Lutjet që duhen bërë në sexhde

Në temat paraprake kam shtjelluar çështje që ndërlidhen me mënyrën e shkuarjes ne sexhde, ndërsa në këtë temë do ta trajtoj çështjen e lutjeve në sexhde, gjegjësisht do të flas për lutjet (duatë) që duhen shprehur në sexhde. Cilat janë ato lutje? Sa herë duhet të bëhen dhe cila mund të jetë kuota e atyre thënieve?

Lutjet në sexhde janë sunet

Megjithëse në raport me lutjet që duhen bërë në sexhde ka tekste të shumta profetike, saqë lexuesi i rëndomtë kur të kalojë pranë atyre teksteve lehtë mund të konkludojë se ato janë të domosdoshme; dijetarët vënë theksin se tekstet e tilla nuk nënkuptojnë për obligueshmëri (farz), por ato janë sunet. Në këtë kontekst, autori i “el-Hida-je" thotë: " ... e madhërimet e rukusë dhe sexhdesë janë sunet..."(1) Nga kjo rezulton se sexhdeja është farz, ndërsa madhërimi në të është sunet dhe, praktikisht, edhe nëse lihet tërësisht madhërimi, namazi juridikisht konsiderohet i vlefshëm, ndonëse një veprim i tillë nuk preferohet, madje konsiderohet mjaft i qortuar.
Në sexhde shprehet madhërim, jo lexim Kurani! Sexhdeja, sikurse edhe rukuja janë vende ku kërkohet të shprehet madhërim, por jo të lexohet Kurani në ruku e as në sexhde, duke u bazuar në hadithet në vijim: “Më ka treguar Ebu Tahiri dhe Harmaleh nga Ibën Vehbi, ky nga Junusi, ky nga Ibën Shihabi, ky nga Ibrahim ibën Abdullah ibën Hunejn, ky nga babai i tij e ky e kishte dëgjuar Ali ibën ebi Talibin duke thënë: "Më ndaloi i Dërguari i Allahut që të lexoj (Kuran) derisa jam në ruku apo sexhde.”(2)
Hadithi vijues që transmetohet nga Ibën Abasi është më detajizues: “Na ka treguar Museddedi nga Sufjani, ky nga Sulejman ibën Suhejmi, ky nga Ibrahim ibën Abdullah ibën Ma'bedi, ky nga babai i tij e ky transmeton nga Ibën Abasi se I Dërguari i Allahut e hoqi perden dhe njerëzit ishin të radhitur safe safe pas Ebu Bekrit (që ishte imam) dhe tha: "O njerëz! Nuk ka mbetur diç nga përgëzimet e profetësisë përveç ëndrrave të bukura që i sheh myslimani apo ato që i shfaqen atij, e unë jam ndaluar të lexoj (Kur'an) gjersa jam në ruku (i përulur) dhe në sexhde. Në ruku, madhërojeni Zotin e në sexhde bëni përpjekje të vazhdueshme në lutje, ngase përgjigjja ndaj jush është realitet."(3)
Po në qoftë se namazfalësi lexon Kuran në sexhde (apo edhe në ruku), atëherë sipas pjesës dërmuese të juristëve, namazi nuk prishet, por veprimi i tij konsiderohet si veprim i papëlqyer (mekruh), ndërsa namazi juridikisht është i vlefshëm. Kështu mendon edhe imami i madh Ebu Hanife, i cili është i mendimit se pa marrë parasysh a bëhet leximi i Kuranit në sexhde me qëllim apo pa qëllim, namazi nuk prishet, por një veprim i tillë nuk rekomandohet, madje qortohet.(4)

Çfarë duhet thënë në sexhde?

Në bazë të teksteve të ardhura në lidhje me lutjet që duhen bërë në sexhde, ajo që më tepër anojnë dijetarët dhe që i ka argumentet më të fuqishme dhe më të shumta, është lutja e mirënjohur: "Subhane rabbije-l a'la". Kjo lutje historikisht është praktikuar gjeneratë pas gjenerate, duke mos përjashtuar edhe lutjet tjera që mund të bëhen në sexhde. Pra, kjo lutje ka qenë dominante në praktikën e faljes së myslimanëve. Nga ajo që kam hulumtuar, pjesa dërmuese parashohin që kjo lutje të praktikohet në sexhde, ndonëse Maliku është i mendimit se në sexhde nuk ka ndonjë lutje të caktuar e të prerë, madje sipas një versioni, ai kishte injoruar opinionin e njerëzve në lidhje me praktikën e lutjes: "Subhane rabbije-l a'la", duke pretenduar se nuk e di (në bazë të transmetimeve) nëse duhej të thuhet ajo lutje (për shkak se në këtë kontekst kanë ardhur hadithe të shumta që flasin për lutje të ndryshme në sexhde), ndonëse, nëse namazfalësi e shqipton atë, atëherë nuk ka ndonjë pengesë. Ai madje parasheh që, në rast të braktisjes së madhërimit në sexhde, namazi konsiderohet i pavlefshëm.(5)

Sa herë duhet shprehur madhërimi në sexhde?

Shejbani në lidhje me madhërimin që duhet bërë në sexhde, thotë: " ... e namazfalësi në sexhde thotë: "Subhane rabbije-l a'la, së paku tri herë, në secilën rekat të namazit..."(6)
Shejbani është i mendimit se, nëse madhërimi në sexhde (ashtu sikurse edhe në ruku) bëhet vetëm një herë, është e qortueshme, për shkak se hadithi e nënkupton se ai madhërim duhet bërë tri herë, në mënyrë që të jetë ai madhërim i plotë, përndryshe mbetet i mangët, e në qoftë se është më tepër se tri herë, atëherë kjo është edhe më mirë. Shafiu mendon se edhe një madhërim i vetëm është i mjaftueshëm.(7)
Pra, ajo që kërkohet në sexhde është thënia "Subhane rabbije-l a'la, ku duhet të thuhet së paku tri herë, e nëse bëhet më tepër, atëherë sigurisht se është më e vlefshme.(8)
Nëse namazi është me imam, atëherë juristët tërheqin vërejtjen që ajo lutje të mos bëhet më shumë herë se aq, apo eventualisht të mos bëhet ndonjë lutje më e gjatë në vend të saj. E tëra kjo që njerëzit të mos lodhen apo irritohen nga namazi i stërzgjatur. Dijetari i mirënjohur Halevani dhe shejhu-l islam Havahir Zadeh janë të mendimit se kur namazfalësi falet i vetëm, atëherë është më me vlerë që madhërimi të bëhet më shumë se tri herë, si pesë apo shtatë herë.(9) Madje, edhe nëse bëhet më shumë se aq, është e preferuar dhe e pëlqyer (mustehab), si nëntë herë apo eventualisht edhe më tepër, nëse falja është individuale e jo me imam.(10) Me rëndësi është që madhërimi të jetë tek.
Sufjan Thevriu thoshte se imami duhet ta thotë madhërimin në ruku e në sexhde pesë herë, në mënyrë që namazfalësit pas tij të jenë në gjendje ta thonë atë së paku tri herë.(11) E rëndësishme është që madhërimi, si në ruku, ashtu edhe në sexhde, të jetë tek e jo çift!
Lënia e madhërimit apo mosplotësimi i tri madhërimeve në sexhde konsiderohet veprim i papëlqyer (mekruh tenzihen).(12)

Argumentet për madhërimin në sexhde

Më herët tregova për lutjen e madhërimit që duhet bërë, lutje që është përcjellë gjeneratë pas gjenerate nga koha e të Dërguarit të Allahut, në vijim do t'i sjell argumentet për këtë lutje: Na ka treguar Rrebi' ibën Nafi' Ebu Tevbeh dhe Musa ibën Ismail nga Ibën el-Mubareku, ky nga Musa ibën Ejub, ky nga axha i tij, ky nga Ukbeh ibën Amir, i cili ka thënë: "Kur zbriti ajeti kuranor: "Pra, ti lartësoje emrin e Zoti tënd të madh" (el-Vakiah: 74), i Dërguari i Allahut tha: "Vendoseni atë në rukunë tuaj!" E kur zbriti ajeti tjetër “Madhëroje emrin e Zotin tënd të Lartë!", (el-A'la: 1): (i Dërguari i Allahut) tha: "Vendoseni atë në sexhden tuaj!"(13)
Hadithi në vijim është në koleksionin e Muslimit dhe të të tjerëve, që transmetohet nga Hudhejfe ibën el-Jemam e ku përshkruhen disa gjëra në detaje rreth namazit: Na ka treguar Ebu Bekër ibën Ebi Shejbe nga Abdullah ibën Numejri, ky nga Ebu Muavije, ky nga Zuhejr ibën Harb, ky nga Ishak ibën Ibrahim, të gjithë këta transmetojnë nga Xheriri, pastaj nga A'meshi, ky nga (Muhamed) Ibën Numejri, ky nga babai i tij (Abdullah ibën Numejri), ky nga A'meshi, ky nga Sa' d ibën Ubejde, ky nga Mustevrid ibën el-Ahnaf, ky nga Sileh ibën Zuferi, e ky nga Hudhejfe i cili thotë: "Në një natë prej netëve u fala me të Dërguarin e Allahut, e ai e hapi leximin e Kuranit me kaptinën "Bekare", mendova se do të bënte rukunë kur të përfundonte leximin e 100 ajeteve nga ajo kaptinë, por ai vazhdoi të lexonte. Unë mendova se ai do ta lexonte tërë kaptinën "Bekare" dhe do të bënte rukunë, por ai pasi përfundoi nga ajo, ia filloi të lexonte kaptinën "Nisaë" derisa e përfundoi të tërën, më pas ia filloi kaptinës "Ali Imran". Kur kalonte pranë leximit të ajeteve të madhërimit, madhëronte; kur kalonte pranë ajeteve të lutjes, lutej, pranë ajeteve të kërkimit të mbrojtjes, kërkonte mbrojtje, e pastaj e bëri rukunë dhe tha: "Subhane rabbije-l adhim", rukuja ishte po aq e gjatë gati sa qëndrimi i tij në këmbë, e më pas tha: "Semi Allahu limen hamideh" dhe u ngrit, e pastaj bëri sexhdenë dhe tha: "Subhane rabbije-l a'la".(14)
Në koleksionin e Ibën Maxhes, qëndron: Na ka treguar Muhamed ibën Rumh el-Misrij nga Ibën Lehiah, ky nga Ubejdullah ibën Ebu Xha'fer, ky nga Ebu-l Ez'her, e ky nga Hudhejfe Ibën el-leman, i cili e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë kur bënte rukunë: "Subhane rabbije-l adhim", e thoshte tri herë, ndërsa kur bënte sexhdenë thoshte tri herë: "Subhane rabbije-l a'la" .(15)

Madhërimet tjera në sexhde

Ka shumë transmetime të ndryshme nga hadithet e transmetuara nga sahabët, të cilat flasin për madhërimin që duhet bërë në sexhde, ku përveç lutjes "Subhane rabbije-l a'la", që e shpjegova, gjejmë edhe lutje të tjera të ndryshme, hanefitë ato lutje apo madhërime i kanë trajtuar si lutje që më tepër përkojnë me namazet individuale, më konkretisht me namazet sunete apo nafile, apo edhe me namazet farze, pa imam.
Do të sjellim disa nga lutjet që kanë ardhur në transmetime të ndryshme në raport me madhërimin në sexhde. Na ka treguar Muhamed ibën ebi Bekër el-Mukaddemij nga Jusuf el-Maxhishun, ky nga babai i tij, e ky nga Abdurrahman el-A'rexh, ky nga Ubejdullah ibën ebi Rafi', e ky nga Ali ibën ebi Talibi, e ky nga i Dërguari i Allahut, i cili, ... kur shkonte në sexhde, thoshte: "O Allah, për Ty bëra sexhdenë, Ty të besova dhe Ty të jam nënshtruar. Fytyra ime i bën sexhde Atij i Cili e ka krijuar dhe e ka zbukuruar (formësuar) në formën më të mirë dhe që i dha atij shikim e dëgjim. I Madhërishëm është Allahu, Krijuesi më i Mirë! ... "(16)
Më ka treguar Ebu Tahiri dhe Junus ibën Abdul-A'la, të cilët kanë thënë: "Na ka informuar Ibën Vehbi, më ka informuar Jahja ibën Ejubi, nga Umareh ibën Gazijeh, nga Sumijj, shërbëtor i Ebu Bekrit, ky nga Ebu Salihi, e ky nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "I Dërguari i Allahut në sexhde thoshte: "O Zot, m'i fal gabimet e mia, të mëdhatë e të voglat, të parat e të fundit dhe të dukshmet e të padukshmet."(17)
Përveç kësaj, Aisheja na transmeton një lutje tjetër që e bënte i Dërguari i Allahut në ruku e sexhde: Na ka treguar Hafs ibën Omeri nga Shu'beh, ky nga Mensuri, ky nga Ebu ed-Duha, ky nga Mesruku, e ky nga Aisheja, e cila ka thënë: "I Dërguari i Allahut në ruku e sexhde thoshte: "Subhaneke Allahumme Rabbena ve bihamdike. Allahumme-gfirli - I lartësuar je o Allah, Ti je Zoti ynë, Ty të takon falënderimi. O Allah më fal mua."(18)
Gjithashtu nga Aisheja na transmetohet edhe një lutje tjetër e që është e njohur: Na ka treguar Muslim ibën Ibrahimi nga Hishami, ky nga Katadeh, ky nga Mutarrifi e ky nga Aisheja, e cila thotë: "I Dërguari i Allahut në sexhde e ruku thoshte: "Subbuhun kuddusun Rabbu-l Melaiketi verr-Rruh - I Madhërishëm dhe i Shenjtë është Zoti i melekëve dhe i shpirtit (Xhibrilit)."(19)
Një lutje tjetër, po ashtu na transmetohet nga Aisheja: Na ka treguar Ebu Bekr ibën ebi Shejbe nga Ebu Usameh, ky nga Ubejdullah ibën Omeri, ky nga Muhamed ibën Jahja ibën Hibani, ky nga el-A'rexhi, ky nga Ebu Hurejre e ky nga Aisheja, e cila thotë: Një natë prej netëve e kërkova të Dërguarin e Allahut në shtratin e tij, por nuk e gjeta, e zgjata dorën dhe dora i preku këmbët e tij e ai po thoshte: "O Allah, unë kërkoj strehim me kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt dhe me faljen Tënde nga dënimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, unë nuk mund të të madhëroj siç e meriton Ti; Ti je i Madhërishëm ashtu siç e ke përshkruar Veten."(20)
Se këto lutje të ndryshme që na transmetohen përmes haditheve të ndryshme, janë thënë në namazet individuale dhe në ato nafile, tregon fakti se pjesa e madhe e tyre transmetohen nga Aisheja, e cila përshkruan sexhdenë (sikurse edhe rukunë) e të Dërguarit të Allahut nga falja në shtëpinë e tij, sepse në namazet me imam ajo nuk ka pasur gjasa ta dëgjojë të Dërguarin e Allahut se çfarë thoshte në ruku e në sexhde, ndoshta transmetimi i hadithit në vijim, që është i njëjtë me atë paraprak, por i transmetuar nga Aliu e që është në koleksionin e Ebu Davudit, na tregon më së miri se këto lutje të ndryshme i thoshte në namazet individuale siç janë vitri, sunetet dhe nafilet: Na ka treguar Musa ibën Ismaili nga Hammadi, ky nga Hisham ibën Amër el-Fezari, ky nga Abdurrahman ibën el-Harithi e ky nga Ali ibën ebi Talibi se i Dërguari i Allahut në fundin e vitrit të tij thoshte: "O Allah, unë kërkoj strehim me kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt dhe me faljen Tënde nga dënimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, unë nuk mund të të madhëroj siç e meriton Ti; Ti je i Madhërishëm ashtu siç e ke përshkruar Veten."(21)
Nga kjo që kam përmendur, bëhet e qartë se lutja që bëhet në namazet me imam është lutja e njohur që praktikohet tek të gjithë myslimanët anembanë botës "Subhane rabbije-l a'la", kurse lutjet e tjera që i kam përmendur, sipas shkollës hanefite mund t'i bashkëngjiten kësaj lutjeje në namazet individuale, qofshin ato farze, sunete apo nafile. Mirëpo, mund edhe të përdoren si të vetme, pa lutjen "Subhane rabbije-l a'la".


(1) Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.52.
(2) Muslimi në Sahih, nr.209 (480).
(3) Ebu Davudi në Sunen, nr.876; Ibën Huzejme në Sahih, nr.548; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1400.
(4) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar H Tenkihi Mebani-l Ahbar, v.V, f.589. Mendim të njëjtë kanë edhe shkollat tjera juridike.
(5) Bedrudin el-Ajni, El-Binajetu Sherhi-l Hidajeh, v.II, f.225.
(6) Muhamed ibën el-Hasen esh-Shejbani, Kitabu-l Asi (i njohur si el-Mebsut), v.I, f.5.
(7) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.II, f.55-57.
(8) Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha, l, f.134; Serhasij, el-Mebsut, v.I, f.23; Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.83; Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v.I, f.501;
(9) Ibën Humami në "Fet'hu-l Kadir" thotë se preferohet nëse falet vetëm ta shpreh madhërimin në ruku apo sexhde nga tre, pesë, shtatë e deri në nëntë herë.
(10) Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.494.
(11) Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij H-l Fikhi-n Nu'manij, v.I, f.412. Të këtij mendimi janë edhe Abdullah ibën Mubareku, Is'haku, Ibrahim Nehaiu dhe shumë e shumë të tjerë. Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.495.
(12) Haskefi, ed-Durru-l Muhtar, v.I, f.68; Thën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.494.
(13) Ebu Davudi në Sunen, nr.869; Ibën Maxhe në Sunen, nr. 887. Shuajb Arnauti që bën vlerësimin e haditheve të sunenit të Ibën Maxhes, për këtë hadith thotë: "Senedi i hadithit është i pranuar (hasen). Ndërsa Ibën Huzejme dhe Hakimi e vlerësojnë se ky hadith është autentik." Ibën Maxhe, Sunen, v.I1, f.58.
(14) Muslimi në Sahih, nr. 203 (772); Tirmidhiu në Sunen, nr. 262; Ebu Davudi në Sunen, nr.871. Hadithi është autentik, kështu mendon edhe Albani.
(15) Ibën Maxheh në Sunen, nr.888. Hadithi është autentik.
(16) Muslimi në Sahih, nr. 201 (771); Ebu Davudi në Sunen, nr. 760; Tirmidhiu në Sunen, nr. 487; Ibën Huzejme në Sahih, nr,607; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1396, në version të shkurtuar (sikurse Ibën Huzejme dhe një versioni të Ebu Davudit) dhe tregon që hadithi përcillet përmes tre rrugëve transmetimi. Albani që bën vlerësimin e haditheve të Sunenit të Ebu Davudit dhe Tirmidhiut thotë se ky hadith është autentik. Hadithi është i gjatë dhe tregon për lutjet që nga fillimi i namazit e deri tek lutjet në teshehud, këtu kam shkëputur vetëm pjesën që flet për tematikën e sexhdes.
(17) Muslimi në Sahih, nr. 216 (483). Hadithi është autentik.
(18) Buhariu në Sahih, nr.794, 817, 4293; Muslimi në Sahih, nr. 217 (484); Ebu Davudi në Sunen, nr. 877; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 605; Ibën Hibani në Sahih, nr.1929; Ahmedi në Musned, nr. 3683 me shtesën në fund "tre herë", që nënkupton se e thoshte këtë lutje tre herë, si në ruku ashtu edhe në sexhde. Hadithi është autentik dhe transmetohet në të gjitha koleksionet, me përjashtim të koleksionit të Tirmidhiut. Shprehjet e hadithit në të gjitha transmetimet thuajse janë të përafërta njëra me tjetrën.
(19) Muslimi në Sahih, nr. 223 (487); Ebu Davudi në Sunen, nr. 872 (teksti është nga Ebu Davudi); Ibën Huzejme në Sahih, nr. 606; Ibën Hibani në Sahih, nr. 1899; Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr.2562; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1406. Verifikuesit e hadithit si Shuajb Arnauti dhe Albani e kanë vlerësuar këtë hadi th në shkallën më të lartë të besueshmërisë.
(20) Ibën Maxhe në Sunen, nr. 3841; Ahmedi në Musned, nr. 751. Hadithi është autentik.
(21) Ebu Davudi në Sunen, nr.1427. Hadithi është autentik sipas vlerësimit të Shuajb Arnautit dhe të tjerëve.



Mr. Ejup Haziri


Artikulli i kaluar
Uji dhe vlera në islam
Artikulli radhës
Reflektime kuranore

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip