Allahu i madhërishëm thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut…” (El-Ahzab, 21).
Të gjithë njerëzit në jetën dhe veprën e tyre ndjekin ndonjë shembull. I pari ndjek traditën familjare, i dyti ndjek traditën e mjedisit, kurse i treti orientohet në politikanë apo dijetarë të caktuar. Te personat e rinj sidomos janë me rëndësi personalitetet e rëndësishme historike nga fusha e politikës, kulturës, shkencës. Te të rinjtë këta personalitete shërbejnë si model të duhet pasuar, personaliteti i tyre u jep motiv, elan dhe arsye që të qëndrojnë të papërkulshëm para furtunave të kohës; ata për të rinjtë shërbejnë kriter për të bërë përzgjedhje të drejtpeshuar, të matur dhe largpamëse.
Është vështirë të përcaktohet kriteri kyç i pranuar për të gjithë, për vlerësimin e kontributit të ndonjë personalitetit botëror. Shumë prej tyre kanë dhënë kontribute të shumta dhe njerëzinë e kanë futur në borxh. Në tërë këtë numër njerëzish meritorë: kryetarësh, ushtarakësh, shkencëtarësh e të tjerë, shkencëtarët myslimanë, por edhe ata objektivë jomyslimanë, pohuan se Muhammedi a.s., është personaliteti ideal, personaliteti numër një i tërë historisë njerëzore. Ai me veten dhe misionin e tij, me përmbajtjen dhe kompleksitetin e mesazhit të tij, më shumë se çdo kush tjetër ndikoi në rrjedhat fetare, politike, historike, kulturore etj. në histori. Edhe J. W. von Goethe, edhe G. B. Shaw, edhe Michael M. Hart shprehin konsideratat më të larta për Muhammedin a.s..
Muhammedi a.s. shembull ideal – përse?
Edhe pse studimet multidisiplinare historike, psikologjike dhe sociologjike të evro-perëndimorëve tentojnë t’i zbulojnë fijet lidhëse të cilat gjatë historisë i lidhin njerëzit e suksesshëm, sikurse janë potenciali intelektual, prejardhja, arsimimi, mjedisi e të ngjashme, bëhet e qartë se përkundër rëndësisë që kanë, këta faktorë nuk janë pikat më të rëndësishme për të cilat ata sunojnë e hulumtojnë. Pas analizave të thella dhe të përimta studimet e tyre konkluduan se të gjitha personalitetet karakteristikë të përbashkët e kanë pasur shembullin, prototipin, yrnekun. Prandaj, shembulli ndikon drejtpërdrejt në shumë përcaktime të ardhshme të individëve, grupeve dhe bashkësive.
Para vetes kemi një bollëk besimesh, kulturash, traditash me vlera morale dhe historike të llojllojshme. Kur jemi para tërë kësaj pasurie, para gjithë këtij shkëlqimi rrobash e veglash që na rrethojnë, para gjithë këtij luksi banimi e mjetesh udhëtimi, përse të përcaktohemi për Muhammedin a.s. që ta kemi mësues për jetën tonë!? Përse njerëzit në këtë kohë bashkëkohore duhet ta marrin për shembull jetën e Muhammedit a.s., siç e thonë disa me përbuzje shembullin e një njeriu nga shkretëtira nga shekulli VI-VII, kur në anën tjetër kemi aq njerëz të mëdhenj, aq njerëz me vlera moderne dhe aq vlera tekniko-teknologjike të shekullit XIX, XX dhe XXI?
Ka shumë arsye që i kanë tërhequr njerëzit përse ta pasojnë fjalët, jetën dhe veprën e Muhammedit a.s., por të gjithë pajtohen se vlerat njerëzore por edhe pejgamberike të Muhammedit a.s. janë të padiskutueshme, të pamohueshme dhe universale. Është e pamundur të numërohen arsyet, por me këtë rast do të fillojmë me theksimin e vetëm disa segmenteve:
– Traditën e përbuzjes së fëmijëve femra, deri në vrasje, e zëvendësoi me respekt maksimal të dobi të femrës. Femrën nga groposja e gjallë e bëri njeriun më të vlefshëm në shoqëri.
– Punëtorin nga statusi i skllavit e ngriti në njeri kreativ, të lirë dhe human. Rasti i Bilalit, Selmanit e të tjerëve na flet mjaft.
– Dijen dhe dijetarin e ngriti në piedestalin më të lartë. Dija nuk ishte privilegj i mekasit, as medinasit, por i të gjithëve. Edhe meshkujt edhe femrat duhet të mësojnë që ta mësojnë fenë e Zotit.
– Virtytet me të cilat u dhurua Muhammedi a.s. nga Krijuesi i tij iu përcollën njerëzisë. Ato nuk mbeten në personalitetin e tij, as në familjen e tij, siç është rasti kur një virtyt i familjes mbretërore mbetet dhe ruhet me xhelozinë më të madhe brenda familjes mbretërore, por me mënyrat më të mençura u mbëltuan në popullin e tij pa dallim fisi, gjuhe apo përkatësie gjeografike. Ato virtyte si udhëzuese për jetën individuale dhe kolektive i mori tërë bashkësia, i bëri detyrim fetar dhe program jetësor.
Ç’kishte ndikuar në formimin e personalitetit të Muhammedit a.s.?
Në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të Muhammedit a.s. vërejmë se kanë ndikuar një varg ndikuesish: Ai pati një fëmijëri të rëndë dhe me çaste të vështira. U lind pa baba dhe shumë shpejt mbeti edhe pa nënë. Zakonisht për fëmijët e tillë themi se kanë mangësi, sepse në mozaikun e personalitetit të tyre mungon elementi kyç, ai i prindit: përkëdhelja, ngrohtësia, kujdesi, udhëzimi.
Gjithashtu, transferimi i fëmijës nga shtëpia (e gjyshit Abdulmuttalibit) në shtëpi (te axha Ebu Talibi), pastaj puna e rëndë për ta mbajtur veten dhe për ta ndihmuar axhën e tij do të linin vragë në shpirtin e njom të fëmijës. Por, kjo sërish jo që nuk ndikoi negativisht, por përkundrazi. Situatat e vështira jetësore Muhammedin e vogël, ende të njom, e kalitën në Muhammedin a.s. të madh, të denjë për misionin më serioz që kurdoherë ka ndodhur në historinë njerëzore.
Mungesa e ndjenjës prindërore ndaj tij nuk bëri që ai të vrazhdësohet dhe të rebelohet në karakterin e tij, por sipas dëshmisë së më të afërmve të tij, tregohet se ai posedonte ndjenja atërore të papërshkrueshme: butësia, dhembshuria, kujdesi qenë udhëzime për të gjithë e jo vetëm për familjen e tij. Ai ngrihej në këmbë edhe përballë fëmijëve të tij, edhe para Zejdit për të cilin kujdesej, edhe para shumë të tjerëve. Së pari vepronte e pastaj edhe fliste. Kjo sjellje e tij bëri që të gjithë ta pasonin dhe të silleshin sipas udhëzimit të tij.
Si i tejkaloi sfidat jetësore Muhammedi a.s.?
Jeta e tij në relacione të ngushta, por edhe më gjerë, ndikoi që Muhammedi a.s. të bëhet ndikues edhe te jomyslimanët, n
ë çdo kohë dhe çdo hapësirë. Jeta e tij nga fëmijëria e hershme e deri në vdekje është shembull se si duhet jetuar jetën edhe në raste të lehta edhe të vështira, edhe para hallalleve edhe harameve, pa e harruar kuptimin e jetës. Pikërisht, mënyra e kapërcimit të problemeve, mënyra e zgjidhjes së problemeve në ecje e sipër, njerëzve u bëri përshtypje më shumë se vetë problemet dhe shabllonet e deriatëhershme për dalje nga vështirësitë.
Në raportet e tij si bashkëshort ishte i jashtëzakonshëm, në ngrohtësinë prindërore ishte i pakrahasueshëm, edhe pse këto virtyte nuk pati rast t’i shoh te prindërit e tij. Pikërisht mungesa e këtyre virtyteve në mileniumin e tretë na bënë të vrazhdë, egoistë dhe pa ndjenja altruiste. Madje edhe ndaj më të afërmve ne tregohemi egoistë e koprrac. Vuajtjet e tij në Mekën e ndershme, në qytetin e ndritur të Medinës i shndërroi në butësi e mëshirë, falje e solidaritet. Në Medinë ai u bë kryetar, komandant dhe mësues suprem, kishte çdo mundësi, por ai e tregoi madhështinë që ia kishte mbëltuar Allahu në zemrën e tij, moralin e pashembullt, maturinë apogjetike, urtësinë kulmore. Ndaj të ligës reagonte me durim, ndaj të mirës me mirënjohje e falënderim ndaj Krijuesit. Ky është Muhammedi a.s. pejgamber, kryetar, bashkëshort, prind, fqinj, mikë. Me të gjithë human në gjerat njerëzore dhe rigorozisht parimor në gjerat pejgamberike.
Muhammedi a.s., si shembull i përkushtimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut xh. sh.
Për arsye se jeta gërshetohet ndërmjet teorikes dhe praktikes, personaliteti i Muhammedit a.s. do të bëhet vravashkë për tërë njerëzinë dhe secili njeri do të gjejë atë që e kërkon. Shembulli i tij nuk linte hamendje ta ndjek apo jo rrugën që e predikonte. Në raport me Krijuesin shembulli i Pejgamberit a.s. dëshmon përkushtimin dhe nënshtrimin ndaj Allahut të madhërishëm.
Ibadeti gjatë netëve të thella ishte koha më e mirë për komunikim me Krijuesin dhe koha për manifestim të mirënjohjes për gjithë të mirat që posedojmë, për begatitë që kemi në vete dhe rreth nesh.
Mirëpo sjellja e Muhammedit a.s. ishte mbresëlënëse edhe për ata që nuk mendonin si ai. Herë-herë i përfitonte zemrat e tyre sepse në vend të ndëshkimit ndaj armikut ai i falte ata; në vend të dëbimit ai i afronte; në vend të skllavërimit ai i lironte; në vend të izolimit ai i mësonte të shoqëroheshin; në vend të varfërimit ai i pasuronte; në vend të hakmarrjes ai i falte dhe i mësonte të falin…; edhe atëherë kur ai ndodhej në çastet më të rënda, edhe atëherë kur e rrezikuan jetën e tij, ai lutej për ta: “O Allahu im, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë.”
Kjo është e vërteta për të, kjo është brendia e tij, ky është thesari nga i cili rrezaton bardhësi, mëshirë, dhembshuri, butësi por edhe këmbëngulësi në rrugën e të vërtetës.
Analiza objektive dhe gjithëpërfshirëse e personalitetit të Muhammedit a.s. shpie në përfundim se jeta e Muhammedit a.s. është pikërisht shembulli ideal për të gjithë njerëzit, në të gjitha kohët, për të gjitha hapësirat. Ky stil jete, të menduari dhe vepruari e bënë njeriun dinjitoz, krenar, të fuqishëm dhe të pathyeshëm.