Ebu Hurejreja r.a. tregon se vërtet Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: "Njerëzit janë metale, sikurse metalet e arit dhe argjendit. Të zgjedhurit e tyre në injorancë (para Islamit) janë të zgjedhur edhe në Islam, nëse ata mësojnë. E shpirtrat janë një grup ushtarësh, ata që e njohin njëri-tjetrin duhen, e ata që largohen prej njëri-tjetrit, do të kundërshtohen. "(1)
Fjalët e panjohura në hadith
Fjala me'aadin ka kuptimin e metaleve, mineraleve, xeheve. Njëjësi është ma'dinun, që d.m.th. metal, xehe. Themi "hu ve ma' dinul hajri vel keremi" - Ai është burim mirësie dhe bujarie.(2)
Fjala xhunudun ka kuptimin e ushtrisë, el xhejshu vel askeru. Njëjësi është xhundun dhe xhundijjun - ushtar. Gjeneza e kësaj fjale është el gildhu - fortësi dhe ettexhemme'u - bashkim. I thuhet tokës së fortë, e cila është shkëmbore: xhundun ve texhnidun - tokë e fortë.
Fjala el ervahu - shpirtrat, njëjësi është ruhun - shpirt, çdo send që ka jetë dhe lëvizje. Shpirti është element që nuk ka peshë e as vëllim, qarkullon nëpër trup dhe është i mbështjellë me të sikurse uji me trungun e njomë (të gjelbër). Gazaliu thotë: "Shpirti është element qarkullues, lëvizës, i shpërndarë në trup."(3)
Fjala tenakere ka kuptimin e mohimit, kundërshtimit, paraqiten sikur nuk e njohin njëri-tjetrin, qëndrojnë me maska, hiqen sikur nuk dinë gjë. Sillet në mënyrë mohuese, negative ndaj dikujt.
Fjala iëtelefe - bashkohet, bie në ujdi, ka kuptimin e lidhjes, shoqërimit - el iëtinasu, dashurisë - el mehabbetu, afërsisë, bashkimit.
Fjala ihteleve, d.m.th. nuk është dakord, ndryshon, dallon ka kontradikta, ndarje në mendime ihtilafun, kundërthënie.
Shpjegimi i hadithit
Shprehja në hadith: "Njerëzit janë metale sikurse metalet e argjendit dhe arit". S'ka dyshim se njerëzit janë metale që ndryshojnë njëri prej tjetrit në karakteristikat, veçoritë dhe cilësitë e tyre. Disa metale janë të shtrenjta, kanë çmim të lartë sikur ari e argjendi, e disa të tjera kanë vlerë të ulët, si bakri, alumini, hekuri etj. Ky krahasim i njerëzve me metale, xehe dhe minerale është një krahasim që përputhet në bazë të cilësive dhe veçorive që kanë. Kjo tregon se njerëzit do të vlerësohen në bazë të cilësive, ashtu siç vlerësohen metalet në bazë të përbërjes dhe cilësive. Ashtu sikurse metaleve të vlefshme që nuk u bie çmimi, ashtu edhe njerëzve që kanë fe, karakter, moral, sjellje e personalitet nuk u bie pozita dhe vlera që kanë në shoqëri. Njeriu është njeri atëherë kur ka fe dhe karakter, përndryshe mbetet vetëm një qenie e gjallë që ha dhe pi dhe nuk ka synim. Këtu në hadith elementi edh dhehebu - ari simbolizon karakterin e njeriut, që është karakteristika thelbësore e tij, që e bën të dallohet dhe vlerësohet nga njerëzit e tjerë:
Karakteri pasqyron aspektin fetar, moral, sjelljen e njeriut dhe vullnetin e tij. Karakteri përfshinë motivin, qëndrimin dhe vlerën sociale të njeriut. Thuhet se karakteri është drejtues i vullnetit, ndërsa vullneti është shtylla kurrizore e karakterit. Pra, atë vlerë që ka ari tek elementet e tjera të metaleve, e ka edhe karakteri te njerëzit, që i bën të vlerësohen dhe parapëlqehen. Sikurse ari si metal gjendet rrallë dhe me pakicë, ashtu edhe njerëzit me fe, karakter e moral janë të paktë në shoqëri.
Të zgjedhurit mbeten të zgjedhur nëse punojnë
Shprehja në hadith "Të zgjedhurit e tyre (klasa e lartë) në injorancë (para Islamit) janë të zgjedhur edhe në Islam, nëse mësojnë."
Islami beson në atë se përzgjedhja dhe përgatitja për zgjimin e ambicieve të njerëzve është edhe mbështetje në të kaluarën e tyre, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Shpesh kemi parë se njerëzve nuk u mohohet krenaria me të parët e tyre, përkundrazi ajo mbetet dhe e ngre cilësinë e tyre, me kusht që të mbështillet me mësimin dhe kuptimin e fesë. Kjo krenari njëkohësisht mbetet motiv për modesti, afërsi dhe lidhshmëri, e jo motiv për mahnitje, ftohje dhe mendjemadhësi. Hadithi në mënyrë artistike dhe precize na ilustron gjendjen e njerëzve në të kaluarën e tyre, e cila mund të ndikojë në ambiciet e tyre për të lëvizur ndjenjat dhe për të sakrifikuar më të shtrenjtën e tyre, në veçanti në kohë dhe rrethana të vështira. Ka njerëz që e kaluara e tyre nuk është e lavdishme sikur e disa të tjerëve, ndaj edhe ambiciet e tyre janë të palëvizshme, vullneti është i ulët dhe dëshira është e qetë. Islami nxit për ruajtjen e këtyre vlerave, respektivisht për ruajtjen e të parëve dhe krenarinë e tyre edhe pas nderimit që u është bërë atyre me Islam. Mësimi i fesë është si kushtëzim për t'i ruajtur nga mashtrimi, vetëkënaqësia dhe mendjemadhësia me gjyshërit, stërgjyshërit dhe me të parët e tyre të lavdishëm.
Se sa ka rëndësi mësimi, kuptimi dhe veprimi në fe këtë e dëshmon edhe ky ajet: "E përse nga çdo grup i tyre, të mos shkojnë disa prej tyre për të mësuar fenë, e pastaj për t'i udhëzuar popullin e tyre kur të kthehen tek ata." (Et Tevbe, 122)
Esenca e të mësuarit të fesë është urtësia që feja përmban. Urtësia në fe është zgjidhja, është përmbyllja e çdo problemi në jetë. Me urtësi në fe përfitohen edhe zemrat më të ngurta dhe shpirtrat më të padëgjueshëm. Me urtësi hidhërimi shndërrohet në dashuri, urrejtja në afërsi dhe errësira në dritë. Me urtësi vrazhdësinë e bën të butë dhe dekorim. Kur njeriu bëhet rob i urtësisë, mundësitë për të gabuar janë minimale. Në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë: "Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe." (El Bekare, 269)
Pejgamberi s.a.v.s. kuptimin dhe mësimin e fesë e kishte cilësuar si mirësinë më të mirë që njeriu mund ta posedojë, duke e lavdëruar edhe me këto porosi të tij profetike: "Kujt Allahu i dëshiron mirësi, ia bën fenë të kuptueshme."(4)
"Një njohës i thellë i fesë është më i vështirë për djallin se një mijë njerëz (adhurues mekanikë)."(5)
Përçarja në fe ndodh për shkak të mungesë së njerëzve kompetentë, të aftë dhe të thellë në çështjet e ndryshme fetare. Adhurues mekanikë ka mjaft, por adhurues me njohuri të thella, me meditim dhe aftësi janë të paktë dhe të rrallë në postet publike dhe me ndikim.
Shprehja në hadith: "Shpirtrat janë një grup ushtarësh.”
Çdo njeri anon nga ata që janë të përshtatshëm dhe të njëjtë me të fetarisht, moralisht, shpirtërisht dhe ideologjikisht. Mirëpo pas një kohe jo të gjatë kjo nuk mbetet kështu, pasi fillojnë të paraqiten grupe me çështjet e tyre të veçanta që i bashkon interesi i tyre, mirëpo varet se a është interes pozitiv apo interes negativ. Atëherë, pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse shpirtrat e njerëzve të mirë bëhen si ushtarë të bashkuar, të një lloji dhe ngjyre. Ata njihen dhe bashkohen njëri me tjetrin. Takimi i tyre është gëzim, e bashkimi është kënaqësi, ngase në parim janë të njëjtë dhe unikë dhe shpirtërisht janë të afërt.
Në këtë kontekst kemi shumë ajete kuranore dhe porosi pejgamberike. Allahu xh. sh. thotë: "Dhe Ai i ka bashkuar zemrat e besimtarëve. Sikur ti të kishe shpenzuar gjithë çka në Tokë, nuk do t'i kishe lidhur aq fort zemrat e tyre, por është Allahu që i bëri bashkë ato." (El Enfal, 63)
Bashkimi i zemrave të njerëzve nuk mund të bëhet në gjëra materiale, zemrat janë pasuri që nuk blihen dhe shiten me para, por dhurohen. Më e lehtë është të ndërtohet një pallat sesa të udhëzohet një zemër. Imani i pastër dhe i sinqertë i bën zemrat të dashura dhe unike, i bën një grup ushtarësh me cilësi, formë dhe ngjyrë të njëjtë.
Për karakteristikat e besimtarit flet edhe ky hadith: "Besimtari është i dashur dhe i afërt. Nuk ka dobi nga ai i cili nuk është i dashur dhe i afërt."(6)
Sa u përket shpirtrave që janë indiferentë, urrehen dhe e zmbrapsin njëri-tjetrin, ata do të kundërshtohen dhe nuk do të pajtohen. Këta shpirtra janë të një strukture, anojnë në gjëra dhe fenomene të ulëta, përkrahin të keqen dhe veprojnë të ndaluarën. Klima e tyre është plot çrregullime, fati i tyre është fati i djallit, i cili i ka mashtruar dhe vazhdimisht i fryn vetëm e vetëm që të mbeten të këqij.
Për t'u ruajtur nga shpirtkëqijtë duhet të shpeshtojmë leximin e kaptinës El Felek, ku Allahu xh.sh. na urdhëron të themi: "Thuaj, i mbështetem (Allahut) Zotit të agimit. (Të më ruaj) nga sherri (e keqja) e asaj që Ai ka krijuar. Dhe nga sherri i errësirës (së natës) kur ajo vjen me errësirën e saj. Dhe nga sherri i atyre që bëjnë magji kur u fryjnë nyjave. Dhe nga sherri i ziliqarit kur me zili vepron." (El Felek, 1-5)
Aisheja r.a. tregon: "Pejgamberi a.s., gjithnjë kur binte në shtrat të flinte, frynte në duart e tij (pasi kishte lexuar) edhe "Kul huvall-llahu Ehad" edhe "Kul eudhu birabbil felek" edhe "Kul eudhu birabbin nas", pastaj fërkonte me to fytyrën dhe sa i mbërrinin duart nga trupi i tij." Pastaj Aisheja r.a. shtoi: "Ndërsa, kur iu rëndua sëmundja, gjithnjë më thoshte mua që t'ia bëja këtë gjë për të."(7)
Imam Gazaliu është pyetur: "Sa lloj njerëzish janë?"
Imami u përgjigj: "Janë tre lloj njerëzish:
1. Disa njerëz janë si ushqimi. Çdo njeri vazhdimisht ka nevojë për ta.
2. Disa njerëz janë si ilaçet, na duhen vetëm në rast nevoje.
3. Ka edhe njerëz që janë si sëmundjet, askush nuk ka nevojë për ta, por të ndjekin vazhdimisht pas. Prej tyre duhet të ruheni."
________________________
(1) "Sahihu Muslim", vëll. XIII.
(2) Sulejman Tomçini, "Fjalori arabisht-shqip", fq. 579.
(3) Dr. Musa Vila, "Komentimi i haditheve sipas metodologjisë shkencore", fq. 93.
(4) "Sahihul Buhari", Kitabul ilmi, vën. r, fq. 27, nr. 71.
(5) "Sunen Ibni Maxhe", vëll. I, fq. 258, nr. 218; "Sunen Et Tirmidhij", vëll. IX, fq. 295, nr. 2605.
(6) El Mustedrek ala sahihajni lil Hakim", vëll. I, fq. 73, nr. 59; "Musned Esh Shihab El Kadaij", vëll. I, fq. 207, nr. 123.
(7) "Sahihul Buhari", nr. 5748.
Prof.ass.dr. Musa Vila