Allahu është Ai Që ju krijoi e ju furnizoi, pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë nga zotat (idhujt) tuaj që mund të bëjë diçka të tillë? I pastër dhe pa të meta është Ai, i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë dhe trillojnë (në adhurim). (Er-Rrum 40)
Në kuadër të ajeteve të sipërme, Allahu Fuqiplotë paraqet gjendjet e njeriut
në situata të ndryshme: kur është i furnizuar me begati, gëzohet, e, kur sprovohet nga ndonjë gjë, dëshpërohet. Në të njëjtën kohë, njeriut ia tërheq vërejtjen qartazi që duhet të jetë doemos mirënjohës dhe falënderues ndaj Zotit të gjithësisë e të mos E mohojë Atë në asnjë situatë.
Krijuesi tërheq vëmendjen se gjithsesi duhen ndihmuar të afërmit dhe të varfrit, si maksimë për shtimin e pasurisë, dhe duke tërhequr vërejtjen që të mos e humbë shpresën në raste sprovash dhe për shtimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme, siç është kamata etj. Dhe, ja, në kuadër të kontekstit mbi fitimin dhe furnizimin, Allahu i Madhërishëm sqaron çështjen e mohimit të Tij nga njerëzit dhe adhurimin e dikujt tjetër përveç Tij, si dhe pasojat e saj në jetën njerëzore, duke prezantuar përfundimin e keq të pabesimtarëve dhe duke bërë thirrje që njerëzit të marrin mësim prej tyre.(1)
Krijimi, furnizimi, vdekja dhe ringjallja ...
kompetencë e kujt janë?
Allahu xh.sh. i sfidon njerëzit qartazi me gjendjen reale të tyre dhe me të vërtetat e përditshmërisë së tyre, të cilat janë prova bindëse se Zoti i vetëm në ekzistencë është Allahu, dhe se pabesimtarët nuk mund të vërtetojnë se zotat e fantazuar që adhurojnë ata, mund të bëjnë atë çfarë bën Ai. I sfidon njerëzit duke ua bërë me dije se vetëm Ai i ka krijuar, vetëm Ai i furnizon, vetëm Ai i bën të vdesin dhe vetëm Ai i ringjall. Njerëzit besimtarë të Zotit të vërtetë e vërtetojnë këtë fakt, e pabesimtarët nuk mund të pretendojnë se zotat e tyre të trilluar u sjellin furnizimin, kurse për vdekjen si proces që e shohin në vazhdimësi tek njerëzit, nuk mund të argumentojnë diçka tjetër përveç asaj çfarë ka konfirmuar Kur’ani. Edhe jetën dhe fillimin e saj tek njerëzit e përjetojnë në përditshmërinë e tyre. Me këto prova të vërteta dhe faktike, Allahu - Zoti i çdo sendi, ua tërheq vëmendjen njerëzve duke u konfirmuar në vetveten e tyre të vërtetën absolute të Krijuesit, i Cili i fton për të vërtetën dhe sqaron pasojat e mosbesimit dhe të përgënjeshtrimit.(2)
Para çështjes së krijimit njerëzit janë dorëzuar, sepse, me gjithë mohimin dhe kryeneçësinë e tyre, nuk gjejmë asnjë prej tyre që të pretendojë se ka krijuar diçka nga asgjëja. Prandaj, edhe mbreti Nemrud, i cili përmendet në Kur’an tek polemizoi me Pejgamberin Ibrahim a.s. , mbase pretendoi se është krijues i jetës dhe vdekjes, Ibrahimi a.s. e dinte fare mirë se ai këtë gjë e bënte nga kryeneçësia dhe se ai bënte dredhi - bishtnim, ngase s’mund të jetë dikush krijues i vdekjes kur urdhëron për mbytjen e dikujt, ose krijues i ringjalljes kur fal dikë!! Atij që mund të pretendojë një gjë tillë, i themi: Çfarë është çështja e atyre që jetuan dhe vdiqën para jush?
Nga kjo rezulton se njeriu nuk mund të krijojë ose të ringjallë askënd! Allahu xh.sh. në Kur’an ka bërë dallim në mes vdekjes dhe vrasjes, ngase me vdekje nënkuptohet së pari largimi i shpirtit e pastaj pason dorëzimi a rrëzimi i trupit, ndërsa me vrasje nënkuptohet që së pari ndodh dorëzimi a rrëzimi i trupit, e në proces e sipër pason largimi i shpirtit, ngase shpirti nuk mund të rrijë përveç në trupin që përmbush kushtet shëndetësore. Sa për ilustrim, të marrim shembull poçin elektrik, i cili digjet ndonjëherë, po mos kjo do të thotë që nuk ka rrymë? Jo assesi, ngase rrymë ka, por nevojitet plotësimi i kushteve, që nënkupton se në momentin që ndërrojmë poçin, ai do bëjë dritë. Allahu xh.sh. ka sqaruar dallimin në mes vdekjes dhe vrasjes,
prandaj tha: (Shih:Ali Imran, 144). Kështu, edhe rasti i mbretit Nemrud, i cili nuk mundi të ringjallte asgjë dhe as ta vdiste dikë, përveçse me anë të vrasjes së dikujt. E pejgamberi Ibrahim a.s. iu përgjigj duke e sfiduar me një qasje tjetër, kështu që Nemrudi nuk mundi të fabrikonte diçka e të rezistonte, prandaj iu drejtua me fjalët siç i gjejmë në Kur’an (Shih:El-Bekare, 258).(3)
Me këtë dhe me shembuj të tjerë në Kur’an, Allahu xh.sh. i ka shpallur të dështuara të gjitha pretendimet e rrejshme të dikujt përgjatë shekujve, mbi krijimin, furnizimin, jetën dhe ringjalljen. Kjo është madhështore dhe mposht sfidantët nga të gjitha llojet. Allahu është i vetmi Zot dhe s’ka zot tjetër veç Tij, dhe askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Tij. Ai krijoi çdo gjë në gjithësi në mënyrë precize dhe madhështore, prandaj e dëshmoi këtë kur tha: “Ai ka përsosur çdo gjë që ka krijuar”. (Es- Sexhde, 7).(4)
Ka përsosur në gjithësi çdo krijesë dhe gjallesë, të cilat janë të panumërta; i krijoi duke mos pasur shembull paraprak dhe nga asgjëja, i bëri çift dhe ka plot e plot argumente të tjera, të cilat vërtetojnë ekzistimin e Krijuesit Një
- Allahut. Fjala hyjnore në këtë ajet vërteton dy çështje bazë: ringjalljen dhe besimin në Zotin një, ringjalljen me pjesën e ajetit “e pastaj ju ringjall”, dhe argument për këtë është krijimi i çdo gjëje që ka bërë Allahu xh.sh. pa pasur shembull dhe model të mëhershëm, dhe është vërtetuar Njëshmëria e Krijuesit me fjalët: “A ka ndonjë nga zotat (idhujt) tuaj që mund të bëjë diçka të tillë”?(5)
Krijimin, furnizimin, vdekjen dhe ringjalljen ...
zotat e trilluar nuk mund t’i bëjnë
Ja, kështu Allahu Fuqiplotë ka vërtetuar se është absolutisht me plot të drejtë i vetmi Zot i krijimit, furnizimit, vdekjes dhe ringjalljes, duke konfirmuar Njëshmërinë e Tij dhe duke mohuar çdo mundësi që zotat e fantazuar nga pabesimtarët të mund të bëjnë diçka të tillë, siç janë krijimi, furnizimi, vdekja ose ringjallja.(6)
Gjithashtu edhe çështja e furnizimit (rriskut), për se askush nuk mund të pretendojë se mund ta bëjë përveç Allahut, i Cili e konfirmoi kur tha: “e ju furnizoi”, me argument se Ai bëri disa rajone të tëra të thata - djerrina dhe shkretëtirë, në të cilat mund të gjenden i urituri i varfri dhe i pasuri, prandaj, nëse ekziston ndonjë furnizues tjetër përveç Allahut xh.sh., atëherë le t’i gjallërojë ato rajone përnjëherë!! Më tutje thotë: “... pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall”, ku drejtpërdrejt përdor shprehjen vdekje e jo mbytje, ndërsa në vijim theksoi: “A ka ndonjë nga zotat (idhujt) tuaj që mund të bëjë diçka të tillë”?, që nënkupton fjalët: drejtoju atyre këtë pyetje dhe lëri të përgjigjen: Idhujt që adhuroni ju si zota, a mund të bëjnë diçka të tillë, siç janë krijimi, furnizimi, vdekja ose ringjallja? Ju i fantazoni ata zota duke i gdhendur dhe skulpturuar si të doni! Çfarë ndodh kur i godet ata ndonjë stuhi dhe i rrëzon ose dëmton ata, e ju pastaj vraponi për t’i rregulluar!! A nuk mendoni fare ju, o pabesimtarë!!?? Për këtë shkak Allahu xh.sh. deklaroi fuqishëm: (Shih: En-Nahl, 20).(7)
Dikush që është i krijuar, a thua mund të krijojë diçka nga asgjëja?! Patjetër që jo! Pyetja hyjnore e parashtruar ndaj pabesimtarëve: “A ka ndonjë nga zotat (idhujt) tuaj që mund të bëjë diçka të tillë”?, nënkupton pamundësinë e përgjigjes nga ana e tyre dhe qortimin (nënçmimin) ndaj pabesimtarëve.(8) Pyetja e tillë realisht madje nuk do koment.(9)
Allahu xh.sh. sfidon dhe mposht pabesimtarët e të gjitha kohëve, kur dëshmon dhe garanton se zotat e tyre të fantazuar nuk mund të krijojnë asgjë, madje as edhe insektin më të vogël në gjithësi, prandaj thekson (Shih: El-Haxh, 73).
Madje Krijuesi i universit shkon edhe më larg në këtë sfidim, kur u drejtohet me fjalët (Shih: El-Haxh, 73).
Pabesimtarët dhe zotat e tyre të imagjinuar dhe të trilluar, lëre më që s’mund të krijojnë as edhe një mizë, por madje nuk mund as t’ia marrin ndonjë gjë që u merr ajo, ngase ajo ikën shpejt; natyrisht që mund t’ia marrin vetëm me mjete ndihmëse. Këto janë prova prova të qarta hyjnore dhe argumente bindëse me sfidim decidiv ndaj mohuesve dhe mposhtje të plotë ndaj tyre deri në Kiamet.
Krijimi, furnizimi, vdekja dhe ringjallja ...
argumente për Zotin Një – Allahun
Janë kompetencë absolute e Allahut xh.sh. krijimi, furnizimi, vdekja dhe ringjallja, prandaj rezulton Njëshmëria e Tij, ngase Ai është i pastër nga ajo çfarë i trillojnë, Ai nuk ka shok - konkurrencë dhe askush nuk mund të barazohet me Të, është i pashembullt, s’ka fëmijë e as prind, Ai është Një, është absolut, çdo krijesë I mbështetet Atij, as ka lindur kë dhe as është i
lindur, Ai është i pakrahasueshëm.(10)
Madje edhe Ibrahimi a.s. kur foli për idhujt - zotat e tyre, tha: “Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi” (Esh-Shu’ara, 77), d.m.th. ju, o pabesimtarë, edhe zotat tuaj që i trilloni, janë armiqtë e mi, mbase edhe për këtë arsye Ibrahimi a.s. veçoi Zotin e vërtetë - Allahun kur tha në vazhdim: “përveç Zotit të botëve, i Cili më ka krijuar dhe Ai më udhëzon (në rrugë të drejtë)”. (Esh-Shu’ara, 77 – 78).
Këtu vërejmë se në pjesën e parë të këtij ajeti “i cili më ka krijuar” nuk ka përdorur pjesëz përforcuese dhe as në fillim përemrin “Ai” - (Allahu), ngase nuk është e nevojshme, meqë këtu flitet për krijim natyrshëm, sepse askush në gjithësi nuk mund të pretendojë se është krijues. Ndërsa, meqë në vijim të ajetit flitet për udhëzimin, Krijuesi ka përdorur përemrin “Ai” – (Allahu), për të konfirmuar se vetëm Ai mund t’i udhëzojë njerëzit në rrugë të drejtë, ndonëse ekzistojnë disa që pretendojnë udhëzimin e njerëzve, prandaj Ai e përjashtoi këtë dhe tha: “dhe Ai më udhëzon (në rrugë të drejtë)”. Kjo sepse ekzistojnë njerëz dhe sisteme të ndryshme që përpilojnë e formojnë ligje dhe kushtetuta kinse për t’i bërë njerëzit të kënaqur dhe të lumtur, por rezultojnë të pasuksesshme, kurse Ligji hyjnor i Krijuesit është absolut në çdo sferë të jetës njerëzore dhe, si i tillë, mbetet përgjithmonë. Njësoj është edhe çështja e furnizimit, kur Ibrahimi a.s. tha: “(Ai) i Cili më ushqen dhe më jep të pi” (Esh-Shu’ara 79),
nënkupton “kufizimin”, d.m.th. vetëm Allahu është furnizues, prandaj edhe ka konfirmuar - përforcuar duke përdorur përemrin lidhor (i Cili) dhe përemrin në veten e tretë (Ai). Për ilustrim, të theksojmë: Prindërit përgatisin ushqimin dhe ushqejnë fëmijët e tyre, prandaj ata janë drejtpërdrejt vetëm shkaktarë të të ushqyerit të tyre, por jo edhe furnizues. Më pastaj Ibrahimi a.s. tha: “Ai i Cili do të më bëjë të vdes e pastaj do të më ringjallë” (Esh-Shu’ara 81), në origjinal ka ardhur pa pjesëzën përforcuese, sepse vdekja dhe jeta natyrshëm janë vetëm kompetencë e Allahut, ashtu si në çështjen tjetër tek ajeti: “dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e gjykimit”! (Esh-Shu’ara, 82).
Prandaj, nga kjo rezulton maksima “I pastër dhe pa tëmeta është Ai, i Lartësuar mbi gjithçka që i shoqërojnë dhe trillojnë (në adhurim)”, d.m.th. nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe zotat e tjerë që adhurohen, janë të trilluar, ngase askush nuk pretendon për vetveten se është zot. Por nëse dikush thotë se ka zot tjetër, ku është ai? Përse nuk mbron të drejtën e tij për të qenë zot? Nëse ai nuk e di këtë gjë, atëherë ai është i kotë; nëse e di e nuk ballafaqohet me këtë fakt, atëherë është frikacak. Pra, në këtë rast i tilli nuk meriton të quhet zot, për këtë arsye Zoti ynë dhe i gjithësisë gjykoi me një gjykim të qartë kur tha:“Thuaj: “Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjerë, siç thonë ata, atëherë ata do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj të Madhëruarit (për t’ia marrë pushtetin)”. (El-Isra 42)
Allahu xh.sh. konfirmon mohimin e plotë ndaj adhurimeve të kota që bëjnë pabesimtarët, meqë ata adhurojnë dikë tjetër ose i shoqërojnë Atij dikë tjetër në adhurim, prandaj thekson: “I pastër dhe pa të meta është Ai, i Lartësuar mbi gjithçka që i shoqërojnë dhe trillojnë (në adhurim)”. Të shprehurit e këtij fakti në origjinal me kohën e tashme, dëfton për çudinë e këtyre adhurimeve të kota ose sinjalizon për vazhdimin e adhurimeve të kota nga ana e tyre.
Fjala hyjnore në origjinal “subhane” – “i pastër dhe pa të meta është Ai”, nënkupton: Adhuroni Zotin Një, d.m.th. mos i mveshni Atij diçka tjetër në adhurim, kurse shprehja në origjinal “teala” – “i Lartësuar mbi gjithçka që i shoqërojnë”, nënkupton: Nuk lejohet assesi t’i shoqërohet diçka tjetër në adhurim.
Në pjesën e parë të ajetit vërejmë edhe përdorimin e përsëritur në origjinal të përemrit “min”, që ka për qëllim “ndonjë apo diçka pjesërisht”, dhe kjo nënkupton se zotat e trilluar që adhurojnë pabesimtarët, nuk arrijnë assesi të bëjnë as edhe më të voglën gjë në krijim, furnizim, vdekje apo ringjallje. Për këtë arsye rezulton formula absolute që s’do koment: “I pastër dhe pa të meta është Ai, i Lartësuar mbi gjithçka që i shoqërojnë dhe trillojnë (në adhurim)”. Nga kjo rezulton se Allahu distancon veten e Tij dhe pastron Qenien e Tij nga kjo shpifje e pabesimtarëve, të cilët adhurojnë zota të tjerë të trilluar, duke thënë kinse Ai ka shok.
__________________________
(1) Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll. 5, f. 2772, viti 1996,
Bejrut.
(2) Po aty, f. 2772
(3) Muhamed Muteveli esh-Sharavi,
vëll 18, f. 11468, pa vit botimi, Ahbarul Jevm, Kajro
(4) Muhamed Mahmud Hixhazi, Tefsir El-Vadih, vell. 3, f. 33,
1992, Zekazikë, Egjipt
(5) Tefsir El-Fahri Err-Rrazi, Mefatihul
Gajb, vëll i 25, f. 128, viti 1981, Darul Fikr, Bejrut
(6) Imam
Al-Alusi, Tefsir El-Kuran El-Adhim ve Es-Seb’ul El-Methani,
pjesa 21, f. 47, Ihja Et-Turath El-Arabijj, Bejrut
(7) Tefsir Esh-
Sharavi, f. 11468
(8) Ibni Xherir Et-Taberij, Tefsiru Et-Taberij,
Xhamiul Bejan an te’vili Aj El-Kuran, vëll i 18, f. 509, viti I bot
2001, Kajro.
(9) Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll i pestë,
faqe 2773
(10) Ibni Kethir, Tefsir El-Kuran El-Adhim, vëll. 3, f.
450, El-mektebetu Et-tevfikifije, pa vit botimi, Kajro.
Mr. Adnan Simnica