UNESCO: Kurani libri më i lexuar në botë

Në Konferencën e 28-të të përgjithshme të UNESCO-s, të mbajtur në Paris, në vitin 1995, është marrë vendimi që çdo vit, më 23 prill, të shënohet Dita Botërore e Librit dhe e të drejtave të autorit, si datë simbolike në letërsinë botërore, sepse në këtë ditë në vitin 1616, kanë vdekur Miguel de Servantes (Cervantes) dhe Viliam Shekspir (William Shakespeare).

Sipas informatave të mbledhura nga gazetari i Anadollit nga indeksi i kulturës botërore të leximit, në listën e vendeve banorët e të cilëve lexojnë më shumë prinë India, e ndjekur nga Tajlanda dhe Kina.
Indeksi i matjes bazohet në kohën e caktuar për lexim gjatë një jave, ku përveç librave përfshihet edhe leximi i gazetave, revistave dhe materialeve tjera të shkruara.
E para në listën e vendeve, shoqëritë e të cilëve i dedikohen librit është India, ku çdo banor i saj, mesatarisht në javë, i ndanë 10 orë e 42 minuta për lexim. Në vendin e dytë është Tajlanda, me 9 orë e 24 minuta lexim për kokë banori, ndërsa në vendin e tretë radhitet Kina, ku çdo kinez për lexim i ndanë 8 orë në javë.
Tre vendet e para në listë pasohen nga Filipinet (7 orë e 36 minuta), Egjipti (7 orë e 30 minuta), Republika Çeke (7 orë e 24 minuta), Suedia (7 orë e 6 minuta), Franca (6 orë e 54 minuta), Hungaria (6 orë e 48 minuta) dhe Arabia Saudite (6 orë e 48 minuta).
Kur është fjala për librat më të lexuar, në vendin e parë është Kur’ani, më pas Ungjilli, ndërsa në vendin e tretë është libri “Citatet e Mao Ce Dunit”.
Në mesin e librave më të lexuar në literaturën botërore janë edhe “Don Kishoti” i Miguel Servantes (Cervantes) dhe “Harry Potter”, i shkrimtares britanike JK Rouling (Rowling).