Nuk ka dyshim se qëllimi kryesor i tregtisë është fitimi, kështu që nëpërmjet kësaj veprimtarie tregtari siguron të ardhurat për veten e familjen e tij. Në anën tjetër, tregtari mysliman e di se një nga obligimet thelbësore të fesë së tij është që fitimi i tij të jetë vetëm hallall.
Në lidhje me këtë Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë ka thënë: "O të dërguar, hani nga të lejuarat, dhe bëni vepra të mira!" (El Muminun, 51)
Në këtë ajet e shohim se Allahu i Madhërishëm u paraprin veprave të mira, me fitim dhe ngrënie të hallallit. Imam Gazaliu e përmend se në një rast qe zhvilluar një bisedë në mes dy imamëve, që kishin qenë edhe shokë të afërt, dhe që së bashku kërkonin dituri. Ata qenë Ahmed bin Hanbeli dhe Jahja bin Meini. Ky i fundit, në bisedë e sipër, i thotë Ibën Hanbelit se nuk e lut për jetë, dhe nuk i kërkon askujt asgjë. Mirëpo, nëse do t'i jepte edhe shejtani diçka (pa i kërkuar), do ta merrte dhe do ta hante. Si shkak i kësaj thënie Ibën Hanbeli iu hidhërua atij. Jahja bin Meini i kërkoi falje, duke i thënë se ishte shaka. Atëherë Ibën Hanbeli i tha: "A po bën shaka me fe? A nuk e di se Allahu i Madhëruar i ka dhënë përparësi ngrënies së gjërave të lejuara para bërjes së veprave të mira, duke thënë në Kur’an: "Hani nga të lejuarat, dhe bëni vepra të mira!" ("Ihja Ulumi Din", Gazali, vëll. II, f. 92)
Çmimi i drejtë dhe fitimi i kënaqshëm
Nëse i bëjmë një vështrim librit të Allahut (Kur’anit) dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, të cilat flasin në lidhje me fushën e shitblerjes, vënies së çmimeve dhe fitimeve tregtare, atëherë e shohim se Islami nxit në vendosjen e çmimeve që nuk e nënvlerësojnë mallin, në njërën anë, dhe nuk e mbivlerësojnë atë, në anën tjetër. Kështu baras peshon interesin e konsumatorit dhe të prodhuesit, respektivisht tregtarit, duke mos dëmtuar asnjërin në llogari të tjetrit. Islami parasheh parime të përgjithshme të tregut, orienton sjelljet e konsumatorit, merr parasysh vendimet e tregtarit në përcaktimin e përqindjes së fitimit dhe e urdhëron pushtetarin (qeverinë) të kujdeset për këto. Si shembull të këtyre mekanizmave kemi faktin se Islami ndalon ndërhyrjen e pushtetarit në përcaktimin e çmimit, si dhe t'i bëjë tregtarët t'i shesin mallrat me çmime të detyruara. Kjo për faktin se i bëhet padrejtësi tregtarit, dhe caktimi i çmimit e bën që mallrat të mos gjenden në treg, të fshihen nga tregtarët, për të pritur mundësi t'i shesin me çmime që ata janë të kënaqur; kështu edhe shtrenjtohen artikujt dhe krijohen kriza të tregut.
Njëherë, në kohën e të Dërguarit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, u ngrit çmimi në Medinë, dhe njerëzit thanë: "O i Dërguari i Allahut, është ngritur çmimi (pra ka ndodhur shtrenjtimi i mallrave), cakto për ne një çmim (të definuar)!" I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, tha: "Allahu është përcaktuesi i çmimit, Ai është Shtrënguesi, Dhënësi, Furnizuesi, dhe unë dëshiroj ta takoj Allahun e Lartësuar duke mos më kërkuar llogari askush nga ju për ndonjë padrejtësi që i kam bërë, në gjak (jetë) apo në pasuri!" (Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët).
Nga ky hadith kuptojmë se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, nuk caktoi çmim, edhe pse këtë e kërkuan prej tij. Pastaj e sqaroi se caktimi i çmimit është padrejtësi, kurse padrejtësia është e ndaluar (haram). (Subulus Selam, Sanani, vëll. III, f. 32)
Kur lejohet caktimi i çmimit nga ana e pushtetarit (qeverisë)?
Juristët islamë theksojnë se në raste të domosdoshme, për të evituar ndonjë dëm të përgjithshëm, sikurse nëse ndodh monopoli në tregti, ose ndërhyrja e ndërmarrjeve të fuqishme në treg të lirë, nëpërmjet diktimit të çmimeve për të shfrytëzuar mundësitë e tyre, duke u bërë padrejtësi të tjerëve, prodhuesve, ndërmarrjeve të vogla ose konsumatorit, atëherë pushtetarit, respektivisht qeverisë, i lejohet, të ndërhyjë për t'i ndaluar padrejtësitë e tilla. Kështu mund të caktojë edhe fitime të kënaqshme, duke mënjanuar humbjet dhe falimentimet.
Kadi Zade El Hanefi thotë: "Vlera e çmimit është e drejtë ekskluzive e palëve kontraktuese në shitblerje (shitësit dhe blerësit), andaj nuk duhet që imami (udhëheqësi i vendit, qeveria) të ndërhyjë në këtë të drejtë, përveç nëse bëhet fjalë për shmangien e dëmit të përgjithshëm." ("El Inaje Sherhul Hidaje", Baberti, vëll, VIII, f. 127)
Vlerësimi paraprak i këtij dijetari është përzgjedhja e shumicës së juristëve islamë rreth caktimit të çmimit (Et Tesi'ir) në tregje.
Ibën Kajim El Xhevzije thekson se caktimi i çmimit, në disa raste është i ndaluar (haram), e në disa raste është drejtësi dhe e lejuar. Nëse përmban padrejtësi ndaj njerëzve, apo detyrim pa të drejtë për të shitur mallin e tyre me çmimin që nuk e donë, ose ndalim nga gjërat që i ka lejuar Allahu për ta, atëherë është haram. E nëse përmban drejtësi në mes njerëzve si, për shembull, detyrimi i tyre që të shesin me çmim që përfshin edhe kompensimin e mallit dhe ndalimin e tyre që të marrin shumë më tepër (fitim) së bashku me kompensim të mallit, atëherë në këtë rast është hallall, i lejuar, madje është vaxhib (e domosdoshme) (Shih: "Et Turukul Hukmije", Ibën Kajim, f. 638)
Islami e mbron konsumatorin nga grykësia e tregtarit
Jurisprudenca islame përmban një numër të rregullave dhe dispozitave që mbrojnë të drejtat e konsumatorit nga padrejtësitë e mundshme të tregtarit. Për këtë Islami ndalon monopolin në tregti (El Ihtikar), ndalon tradhtinë në cilësinë e mallit, mashtrimin në çmim, tregtinë me forma të bixhozit, shitjen me kamatë, tregtinë duke mos i sqaruar blerësit drejtë se çfarë po blen (shitja e panjohur), shitjen e atij malli që nuk e zotëron, ndërhyrjen në shitblerje, blerjen e rreme, dy shitblerje në një kontratë, shitblerjen e gjërave të ndaluara, sikurse alkooli dhe forma të tjera të shitblerjeve. (Shih për këto shitblerje të ndaluara: "Minhaxhul Muslim", Xhezairi, f. 376-380!)
Të gjitha këto tregti të ndaluara futen nën ndalesën e Allahut të Madhëruar në Kuranin famëlartë:
"Mos e ngrëni (ia merrni) pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit, për t'ua përvetësuar njerëzve një pjesë të mallit në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije." (Bekare, 188)
Synimi kryesor i të gjitha këtyre formave të ndaluara të tregtive është mbrojtja e konsumatorit nga lakmia e tregtari dhe shfrytëzimi që ai e ka në dispozicion për të arritur deri te fitimi, duke keqpërdorur pamundësinë e klientit që ta mbrojë vetën.
Përqindja e fitimit në tregti
Në Kuranin famëlartë dhe në Sunetin pejgamberik, nuk ekziston ndonjë e dhënë e cila do ta përcaktonte përqindjen e fitimit në tregti sikurse gjysma, një e treta, një e katërta, apo diçka e tillë, e cila do ta kufizonte fitimin e tregtarit në shitblerjen e tij.
Ndoshta fshehtësia në këtë qëndron në arsyen se definimi i përqindjes së fitimit të caktuar në të gjitha mallrat, në të gjitha shoqëritë, në të gjitha kohët, në të gjitha rrethanat, për të gjitha kategoritë e njerëzve, është një punë e cila nuk do të arrinte të realizojë drejtësi çdo herë.
Kjo për faktin se ekzistojnë disa faktorë që ndikojnë që një mall të shitet me një fitim më ndryshe nga një mall tjetër. Ka dallim në mes të një malli që këmbehet me një afat më të shpejtë, sikurse artikujt ushqimorë, dhe të tjerëve që këmbehen në vit dhe disa herë. Pastaj, kemi disa gjëra që nuk shiten me vite. Prandaj, fitimi në artikujt e parë duhet të jetë më i paktë se në mallrat që ri shiten më ngadalë.
Ka dallim në mes të atij që shet pak dhe atij që shet shumë, ose kapitali i investimit të atij që është më shumë se i atij më pak, pasi që fitimi i paktë në një kapital të investuar më të madh është fitim i madh. (Revista: "Mexheletul Mexhmeil Fikhil Islami", tema:
"Tahdid Erbahi Tuxhar", Kardavi, vëll.V, f. 2259)
Pastaj ka dallim fitimi në mallra edhe në bazë të rrezikshmërisë që mban përsipër tregtari gjatë blerjes dhe rishitjes së një gjëje, sikurse nevoja e deponimit ose transportit nga një vend në tjetrin më të largët, ose nevoja e ushqimit, nëse gjëja që shitet është frymë, etj.
Gjithashtu juristët islamë bëjnë dallim edhe në mes të artikujve që janë esencialë dhe të domosdoshëm për të gjithë njerëzit, sikurse të pasurit ashtu edhe të varfrit.
Sidoqoftë, këto që i përmendëm janë vetëm disa nga arsyet pse Islami nuk vendosi limite në fitimet e tregtarëve por këtë ia la traditës së shoqërive (zakonit-urfit) dhe ndërgjegjes së tregtarëve, të cilët duhet gjithsesi t'i përfillin normat e drejtësisë e mirësisë, si dhe ta ndalojnë vetën nga zullumi dhe dëmtimi i blerësve.
Islami nuk bën ndarje në mes të ekonomisë dhe moralit (ndershmërisë), ashtu siç bëjnë sistemet tjera që qëllimin kryesor e të vetëm e kanë" fitimin", dhe i tërë aktiviteti tregtarë zhvillohet në realizimin e këtij objektivi, duke mos përfillur kodet morale. Prandaj, Islami ndalon kamatën, monopolin, shitjen e gjërave të ndaluara (harameve), etj.
Alaudin Abazi