Kujdes nga mallkimi!

“...te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë..."(Fatir,10)
"Allahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtësi. Allahu është Dëgjues, i Dijshëm.” (En Nisaë, 148)

Nga pasojat me të rrezikshme të gjuhës tone është edhe mallkimi. Mallkimi në kuptimin e tij të gjerë përfshinë dëbimin nga mëshira e Allahut të Madhëruar, dhe është një nga gjërat më të urrejtura e të cilën e ka ndaluar edhe Pejgamberi a.s. Ai qartë e ka definuar besimtarin në hadithin e Abdullah bin Mes’udit r.a.: "Besimtari nuk ofendon, nuk mallkon, nuk është i paturpshëm dhe i pistë në gjuhë.”(1)
Muslimani që e kupton drejt fenë e tij, e trajnon veten të jetë i durueshëm dhe ta kontrollojë zemërimin e tij. Ai është tolerant, dhe sjellja e tij tolerante, e butë dhe e lehtë ia hap rrugën për zemrat e njerëzve dhe e bën të dashur për ta. Në të njëjtën kohë ai bëhet shkak për fitimin e kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, faljes dhe mëshirës së Tij.
Muslimani është i mëshirshëm, pasi e kupton se mëshira ndaj njerëzve në tokë do të bëjë që të zbresë mëshira nga qielli. Ai vërtet ka sjellje të mirë në marrëdhëniet me të tjerët, sepse është i thjeshtë, i butë dhe i këndshëm kur flet, gjithherë duke e ndjekur shembullin e të Dërguarit a.s.
Muhamedi a.s., nuk ishte person që përdorte gjuhë të keqe e as nuk i ofendonte të tjerët. Në një hadith Pejgamberi a.s., ka thënë: "Fjalët e këqija dhe bisedat e ndyta nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin. Njerëzit më të mirë në Islam janë ata që kanë sjellje me të mirë (ndaj të tjerëve).” (Taberaniu dhe Ahmedi).
Muhamedi a.s., e ka ndaluar që të mallkojmë njëri-tjetrin. Sipas transmetimit të Semure bin Xhundub r.a., Pejgamberi a.s., ka thënë: "Mos mallkoni njëri-tjetrin me mallkimin e Allahut, as me zemërimin e Tij, as me Xhehenemin!”(2)
Pra, mos bëni lutje kundër njerëzve me diçka që shpreh largimin nga mëshira e Tij, Muhamedi a.s., u është kërcënuar atyre të cilët mallkojnë se, nuk do të kenë mundësi të ndërmjetësimit e as të dëshmimit në Ditën e Gjykimit. Në transmetimin e Ebu Derdasë r.a., qartë theksohet: "Ata të cilët mallkojnë shumë, në Ditën e Gjykimit nuk do të jenë dëshmitarë e as ndërmjetësues.”(3)

Shoqërimi me ata që mallkojnë

Shoqërimi me njerëz të mirë në Islam është një çështje me rëndësi. Ndërsa shoqërimi me njerëz jo të mirë njeriut ia shkatërron jetën e tij, e edhe fenë e tij. Hadithet e Pejgamberit a.s., që na porositin të shoqërohemi me njerëz të mirë, janë të shumtë. Aty njëherit ai na tregon edhe rrezikun nga shoqërimi me njerëz të këqij. Sa e sa njerëz janë sot e që shoqëria e tyre i ka humbur ata, shoqëria e tyre i ka devijuar, shoqëria e tyre i ka futur në harame, shoqëria e tyre ua ka humbur Dynjanë dhe Ahiretin?!
Prandaj, muslimani duhet të kujdeset në zgjedhjen e shoqërisë së mire, sepse njeriu mund të jetë i mire nëse zgjedh shoqërinë e mirë, ndërsa mund të jetë i keq nëse ai e ka zgjedhur shoqërinë e keqe. Fjala e urtë: "Si e ke shoqërinë je edhe vetë”, po që ka domethënie të madhe.
Shokët nuk guxojnë të kenë cilësinë e mallkimit. Për këtë na tërheq vërejtjen Pejgamberi a.s., Në transmetimin e Ebu Hurejres r.a., ai thotë: "Shok nuk duhet të jetë ai që mallkon!”(4)
Mallkimi i dikujt që bën mëkat, apo që e kemi shok dhe të cilin e duam, padyshim se sjell dëm. Nëse dikë që e mallkojmë e meriton mallkimin, dhe ai mallkim e arrin atë, më vonë do të na vjen keq për të.
Ebu Hurejre r.a., po ashtu transmeton: "Një njeri kishte pire alkool dhe ishte dehur. Për këtë shkak ai u soll tek i Dërguari a.s., i cili urdhëroi të zbatohej ndëshkimi me kamxhikosje. Pas disa ditëve ai përsëri u zu duke pirë, dhe prapë u soll tek i Dërguari a.s., dhe u kamxhikos. Edhe për të tretën herë u zu duke pirë alkool, e u soll tek i Dërguari as. dhe u kamxhikos. Pasi e vuajti ndëshkimin, ai u ngrit për t'u larguar. Një person nga sahabët tha: "Allahu e mallkoftë!” Sa shpesh ka ardhur këtu për t'u kamxhikuar. l Dërguari a.s, u kthye kah ai dhe fytyra e tij kishte ndryshuar dukshëm. Ai i tha: “Mos e mallko atë, mos i ndihmo shejtanit kundër tij! Për Allahun, e di se ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!” (Buhariu dhe Muslimi).(5)
Çfarë sjellje e mëshirshme dhe humane ndaj një njeriu i cili kishte gabuar dhe bërë mëkat. I Dërguari a.s., shquhej për largimin e të keqes, urrejtjes dhe armiqësisë nga rrënja. Ai, ata që nuk e frenojnë gjuhën nga fjalët e liga dhe mallkimi i të tjerëve i lajmëroi me një fat të tmerrshëm.
Muslimani në shoqërinë islame e di fare mirë, se ai do të merret në përgjegjësi për çdo fjalë që e shqipton.
Nëse problemet e jetës e çojnë në ndonjë grindje të këtij lloji, ai e kontrollon temperamentin e tij, është i kujdesshëm në fjalë, e ruan gjuhën e tij dhe përmbahet nga ofendimet dhe mallkimet, duke e kontrolluar zemërimin që të mos bie në mëkat. Muslimani nuk zemërohet pa vend, përveç nëse zemërohet për hatër të Allahut të Madhëruar.(6)

