Shtatë njerëz të mirë të lëvduar nga Profeti ynë

Një hadith që i përmbledh të gjitha bazat që ka theksuar me këmbëngulje Profeti (a.s.) ... në këtë hadith të nderuar Profeti (a.s.), sikur përshkruan një besimtar tepër cilësor në çdo fushë të jetës shoqërore. Ndalet te 'fotografia' e myslimanit ideal duke theksuar gjendjen e tij shpirtërore dhe qëndrimin e tij prej besimtari.

Shtatë grupe njerëzish që do t'i mbrojë hija e Allahut në atë kohë kur nuk bën dobi asnjë hije tjetër; çdonjëri prej tyre është një shembull, një besimtar ideal ... karakteri i shtatë njerëzve sipas të cilëve i Dërguari i Allahut ka dashur të formojë umetin (popullin) e tij. Çdo karakter në fushëveprimin e tij shpreh bukurinë dhe elegancën e Islamit. Ejani ta mësojmë së bashku këtë hadith të nderuar:
Profeti (a.s.) ka thënë: "Ditën e Kiametit, kur nuk ka hije tjetër, Allahu do t'i fusë në hijen e Tij shtatë lloje njerëzish:
1- Drejtuesin e drejtë të shtetit;
2- Të riun që jeton një jetë të pastër, duke adhuruar Allahun;
3- Njerëzit, zemrat e të cilëve janë të lidhura pas xhamive;
4- Dy njerëz që duhen për hir të Allahut, bashkohen dhe ndahen për hir të Allahut;
5- Trimin që i thotë “jo, unë kam frikë nga Allahu” propozimit të palejuar të një zonje të bukur dhe me pozitë;
6- Të pasurin që jep lëmoshë në mënyrë aq të fshehtë, sa që dora e majtë të mos shohë çfarë ka dhënë dora e djathtë;
7- Njeriun i cili derdh lot për Allahun kur është në vetmi.”
Ja pra 'shtatë njerëzit e mirë' janë këta.
Hadithi fillon me një lajm të mirë. Të jesh nën hijen e Arshit në një kohë të tmerrshme. Të kesh cilësi të tilla, që të mund të hysh në mëshirën e Allahut atë ditë kur sytë do të tmerrohen nga frika dhe kur askush nuk do t'i bëjë dobi askujt.

Kush janë këta shtatë njerëz të mirë?

Drejtuesi i drejtë i shtetit: Shteti është i rëndësishëm për unitetin dhe rregullin e shoqërisë. Por, të qenit i drejtë i drejtuesit të shtetit është e rëndësishme për qëndrueshmërinë e shoqërisë. Një drejtues shteti, i cili ia arrin të jetë i drejtë të paktën aq sa t'u japë të drejtat natyrore qytetarëve të tij pa bërë dallime dhe diferencime, thjesht ngaqë janë njerëz. Si Omeri, i ndjeshëm aq sa të japë llogari para popullit për rrobën që kishte qepur, duke e bashkuar me pjesën e djalit të tij, i hapur aq sa të kërkojë prej popullit ta rregullonin me shpatat e tyre kur bënte ndonjë gabim, i sinqertë, njësh me popullin. Sepse drejtësia është themeli i ekzistencës. Rregulli brenda shoqërisë mund të ndërtohet vetëm me një drejtim të drejtë dhe me frikën ndaj Allahut në zemra.

I riu i cili jeton një jetë të pastër duke adhuruar Allahun: Periudha e rinisë është një periudhë e mbushur me sprova të mëdha për njeriun. I riu është një njeri në formë të mirë fizike dhe mendore. Në qoftë se këtë formë/freski e përdor në drejtimin që Allahu dëshiron, atëherë bëhet pjesë e atyre shtatë njerëzve që ka përshkruar Profeti (a.s.). Përndryshe fuqia e tij do të kthehet në një bela, e cila nuk do të shmanget kurrë. Atëherë gjatë gjithë jetës së tij nuk do të shpëtojë nga vorbullat e nefsit të tij. Për këtë arsye thuhet që adhurimi është i bukur, por kur e bën një i ri bëhet më i bukur. Nderi është një cilësi shumë e bukur, po në qoftë se gjendet tek i riu është më e bukur. Maturia është një veçori e bukur, por kur gjendet tek i riu bëhet më e bukur. I riu që dëshiron Profeti (a. s.), është si Aliu, Enesi, Musabi, të cilët ia përkushtuan veten Allahut, të Dërguarit të Tij dhe Islamit.

