Ismail el Faruki & Lois Lamja el Faruki
Kurani vlerësohet si një mrekulli e formës sublime që përshtatet në mënyrë absolute me një përmbajtje sublime dhe që shkakton një efekt sublim. Kjo mrekulli estetike apo letrare e Kuranit u pranua nga të gjithë muslimanët si dëshmi për autorësinë e tij hyjnore.
Kurani është një ilustrim perfekt i sublimes në formë dhe përmbajtje, që shkakton efekt sublim.
Vetë forma është e zbrazët. Megjithatë, forma ka një tendencë që ta rrisë bukurinë nëse asaj i bashkohen ide që janë vetë të bukura. Sa më fisnike përmbajtja, aq më e madhe forma; sa më vulgare përmbajtja, aq më e dobët forma. Në Arabinë paraislame, vlerat e besnikërisë - trimëria, elokuenca, mikpritja, besnikëria dhe prejardhja - ndihmuan që të krijoheshin format më të bukura të poezisë. Por, këto forma u përdorën gjithashtu për të shprehur vlerat romantike të tribalizmit dhe etnocentrizmimit, vlerat hedoniste të verës dhe kënaqësisë seksuale, apo vlerat cinike të përkohshmërisë dhe papërgjegjshmërisë. Këto forma poetike Kurani i dënoi si prostitucion të formës së bukur. (26:224- 227)
Nga ana tjetër, vetë përmbajtja është inerte. Pa formën e mirë, përmbajtja e humbet fuqinë e saj tërheqëse. Megjithëse vlera e ideve të mira nuk është kurrë zero, forma mund ta zvogëlojë atë aq sa për t'i bërë ato "të vdekura", "të rëna në vesh të shurdhër", "të çakorduara me situatën në të cilën ato ndodhin." Kur vishet me formë të mirë dhe të përshtatshme, përmbajtja shkëlqen me të gjithë madhështinë e saj të brendshme. Në të vërtetë, forma e mirë vepron në mënyrë misterioze mbi përmbajtjen duke e ngritur forcën e saj tërheqëse.
Si rrjedhim, relacioni midis formës dhe përmbajtjes nuk është statik, por dinamik. Kur përmbajtjes i jepet forma, asnjëra nuk mbetet po ajo. Rezultati është gjithmonë një efekt më i madh, më i thellë, më prekës dhe më i qëndrueshëm. Efekti është rezultat i veprimit të kombinuar të formës me përmbajtjen. Idetë e mëdha që shprehen saktësisht në formë të bukur kanë fuqi madhështore. Arsyeja për këtë lartësim të bukurisë qëndron në faktin se ajo është një anë e transcendencës së Zotit.
Nga kjo rrjedh se efekti sublim është rezultat i përmbajtjes sublime të lidhur me formën sublime.
Si rrjedhim, ne mund të konkludojmë se sublimja nuk është kurrë sublime vetëm në formë, as vetëm në përmbajtje, as vetëm në efekt. Ajo është në të tria njëkohësisht. Forma sublime pa përmbajtjen sublime, apo përmbajtja sublime pa formën sublime, shkaktojnë pak apo aspak efekt, sigurisht jo efektin që ka sublimja.
Natyra e sublimitetit letrar
Kurani vlerësohet si një mrekulli e formës sublime që përshtatet në mënyrë absolute me një përmbajtje sublime dhe që shkakton një efekt sublim. Kjo mrekulli estetike apo letrare e Kuranit u pranua nga të gjithë muslimanët si dëshmi për autorësinë e tij hyjnore.
Me qëllim që të pranohej dhe të vlerësohej si një mesazh nga Qielli, njerëzit të cilëve iu adresohej Kurani duhej të ishin në një nivel të tillë të zhvillimit letrar saqë ta perceptonin se ai nuk ishte vepër njerëzore.
Kurani e sfidoi krahasimin e ndonjë pjesë të tij për nga bukuria letrare.
Pa këtë fuqi sfiduese s'ka dyshim se Kurani nuk do të mund të kishte ushtruar fuqinë e tij të jashtëzakonshme, të mrekullueshme, magjepsëse, prekëse dhe mallëngjyese. Dhe pa këtë fuqi, arabët nuk do ta kishin pranuar atë si hyjnor. Rasti i pejgamberisë së Muhammedit është unik sepse ai e mbështeti vërtetësinë e pohimit të tij, vetë hyjninë e burimit të tij, në fillin e bukurisë letrare.
Në të vërtetë, Kurani i theu të gjitha normat e përsosmërisë letrare që arabët kishin njohur. Çdo ajet i tij përshtatej dhe i përmbushte normat e njohura letrare - dhe megjithatë i tejkalonte ato përtej masës. Arabët i kishin nocionet e idealeve letrare dhe ata kishin dëshmuar aktualizime pak a shumë perfekte të këtyre normave. Aktualizimi i Kuranit e tejkaloi çdo gjë që ishte njohur ndonjëherë. Kjo ishte arsyeja se përse ata e vlerësuan atë të mbinatyrshëm, apo një sfidë për t'u krahasuar me diçka që nuk mund të krahasohet kurrë. Kurani i çarmatosi plotësisht kundërshtarët e vet. Ata e pranuan origjinën e tij hyjnore dhe iu nënshtruan urdhëresave të tij.
Sublimiteti i efektit
Arabët kishin mendim të lartë për përsosurinë e tyre letrare. Kurani e dërrmoi krenarinë e tyre. Poezitë e gjenive më të frymëzuar letrarë u zbehën përpara Kuranit madhështor. Natyrisht, ai vendosi ndalesë të përkohshme në produktivitetin e tyre letrar. Disa poetë u betuan se nuk do të kompozonin më kurrë poezi.
Mbi të gjitha, asnjë libër nuk ka qenë ndonjëherë shkak i ndryshimit të tillë të thellë religjioz, intelektual, kulturor, moral, social, ekonomik dhe politik, në jetën e miliona njerëzve, apo të njerëzve aq të ndryshëm etnikisht, siç është Kurani.
Arabishtja kuranore u bë standard dhe normë e gjuhës arabe, sa i përket fjalorit, sintaksës, gramatikës dhe elokuencës së saj. Çdokush e shikonte atë si kriterin themelor të kompozicionit dhe përsosmërisë letrare.
Shprehjet dhe figurat e të folurit të saj, krahasimet dhe metaforat e saj, idiomat dhe artefaktet e saj, u bënë pjesë e të folurit të përditshëm, dhe ato u përdorën si xhevahire dhe zbukurime me të cilat stolisej çdo vepër letrare.
Kurani ka qenë ideali absolut letrar i pasfiduar. Përpara kohës së kolonializmit, pothuaj të gjitha veprat e krijuara prej muslimanëve reflektonin karakteristikat tradicionale të Kuranit. Këtu u përfshinë: formimi delikat i fjalëve më të mira së bashku për të përshtatur një domethënie të caktuar; ekuilibrimi apo pranëvënia e fjalëve simetrike, frazave apo domethënieve; përsëritja apo shprehja e një forme, modaliteti, apo teme një numër herësh, secila e ndryshme nga të tjerat por megjithatë që e fokusojnë vëmendjen mbi të njëjtën temë; vazhdimi jozhvillimor, pra vijimi i temave, pjesëve apo kapitujve, pa ndërlidhje organike, por me fraza apo tema standarde, që hapin dhe mbyllin secilin pasazh dhe që gjenerojnë shpejtësi në drejtim të vijimit të pafundmë; shkurtësia, përpikëria, dhe thjeshtësia, apo përdorimi i numrit më të paktë të fjalëve për të përmbledhur domethëniet më të mëdha; vendosja e secilës fjalë në vendin e saj përkatës; ndryshimi i papritur i kohës, formës së fjalimit, apo domethënies, në një tjetër kundërvënëse me të, si një mënyrë për përforcimin e të dyjave; përçimi i domethënies abstrakte nëpërmjet impresioneve që u jepen shqisave, duke e bërë kështu munguesen prezence, iluzoren reale, dhe abstrakte n konkrete; qartësia e shprehjes, apo mungesa e kriptizmave [të panjohurave], e simboleve dhe e domethënieve të fshehta; dhe së fundi, bukuria e shprehjes, përshtatshmëria e saj me ngjarjen, apo përzgjedhja e shprehjeve dhe stileve që i përshtaten lexuesit/dëgjuesit, si edhe temës në diskutim.
Respektimi i të gjitha këtyre kritereve, për shkak se ato rridhnin nga Kurani dhe ilustrimi i tyre ideal synohej universalisht prej të gjithë muslimanëve.
The Culrural Atlas of Islam». Ismail al Faruki and Lois Lamya al Faruki, Publisher: MacMillanPublishing, 1995
Përktheu nga anglishtja: Mimoza Sinani
Dituria Islame 335