Qëndrimi i sheriatit islam ndaj sëmundjeve që janë endemi dhe pandemi

Hyrje

Njëra prej kushteve të besimit islam është që myslimani të besojë në caktimin e Allahut (El-Kaderu) dhe duhet të jetë i kënaqur më atë që i ka caktuar Allahu atij. Pa dyshim sëmundjet e ndryshme qofshin ato si epidemi apo pandemi janë të përcaktuara prej Allahut të Madhërishëm. Të gjitha
këto argumentojnë në mënyrë të qartë fuqinë e Allahut të Lartësuar që kë do Ai e shkatërron dhe kë do e shpëton. Allahu i lartësuar thotë në Kuran: “e ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Atij”.(1)
Përcaktimi i paraqitjes së sëmundjeve është prej ligjeve të Allahut të Lartësuar e që sëmundja e godet atë që do Allahu prej myslimanëve dhe jomyslimanëve, e edukon me sëmundje atë që do Ai, por, besimtari që është goditur nga sëmundja dhe bën durim, i tilli e arrin shpërblimin e shehidit.
Mu për këtë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Transmetohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: e kam pyetur të Dërguarin s.a.v.s. për sëmundjen e murtajës? Ai më ka informuar se murtaja është ndëshkim prej Allahut që e dërgon mbi atë që dëshiron Ai dhe se Allahu me dërgimin e sëmundjes shpreh mëshirë për besimtarët (d.t.th. e sprovon besimtarin dhe ai duron). E po qe se ndodh që të bjerë murtaja, atëherë duhet qëndruar në vendin e vet secili duke bërë durim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut. E di besimtari se nuk e godet atë asgjë pos asaj që ka caktuar Allahu dhe po qe se e godet (sëmundja) ai e ka shpërblimin e shehidit”.(2)


Këtë punim do ta ndajmë në këto tematika:

1. Sëmundjet a janë sprovë prej Allahut?
2. Çfarë përcakton e drejta islame për sëmundjet dhe si kërkon të sillemi në rast të paraqitjes së tyre?
3. A duhet të mbyllen xhamitë, të braktiset falja me xhemat dhe të lihet namazi i xhumasë kur është rrezik përhapja e sëmundjes?


Sëmundjet a janë sprovë prej Allahut?


Sa i përket asaj se sëmundjet a janë sprovë prej Allahut të Lartësuar apo ato i sjell Krijuesi për shkak së është i hidhëruar më robërit e Tij dhe kështu Ai u sjell sëmundjen si dënim për njerëzit. Për këtë mund të ketë disa shpjegime si:

E para: duhet ta kemi të qartë se prej ligjeve të kësaj jete është që njerëzit të kenë sëmundje të ndryshme apo thënë më qartë ardhja e sëmundjeve është ligj i vendosur nga Krijuesi ynë, vetëm e vetëm që t’i pastrojë robërit e Tij prej mëkateve dhe t’i sprovojë ata duke mos i veçuar me sëmundje vetëm tiranët, mëkatarët, kundërshtarët por i godet të gjithë njerëzit duke përfshirë të Dërguarit e Allahut të Lartësuar, të devotshmit dhe njerëzit e mirë. Sprova që u vjen të devotshmëve nga Allahu i Lartësuar nuk konsiderohet si poshtërim dhe zullum ndaj tyre, por kjo është shenjë e asaj që Allahu i do ata dhe i ngre në shkallë të larta në xhenet, ngase të tillët e kalojnë çdo sprovë duke duruar.
Sëmundjet do të jenë sprovë që u sjellin mirësi të Allahut njerëzve të devotshëm përderisa ata nuk ndalen në urdhërimin në të mira dhe pengimin nga të këqijat. Mu për këtë i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Vërtetë madhështia e shpërblimit është aq sa është madhështia e sprovës. Pa dyshim Allahu kur e do një popull, i sprovon ata, e kush është i kënaqur (e duron sprovën) ai e fiton kënaqësinë e Allahut e ai i cili hidhërohet (pse është sprovuar) e meriton hidhërimin e Allahut”, vazhdon Enesi r.a. duke thënë se i Dërguari a.s. ka thënë: “Kur Allahu i dëshiron më të mirën një popullit, i sprovon ata”.(3)

E dyta: po qe se e konsiderojmë sëmundjen si dënim që vjen prej Allahut duhet të dimë se ky dënim nuk i përfshin vetëm ata që janë tiranë, por i përfshin që të gjithë si të mirët dhe të këqijtë. Ajetet uranore dhe hadithet e të Dërguarit s.a.v.s. na e bëjnë shumë të qartë atë se kur Allahu dërgon ndonjë lloj dënimi tek njerëzit në atë dënim përfshihen që të gjithë, pra dënimi nuk zgjedh të mirin apo të keqin.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ruajuni nga sprovimi (fitneja) që nuk godet vetëm ata që bënë mizori prej jush...”.(4)
Po ashtu i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Kur Allahu të zbresë dënimin te një
popull, atëherë ai dënim i përfshin që të gjithë ata…”.(5)


Si të sillemi në rast të përhapjes së sëmundjeve?


E drejta islame (sheriati) ka përcaktuar rregullat se si duhet ne myslimanët të sillemi në raste kur rrezikohet apo kanoset jeta e njerëzve për shkaqe të ndryshme si f.v. sëmundjet, katastrofat e ndryshme natyrore e të ngjashme.
Rregulla kuranore që kërkon prej nesh t’i konsultojmë ekspertet e fushave të veçanta na obligon ne që të bashkëveprojmë me ta në rastet kur paraqitet nevoja për ndonjë gjë.
Allahu i Lartësuar shumë qartë thotë në Kuran: “Pyeteni ata që dinë nëse ju nuk dini”(6), duke u nisur nga ky parim ne jemi të obliguar të kërkojmë shpjegim nga ekspertët për çështjet për të cilat kemi nevojë për sqarime. Në rastin konkret ne kemi nevojë për sqarime rreth sëmundjes, andaj jemi të obliguar të kërkojmë shpjegime nga ekspertet e mjekësisë dhe në të njëjtën kohë t’u përmbahemi rekomandimeve të tyre.
Rreth përhapjes së sëmundjeve e në veçanti sëmundjeve që konsiderohen si pandemi duhet t’i kemi të qarta ne myslimanët këto rregulla:

E para: duhet ta kemi bindjen në caktimin e Allahut të Lartësuar se edhe sëmundjet janë caktim i Tij dhe nuk duhet të krijojmë panik në veten tonë dhe as tek të tjerët, por duhet të pranojmë caktimin e Allahut duke shpresuar në shpërblimin e Tij kur ne jemi në ndonjë sprovë.

E dyta: të mbështetemi në Allahun në mënyrë shumë të qartë dhe me bindje të plotë se çdo gjë që ndodh është me caktimin e Tij dhe asgjë nuk na godet pa lejen e Tij: “Kurrsesi nuk na godet asgjë pos asaj që e ka caktuar Allahu për ne”.(7)

E treta: marrja e shkaqeve, masave preventive si p.sh. mbrojtja nga sëmundja, kërkimi i shërimit, të hyrët në vetë karantinë dhe respektimi me përpikëri i të gjitha rekomandimeve nga institucionet përkatëse. Këtë shumë mirë e qartëson qëndrimi i Umerit r.a. i cili kishte ndaluar hyrjen në Sham pasi e kishte kuptuar se në të kishte renë epidemi. Ku në këtë rast Ebu Ubejdete bin el-Xherah r.a. i kishte thënë Umerit r.a.: “A po ikim nga caktimi i Allahut?”, e Umeri r.a. ishte përgjigjur: “Po, ne po ikim prej caktimit të Allahut në caktimin e Allahut”.
Kur ndodh që të paraqiten epidemi apo pandemi feja islame na obligon që të mos dalim nga vendbanimi ku e ka kapluar epidemia dhe mos të hyhet në
atë vendbanim ku është paraqitur epidemia. Përmendet në sahihun
e Muslimit se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Murtaja është shenjë e dënimit me të cilën i vë në sprovë Allahu disa njerëz nga robërit e Tij. Kur të dëgjoni se ka ndodhur (paraqitja e sëmundjes së murtajës) në një vend atëherë mos hyni aty dhe po qe se ndodh që është paraqitur në tokën tuaj, atëherë mos ikni prej aty”.(8)
Ajo pse ndalohet për të hyrë dhe për të dalë nga vendi ku është paraqitur epidemia, ka për synim ndalimin e përhapjes së sëmundjes. Në këtë aspekt duhet pasur shumë kujdes nga ana e myslimanit, ngase mund të bëhet shkak në përhapjen e sëmundjes dhe dëmtimin e të tjerëve dhe në këtë mënyrë të bëhet prej mëkatarëve. Në aspektin fetar është e ndaluar të bërët dëm të tjerëve në çfarëdo mënyre qoftë.
I Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka dëm ndaj askujt dhe nuk lejohet t’u bëhet dëm të tjerëve”.(9)
Bazuar në këtë rregull myslimanit nuk i lejohet t’i dëmtojë në asnjë mënyrë
të tjerët, pra nuk guxon të dëmtojë askënd në aspektin e besimit, në aspektin fizik, në aspektin mendor, në atë material dhe në asgjë: qoftë dëmi material apo shpirtëror. Në këtë aspekt kuptohet shumë qartë se është e ndaluar rreptësisht të behët shkaktar dikush në përhapjen e sëmundjes. Tjetra që duhet përmendur se prej parimeve të domosdoshme të sheriatit islam është edhe ruajtja e jetës, shëndetit dhe mendjes nga sëmundja. Prandaj është e ndaluar që myslimani të hedhë veten në shkatërrim apo edhe të behet shkak për shkatërrimin e të tjerëve.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “ ...dhe mos e hidhni veten tuaj në rrezik...”.(10)

E katërta: të mos qëndrojmë afër të sëmurëve nga frika e marrjes së sëmundjes, përveç kur është nevoja për t’i ofruar shërbimin për shërim edhe atë pasi të merren të gjitha masat mjekësore mbrojtëse. Mu për këtë i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Ik prej atij që është i sëmurë prej lebrës sikur që ikën prej luanit”.(11)
Nga ky hadith shpjegohet qartë se besimtari assesi nuk duhet të mendojë se sëmundja nuk e godet, por është i obliguar t’i marrë shkaqet që e ruajnë nga sëmundja.

E pesta: prijësi apo qeveria kur vendosin rregulla për të sëmurët që të hyjnë në karantinë, atëherë të sëmurët janë të obliguar t’i respektojnë vendimet e përcaktuara nga institucionet. E po qe se të sëmurët nuk i respektojnë rregullat e tilla bëjnë mëkat dhe konsiderohen të atillë që kanë bërë mëkat të madh.(12)
Prijësi është i obliguar që të sëmurët me sëmundje ngjitëse t’i izolojë dhe të mos lejojë që ata të përzihen me të shëndoshët.

E gjashta: duhet të merren masat që pengojnë përhapjen e epidemisë. Në historinë islame përmendet rasti kur i kishte goditur myslimanët murtaja e Imvasit(13), atëherë Amer bin el-As i kishte ndarë ata myslimanë në disa grupe nëpër bjeshkë dhe nuk i kishte lejuar të përzihen mes vete derisa shumica prej tyre vdesin si shehida nga murtaja. E ata që mbesin gjallë kthen nëpër qytete.(14)

E shtata: të mos mbahet e fshehtë sëmundja. Sipas kësaj çdokush që ndien në vetë shenjat e sëmundjes epidemike apo ka qenë në vendin ku ka pasur epidemi duhet patjetër paraqitja tek institucionet përkatëse. Po qe se ndodh që të fshihet sëmundja, atëherë personi në fjalë i bën dy krime: krimi i parë është mashtrimi dhe gënjeshtra duke e fshehur sëmundjen dhe i dyti është se ai bëhet shkaktar që të sëmuren të tjerët dhe në këtë mënyrë ky bëhet mëkatar për çdo person që e godet sëmundja për shkak të tij. I Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Mysliman është ai nga i cili janë të sigurt myslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij”.(15)
Nga kjo mund të kuptojmë se myslimani i vërtetë është ai i cili dëshiron për vëllain e tij atë që dëshiron për veten dhe se e urren për vëllain e vetë atë që e urren edhe për veten.

E teta: të pasurit frikë prej sëmundjes infektuese. Feja islame është fe e natyrshme andaj nuk pengon atë që myslimani të ketë frikë prej sëmundjeve infektuese. Mbrojtja e jetës, trupit, e gjymtyrëve të trupit, e pasurisë dhe e nderit është obligim për çdo mysliman.
Shumë hadithe flasin për kujdesin e mbulimit të ushqimit dhe pijeve që të mos prishen, për larjen e duarve dhe të gojës, për kujdesin që duhet pasur se ku kryhet nevoja fiziologjike dhe urinimi, që të mos kryhen nevojat fiziologjike nën hije dhe në rrugë ku mund të sjell telashe dhe sëmundje të tjerëve. Pra, kujdesi i tillë nuk është vetëm i rekomanduar por është obligim i prerë.
Feja Islame është fe e pastërtisë së anës shpirtërore dhe asaj fizike. Vetë kërkesa obliguese për të marr abdes, për t’u pastruar, për të pastruar ambientin, shtëpinë, oborrin dhe të ngjashme tregojnë qartë se myslimani duhet të jetë vigjilent në ruajtjen e tij dhe të tjerëve nga pasojat e çdo të keqeje.
Transmetohet nga Ebu Dherri r.a. se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Më janë paraqitur mua veprat e umetit tim, të mirat dhe të këqijat e tyre. E prej veprave të mira të tyre e gjeta se ishte largimi i pengesës nga rruga dhe prej veprave të këqija ishte pështymja në xhami”.(16)

E nënta: të bërit dua dhe shprehje të devotshmërisë ndaj Allahut të Lartësuar. Myslimani përveç asaj që duhet të kërkoj shërim mjekësor rekomandohet që të bëjë sa më shumë lutje për largimin dhe mbrojtjen e myslimanëve nga sëmundjet e këqija. Prej duavelutjeve të preferuara janë: “Thuaj kurrsesi nuk na godet asgjë neve pos asaj që e ka përcaktuar Allahu për ne. Ai është Mbrojtësi ynë, prandaj në Allahun të mbështetën besimtarët.”(17_, “Me emrin e Allahut, me emrin e të Cilit nuk i bëhet dëm asgjëje në tokë e as në qiell. Ai është që dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë”.(18)
“Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga çdo e keqe që e ka krijuar”.(19)
“O Zoti ynë! Unë të lutem Ty që të më dhurosh shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër. O Zoti ynë! Unë të lutem Ty të më falësh dhe të më dhurosh shpëtim në besimin tim, në këtë botë, në familjen time dhe pasurin time. O
Zoti ynë! M’i mbulo të metat e mia, me siguro nga ajo që më frikëson.
O Zoti ynë! Më mbro mua nga ana e përparme, nga ana e prapme, nga ana e djathtë, nga ana e majtë dhe nga ana e lartë. Kërkoj mbrojtje me Madhështinë Tënde që të mbrosh nga çdo e keqe që nuk e kuptoj”.
Rekomandohet këndimi i kaptinës Ihlas tri herë, i kaptinës Felek dhe Nas nga tri herë në çdo mëngjes e mbrëmje.


A duhet të mbyllen xhamitë, të braktiset falja me xhemat dhe të lihet namazi i xhumasë kur është rrezik përhapja e sëmundjes?