Mallkimi i fëmijëve

Mallkimi nuk përkon me fjalorin e besimtarit në raport me askënd, aq më tepër kundër fëmijëve. Për fat të keq, një numër i konsideruar i prindërve, për çdo ditë e pa menduar mirë, mallkojnë fëmijët e tyre.
Me këtë, sidomos veçohen nënat "nervoze" dhe të ”pavetëdijshme”, të cilat në kulmin e nervozitetit të tyre, për shkak të imtësisë edhe më të vogël, e mallkojnë fëmijën e vet, dhe bëjnë lutje të rënda ndaj tyre si: "E thefsh qafen”, "Të plaçin sytë, u qorrofsh”, "U bëfsh copë e grimë”, "Të shkeltë kerri”, etj. Prindërit, për fat të keq, këtë e thonë kur janë të hidhëruar apo nervozë, ndërsa më vonë kur mallkimi realizohet, pendohen deri në fund të jetës.
Pas kësaj, kur fëmijën ta godasë ndonjë fatkeqësi, tragjedi ose sprovë e rëndë, prindërit nuk janë të vetëdijshëm se kjo ndoshta është duaja - mallkimi i tyre që është pranuar dhe e ka arritur fëmijën e tyre, por në një formë të ndryshuar dhe më të zbutur.(7)
Pejgamberi a.s., ka thënë: "Mos bëni dua kundër jush, as kundër fëmijëve tuaj, as kundër pasurisë suaj, se mos po qëlloni kohën kur Allahu i Madhëruar i pranon duatë, e që ato t'ju pranohen.” (Muslimi, 4/ 2304).
Për këtë, ruajtja e gjuhës nga ky lloj i aktivitetit është urtësi dhe e lavdëruar. Me theks të veçantë, kur dihet se mallkimin e besimtarit i Dërguari a.s., e ka krahasuar me vrasjen e tij, që në mënyrë më eklatante ilustron këtë cilësi të keqe që është produkt i gjuhëve tona.
Thabit bin Dahhaku transmeton se Pejgamberi a.s., na ka tërhequr vërejtjen: "Mallkimi i besimtarit është sikurse vrasja e tij.”(8)
Vetë Pejgamberi a.s., është larguar nga mallkimi, madje edhe i idhujtarëve. Na tregon Ebu Hurejre r.a., se një rast disa shokë i propozuan Pejgamberit a.s., që t'i mallkojë idhujtarët. Me këtë rast Muhamedi a.s., tha: “Unë nuk jam dërguar që të mallkoj, por jam dërguar si mëshirë”.(9)

Kujdes nga rreziku i mallkimit

Se sa është e rrezikshme të mallkohet një person, posaçërisht nëse ai nuk e meriton, më së miri e vërtetojnë thëniet e Pejgamberit a.s., në të cilat qartë tregohet se mallkimi i paarsyeshëm do ta arrijë atë që mallkon, e jo atë që mallkohet. Ky është edhe një argument që shkon në dobi të nevojës së qasjes më serioze dhe më me përgjegjësi ndaj këtij problemi, Kështu, në transmetimin e lbni Abasit r.a., Pejgamberi a.s., tregon qartë: "Kush mallkon dikë ndërsa ai këtë nuk e meriton, ai mallkim do t'i kthehet atij që e ka thënë mallkimin."(10)
Përshkrimi i vetë procesit është magjepsës, pra ai me të cilin mallkimi i vjen atij që e ka thënë, dhe vetë udhëtimi i atillë është interesant. Këtë udhëtim Muhamedi a.s., detajisht e ka përshkruar në transmetimin e Ebu Derdasë r.a., duke thënë: "Kur njeriu mallkon diçka, ai mallkim ngrihet drejt qiellit dhe para tij mbyllen portat e qiellit, e pastaj kthehet në tokë dhe para tij mbyllen edhe dyert e tokës, ndërsa niset djathtas dhe majtas dhe kur nuk gjen kurrfarë rrugëdalje, niset drejt atij që është i mallkuar dhe lëshohet në të, nëse ai e ka merituar, ndërsa nëse jo kthehet tek ai që e ka thënë.”(11)
Për rrezikun e mallkimit më së miri ilustrojnë edhe dy hadithe të cilat i përmend Imam Muslimi, në të cilët qartë vërehet se nuk kemi të drejtë që ta përdorim atë të cilën e kemi mallkuar. lmran bin Husejni r.a., thotë: "Derisa ishte Pejgamberi a.s., në njërin prej udhëtimeve të tij, deveja e një ensares nguli këmbë dhe ajo e mallkoi. Kur e dëgjoi këtë Pejgamberi a.s., tha: "Largojani pajisjet kësaj deve dhe lëshojeni atë sepse ajo është e mallkuar!”
Imrani tregon duke përkujtuar këtë ndodhi: "Sikur kur e shoh sot atë deve se si ecte e lirë, ndërsa asnjëri prej njerëzve nuk e shalonte.”(12)
Si dhe: Ebu Berze el Eslemi r.a., tregon: "Një vajzë kalëronte një deve e cila bartte mallin e njerëzve të tjerë. Kur ishte në afërsi të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., duke kaluar nëpër një grykë mali, deveja nguli këmbë dhe u ndal, e vajza i tha: “Allahu të mallkoftë!" Pas kësaj Pejgamberi a.s., tha: "Me ne nuk do të udhëtojë deveja që është e mallkuar!”(13)
Ne të dy rastet e përmendura bëhet fjalë për devenë por ngjashëm me këtë, gjithçka që mallkojmë nuk do të duhej ta përdorimin. Në kushtet tona, ai mund të jetë automobil të cilin gjatë prishjes zakonisht njeriu e mallkon, e nëse e bëjmë këtë a kemi të drejtë më ta shfrytëzojmë?!
Nga kjo që po lexojmë mësohet se duhet të kemi shumë kujdes dhe me vetëdije ta ruajmë gjuhën nga mallkimi. Pra, mos mallko njeri dhe asgjë tjetër, se është e ndaluar të mallkosh! Është e ndaluar sepse mund të ndodhë e mallkimi t’i kthehet mallkuesit. Por, në vend të mallkimit, lute Zotin për mëshirë dhe udhëzim!


________________
(1) Dr. She?k Kurdiq, "Gjuha Shpatë me dy teha", Shkup, 2008. f. 77-78.
(2) Hadithin e shënon Tirmidhiu në Sunen: 28- Kitabu-l-birri ve sileti, 48- ma xhae fi-l-la'neti, hadithi nr. 1977
(3) Ebu Davudi në Sunen: Kitabu-l-edebi, 50- Babun fi-l-la'ni, hadithi nr. 4906.
(4) Buhariu në Edebu-l-mufredu: 146- Babu-l- le'ani, hadithi nr. 317.
(5) Muslimi në Sahih: 45. Kitabu-l-birri ve s-silu-l-ti, 24- Babu-n-nehji an la'ni-d-devabbi ve gajriha, hadithi nr. 2597.
(6) Dr. Muhamed Abdurrahman el-Arifi. Kënaqu me jetën tënde. Prishtinë, 2009. f. 291. Dr. Muhamed Ali El Hashim. Muslimani ideal. Prishtinë, 2008. f. 239.
(8) Muhamed Hamd. Gabimet e rrezikshme gjatë edukimit të fëmijëve. Shkup 2013. F. 39.
(9) Buhariu në Sahih: 78. Kitabu-l- edebi. 73 Hadifhi nr. 6105.
(10) Muslimi në: Përmbledhja e hadihteve e Muslimit, 3/ 278 hadithi nr. 1822.
(11) Ebu Davudi në Sun:-211: Kitabu-l-edebi, 50-Babun fi-l-la'ni, hadithi nr. 4908.
(12) Ebu Davudi në Sunen: Kitabu-l-edebi, 50- Babun fi-l-la'ni, hadithi nr. 4905.
(13) Muslimi në Sahih: 45. Kitabu-l-birri ve s-sileti, 24 Babu-n-nehji an la'ni d-devabbi ve gajriha, hadithi nr. 2595.



lsa Tërshani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip