I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., për shkak të dashurisë së jashtëzakonshme dhe brengës për ymetin, paralajmëroi ymetin në intrigën që do të paraqitet para Ditës së Gjykimit, e gjithë këtë që intrigat të mos na largojnë nga feja e Allahut dhe mëshira e Tij si dhe shpërblimet në Ahiret.
Për karakterin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., Allahu i madhëruar në Kuran shpalli:
“Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët. “ (Et - Teube, 128)
Në hadithin që e transmeton Avf ibn Malik, r.a., i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., paralajmëroi pasuesit e tij në gjashtë gjëra duke thënë:
“Frikësohem për ju për gjashtë gjëra: pushtetit të marrëve dhe të prishurve, derdhja e gjakut të pafajshëm, blerja e pozitës, ndërprerja e lidhjeve familjare, kthimi i leximit të Kuranit në këngë dhe rritja e numrit të policëve.” (Taberaniu)
Këto janë fenomene nga të cilat është frikësuar i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., për ne, ndërsa në realitet të gjitha këto janë parashenjat e vogla të Ditës së Gjykimit të cilat po vërtetohen në kohën tonë. Nëse jo të gjitha, atëherë shumica e të përmendurave.
Që moti pushteti u jepet atyre që nuk e meritojnë. Moti njerëzit e padenjë e kanë marrë pozitën e folësve dhe udhëheqësve që flasin në emër të popullit, ndërsa njerëzit gjysmë analfabet me moral të dyshimtë sundojnë me masën, shtetin dhe të mirat e popullit.
Xhabir ibn Abdullahu, r.a., transmeton që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka thënë Ka’b ibn Uxhretit, r.a.: “Allahu të ruajt nga pushteti i të paturpshmëve dhe të marrëve.” E pyeti: “I Dërguari i Allahut, e çfarë d.m.th. pushteti i të paturpshmëve dhe të marrëve?” U përgjigj: “Ata janë që do të vinë pas meje dhe të cilët nuk do ta pasojnë udhëzimin tim dhe as Synetin tim. Ata të cilët do t’u besojnë gënjeshtrave të tyre dhe i përkrahin në zullumin e tyre, ata nuk më takojnë mua, as unë ata, dhe ata nuk do të sillen te Havdi im (burim i xhennetit). Ndërsa ata që nuk u besojnë gënjeshtrave të tyre dhe nuk i përkrahin në zullumin e tyre, ata janë me mua, edhe unë jam i tyre, dhe ata do të vinë në Havdin tim.” (Ahmedi)
Kur njerëzit e neveritshëm, të prishur dhe të paaftë i marrin frerët e pushtetit në duart e tyre, atëherë ata i robërojnë dhe mbizotërojnë njerëzit dhe i udhëheqin në të keqe, intriga dhe greminë, ngase u hapin të gjitha dyert e të këqijave dhe veseve të liga.
E dyta që ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është derdhja e gjakut të pafajshëm. Ky fenomen sot është i qartë dhe gjaku njerëzor e sidomos gjaku i myslimanëve, sot është bërë gjëja më e lirë. Pos kësaj, në veçanti myslimanët në mes veti e derdhin gjakun pa asnjë arsye. Vrasjet në masë janë një prej parashenjave të Ditës së Gjykimit, për të cilën ka paralajmëruar Pejgamberi, s.a.v.s., në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre, r.a., duke thënë: “Koha do të afrohet, dituria do të pakësohet, lakmia do të mbizotërojë, intrigat do të paraqiten dhe do të paraqitet ‘herxh’.” E pyetën: “I Dërguar i Allahut, ç’është herxh?” U përgjigj: “Vrasje masovike.”
E cili është dënimi i atij që e mbyt myslimanin me qëllim? Kurani thotë:
“Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh. “ (En - Nisaë, 93)
Myslimani sikur mos të bëjë asnjë mëkat pos mbytjes me qëllim të myslimanit tjetër i mjafton zjarri i xhehennemit përherë.
