Mendjemadhësia është epërsia ndaj njerëzve. Ajo është sëmundje morale dhe njëra nga shthurjet më të këqija, të cilën e ka ndaluar feja islame dhe ka paralajmëruar pasojat prej saj. Allahu xh.sh. thotë:
"Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde ndaj njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do mendjemadhin e që lavdërohet shumë". (Lukman: 18)
Në një ajet tjetër Allahu në Kur'anin famëlartë thotë: "Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, sepse ti as nuk mund ta çash tokën as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve". (Isra: 37)
Domethënia e mendjemadhësisë shfaqet qartë kur mendjemadhi e refuzon të vërtetën dhe nuk e pranon si dhe kur ai fyen dhe i nënçmon njerëzit, e nuk i respekton ata.
Transmetohet nga Abdullah ibn Mesudi se Profeti alejhi selam ka thënë: "Nuk mund të hyjë në xhennet ai që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie. Njëri nga Sahabët tha: "Njeriu ka dëshirë që ta ketë veshjen dhe mbathjen e bukur"? Profeti i tha: "Allahu është i bukur dhe e do bukurinë, mendjemadhësia është mospranimi i së vërtetës dhe përbuzja e njerëzve".(1)
Mendjemadhësia (kryelartësia) është njëra nga cilësitë e Allahut të Madhërishëm. Ai është "Mbizotëruesi, i Shenjti, i Gjithëpërsosuri, pa asnjë të metë, Gjithëdhuruesi i sigurisë, Gjithëvëzhguesi mbi krijesat e Tij, i Gjithëfuqishmi, Urdhëruesi i pa përballueshëm, më i Larti Suprem" (El-hashr: 23)
Allahu xh.sh. në një hadith kudsij thotë: "Krenaria është manteli Im dhe madhështia është brezi Im, e kush më konkurron njërën nga ato dyja e hedh në xhehenem dhe nuk pyes”(2)
Mendjemadhësia e çon individin në shkatërrim, sepse ajo e shtyn në çdo të keqe dhe e largon atë nga çdo e mirë.
Transmetohet nga Ebi Salama ibn Abdurrahman: "U takuan Abdullah ibn Amr me Abdullah ibn Umer në Safa. Pasi shkoi Abdullah ibn Amr, Abdullah ibn Umer ndenji duke qarë, i thanë çfarë të bën ty të qash? Tha: "Abdullah ibn Amr pretendoi që kishte dëgjuar Profetin alejhi selam duke thënë: "Kush ka në zemrën e tij një farë sinapi mendjemadhësi, Allahu e përmbys në xhehenem.”(3)
Prej efekteve të këqij a të cilat pasohen nga kjo sëmundje morale
Së pari: Allahu i Madhërishëm e verbëron zemrën e mendjemadhit dhe nuk udhëzohet te e vërteta. Ai nuk i kupton ajetet e Allahut dhe për pasojë nuk reflekton ndaj tyre, sepse Allahu ia ka izoluar zemrën e tij si dënim për mendjemadhësinë e tij. Ky është paralajmërim për të gjithë ata të cilët i josh vetja që të bëhen mendjemëdhenj. Të gjithë ata që iu largohen ajeteve të Allahut për shkak të mendjemadhësisë i pret përfundimi katastrofik.
Allahu i madhërishëm në Kur'anin famëlartë thotë: "Unë do të largoj nga ajetet e mia (vargjet e Kur 'anit) ata të cilët do të sillen me kryelartësi e me kundërshti në tokë pa asnjë të drejtë" (El-A'raf: 146)
Dhe në një tjetër ajet Kur'ani Allahu i madhëruar thotë: "Kësisoj Allahu vulos zemrën e çdo tirani kryelartë" (Gafir: 35)
Së dyti: Allahu i Madhërishëm nuk e do çfarëdo arroganti mburravec, dhe nuk e gëzon bujarinë e Allahut vetëm ai që Allahu e do. Pra, mendjemadhi është larg nga Zoti. Allahu i Madhërishëm thotë: "Vërtet që Allahu nuk do çfarëdo arroganti e mburraveci" (Lukman: 18)
Së treti: Rreziku i mendjemadhësisë rritet edhe më shumë në momentin kur mendjemadhi bëhet kryelartë ndaj adhurimit të Zotit tij, pastaj përfundon në xhehenem. Allahu xh.sh. thotë: "Me të vërtetë ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj meje, padyshim që do të hyjnë në Xhehenem me poshtërim" (Gafir: 60)
Së katërti: Pasoja tjetër e mendjemadhësisë është zemërimi i Allahut në mendjemadhin si dhe përfundimi i keq i tij.
Transmetohet nga ibn Umer: "Kush lartësohet në veten e tij dhe krekoset në ecjen e tij, e takon Zotin e tij të zemëruar me të".(4)
Së pesti: Allahu i Madhëruar ia përshpejton mendjemadhit dënimin dhe ia dyfishon deri sa të arrijë në ekliptikë në dynja. Transmetohet nga Ebu Hureijra r.a. se Profeti alejhi selam ka thënë: "Ndërsa një burrë po mburrej me rrobën e tij, i pëlqeu vetja, Allahu e mbuloi atë në dhe, deri në Ditën e Kijametit".(5)
Së gjashti: Mendjemadhi qëndron në injorancë. Edhe kur mëson diçka dija e tij nuk shtohet, sepse kryelartësia e tij e ndalon atë që të pyesë dijetarët, dhe të marrë pjesë në veprimtaritë e tyre. E kundërta ndodh me njeriun modest i cili nuk e shikon si problem që të marrë dijen nga dijetarët më të mëdhenj se ai në moshë ose me të vegjël. Muslimanët e parë janë shprehur: "Nuk bëhet burri fisnik derisa ta marrë dijen nga njerëzit që janë sipër tij, dhe njerëzit që janë si ai, dhe njerëzit që janë më poshtë se ai".
Së shtati: Nga pasojat e këqija të mendjemadhësisë që i sjellin njeriut shkatërrim, është se ajo e ndalon njeriun që të pranojë mendimet dhe këshillat e të tjerëve. Mendjemadhin e shikon jotolerant për mendimin e tij, ose për mendimin që ai e beson. Ai pretendon që mendimet e të tjerëve janë gabim, dhe se vetëm mendimi i tij është i drejtë. Prandaj, mbetet i ngurtë në një mendim dhe ide të caktuar.
Shkaqet e mendjemadhësisë
Ajo që e shtyn njeriun te sëmundja e keqe e mendjemadhësisë është dobësia e besimit të tij në Allahun e madhëruar, Nëse ai do të kishte besimin e fortë nuk do të ishte treguar kryelartë, sepse atëherë ai do të besonte se vetëm Allahu është me i Larti, Mbizotëruesi.
Pra, shkaku i parë i mendjemadhësisë është besimi i dobët në Allahun dhe mosbesimi në botën tjetër. Allahu xh.sh. thotë: "E ata që nuk e besojnë botën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese (të njësisë së Zotit) dhe ata janë kryelartë" (El-nahl: 22)
Njëra prej shkaqeve të mendjemadhësisë është edhe mburrja me prejardhjen. Allahu i Madhëruar e ka bërë peshoren e prioritetit me frikën ndaj tij dhe jo me prejardhjen e me stërgjyshërit.
Allahu xh.sh. thotë: "Pa dyshim se më i ndershmi prej jush tek Allahu, është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)" (El-huxhurate: 13)
Transmetohet nga Ubej ibn Ka'b r.a. që dy burra po krenoheshin te Profeti alejhi selam. Njëri i tha tjetrit: "Unë jam filani, i biri i filanit derisa i numëroi nëntë. Kush je ti që as nënë nuk ke". Muhamedi a.s. u tha: "U mburrën dy burra te Musai a.s. Allahu i Madhëruar i tha Musait: thuaj atij që u mburr - të nëntit janë nga banorët e zjarrit dhe ti je i dhjeti.(6)
Gjithashtu prej shkaqeve të mendjemadhësisë është të qenit e njeriut më mirë në adhurim sesa të tjerët. Ai duhet të ishte i vetëdijshëm që përfundimi i mirë është vetëm në dorën e Allahut. Njeriu nuk është i sigurt a qëndron i vendosur në adhurim apo jo. Ndoshta një mëkat që lind përulje, është me mirë sesa një adhurim që lind kryelartësi e mendjemadhësi.
Është transmetuar që një burrë izraelit shkoi te një adhurues dhe i shkeli me këmbë në qafe. Ndërkohë që ai ishte në sexhde, adhuruesi i tha: ngrije këmbën se vallahi nuk ta fal Allahu këtë mëkat. Zoti i tha adhuruesit: "O ti që bëhesh suprem, përkundrazi ty nuk ta fal (Allahu)".(7)
Edhe pasuria është njëra nga shkaqet e mendjemadhësisë. Të pasurit i duhet që ta falënderojë Allahun dhe të shpenzojë pasurinë e vet në rrugë të lejuara. Kjo pasi që pasuria është diçka që zhduket, është sprovë për njeriun, dhe në qoftë se bëhet shtypës dhe kryelartë, atëherë pasuria do të jetë shkak i disfatës së tij. Njeriu duhet gjithmonë të mos e harrojë që nga balta është edhe te balta do të përfundojë.
Posti dhe prestigji!!
Shumë njerëz ndryshojnë në marrëdhëniet e tyre atëherë kur marrin një post më të lartë. Magjepsen pas postit, i harrojnë shokët e vjetër dhe ditët e vështira që kanë kaluar së bashku. Besimtarët e devotshëm nuk i ndryshon posti dhe nuk i harrojnë vëllezërit e tyre, ashtu siç ka thënë edhe poeti:
"Fisnikët kur dalin nga situata kujtojnë ata që kanë miqësuar në kushte të vështira"
Ai që e shikon veten e tij të lartë, duhet t'i tregojë vetes origjinën e saj, dhe t'i shmanget kësaj sëmundjeje.
Transmetohet se Omer ibn Hatabi r.a. në një fjalim u tha njerëzve: "Dikur kullosja bagëtitë e tezeve të mia për ca hurma dhe rrush të thatë me të cilat kaloja ditën. Abdurrahman Ibn Auvf i tha: "Nuk shtove gjë vetëm se nënvlerësimin e vetes tënde. Ndërsa Omeri iu përgjigj: Mjerë ti! Një ditë më tha vetja ime, që ti je Princi (Emiri) i muslimanëve. Kush është më i mirë se
ti? Prandaj, desha që t'ia tregoj asaj origjinën".
Gjithashtu transmetohet se Omer ibn Adulaziz, halifja i pestë i muslimanëve, po rrinte një ditë me disa miq të tij. Ndërkohë u prish kandili. Ai u ngrit dhe e rregulloi. Miqtë i thanë: "E kishim rregulluar ne në vend teje. Ndërsa ai u përgjigj: Nuk është nga fisnikëria që burri të përdorë mikun e tij. U ngrita dhe unë isha Omeri dhe u ktheva përsëri Omer, nuk m'u pakësua asgjë".
Dijetarët midis së kaluarës dhe aktuales
Dija mund të jetë njëra nga shkaqet e mendjemadhësisë, atëherë kur nuk kërkohet për hir të Zotit, dhe atëherë kur ai mburret e bëhet kryelartë ndaj njerëzve dhe shfaqet sikur është më i dituri dhe më madhështori nga njerëzit.
Allahu xh.sh. thotë në Kur'an: "...juve (o njerëz) ju është dhënë fare pak dije". (Isra: 85)
Do ishte më parësore për dijetarët që ata të ishin njerëzit më modest, ngase ata janë më koshientë për mirësinë e thjeshtësisë, dhe për përfundimin e mendjemëdhenjve e tiranëve.
Dijetarët e parë muslimanë ishin njerëz shumë modest. Shembulli i tyre ishte Profeti (a.s), të cilin e kërkonin njerëzit që të ndalej për t'iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Ai ndalej për të moshuarin e për të riun dhe iu përgjigjej pyetjeve të tyre pa mërzi e pa ankim ...
__________________
1. Transmetoi Muslimi dhe Tirmidhiu.
2. Transmetoi Muslimi dhe Ebu Daudi.
3. Transmetoi Ahmedi dhe Bejhakiu.
4. Transmetoi Hakimi dhe Tabarani.
5. Transmetoi Buhariu dhe Muslimi.
6. Transmetoi Ebu Daudi.
7. Transmetoi Ebu Daudi.
Marrë nga revista "Mexhel-letu al-az 'har"
Ahmed Omer Hashim
Përktheu nga gjuha arabe Shaban Vathaj