Njeriu, zemra e të cilit është e lidhur me xhaminë: Ky është një kusht shumë i rëndë, ta kesh zemrën të lidhur pas xhamive. Programin ditor të besimtarit e përcakton Allahu. Allahu ka vendosur në programin ditor të besimtarit të thënët e Fatihasë dyzet herë në ditë.
Fatihaja thuhet gjatë namazit dhe namazi më i mirë është namazi me xhemat. Vendi i xhemateve janë xhamitë. Për këtë arsye, xhamitë mbartin vetinë e gurit të themelit të kulturës islame. Xhamitë duhet të jenë në qendër të hartës së dashurisë së besimtarit. Si dhe ligjëratat, bashkimet, leximet e Kuranit dhe adhurimet e bëra aty ... të gjitha këto janë veprat që mund të bëjnë njerëzit e përshkruar në hadithin : "dy njerëz që duhen për hir të Allahut, bashkohen dhe ndahen për hir të Allahut".
Dy njerëz që pa marrë parasysh asnjë përfitim material takohen vetëm për hir të Allahut, e duan njëri-tjetrin për hir të Tij dhe ndahen për hir të Tij ... për të arritur kjo në zemrat e atyre dy njerëzve, duhet të ekzistojë dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut, duhet të ekzistojë frika ndaj Allahut ...
Një njeri tjetër i zgjedhur është “ai që i refuzon një propozim të cilin nuk e do Allahu, një gruaje të këndshme dhe me pozitë, duke i thënë: “unë kam frikë nga Allahu” ... kjo është e njëjtë me sjelljen trimërore të Jusufit ndaj propozimit që i ka bërë Zulejhaja, duke iu bindur nefsit të saj. Kjo do të thotë të sillesh si profeti Jusuf (a.s.). Ky nuk duhet menduar vetëm si propozimi i një gruaje ... në ditët tona ka shumë mjete që bëjnë propozime të këndshme për nefsin, por që janë kurthe gjynahesh: lagjja, rruga, televizori, interneti, gazeta, revista ... të gjithë janë me ndikim, të këndshëm, por vinë me ca propozime të shëmtuara. Trimëria e vërtetë është t'u thuash 'jo' edhe atyre dhe t'i mbyllësh sytë. Ja pra, ky është njëri prej njerëzve të mirë, të cilin e ka përshkruar Zotëria ynë në hadithin e tij. Një personalitet prej besimtari, i cili zotëron një karakter të tillë që nuk bëhet kafshatë e pasionit të tij, vullneti i tij është i lidhur vetëm me kënaqësinë hyjnore dhe çdo gjë jashtë kënaqësisë hyjnore i duket e shëmtuar.
Pasuria është një mirësi prej së cilës Allahu i jep sa të dojë njeriut, shumë herë jashtë vullnetit dhe punës së tij. Sigurisht që kjo është një mirësi për ata që e shohin si të tillë ... sepse ka dhe njerëz për të cilët pasuria është një sherr. Për këtë arsye, pasuria fiton kuptim dhe vlerë vetëm kur harxhohet në vendet ku dëshiron Allahu. Çdo monedhë e harxhuar në rrugën e djallit do ta kapë për fyti të zotin e tij Ditën e Gjykimit dhe do të bëhet zjarr i xhehenemit për të. Prandaj nuk është zotësi të kesh pasuri; zotësia e vërtetë është ta begatosh pasurinë me sadaka (lëmoshë) dhe të investosh për ahiretin ... sidomos ta japësh lëmoshën sipas porosisë profetike në fshehtësi të plotë dhe për hir të Atij që na e ka dhënë pasurinë, si dhe harxhimin ta bësh ashtu siç i pëlqen Atij ... edhe kjo është një prej cilësive të shtatë njerëzve më të mirë ...
Të bëhesh i aftë të kuptosh që pasuria është e përkohshme, Allahu është i Përjetshëm, robi është i varfër e Allahu është i pasur ...
Dhe cilësia e fundit, “myslimani që qan për Allahun kur është vetëm.”
Pse duhet të qajmë? Vallë, a thua mjaftojnë fletët për të shkruar gjërat për të cilat mund të qajmë? Së pari duhet të fillojmë të qajmë për gjendjen tonë. Për mangësinë e veprave tona dhe për faktin që ato nuk mjaftojnë për të paguar as falënderimin për mrekullinë e një syri të vetëm. Mbi të gjitha këto duhet të qajmë për budallallëkun që tregojmë kur mendojmë se ne po bëjmë diçka me të vërtetë (me forcat tona).
Duhet të qajmë për fatkeqësitë materiale dhe shpirtërore ku kanë rënë vëllezërit tanë myslimanë. Duhet të qajmë për jetën tonë, e cila ka dalë nga orbita dhe për filozofinë tonë të jetës e cila është e pakuptim, pa përkufizim dhe larg devotshmërisë. Duhet të qajmë për dëshirat materiale që kemi, për padrejtësitë që i bëjmë njëri-tjetrit, për zemrat që thyejmë dhe për zemrat të cilat nuk mund t'i bëjmë për vete.
Të qash kur je vetëm kërkon një privatësi të veçantë. Sepse nuk është e mundur të derdhësh lot të sinqertë në mes të të gjithëve. Është e rëndësishme. Dhe rëndësia e saj ka të bëjë me atë për të cilin qan. Ja pra, në qoftë se këta lot të derdhur janë për hir të Allahut dhe për hallet e besimtarëve, ata janë të paçmuar.
Për t'u bërë pjesë e listës së shtatë njerëzve të mirë të Profetit (a.s.), duhet të zgjedhim vetminë dhe me zemër të vrarë e me përulësi të derdhim lot. Duhet të derdhim lot në detin e mëshirës së Tij. Duhet të jenë lot të tillë që prej tyre të përfitoj më faljen tonë. Lotët tanë duhet të jenë shenjë për ne. Duhet të jemi të aftë të themi në prani të Allahut: "O Zoti ynë, unë i derdha këta lot për dashurinë ndaj teje, për hirin Tënd ... qava me net të tëra për hallet e robërve Tuaj ... dhe erdha në praninë Tënde me lotët e mi që nuk më pushojnë!... "
Lum për ata që janë prej këtyre shtatë njerëzve të mirë. Dhe lum për ata që e kanë qëllim të bëhen një prej këtyre shtatë njerëzve.
Duaja jonë:
"O Zoti ynë, Zoti dhe Sundimtar i çdo gjëje, Krijues i Qiellit dhe Tokës, që e di të fshehtën dhe të qartën, dëshmoj që nuk ka zot tjetër përveç Teje. Të mbështetem Ty nga sherri i nefsit tim dhe nga sherri i shejtanit dhe bashkëpunëtorëve të tij. " (Tirmidhiu, Deavat, 14, v:V/467)



Shefika Kaja Meriç


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip