"Burrë i mençur kush don’ me kan’, punës keqe hyzmet s’i ban, se vjen ni dit e i bjen pishman.” (Azem Galica)
Shoqëria shqiptare në shekullin e kaluar, me ideologjinë komuniste, mund të themi se i ngjante një ndërtese që e kishte goditur një tërmet i fortë, që pothuaj asgjë nuk kishte lënë në vendin e vet. Shumë nga vëllezërit e motrat tona kishin rënë aty ku nuk duhej.
Shekulli që shkoi, ishte përplot dhimbje e lot, sepse shumë nga vëllezërit tanë u detyruan të linin vendin për të ikur jashtë, nga barbaritë dhe mizoritë serbe.
Në këtë shoqëri të nëpërkëmbur u ngrit Myderriz Sherif Ahmeti si fryma që i jep gjallëri organizimit për të shpëtuar atë që është e mundur të shpëtohet, në kohën kur të gjitha forcat ishin vërsulur për ta fshirë nga mendja e shpirti ndjenjën e besimit.(1)
Komunizmi kishte vënë diktatin e vet mbi një pjesë të botës, fatkeqësisht edhe mbi vendin tonë. Ky diktat nuk mëshironte askënd, kështu që dhe dobësimi i ndjenjës fetare vazhdonte të shtrihej në përmasa të mëdha.
Më 1967 Enver Hoxha ndaloi me ligj predikimin e feve në Shqipëri, një vendim ky i paparë ndonjëherë në shoqërinë njerëzore, vendim i cili reflektoi në një masë të madhe edhe në Kosovë.(2)
Dhe pikërisht për të luftuar këtë çmenduri njerëzore në raport me besimin, u ngrit me një energji të paparë deri atëherë duke qëndruar stoikisht, Sherif Ahmeti, duke i bërë me dije besimtarët se çfarë ndodhte me popullin shqiptar.(3)
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe me konsolidimin e pushtetit monist komunist edhe Jugosllavia e re, filloi dëbimin e popullatës shqiptare për Turqi. Mulla Sherif Ahmeti e vërejti këtë dukuri, menjëherë pas vitit 1950, ndërsa pas vitit 1953 shpërnguljet shqiptare për Turqi u intensifikuan. Në kohën kur Myderriz Sherif Ahmeti, ishte mësues në fshatin Sllovijë, i bie në sy propagandimi i disa personave për shpërngulje të shqiptarëve në Turqi. Ai vërejti se nëpër oda bisedohej shumë për shpërngulje, bëheshin disa regjistrime, përpiloheshin lista e regjistra, e pastaj dërgoheshin në Shkup.
Në publik, regjimi komunist, u paraqiste sikur është kundër emigrimit të tillë të shqiptarëve në Turqi, megjithatë, ajo ishte vetëm në të folur, pasi që praktika ka treguar anën e kundërt, madje edhe ishin të abuzuar të gjithë ata që ishin kundër emigrimit në Turqi. Sherif Ahmeti me gjithë qenien e tij ishte kundër emigrimit të popullatës në Turqi, vazhdimisht duke u thënë popullit të tij që të jenë të durueshëm në këto vështirësi dhe të mos lënë atdheun e tyre.(4) Mulla Sherif Ahmeti e ndiente shpirtërisht këtë plagë kombëtare dyfish më rëndë, sepse edhe vetë ishte muhaxhir i dëbuar nga fshati Prekopucë i Toplicës, nga njëra anë, por edhe si intelektual me mision fetar e kombëtar, nga ana tjetër.(5)
Në këto rrethana të vështira, kishte fjalët e mëposhtme në mendje: "Burr i mençur kush don' me kan: Punës keqe hyzmet s'i ban, Se vjen ni dit' e i bjen pishman.”(6) (Azem Galica)
Sherif Ahmeti rreth largimit të popullsisë shqiptare për në Turqi thotë:
"Familjet që shpërnguleshin nga Prishtina për në Turqi i takoja në Fushë Kosovë, duke e pritur trenin ... e kur paraqitej treni fillonin përqafimet e atyre që i përcillnin dhe atyre që shkonin, ndaheshin prindërit nga evlatët dhe evlatët nga prindërit, vëllai etj. Dhe duke qëndruar bukur larg prej tyre kam qarë baras me ta, duke u dëshpëruar thellë në shpirt, por duhet të qëndronim të fortë e me shpresë për një ditë më të mirë"(7)
Kushdo që lexonte me vëmendje shkrimet e H. Sherif Ahmetit nëpër revista e libra, apo dëgjonte këshillat e tij, ballafaqohej me një mendimtar shumë të sinqertë e pa kompleks, i cili tha të vërtetën për Islamin edhe në kohën kur ishte vështirë të thuhej. Kjo cilësi e të thënie të mendimeve deri në fund, dhe ballafaqimi me realitetin, janë dëshmia më e madhe e një edukate të lartë intelektuale që bazohej në parimin: "E vërteta duhet të thuhet".(8)
Shkrimet e tij ishin mishërimi i tërë përkushtimit të tij jetësor. Të ngriturit me guxim në mbrojtje të parimeve islame në kohën kur në Kosovë me dhunë ishte instaluar sistemi komunisto-ateist, dëshmon për guximin, gatishmërinë për t'u ballafaquar me pasoja të ndryshme, dhe për kryerjen e një amaneti nga ana e Allahut dhe, në të njëjtën kohë, edhe për mosshitjen e shpirtit për të mirat e kësaj bote.(9)
Sherif Ahmeti në institucione islame kishte punuar, kur asetet e Bashkësisë Islame ishin të privuara nën presion komunist, në një kohë kur xhamia u shemb, medrese dhe shkolla fetare të mbyllura, dhe kur një numër i xhamive u shndërrua në depo dhe parkingje për kamionë zjarri. Në këto rrethana, H. Sherif Ahmeti ka dhënë kontributin më të madh në shkolla si mësues, si një predikues në xhami, në medrese dhe fakultet si profesor, dhe si Myftiu i Bashkësisë Islame në Prishtinë dhe sidomos në botimet islame si themeluesit të saj.'(10)
Myftiu Naim Tërnava thotë: "Shpeshherë na thoshte: "Nxënës, mësoni, ngase ky sistem shumë shpejt do të bjerë e përgjegjësia do të bjerë mbi ju".(11)
Fjalët e tij për shumë njerëz sigurisht që shiheshin si ëndërr utopike dhe të parealizueshme, megjithatë, deshi Allahu xh.sh., ky sistem komunisto-ateist ra, kështu që ëndrra e Sherif Ahmetit dhe e shumë myslimanëve tjerë është realizuar.
Fitim Flugaj thotë: "Haxhi Sherif Ahmeti vinte shumë i freskët dhe me vete sillte mendime e ide shumë të thella për lëndën e Akaidit, saqë na bënte shumë kureshtarë duke na treguar për ndjekjen me kujdes të bashkëkohanikut të tij nga Egjipti, dijetarit me famë në mbarë Borën Islame, Muhamed Muteveli Sharaviut nëpërmjet Radio Kajros në mëngjesin e hershëm, apo siç thoshte ai vetë: "He more djem, është një alim i madh në Egjipt, çka kam dëgjuar sot nga ai, po e lamë krejt se nuk jeni në gjendje me më kuptua as mu se le më atë, po nejse ... ", dhe vazhdonte pas insistimit tonë duke u përpjekur të na e thjeshtësonte deri në maksimum, derisa shumica e nxënësve arrinin ta kuptonin ... "(12)
Sherif Ahmeti thotë: "Veshi që nuk dëgjon atë që është e dobishme dhe gjuha që nuk flet të vërtetën, fatkeqësisht janë të humbur dhe me defekte."(13)
Sherif Ahmeti në bibliotekën e tij personale kishte gazeta të shumta dhe revista islame në tri gjuhë që ai dinte: arabisht, boshnjakisht dhe
turqisht. Revistat nga gjuha arabe i rezervonte nga ana e nxënësve të tij në medrese, të cilët ishin duke studiuar në Botën Arabe, ndërsa librat dhe revistat në gjuhën boshnjake i merrte nga Bashkësia Islame, të cilat vinin rregullisht: Glasnik, Preporod, Takuim, Islamska misao, etj. Është e njohur se ai kishte marrëdhënie të mira dhe miqësore me ulemanë boshnjake, të cilët e kanë vlerësuar dhe respektuar shumë, sidomos me alimin Husein ef. Xhozo.
Sherif Ahmeti kishte shprehi që nxënësve të tij t'u fliste për dijetarin e madh islam - alim të Ballkanit në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, të cilin e respektonte shumë, e bëhet fjalë për alimin tashmë të përmendur, Husein ef. Xhozo. Me këtë alim boshnjak Sherif Ahmeti kishte marrëdhënie shumë të ngushta, shumë herë ata janë takuar, kanë bashkëbiseduar dhe këmbyer mendime. Në atë kohë, literatura islame boshnjake ishte si një studim bazë i Islamit ndër myslimanët shqiptarë në Kosovë.(14)
________________
1. Naim Tërnava, “Haxhi Sherif Ahmeti: Jeta dhe vepra (kryereferat), Haxhi Sherif Ahmeti – jeta dhe vepra (1920-1998), Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 2010, f.12.
2. Ibid f.12
3. Ibid f.13
4. Dr. Mehmet halimi, “Shpalime kujtimesh për myderriz Sherif Ahmetin”, Haxhi Sherif Ahmeti – jeta dhe vepra (1920-1998), op. Cit,. f.84
5. Ibid f.85
6. Ibid f.85
7. Behram Hoti, Mulla Sherif Ahmeti-vizionar dhe edukues i breznive”, Dituria Islame, nr. 113-114, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1999 f.50
8. Naim Tërnava, “Haxhi Sherif Ahmeti: Jeta dhe vepra (kryereferat),, op. Cit., f.13
9. Ibid f.13
10. Ibid f.14
11. Ibid f.14
12. Fitim Flugaj, Myderriz Sherif Ahmeti figurë shumëdimensionale”, “Haxhi Sherif Ahmeti: Jeta dhe vepra (1920-1998), op. cit., f.99
13. Kur’an-i, përkthim dhe koment (përkthim dhe koment) përkthe. dhe kom.: H. Sherif Ahmeti, Kryesia e Bashkësisë Islame të Serbisë RS-Prishtinë, Prishtinë, f. 190.
14. Fitim Flugaj, Myderriz Sherif Ahmeti figurë shumëdimensionale”, “Haxhi Sherif Ahmeti: Jeta dhe vepra (1920-1998), op. cit., f.100