Allahu (xh.sh) në Kur’an urdhëron: “O Besimtarë pendohuni të gjithë te Allahu në mënyrë që të gjeni shpëtim”. (Nur, 31)
“O ju që keni besuar! Pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë!” (Tahrim, 8) “Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm”. (Nisa, 31)
“Ai është që pranon pendimin e robërve të Vet, shlyen të këqijat dhe e di se ç’punoni”. (Shura, 25)

I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: - E ndjej veten në një gjendje të atillë ku çdo ditë dhe natë i kërkoj falje Allahut 70 herë. Sahabet e nderuar e pyetën: - Cili është problemi ynë më i madh? Profeti iu përgjigj: - Problemi më i madh yni janë mëkatet (gjynahet). Sahabet pyetën përsëri: - Cili është ilaçi, shërimi për këtë? Profeti i nderuar (a.s.) iu përgjigj: - Rruga e shpëtimit është pendesa dhe kërkimi i faljes nga Allahu (xh.sh).
Pasi që Iblisi u largua nga mëshira e Allahut tha: - Pasha fuqinë time, përderisa shpirti të jetë në trupin e njerëzve, unë nuk do të dal nga zemra e tyre. Ndërsa Allahu xh.sh., si përgjigje e kësaj iu drejtua Iblisit duke thënë: - Pasha Fuqinë Time, përderisa shpirti të jetë në trupin e njerëzve, nuk do e mbyll portën e pendesës.
Në një hadith tjetër i Nderuari i njerëzimit, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “ Ka njerëz të cilët hyjnë në xhenet në saje të gjynaheve (mëkateve). E pyetën: - Po kjo si ndodh, o i Dërguar i Allahut? Tha:- Pasi që kryen mëkatin pendohet për të me sinqeritet, mundohet të mos bie përsëri në të njëjtin gjynah dhe si shpërblim i kësaj devotshmërie hyn në xhenet. Atëherë shejtani i dëshpëruar thotë:- Ah, sikur të mos e kisha shtyrë këtë njeri të kryej gjynah! Kur robi kërkon falje me sinqeritet për mëkatin e kryer, Allahu mundëson që ta harrojnë këtë gjynah organet e tij, vendi ku e ka kryer dhe melekët shkrues (kiramen katibin), kështu që në ditën e Gjykimit për mëkatin e kryer nuk gjendet asnjë dëshmitar.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhamedi (a.s) ka thënë: “ Nëse dikush kryen një gjynah, menjëherë pendohet, kërkon falje tek Allahu i Madhëruar dhe duke premtuar se nuk do i kthehet me atij mëkati, thotë: “O Allah bëra një mëkat (gjynah). Më fal mua!” Allahu i Madhëruar i përgjigjet kështu: “Robi im kreu një gjynah, menjëherë pas tij duke menduar se ekziston një Zot falës, u ndje i dëshpëruar dhe u pendua, veç kësaj dha fjalën se nuk do binte më në të njëjtin mëkat, kështu që Unë e fal robin Tim”.
Transmetohet nga Ibn Maxhe se I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “ Edhe nëse kryeni mëkate të cilat mund të arrijnë deri në qiej dhe pendoheni, Allahu jua pranon pendesën tuaj”.
I Nderuari i njerëzimit, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Teksa robi i bindet Krijuesit të tij, Allahu i mundëson atij aftësinë e njohjes dhe konceptimit të fuqisë hyjnore. Nëse heq dorë nga bindja ndaj Krijuesit të tij, Allahu nuk ia merr aftësinë e dhënë, por e përdor si argument në Ditën e Gjykimit. Dhe kur bëhet ajo ditë i thotë: “Unë të kam dhënë aftësi njohjeje dhe konceptimi të fuqisë hyjnore, pse nuk veprove me atë që dije?!”
Transmetohet nga Muslimi se PI Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “ Kush kërkon falje me një pendesë të sinqertë Allahu e mëshiron sikur të mos kishte kryer asnjë gjynah. Ndërsa ai që nga njëra anë kërkon falje dhe nga ana tjetër përsëri vazhdon të kryej të njëjtin mëkat, është si personi që luan me mëshirën e Allahut (xh.sh)”.
Besimtari i frikësohet mëkateve sikur të ishte poshtë një mali i cili rrezikon të shembet nga momenti në moment.
Jahja Ibn Muadh (r.a) tregon: Shenjat e një pendimi të vërtetë janë tri.
- Ngrënia pak për të agjëruar.
- Fjetja pak për të falur namaze.
- Të folurit pak duke i kushtuar më shume vëmendje përmendjes së Allahut.
Xhunejn Bagdadi (r.a.) tregon: Pendimi ka tri shkallë. Fillimisht ndjenja e pendesës, pastaj heqja dorë nga ajo vepër duke qenë i vendosur se nuk do ta kryesh sërish. Dhe së fundmi kërkimi i hallallëkut personave që ju ke hyrë në hak gjatë mëkatit.
Mevlana Sadeddin Kashgari (r.a.) tregon: Ka shumë sëmundje tek personi që ha shumë. Për t’u shëruar nga këto sëmundje kërkon ilaçe pa pushim. Pasi që shërohet, përsëri e bën veten kurban të ngrënies. Përsëri kërkon ilaçe e sërish shërohet dhe se fundmi vjen një gjendje ku ilaçi nuk ka më efekt, përkundrazi shton më shumë sëmundjen. Edhe mëkati me pendesën i ngjajnë kësaj. Pas çdo mëkati pendim… përsëri mëkat, përsëri pendim derisa vjen një pikë ku nuk ka më vlerë pendimi. Për këtë arsye miqtë dhe të dashurit e Allahut largohen nga të tepruarat duke iu përkushtuar Allahut dhe duke u kujdesur për të mos shtegtuar në botën tjetër duke qenë mëkatar.
Muhamed ibn Sirin (r.a.) tregon: Kujdes! Mundohu të mos heqësh dorë pasi të kesh kryer një vepër të mirë, sepse nuk është parë të ketë shpëtuar një person që pendohet dhe pastaj e thyen pendimin e tij.
Ebu Fadli Muhammed bin Hasen Halebi (r.a.) tregon: Nëse Allahu kërkon ta nderojë robin e Tij, i jep ndjenjën e pendesës dhe i mundëson të fitojë pëlqimin dhe shpërblimin e Tij. Pendesa duhet bëre për respekt, nderim ndaj Allahut duke u larguar nga mërzitja dhe hidhërimi i Tij. Nëse pendimi kryhet me ndonjë qëllim tjetër, pendesa nuk pranohet. Mëkatari duhet ta braktisë mëkatin e kryer me zemër. Nëse pendohet vetëm me gojë, teksa zemra nuk është larguar akoma nga mëkati, pendimi i tij nuk konsiderohet i sinqertë si rrjedhojë edhe nuk pranohet. Besimtari duhet ta konsiderojë mëkatin gjithnjë të madh.
Tregohet se miqtë dhe të dashurit e Allahut mëkatin më të vogël e konsideronin të madh sa që të futur në një ndjeshmëri të sinqertë pendese, me lot kërkonin falje nga Mëshiruesi i madh, Allahu (xh.sh). Ndërsa ato që e kanë imanin (besimin) e dobët, kryejnë mëkate të mëdha dhe i konsiderojnë ato sikur të ishin shumë të vogla, pa vlerë dhe as që marrin mundimin të kërkojnë falje për to.
Ebu Bekri, më i zgjedhuri i shokëve të Pejgamberit (a.s.) i ishte drejtuar Allahut: “ O Allah, gabimet e mija janë të panumërta si kokrrat e rërës, ndaj falmë mua.”
Neve robërit e pafuqishëm për mëkatet dhe gabimet e kryera gjithnjë duhet të jemi me duar të hapura duke kërkuar falje me sinqeritet dhe me zemër të thyer.
Abdulkadir Gejlani (r.a.) tregon: O njerëz! Konsiderojeni si dhunti portën e jetës teksa e keni të hapur. Teksa jetoni vlerësojeni atë, sepse shumë shpejt dera e jetës mund të mbyllet dhe do ju vijë fundi. Konsiderojeni dhunti aftësinë për të kryer vepra të hajrit dhe kryeni sa më shumë vepra të mira. Konsiderojeni si dhunti portën e pendesës dhe portën e duasë teksa ato janë të hapura dhe afrohuni Allahut me sinqeritet për të kërkuar falje. Konsiderojini momentet e vështira të vëllezërve myslimanë si një dhunti, e në raste të tilla vetëm për hir të Allahut vraponi në ndihmë të tyre. Hiqni dorë nga gabimet dhe veprat e këqija. Pendohuni! Ky pendim është si filiz i mbjellë thellë në zemrat tuaja. Pendesa është si themeli i një ndërtese, shkatërrojeni ndërtesën e shejtanit dhe ngrini ndërtesën e Allahut duke iu afruar Atij. Unë po ju tregoj thelbin ndaj forcojeni besimin tuaj dhe bëhuni të devotshëm. Edukoni zemrën, shpirtin dhe vetveten (nefsin) tuaj. O Allah, mëkatet tona janë aq shumë sa nuk numërohen… por falja dhe mëshira Jote janë pa fund, pa kufi. Na e mbaj gjithnjë të hapur portën e pendimit, të faljes, të mundësisë së vetme për t’u pastruar nga gjynahet tona të shumta dhe na jep forcë që të mos kthehemi edhe një herë tek mëkatet e kryera. AMIN


Artikulli i kaluar
Do të vijë koha kur ...
Artikulli radhës
Gjuha e personalitetit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip