Një ndër traditat e vlefshme islame, e trashëguar që nga koha e Pejgamberit (a. s.) dhe e përcjellë brez pas brezi deri në ditët tona, është edhe i’tikafi - qëndrimi dhjetëditor në xhami në pjesën e fundit të Ramazanit.
I’tikafi pra, sikurse merret vesh, kushtëzohet me agjërimin e muajit të Ramazanit dhe është një nga specifikat dhe veçoritë ekskluzive të këtij muaji. Ai merr domethënie pikërisht për shkak të muajit të Ramazanit dhe vlerës së këtij muaji. Për këtë arsye, meqë gjendemi në muajin e Ramazanit dhe në vigjilje të dhjetëditëshit të fundit të tij, pra atëherë kur nis periudha e i’tikafit, në vazhdim do të bëjmë fjalë për disa nga dispozitat e përgjithshme sheriatike që kanë të bëjnë me të dhe për të.
Mirëpo, që në fillim duhet thënë se Ramazani i sivjetshëm, për arsyet që tashmë i dimë të gjithë, ka qenë më ndryshe. Ka qenë më ndryshe në kuptimin se për disa nga ibadetet tona në këtë muaj, kemi qenë të detyruar që në planin teknik, dhe jo edhe atë përmbajtjesorë, të sillemi konform rregullave sheriatike që parashihen në situata kur përballemi, bie fjala, me pandemi, siç është kjo e Covid19, që ka përshirë botën dhe vendin tonë.
Ne, vërtet, nuk kemi mundur që taravitë e këtij Ramazani t’i falim me xhematë në xhami për shkak të rrezikut individual dhe shoqëror, por ama i kemi falur vetëm, po edhe me xhematë me familjarët tonë në shtëpitë tona.
Mirëpo për sa i takon i’tikafit, me gjithë rrethanat e krijuara, për të nuk shohim pengesa që ai të mund të kryhet në xhami, sepse me qëndrimin e individit besimtarë të interesuar për të qëndruar i vetmuar në xhami, nuk rrezikohet as ai dhe as njerëzit e tjerë. Me një fjalë, kësisoj do të kryhej ky syneti-muekkede dhe do të përmbushej kjo traditë pejgamberiane, pa rrezikuar as individin dhe as xhematin.
Si do që të jetë, meqë dispozitat e Sheriatit lidhur me ibadetet kanë vlera të përhershme dhe ato vlejnë për të gjitha kohët, atëherë në vazhdim, sikurse u tha, po i shpjegojmë disa nga rregullat që kanë të bëjnë me i’tikafin.
Po, ç'është në të vërtetë I'tikafi?
Në kuptimin gjuhësor“I’tikaf” do të thotë: qëndrim, ndalim në një vend, ruajtje, ndejë, vetmim, izolim...
Ndërkaq, në aspektin sheriatik, fjala është për "qëndrimin dhe ndenjen në xhami me qëllim të përkushtimit në adhurim duke qenë agjërueshëm." Kurse, ”akif” ose “mu’tekif” quhet personi, i cili qëndron në xhami për të bërë adhurim.
I’tikafi rëndom bëhet gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, dhe si i tillë është prej veprave që si normë sheriatike konsiderohen syneti muekede-synet i fortë. Në kushte dhe rrethana normale është kështu, ndërkaq, nëse dikush e ka për të përmbushur premtimin e dhënë (nedher), atëherë nuk është më syneti muekede, por vaxhib - obligim. Argumenti sheriatik për këtë konstatim është transmetimi i haz. Aishes dhe Ebi Hurejres, të cilët kanë thënë:
“Pejgamberi (a. s.) e ka bërë i’tikafin gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, derisa nuk e ka marrë Allahu tek Ai. (Në një transmetim tjetër të ngjashëm shtohet edhe kjo frazë: "... e pastaj i’tikafin e kanë bërë edhe bashkëshortet e tij.”
Me këtë rast, e gjejmë me vend që ta shënojmë një konstatim të qëlluar të njërit prej dijetarëve të shquar islam, Zyhriut, i cili thotë: "Është për të t'u çuditur se si njerëzit e kanë braktisur I'tikafin, ndërkohë që Pejgamberi (a. s.) ka pas vepra që i ka punuar po edhe nganjëherë i ka lënë, kurse I'tikafin prej kur ka shkuar në Medinë nuk e ka lënë asnjë herë!"
Cila është urtësia e I'tikafit?
Urtësia e izolimit (i’tikafit) është se njeriu, duke iu përkushtuar adhurimit në formën më të përkryer, në të vërtetë, i afrohet Allahut të Gjithëmëshirshëm, tregon praktikisht dashurinë dhe respektin ndaj Krijuesit dhe, natyrisht, e shpreh devotshmërinë ndaj Tij. Duke qenë agjërueshëm dhe duke qëndruar vazhdimisht i pastër në xhami, në të cilën falen pesë kohët e namazit me xhemat, i tretur në adhurim, sikur e lë pas shpine këtë botë me plot telashe e trysni, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, shpirti sadopak i pushon. Në këto dhjetë ditë në vetmi në xhami (në I’tikaf), njeriu duke iu përkushtuar me adhurim Allahut (xh. sh.) do ta përjetojë edhe Natën e Kadrit, që për të është një e arritur shumë a madhe sa vështirë të përshkruhet me fjalë.
I’tikafi më i vlefshëm është ai që bëhet në Qabe (në Mekë), pastaj ai në xhaminë e Profetit (a. s.) në Medinë, më pas në xhaminë e El-Aksasë në Kudsi-sherif, kurse në xhamitë e tjera, pa dallim në mes tyre, është i njëjtë.
Cilat janë kushtet e I'tikafit?
Personi, i cili hyn në I'tikaf, duhet t’i plotësojë këto kushte:
1. Të jetë mysliman,
2. Të jetë i aftë psikikisht,
3. Ta bëjë nijetin-ta ketë qëllimin e qëndrimit për i’tikaf,
4. Të jetë i pastër nga xhunubllëku (gjendja pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale mes burrit dhe gruas).
5. Gruaja të jetë e pastër nga të përmuajshmet femërore dhe nga lehonia dhe të ketë marrë leje nga bashkëshorti.
E, pra, nga kjo kuptohet se kjo vepër fetare bëhet nga besimtari-myslimani e jo edhe nga personi që i takon ndonjë feje tjetër. Ai duhet të jetë psiqikisht i shëndosh, kështu që ai që ka probleme mendore, nuk ngarkohet me të tilla veprime. Gjithsesi se, për një veprim siç është I'tikafi, nevojitet ta ketë bërë nijet, ta ketë qëllimin për të qëndruar në xhami për të bërë ibadet. Natyrisht, në xhami nuk mundet me hy personi i papastër, sepse kjo është në kundërshtim me logjikën e të bërit ibadet. As gruaja, ndonëse I'tikafin e bënë në shtëpinë e vet, nuk mund të vetmohet kur është me të përmuajshme, ose pas lindjes (nifas) si dhe pa miratim nga bashkëshorti i saj.
Ku bëhet I'tikafi?
I’tikafi bëhet në xhaminë ku falën rregullisht pesë kohët e namazit me xhemat, xhami në të cilën ka imam të rregullt. Aliu (r. a.) ka thënë: “Nuk ka i’tikaf përveçse në xhaminë ku falen me imam dhe xhemat - pesë kohët.”
Kjo vlen për meshkujt, kurse femrat izolimin e bëjnë në vendin ku i falin kohët e namazit në shtëpitë e tyre, natyrisht pa dalë nga shtëpia, përveçse për nevoja personale (fiziologjike).
Llojet e I'tikafit
Disa dijetarë janë të mendimit se praktikisht janë tri lloje të i’tikafit:
1. I’tikafi i obliguar - vaxhib, që është ai i premtuar (nedhr). P.sh. kur premtohet se: nëse më kthehet djali nga kurbeti, atëherë ky apo ai pjesëtar i familjes do të bëjë i’tikaf për Zotin duke caktuar sasinë e ditëve. Ose, nëse premton se nëse shërohem nga sëmundja, do të bëjë I'tikaf, në këto raste I'tikafi për të është vaxhib.
2. I’tikafi si traditë e vërtetuar - syneti muekede, (disa dijetarë ia shtojnë edhe “alel-kifaje” pra, nëse dikush e bën, të tjerët lirohen nga ai veprim), kur ai kryhet gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.
3. I’tikafi i pëlqyer - mustehab, i cili bëhet gjatë ditëve të tjera jashtë Ramazanit dhe për këtë lloj nuk është detyrim agjërimi, siç është te dy llojet pararendëse.
Personi, i cili qëndron në i’tikaf, mund të dalë nga xhamia vetëm sa për të kryer nevojën fiziologjike, sa për të marrë abdes ose edhe për t’u pastruar, nëse e ka këtë nevojë patjetër. Ai mund të dalë nga xhamia edhe për një arsye sheriatike, siç është falja e xhumasë ose e Bajramit në xhami tjetër, nëse në atë ku është, nuk falen. Në xhaminë në të cilën realisht ka shkuar për të falur namazin e xhumasë, nuk mund të qëndrojë më shumë se ai që fal farzin dhe synetin e xhumasë dhe menjëherë duhet të kthehet në vendin-xhaminë ku ka qenë në i’tikaf. Në qoftë se del nga izolimi për një kohë të caktuar, pa ndonjë arsye, qoftë edhe vetëm një orë, izolimi prishet. Ngrënia, pirja dhe fjetja gjatë kohës së i’tikaf bëhen brenda xhamisë.
Lidhur me minimumin e qëndrimit në izolim, Ebu Hanifja arsyeton se mjafton një ditë, megjithëse rregulla për izolimin fetar është saktësuar për dhjetë ditë.
Me rastin e izolimit në xhami, duhet bërë kujdes edhe sa vijon:
- Personit që është në izolim (mu’tekifit) i ndalohet marrëdhënia seksuale me bashkëshorten, puthja ose prekja e saj me epsh. Në Kuran, Allahu (xh. sh.) urdhëron e thotë:
“...Dhe mos iu afrohuni atyre (bashkëshorteve për të bërë marrëdhënie seksuale) sa kohë që ju jeni duke qëndruar (në i’tikaf) në xhami...”
- Derdhja e lëngjeve seksuale nuk e prish i’tikafin nëse bëhet vetëm me përfytyrim në ëndërr. Atij i duhet të pastrohet sa ma parë e mos të qëndrojë në xhami i papastër.
- Personi që është në izolim (mu’tekifi) duhet patjetër të jetë i pastër nga të qenët xhunub, sepse i’tikafi kryhet duke qëndruar në xhami ku kryhen adhurimet gjatë asaj kohe, ndërkaq të papastrit nuk i lejohet hyrja në xhami, e aq më pak qëndrimi në të ose edhe bërja e adhurimit. Kjo mbështetet në thënien e Profetit (a. s.):
“Drejtoni këto shtëpi nga xhamia, sepse unë nuk e lejoj xhaminë për atë që është me të përmuajshmet femërore dhe për atë që është i papastër.”
- Gjatë kohës së qëndrimit në xhami, mu’tekifi (i izoluari) duhet që të kalojë sa më shumë kohë duke bërë adhurim e jo të qëndrojë në xhami vetëm sa për të fjetur, apo me veprime të tilla të zakonshme. Ai, kryesisht, krahas vakteve të rregullta të namazit, duhet të falë sa ma shumë namaz nafile, të lexojë Kuran, të përsiatë për Allahun, apo të merret me veprimtari të ngjashme.
- I lejohet mu’tekifit të blejë aq sa i mjafton për të dhe familjen e tij në shitore ose treg, sepse shitblerja në xhami përgjithësisht është vepër e papëlqyeshme (mekruh). Kjo, natyrisht, nëse këtë s’mund ta bëjë ndonjë anëtar tjetër i familjes.
- Personi që e ka bërë nijet të hyjë në i’tikaf, duhet të hyjë në xhami para perëndimit të diellit të ditës së 20-të të Ramazanit dhe të qëndrojë në të deri pas perëndimit të diellit, natën e Bajramit. Mirëpo, nëse qëndron deri pas faljes së Bajramit, kjo është akoma më me vlerë.
- I’tikafi nuk do të prishet në qoftë se mu’tekifi detyrohet të kalojë nga një xhami në tjetrën, nëse këtë veprim e bën për shkaqe të arsyeshme.
- Në qoftë se personi në I'tikaf vetëm rrinë në heshtje ose fol fjalë të kota - për te është e papëlqyeshme-mekruh. Po, e ka të lejuar kohë pas kohe me pushu ose edhe me fjet pak.
Resul ef. Rexhepi