Në librin “El-Bahru Rraik Sherhu Kenzu Dekaik” përmendet: “Allahu ka lejuar që të mos agjërojë asnjë i sëmurë. Dihet qartë se legalizimi i ngrënies gjatë ramazanit është për qëllimin e vetëm që të largohet stërngarkesa për myslimanin, ngase agjërimi ka mundësi të vonojë shërimin dhe ndoshta të shtohet sëmundja apo edhe të dëmtohet ndonjë gjymtyrë e trupit që është e plagosur”.(20)
Nga e gjithë kjo po kuptohet se legalizimi i ngrënies gjatë ramazanit është bërë vetëm për të larguar mundimin e tepërt dhe se ky lloj i mundimit sjell shtimin e sëmundjes, vonimin e shërimit ose shkatërrimin e tërësishëm të gjymtyrës së plagosur.
Po qe se ne thellohemi ne analizën e kësaj që ka përmendur ky dijetar, e kuptojmë qartë se duhet doemos të pengohen grumbullimet e turmave të njerëzve nga frika se mos po mundësohet që të përhapet sëmundja ngjitëse në rastin tonë konkret virusi Korona (COVID- 19).
Pa dyshim se tubimet më të mëdha tek ne myslimanët janë me rastin e namazit të xhumasë dhe të namazit me xhemat. Nëse analizojmë logjikisht atë se sheriati islam e ka lejuar agjëruesin të mos agjërojë për shkak të sëmundjes me qëllim që të mos dëmtohet në asnjë aspekt, do të ishte shumë e arsyeshme të vendoset për ndalimin e faljes së namazit me
xhemat dhe faljes së namazit të xhumasë si preventivë legale për të penguar përhapjen dhe shtrirjen e sëmundjes. Shumë është e qartë se sot shkaku kryesor i përhapjes së pandemisë është grumbullimi i njerëzve!
Po qe se edhe më tepër bëjmë një analizë me të thellë, do të kuptojmë se po ato shkaqet që lejojnë të mos agjërohet, janë dhe shkaqet që lejojnë që të braktiset namazi me xhemat dhe namazi i xhumasë. Këtë mendim për braktisjen e namazit me xhemat e përforcon lajmërimi i mjekësisë se sëmundja (COVID-19) mundësinë e përhapjes më së shumti e ka në vendet ku janë turmat e njerëzve. Të gjitha këto shkaqe mundësojnë marrjen e vendimit për të penguar tubimet e njerëzve, qofshin edhe në faljen e namazit me xhemat dhe atë të xhumasë. Frika e përhapjes së sëmundjes pandemike është arsyetim i mjaftueshëm për të pezulluar faljen e namazit të
xhumasë dhe të namazit me xhemat.
Transmetohet nga Ibn Abbasi r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ai që dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet thirrjes (për të falur namazin me xhemat) ai nuk ka namaz përveç nëse ka arsye të justifikueshme. Ata thanë: o i Dërguari i Allahut cila është arsyeja e justifikueshme? Ai tha: frika dhe sëmundja”.(21)
Dijetari i mirënjohur hanbelitë Ibn Kudameh el-Makdesiju në librin e tij “El-Kafi Fi Fikhil Imam Ahmed ” ka shkruar një kapitull për rastet e justifikueshme kur lejohet të braktiset namazi me xhemat dhe namazi i xhumasë. Në të përmenden tetë arsye që lejojnë braktisjen e namazit me xhemat dhe namazin e xhumasë.(22)
Prej shkaqeve që ka përmendur janë edhe këto dy shkaqe: sëmundja dhe frika e të cilat shkaqe janë përmendur në hadithin e transmetuar nga Ebu Davudi. Frika që është përmendur në hadith ka shumë kuptime e njëri prej kuptimeve është edhe frika për kanosjen e shëndetit, andaj bazuar në këtë lejohet braktisja e xhamatit apo e xhumasë nëse personi ka frikë se i rrezikohet shëndeti dhe se në këtë rast ky person nuk ka asfarë mëkati.
E sa i përket asaj se a duhet të mbyllen xhamitë, kjo është një çështje që u takon të nxjerrin vendim institucionet që janë përgjegjëse për çështjet e organizimit fetar.


________________
1 El-Mudethir: 31.
2 Transmeton Buhariu , libri i mjekësisë , kapitulli që flet për shpërblimin e
atij që duron sëmundjen e murtajës (5/2165), nr.i hadithit: 5402.
3 E transmeton el-Bejhekiu ngaEnesi r.a.
4 El-Enfal:25. 5 Transmeton Ibn Maxheh nga Ibn Umeri r.a.
6 En-Nahl: 43.
7 Et-Teube: 51.
8 Transmeton Muslimi.
9 Trasnmeton imam Maliku, Ibn Maxheh dhe të tjerët.
10 El-Bekaretu: 195.
11 Transmeton Buhariu në “Muelekat” dhe Ahmedi 2/443. Këtë hadith e knsideron të sakt Shuajb Arnauti (Allahu e pastë mëshiruar) tek Musnedi i imam Ahmedit.
12 Mensur bin Junus bin Salahudin bin Hasen bin Idris el-Behutij el-Hanbelij „Keshshaful Kanai An Metnil Iknai“, vol. II fq. 126.
13. Ky është një fshatë në Palestinë në mes të Kudsit dhe Rremlit.
14. http://ibadou arrahmane.com.
15 Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe të tjerët.
16. Transmeton Muslimi
17. Et-Teube: 51.
18. Transmetohet në hadith se kush e thotë këtë lutje tri herë, atë nuk e godet asnjë e keqe deri në mëngjes, e ai që e thotë këtë tri herë në megjes nuk e godet asnjë e keqe deri në mbrëmje.
19. Në hadith përmendet se nëse e thua këtë dua nuk të godet asnjë e keqe prej të këqijave që i ka krijuar Allahu i madhërishëm.
20. Ibn Nuxhejm el-Misriju, El-Bahru Rraiku, vol. II fq. 303.
21. Transmeton Ebu Davudi.
22. Ibn Kudammeh, El-Kaf Fi Fikhil Imam Ahmed, vol. i I, fq. 288.



Dr. Flamur Sofiu
Dituria Islame 352/353