E treta, mitoja dhe blerja e pozitës, njësoj kur ka të bëjë me gjyqësi, pushtetit ekzekutiv ose në përgjithësi për pozitat në sektorin publik. Sot njerëzit që kanë të holla mund të blejnë gjykatësit dhe paligjshëm të realizojnë çfarëdo që dëshirojnë, ndërsa u cungojnë (privojnë) të drejtat e atyre që shkatërrohen duke u bërë zullum me përmasa të paparapara. Sa ka politikanë, gjykatës, ministra dhe tjerë që e kanë blerë pozitën dhe vendin e punës, ndërsa sa i përket blerjes së diplomave, pagesat e shkrimit të punëve magjistrale dhe të diplomave, përshkrimin dhe vjedhjen e të drejtave autoriale, as mos të flasim. Në kohën tonë në pushtet, në pozitë, në katedra, vie me të holla, nepotizëm, mito dhe korrupsion, ose nëpërmes partive politike të cilat disponojnë me vendet e punës. Dhe në vend që të punojnë për popullin që i zgjedh, që ta përparojnë shtetin, politikanët e grabisin shtetin dhe pasuritë shtetërore, i vendosin personat e papërshtatshëm në funksionet përgjegjëse dhe me duart e tyre e rrënojnë shtetin dhe shkatërrojnë të mirat shoqërore dhe shtetërore. Jo rastësisht i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka mallkuar atë që jep dhe atë që merr mito. Ndërsa ajo që është e mallkuar nuk mundet me qenë e bereqetshme dhe asnjëherë nuk sjell dobi për popull dhe shtet.
E katërta, ndërprerja e lidhjeve familjare, e cila poashtu vërehet si fenomen në shoqërinë bashkëkohore. Pejgamberi, s.a.v.s., ka tërhequr vëmendjen për këtë fenomen, ngase ruajtja dhe mbajtja e lidhjeve familjare është shenjë e marrëdhënieve të shëndosha në shoqëri dhe garancë e ekzistimit të shoqërisë. Sa ka rëndësi lidhja familjare dëshmon se këto ishin fjalët e para që Pejgamberi, s.a.v.s., ua drejtoi banorëve të Medinës kur bëri Hixhret: “O njerëz, përhapni selamin, ndani ushqimin, ruani lidhjet familjare dhe faluni natën kur njerëzit tjerë flenë, do të hyni në Xhennet të shpëtuar.” Për këtë nuk është e çuditshme që ndërprerja e lidhjeve familjare është prej parashenjave të ditës së Gjykimit, siç qëndron në hadith: “Nuk do të vie Dita e Gjykimit derisa nuk paraqitet shfrenimi, ndërprerja e lidhjeve familjare dhe marrëdhëniet e këqija ndaj fqinjëve.” (Ahmedi dhe Hakimi)
E pesta, transformimi i leximit të Kuranit në këngë. Këtu aludohet në paraqitjen e fenomenit të leximit të Kuranit si lloj arti, kështu që disa myslimanë tërë jetën ia kushtojnë përsosjes së leximit melodik të Kuranit duke arritur popullaritet dhe famë me paraqitjen në manifestime të ndryshme, kështu që masat e rëndomta popullore këtyre lexuesve u japin përparësi ndaj dijetarëve të vërtetë dhe njohësve të Kuranit.
E gjashta, rritja enorme e numrit të policëve. Duke komentuar këtë hadith dijetarët kanë thënë se kuptimi i rritjes së numrit të policëve, bodigardëve, njësive speciale për mbrojtjen e sundimtarëve dhe personelit shtetëror, është shenjë e pasigurisë dhe intrigave në shoqëri dhe këtë pasiguri kryesisht e prodhojnë sundimtarët, ngase janë të padrejtë dhe të korruptuar dhe janë tiranë e zullumqarë, andaj përpiqen ta ruajnë qetësinë artificialisht, duke angazhuar shumë policë që t’i mbrojnë ata dhe t’u mundësojnë ta aplikojnë zullumin ndaj popullit.
Secila nga gjërat e përmendura që paraqitet në shoqëri, shkakton ngatërresa dhe parregullsi, e sidomos kur janë prezente të gjitha siç është rasti në kohën tonë. Ndërsa nga ngatërresat çfarëdo lloji qofshin nuk ka rrugëdalje pos kthimi kah Allahu xh.sh., ibadeti i sinqertë, forcimi i imanit dhe veprat e mira të shumta, për çfarë aludon hadithi në të cilin Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Ibadeti në kohën e “herxhit” (vrasjeve masovike dhe ngatërresave) është sikurse hixhreti kah unë.” (Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhxheh)
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi