Caktimi i çmimeve dhe përqindja e fitimit në tregti (2)

Shpjegimet e juristëve islamë rreth kufizimit të fitimit

Nëse ua bëjmë një hulumtim trajtimeve të fukahave rreth kësaj problematike, atëherë shohim se ata nuk kufizojnë përqindjen e fitimit të tregtarëve në shitblerjet e tyre. Përveçse Zejleiu dhe Ibën Abidini, që të dy nga dijetarët hanefi, e që kur flasin për caktimin e çmimit në jurisprudencën islame theksojnë se tregtarët e artikujve ushqimorë, veçantë ata të ushqimeve që janë të domosdoshme dhe esenciale, nëse bëjnë tejkalime të mëdha në rritjen e çmimeve, duhet të ndërhyhet për ta rregulluar këtë, duke caktuar një çmim që nuk realizon shumë fitim, për të mos dëmtuar njerëzit në sigurimin e jetesës. (Redul Muhtar, Thën Abidin, vëll. IX, f. 573)
Gjithashtu edhe disa dijetarë malikinj konstatojnë se nuk është e drejtë që përqindja e fitimit ta tejkalojë një të tretën, mirëpo vërehet se ky vlerësim i tyre ishte vetëm një ixhtihad që nuk ka mbështetje në argumente sheriatike.

Sidoqoftë, në disa transmetime që përcillen nga praktika e myslimanëve në kohën e të Dërguarit, lavdërimi e paqja qofshin mbi të, shohim se ata kanë lejuar që tregtari të fitojë qoftë edhe njëqind për qind, apo më shumë, përderisa ajo tregti realizohet drejt, duke mënjanuar tradhtinë, mashtrimin e gënjeshtrën, posaçërisht nëse tregtari nuk shfrytëzon padijen e njerëzve që nuk i njohin çmimet në treg.
Përcillet në hadith nga Buhariu, Ebu Davudi dhe disa koleksionues të tjerë të haditheve, se me një rast i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i dha një shoku të tij me emrin Urve El Bariki një dinar, për t'i blerë një dele. Ai shkoi në treg dhe me atë dinar bleu dy dele, pastaj e shiti njërën për një dinar, dhe u kthye te Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me delen dhe dinarin. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e pyeti se çfarë bëri, dhe Urveja ia sqaroi. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e aprovoi këtë veprim, pasi ishte tregti e lejuar, edhe pse fitimi ishte njëqind për njëqind. Gjithashtu përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, bëri dua për këtë njeri që Allahu t'i japë bereqet në tregtitë e tij. Pas kësaj tregohet se Urve El Bariki kishte bereqet në tregtitë që zhvillonte, saqë thuhet se edhe nëse do të shiste dheun do të fitonte. (Fet'hul Bari, Ibën Haxher, vëll. VII, f. 445)
Gjithashtu, nga argumentet që kuptojmë për lejimin e fitimit pa limit në tregti është ai që vërtetohet nga sehabiu Abdullah bin Zubejri, njëri nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, i cili kishte blerë një tokë në Medinë me një çmim, pastaj pas një kohe e shiti nëntë fish më shtrenjtë sesa që e kishte blerë. (Shënon Buhariu)

Vendimi i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut islam në lidhje me përqindjen e fitimit në tregti

Akademia Ndërkombëtare e Fikhut islam - El Mexhmeul Fikhi El Islami Ed Dueli, është një institucion shkencor në të cilin janë anëtarësuar dijetarët më eminentë të kohës nga mbarë bota. Kjo akademi u themelua në vitin 1401 h-1981, dhe e ka selinë në Xheda të Arabisë Saudite. Ajo mban takime të rregullta në vende të ndryshme të botës, për të diskutuar çështjet aktuale që kanë nevojë për vlerësim dhe sqarim nga pikëpamja e jurisprudencës islame. Kështu, kjo akademi ka shqyrtuar problematikën e përqindjes së fitimit në tregti dhe ka nxjerrë një vendim.
Vendimi i akademisë:

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut islam, i cili buron nga Organizata e Kongresit Islamik, në mbledhjen e tij të pestë të mbajtur në Kuvajt, më 01-06 xhumadel evel, viti 1409 h, që përputhet me 10-15 dhjetor, të vitit 1988, pas shqyrtimit të hulumtimeve të arritura nga anëtarët e ekspertët në lidhje me përcaktimin e fitimit të tregtarëve, pas dëgjimit të diskutimeve të bëra, vendosi si vijon:
Së pari: Esenca të cilën e vërtetojnë citatet sheriatike dhe parimet e përgjithshme juridiko-islame është që njerëzit duhet të lihen të lirë në shitblerjet dhe në aktivitetet me pronat e pasuritë që i posedojnë, brenda dispozitave të pastra islame. Kështu pra, duke punuar sipas fjalës së Allahut: " O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm!" (Nisa, ajeti 29).
Së dyti: Nuk ka ndonjë limit në përqindjen e fitimit, e të cilës duhet t'i përmbahen tregtarët gjatë aktivitetit të tyre të shitblerjes. Ajo i nënshtrohet kushteve të përgjithshme të tregtisë dhe rrethanave të tregtarit e mallrave, duke i pasur parasysh normat fetare të butë-sisë, përmbajtjes, zemërgjerësisë dhe lehtësimit.
Së treti: Janë ndërthurur shumë citate sheriatike që obligojnë që aktivitetet tregtare të jenë larg ndalesave, sikurse tradhtia, mashtrimi, dredhia, falsifikimi i realitetit të fitimit, monopoli që shkakton dëm publik apo individual.
Së katërti: Nuk ndërhyn pushtetari (qeveria), në caktimin e çmimit, përveç nëse ekziston ndonjë destabilizim ose çrregullim në treg dhe në çmime, si rezultat i faktorëve artificialë. Në këtë rast pushtetari ndërhyn, me metoda të drejta e të mundshme, të cilat mënjanojnë ata faktorë që janë shkaktarë të destabilizimit, të shtrenjtimit apo të mashtrimeve.



Alaudin Abazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip