Ismail Muhaxhiri u rrit jetim, sepse babai kishte ndrruar sapo mbushi një vjet. E rriti nëna besimtare, nëna shqiptare, me shum përpjekje, me shumë mundime, ashtu si diti derisa e ndritë e çiti!
Mësimet e para i mori në mejtepin "Ruzhdie" aty ku dikur ishte shkolla fillore "Emin Duraku", tani aty pranë është shkolla e muzikës "P.Jakova" në Gjakovë. Krahas shkollimit kreu edhe hivzin, mësimin përmendësh të Kur'anit. Kurse mësimet e larta i vazhdoi në Shkup në shkollën e njohur "Dar ul-Mualiminë", ku edhe diplomoi në vitin 1911.
Hafiz Ismail Muhaxhiri pas diplomimin në Shkup u kthye në Gjakovë, ku shërbeu, kryesisht në administratën e Bashkësisë Islame të Gjakovës, kurse herë pas here shërbeu edhe si imam në xhami të ndryshme, në veçanti gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ka shërbye edhe në fshatrat e rrethit të Gjakovës si në Gërgoc, Cërmjan, Baballoq, Skivjan etj.
Ndërroi jetë, kaloi n'Ahiret, në vitin 1940, kur ishte në moshën 60 vjeçare.
Muhaxhirët bre kah po shkojnë,
Për ta malet po vajtojnë,
Bukë pa ngranë e ujë pa pi,
Kanë marrë udhën për Shqipni,
Udhën e gjatë o bre për Turki,
Oh! Kush njeh Zot, bre din e iman
Muhaxhirëve konak ju ban,
Muhaxhiret brenda i shtin,
Shtronju mirë o bre për me fjet,
Se ju çon Zoti n'xhennet,
Se jua kthen o Zoti n 'nahiret.
Këto vargje të dhimbshme, nga një balladë kosovare, tregojnë se nga e ka prejardhjen Hafiz Ismail Muhaxhiri. Pra, prejardhja e familjes Muhaxhiri është nga Sanxhaku i Nishit, të cilin e pushtoi Serbia me 1878.
Vetëm në qytetin e Nishit, deri në vitin 1878, kur Serbia e pushtoi, kanë qenë 15 xhami, përveç Xhamisë së Hadrit, ka qenë Xhamia e Pashës, Xhamia Deferdar, Xhamia e Fukarave apo e Larme, Xhamia e Pazarit të Shqiptarëve, Xhamia e Muhaxhirëve etj. Prej 15 xhamive sa kishte Nishi në vitin 1878, në vitin 1879, pra brenda një viti pushtuesit serbë shkatërruan 12 xhami dhe mbetën vetëm tri xhami, njëra ndër to quhet Xhamia e Hadrit, e cila ndodhët në Nish në rrugën Gjeneral Milojka Leshjanina.
Kjo xhami është ndërtuar në vitin 1870 nga Abdurrahman Aga (Hadri) nga Gjakova, i cili një kohë ishte marrë me tregti në qytetin e Nishit, ku ishte pasuruar, por Zotin gjithnjë e kishte falënderuar, asnjëherë nuk e kishte harruar. Për ta dëshmuar besimin e tij e për shpirt ndërtoi këtë xhami.
Shkëputr nga libri: Hafizët e Gjakovës Krenaria e Kosovës
Mexhid Yvejsi