetojnë në Kosovë. Me seriozitetin më të madh jemi angazhuar në ruajtjen e kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit ndërfetar, si brenda kombit tonë ashtu edhe në relacion me etnitë tjera.
Bashkësia Islame është e angazhuar fuqishëm që në vendin tonë, në shtetin tonë të ri të krijohen kushte, rrethana e ambient i sigurt për të gjithë, gjithnjë pa harruar të kaluarën, mirëpo pa mbetur peng i saj. Në këtë mision tonin, në bashkëpunim edhe me institucionet e vendit tonë dhe përkrahjen, mbështetjen dhe lehtësimin e miqve tanë ndërkombëtarë, kemi arritur rezultate të prekshme e konkrete, gjë që ka ndikuar në uljen e tensioneve ndëretnike. Këto angazhime Bash-kësia Islame i ka të përditshme në mesin e besimtarëve tanë, duke i udhëzuar ata me mësimet e Zotit, e Zoti na ka mësuar që të falim, sepse Ai është Falës, të duam, të respektojmë, e të punojmë vepra të mira, ngase Ai e do të mirën, dhe ta ngremë një shoqëri të ngritur e të shëndoshë, sepse Ai nuk i do trazirat e konfliktet në tokë.

Të nderuar të pranishëm!
Një angazhim i veçantë i Bashkësisë Islame të Kosovës është edukimi i drejtë i rinisë sonë, e theksoj i rinisë, për faktin se jemi dëshmitarë, se në vitet e fundit feja është keqpërdorur për interesa të ndryshme, dhe kjo ka bërë që të kemi interpretime të fesë për qëllime e agjenda nga më të ndryshmet, dhe kështu në emër të fesë janë shkaktuar konflikte, shkatërrime, gjakderdhje, krime të tmerrshme, e dëbime të popullatës së pafajshme. Jemi dëshmitar të interpretimit të fesë nga njerëz jokompetent, njerëz që fenë e kanë shndërruar në ideologji të errëta për t'i arritur qëllimet e tyre. Jemi dëshmitarë, që tashmë edhe pse në rënie e sipër, në Siri e Irak, duke keqpërdorur fenë, një grup ekstremistësh shpallën të ashtuquajturin shtet islami, i njohur si ISIS. Të gjithë i kemi parë pasojat që i solli ky i ashtuquajtur shtet, por për fatin tonë të keq edhe vendi ynë nuk qe imun ndaj kësaj ideologjie, një grup kryesisht të rinj iu bashkuan ISIS-it, sigurisht se të manipuluar, të vënë në lajthitje, të painformuar dhe pa një formim adekuat fetar. Është detyrë dhe përgjegjësi e jona, që të kujdesemi maksimalisht për ruajtjen e vendit dhe popullit tonë nga rrymat që fenë e përdorin si mjet mobilizues për ideologji ekstreme, që shpijnë në dhunë e terrorizëm. Që nga paraqitja e ISIS-it, Bashkësia Islame e Kosovës është distancuar qartë nga veprimet e saj, ka argumentuar që nuk flitet për mësime e parime islame, ka sqaruar dhe është angazhuar që të rinjtë tanë të mos bien pre e kësaj ideologjie. Ekstremizmi i dhunshëm është e keqja dhe rreziku më i madh me të cilin sot përballet shoqëria njerëzore.
Kjo çështje tanimë është një problem ndërkombëtarë, mirëpo kjo nuk na liron aspak nga përgjegjësia, që ne të bëjmë më të mirën për ta ruajtur popullin tonë nga ideologjitë e mësimet ekstreme. Në këtë rrafsh Bashkësia Islame e Kosovës është angazhuar me tërë potencialin e saj, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e vendit dhe ato të pranisë ndërkombëtare, si në përgatitjen e strategjisë kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ashtu edhe në zbatimin dhe implementimin e saj. Mbesim të angazhuar që këtë bashkëpunim e bashkërendim ta thellojmë edhe më tutje, me qëllim të ruajtjes së besimtarëve tanë, që të mos bien pre e ideologjive që shpijnë në ekstremizëm të dhunshëm. Bashkësia Islame e Kosovës me të gjitha institucionet e saj mbetet thellësisht e përkushtuar për ngritjen shpirtërore, fetare, edukative e arsimore të popullit tonë, larg çdo ekstremizmi, larg çdo ideologjie, larg çdo politizimi të fesë. Ne kemi një të kaluar të ndritshme të interpretimit të islamit në këtë vend, dhe themi me krenari që tani kemi të shtresuar mendimin islam në këtë nën qiell. Këtë trashëgimi e kemi amanet nga të parët tanë, ndërsa për ne është detyrë që ta kul-tivojmë e trasojmë me dinjitet. Ky mendim islam i kultivuar te ne, tanimë është vlerë dalluese dhe trashëgimi pozitive e popullit tonë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe suksese konferencës.



Naim ef.Tërnava, Myfti i Kosovës
Prishtinë, 12 mars 2017